Monday, November 4, 2013

Shqiptarët e Turqisë - Pjesa e Parë



 
Nga Dr. Laurant BICA
 Të shkruash për shqiptarët e Turqisë apo arnautët, siç thirren aty, është një përgjegjësi e madhe dhe një barrë jo fort e lehtë.  Është komuniteti me numrin më të madh të shqiptarëve në botë dhe pas tij renditen shqiptarët autoktonë të Greqisë apo siç njihen arvanitët ose dhe arbërorët apo barbaçet.
Kur njeriu flet për Turqinë, mendja të shkon te pllaja e Anadollit. Ajo ka qenë e populluar që nga të mugëtit e historisë së njerëzimit por dhe vazhdimisht ka qenë një shesh e arenë lëvizjesh të popullatave të ndryshme të ardhura nga Ballkani, Kaukazi, Azia Qendrore apo dhe nga Mesopotamia e Lindja e Mesme.










 I.
Nga historia shqiptare e Anadollit dje…





Megjithatë një popullatë qe e rrënjes, mbeti e nuk u zhduk kurrë me gjithë stuhitë e kohrave; si në lashtësi e në mesjetë dhe në kohën e re e të sotme, zotërit edhe sot të vërtetë të Anadollit, të Thrakës e të mbarë Turqisë, fisnikët e saj, pikërisht elementi shqiptar: Pellazgët, ilirët, të ashtuquajturit rumë, që mbizotëruan gjatë mesjetës e deri në ditët tona, bile në dy formacione shtetërore të mëdha si Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane. 

“Hirushja” e vatrës, siç e quan Robert D’Anzheli gjuhën shqipe, mbeti pjesë e pandarë e jetës së banorëve të Anadollit. Asaj gjatë viteve të zotërimit bizantin iu shtua gjuha greke si gjuhë kulture, e kishës dhe gjuhë zyrtare e perandorisë për 10 shekuj dhe më pas gjuha osmanishte për 6-7 shekujt e fundit deri në ditët tona. 

Pra pati një shtresëzim 3-4 gjuhësh në shekuj, megjithatë shqipja u mbijetoi valëve zemërake të qindvjeçarëve. Rastet e saj i kemi gjetur të gjalla në Ishujt Prinkipo apo të Princave në Stamboll, ku popullsia vëndase ndonëse shkollimin e ka bërë në greqisht por edhe në turqisht, shqipen çuditërisht e ka ruajtur si gjuhë shtëpie. 
Dikush mund të shtrojë pyetjen e ligjshme: Shqiptarët janë autoktonë në Turqi, në Anadoll?! Por e vërteta e shekujve është kjo. 

Një marrëveshje e Lozanës në 1923-25 prishi konfiguracionin e popullatave në të dy krahët e Detit Egje. Është thika më e madhe që i është ngulur ndonjëherë pas shpine popullit shqiptar pas kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe të shpalljes së Pavarësisë më 1912. 

Më 1877 e 1878 në genocidin e egër të dy dimrave të shtetit shovinist serb mbi sanxhakun shqiptar të Nishit, u larguan me dhunë nga trojet e tyre të lashta mbi 300.000 shqiptarë myslimanë; pas vendimit barbar të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 për masakrimin e territoreve shqiptare të Kosovës e Çamërisë në favor të fqinjëve grabitqarë e të pangopur, që u pagua me koston e vuajtjeve të paimagjinueshme dhe të dëbimit të përbindshëm nga vëndi i tyre të disa qindra mijra vetëve prej tyre në vitet e rënda të luftës së parë botërore. 

Me marrëveshjen e Lozanës dhe atë që e pasoi më pas, zbimin e pamëshirshëm nga shtëpitë e tyre, duke lënë edhe tenxheren e gjellës duke valuar në zjarr, u shkëputën nga vendbanimet e tyre stërgjyshore që nga antikiteti, jo pak por mbi 2 milionë banorë të të dy brigjeve kundruall të Egjeut për të “prodhuar” mbi bazën e përkatësisë fetare me shqiptarët musulmanë – “turq” dhe me shqiptarët ortodoksë “grekë“ dhe për të zhbirë përfundimisht kombësinë e tyre shqiptare. 

Kështu deshi Evropa, kështu deshën edhe dy shtetet nënshkruese të marrëveshjes, Greqia dhe Turqia. “Kurbani” i marrëveshjes në njërën anë qenë arvanitët muslimanë të Moresë (Peloponez) dhe çamët muslimanë si dhe shqiptarët muhamedanë të Maqedonisë “greke”, të ish-vilajetit të Selanikut dhe të Thrakës Perëndimore. 

Ndërsa në krahun tjetër qenë rumët, kryesisht shqiptarë dhe llazët ortodoksë që u këmbyen si kafshë në pazarin e bagëtive midis dy shteteve ndërsa Evropa bënte “sehirin” e radhës të veprës makabre të vet, duke luajtur me fatin e tij, pra në kurriz të popullit shqiptar.
Pra, pas Berlinit më 1878, Londrës më 1913, si edicion i tretë, Evropa plakë i vuri vulën me Traktatin e Lozanës të 1923-24, si akti i fundit i tragjedisë që i kish përgatitur popullit më të madh e më të lashtë të kontinentit për ta shuar përgjithnjë nga faqja e dheut…

Kështu i ndërruan në bazë të fesë gati gjysëm milion muslimanë, kryesisht shqiptarë të Greqisë, me mbi 1,5 milion të krishterë shqiptarë të Anadollit, të perëndimit, të jugut, të qendrës e të veriut të tij; por në këtë të fundit pra në veri të Turqisë, në pjesën lindore të Detit të Zi, përfshihen edhe të krishterët llazë, një popullsi autoktone, me prejardhje pellazge, e afërt me shqiptarët në tradita, në zakone, në gjuhë, në folklor, në këngë dhe valle, në veshje, në kulturë, në arkitekturën e shtëpive, në artin e detarisë etj. 

S’mund t’i kapërcej këto rrjeshta, pa thënë dy fjalë për komunitetin shqiptar të rumëve të Izmirit që pas Lozanës u shumëzua me zero. Ishte një komunitet shqiptarësh ortodoksë që ka luajtur rolin e një lokomotive progresi në Perandorinë Osmane. Ata kanë qenë mjeshtër të tregtisë në perandori, në fillimet e industrisë në Turqi, ata kanë investuar kapitalet e tyre në Izmir e zonën përreth deri në Stamboll, në kryeqytet, kanë dhënë një ndihmesë të shkëlqyer në fushën e arsimit, kulturës etj.

 Atyre u takon merita e nxjerrjes në gjuhën frënge të gazetës “Smyrna”, gazetë e parë otomane etj. Sa keq që ky komunitet i lavdishëm që ka qenë në harmoni të përkryer me shqiptarët muslimanë (si kudo shqiptarët me njeri tjetrin, pavarësisht  nga besimi fetar apo besa siç është thënë ndryshe dikur) u dëbua me Lozanën. Edhe ikja apo dëbimi i tyre ka qenë  i dhimbshëm e i llahtarshëm. I bartën me anije të huaja për në Greqi. 

Ndodhi afërsisht si largimi  biblik i shqiptarëve nga Shqipëria më 1990 me anijet shqiptare “Vlora” etj. nga Durrësi që u mbushën sa s’kishe ku të hidhje mollën dhe u kacavirrën në to, por në rastin që po flasim ishin shumë e shumë më tepër, s’ka vend për krahasime). Shqiptarët e Izmirit jo me qindra po me mijëra përfunduan të mbytur në ujërat e ftohta të brigjeve të Izmirit. Thirrjet dhe lebetitjet e këtyre njerëzve deri në kupë të qiellit, që u lanë në mëshirë të fatit, s’ka penë që t’i përshkruajë. Rastet e tyre i gjen edhe sot në Katerini, një lokalitet afër Athinës. Autori i këtyre rreshtave ka njohur personalisht dy zonja të nderuara nga ky komunitet. 

Njëra me emrin Zefirat (shkurt Zefi) jetonte në Athinë dhe punonte në bibliotekën shtetërore të saj, ndërsa e dyta ka punuar në Radio Tirana në radion e jashtme. Shqiptarët muslimanë të Gjirokastrës, të Delvinës, Konispolit e Çamërisë poshtë lumit Kalama kanë jetuar në shekuj në Izmir. I tillë p.sh., në vegjëli, ka jetuar shkrimtari e përkthyesi i shquar Vedat Kokona. Veç historia e shqiptarëve të Izmirit është sa e dhimbshme aq edhe të bën krenar për bashkëkombasit tanë vendalinj të atjeshëm.

 Duhen studime e studijues të tërë që të ndriçojnë këtë pjesë të kombit tonë, që ka jetuar në këto troje që nga lashtësia po që i takon tashmë historisë. Rastet e tyre në Greqi, pothuajse janë greqizuar plotësisht…

Në këtë truall, që quhet Anadoll,  kanë jetuar jo vetëm popullsi të stërlashta si sumeret e hititet, me të cilët fillon historia e njerëzimit apo edhe pellazgët, por edhe gjatë mijëvjeçarit të I- rë para erës sonë dhe në shekujt e tij kanë banuar në të, në pjesën më të madhe të tij, popullata ilire, fise ilire. 

Për këtë na bën me dije dijetari ynë rilindas, Sami Frashëri si në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” edhe në enciklopedinë e tij gjashtëvëllimshe “Kamus’ul Alam” (Fjalor i Botës apo i Gjeografisë e Historisë). 

Në një gjeografi që fillon nga qyteti Samsun në brigjet e Detit të Zi e në vazhdimësi rreth e qark gadishullit të Azisë së Vogël, nëpër Detin Marmara, Detin Egje e Detin Mesdhe, deri në Antalja, Alanja e pse jo deri në qytetin-port Mersin, apo siç njihet sot Içel, kanë banuar fiset ilire, që turqit në tekstet e tyre të historisë i quajnë “iljallëllar”; duke marrë nga veriu i Anadollit me paflagonët, me myzët, me trojanët, me lidiasit, kariasit, likiasit etj. etj. 

Fiset ilire dikur kanë qenë mbizotëruese në një hapësirë që fillonte nga Mbidanubi e përfshinte tre gadishuj, atë Apenin, gadishullin apo sinisinë e Ballkanit dhe gadishullin më të madh e që përbënte rrënjën apo “nuklin” e ilirëve, atë të Anadollit apo Anatolisë. Pjesën më të madhe të territorit të këtij të fundit e zinte fisi i frigasve që ka pasur shtetin e vet të centralizuar, një mbretëri që sundoi për rreth 7 shekuj gati në mbarë Anadollin. 

Rilindasi arvanit, Aristidh Kola, duke pasur parasysh që Anatolia ka qenë rrënja e shqiptarëve, në një poezi hymn të tij shkruan midis të tjerash se “ty kush mund të të presënj, kush mund të të zhduknjë, rrënjë e lashtë e Ilirisë, e Pellazgjisë, rrënjë e lashtë e Anatolisë“.
Popullsia pellazgo-ilire në antikitet vazhdoi rrugëtimin e saj në mesjetë si të ashtuquajtur “rumë“, (jo në kuptimin grek, por si ish-banor i perandorisë romake e më pas bizantine). Ajo u mbijetoi valëve të egra asimiluese nga popullatat barbare që shkelen Anadollin, por që zunë e nuk zunë vend aty. 

Pas mijëvjeçarit të parë  të erës sonë , aty u vendosen fiset e turqve selxhukë, për t’u pasuar në shekujt e XIII, XIV, XV nga turqit osmanë. Në shekujt e mesjetës, duke filluar nga shekulli i pestë, kur merr rrugën Bizanti i perandorit Justinian i Parë, popullsia vendase e genit pellazgo-ilir, pra rumët që flisnin shqip (në Ballkan kanë përballë apo në kontinuitet, arbërit mesjetarë), ngritën qytete të tëra të nëndheshme në pllajën anatolike, për të jetuar. Turisti i sotëm mbetet  pa mend, kur viziton këto qytete apo vendbanime të nëndheshme dhe bën çudi si janë ndërtuar ato dhe si mbijetoi popullsia “arbëre” (rume) në to. 

Sigurisht duke qenë e njëjta popullsi që themeloi edhe qytetin e Bizantit (Konstantinopojës apo Stambollit) në një pikë strategjike midis dy gadishujve, djep i qytetërimit evropian e mesdhetar në ngushticën e Bosforit, njeriu nuk mund të mos habitet me vitalitetin e saj. Ajo u mbijetoi shekujve të pamëshirshëm dhe mirë apo keq e ruajti shqipen. 

Historiani shqiptar, Prof. Kristaq Prifti, në një monografi për Ibrahim Temon na tregon se jo vetëm në vilajetin e Selanikut, që ishte me popullsi kryesisht shqiptare por edhe vilajeti i Edrenesë në fund të shekulli 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të rreth gjysma e popullsisë së tij fliste shqip dhe përbënte masën kryesore të tij. 

S’po flasim për qytetin e Stambollit që deri në vitet 70 të shekullit 20-të  sipas një statistike të brendshme të bashkisë së tij nga 140.000 banorë ortodoksë, 100.000 prej tyre flisnin ende shqip dhe deri diku, ndonëse jo si në shekullin e mëparshëm luanin një rol me influencë në jetën e Stambollit e sidomos përbënin një pjesë të konsiderueshme të elitës së tij. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe në shoqatën turko-shqiptare d.m.th. të shqiptarëve të Stambollit e të krejt Turqisë, ata luanin rol vendimtar, bile i jepnin asaj tonin. Pas grushtit të shtetit (apo “darbe”-s siç thuhet turqisht) në fillim të viteve 70 dhe ndjekjeve që bënë ndaj tyre sigurisht ra dhe influenca në Shoqatën shqiptare.

Kur flasim për shqiptarët e Turqisë nuk duhet të harrojmë tre komponentë, atë autokton, atë të ardhur dhe në këtë të fundit duhet të ndajmë si të tretë elementin musliman shqiptar, që mbushi Thrakën Lindore dhe Anadollin, për dy shekuj në vazhdimësi, në qindvjetshin e 19-të  dhe atë të 20-të me shqiptarë kryesisht të besimit islam. Stambolli deri në fund të shekullit të 19-të,  2/3 e popullsisë së tij i ka pasur të besimit të krishterë. 

Lagje të tilla si Feneri (apo Fanari), Balata, Tarlabashë, Pera, Bejollë, Tophane, Beshiktash, Arnavutqoj, Shishli, Maçka, Teshvikije, Ettiler, Bakerqoj, Kadiqoj, Bostanxhi, Suadije, Fëndekzade, Koxha Mustafapasha (ose Samatia) etj., sidomos lagjet buzëdetit gëlonin, gjallonin nga të krishterët. Ato kanë pasur dhe emrat e tyre të vjetër që popullsia e Stambollit në zhargonin e sotshëm të folur, sidomos të vjetrit, i kujtojnë me nostalgji dhe sjellin ndërmend se në ç’harmoni shembullore kanë jetuar me kristianët rumë dhe miqësitë që kanë pasur me ta.


Stambolli apo edhe Konstantinopoja siç quhej atëherë, si kryeqytet, ka qenë metropoli që ka grumbulluar popullatat nga tërë anët e Ballkanit, Kaukazit dhe Lindjes së Afërt e të Mesme. Gjithmonë në përbërjen e kryeqendrës osmane elementi dominues i popullsisë së saj kanë qenë shqiptarët, qoftë të besimit musliman apo atij kristian. 

Rreth 80 kishat  ortodokse të Stambollit, (përfshi dhe Kishën e Shën Triadhës në zemër të tij, në sheshin Taksim në Bejollu, bashkë me liceun e vajzave në krah të saj, 
të ndërtuar që më 1874 nga pasaniku i madh shqiptar Vangjel Zhapa nga Labova e Kryqit në Gjirokastër), 
janë kisha të ndërtuara nga shqiptarët e që në shekuj u kanë shërbyer atyre dhe vetëm atyre, të njohur si rumë të vendit, autoktonë denbabaden, që nga mugëtirat e Bizantit e thellë e më thellë…

Nuk mund ta mbyll komponenten e parë autoktone pellazgo-iliro-rume, pa përmendur tre çvendosje të mëdha popullatash të genit shqiptar në tre kohë të ndryshme, në antikitet me Aleksandrin e Maqedonisë, në mesjetë në kohën e Skenderbeut dhe në kohën tonë, nga çereku i parë i shekullit të 19-të e deri tani në fillim të mijëvjeçarit të ri. Stambolli dhe Anadolli pavarësisht kufijve të çdo kohe, kanë qenë forca tërheqëse magnetike e shqiptarëve, sidomos nga Ballkani. 

Një zhvendosje e madhe ka qenë lëvizja e trupave të Aleksandrit të Maqedonisë nga Ballkani kur ndërmori fushatën e madhe luftarake deri në Indi. Masa të mëdha njerëzish të racës sonë u çvendosën e u vendosën që nga malet e Hindokushit, në Kaukaz e në vet Anadollin e deri në Egjypt, ku u formua qyteti Aleksandria dhe në Anadoll në brigjet e Mesdheut, qyteti Iskenderun (Aleksandria e dytë) etj.

Në kohën e Skënderbeut, në shekullin e XV, pas vdekjes së tij e pushtimit osman, 300.000 shqiptarë, shumica luftëtarë bashkë me familjet e tyre të mëdha, kapërcyen detin e u vendosën kryesisht në jug të Gadishullit Apenin, në Kalabri e Siqeli. Disa dhjetra mijëra të  tjerë kapërcyen Danubin dhe kaluan në Rumani. Por, emigracioni më i madh ka qenë i brendshëm, drejt “nuklit”, në thellësi të Perandorisë Osmane, drejt Stambollit e Anadollit, rreth një milion njerëz. 

Llogarisni që ka qenë një zhvendosje e stërmadhe nga trojet e Ballkanit, “apokaliptike” do ta quaja për kohën që çoi në boshatisje të tokave, ku rrinin shqiptarët, të cilët u bënë dhe rezistencën më të madhe pushtuesve osmanë. Mendoni që në ato kohëra popullsia e botës ka qenë tepër tepër e vogël dhe e rrallë në krahasim me sot, kështu që shifra prej 1 milion shqiptarësh apo më mirë të themi arbërish që ia mësynë Anadollit ka qenë tepër e madhe dhe s’mund të krahasohet me 1 milion njerëz të sotëm.
 
Dhe vala e tretë e migracioneve të mëdha shqiptare drejt Anadollit janë dy shekujt e fundit, kur u formuan shtetet e pavarura në Ballkan. Kjo s’do të thotë se s’ka pasur të tilla edhe në shekujt para këtij procesi. Praktikisht në shekullin  e 18 në fund të tij vlen të përmenden dy lëvizje të mëdha demografike. 

E para ka të bëjë me qytetin shqiptar të Selanikut. Njoftimi na vjen nga konsulli francez i kohës në këtë qytet, Laskaris, që shkruan se në vitin 1779 në kohën e sulltan Abdylhamitit të I-rë me mbështetjen e admiralit osman Gazi Hasan Pasha në krye të 30.000 burrave, u dëbuan nga Selaniku brenda 5 ditësh nga guvernatori i qytetit, një pasha mizor e i urryer, më shumë se katërqind mijë shqiptarë, duke përfshirë disa qindra, të cilët bënin pjesë në shpurën e tij…

Në mesin e shekullit XVIII, disa mijëra shqiptarë punonin atje në hamame, si shitës boze, armëpunues, gurgdhëndës apo roje. Disa të tjerë bënin punë sezonale si barinj ose tregtarë bagëtish. Shumë prej zyrtarëve të lartë ishin vetë me origjinë shqiptare etj. 

Megjithëkëtë në shekuj Selaniku s’e humbi kurrë shqiptarësinë e tij. Edhe sot kur pas 1912-tës ai po bën një shekull duke iu nënshtruar  një procesi intensiv dhe të sforcuar të helenizimit nën Greqinë, çdo i katërti banor i tij është shqiptar, pa folur për rrethinat e fshatrat e tij e të Thrakisë Perëndimore. 

Jo më kot nëpër dasma nga Pogradeci deri në Permet, në Devoll, në Korçë, Kolonjë, Dangëlli e gjetkë, këngëtarët popullorë ja marrin me zë të lartë si sokëllimë malesh, si në ato këngët e lashta  majë krahit në Veri të Shqipërisë, që duket sikur del nga fundi i një shpelle, si një ofshamë e stërmadhe:


O Selanik e tatëpjetë
Siç ka qenë do të jetë
Shqipëri me të vërtetë

Vini re, këngëtari popullor kërcen nga e kaluara direkt në të ardhmen, duke lënë mënjanë të tanishmen e Selanikut, fati i të cilit dihet.

Dhe vazhdon me nota patetike:

Ç’kërkon greku e bullgari
Kur këtu është shqipëtari?!

Historianët mund ta fshijnë këtë fakt nga shkrimet e tyre, por populli nuk harron asnjëherë, nuk e fshin kurrë nga kujtesa e vet…
Konsulli francez shkruan më tej ndërmjet të tjerash: “Duhet të frikësohemi se ky komb, i cili është i madh dhe njëkohësisht shumë i varfër, do të shpërdorojë zakonin e tij të mbajtjes së armëve dhe do të bëhet i fuqishëm e i rrezikshëm për këtë Perandori. 

Të gjithë qytetet e hapura të Rumelisë janë të ekspozuara ndaj shkatërrimeve të tij, që mund ta çojnë atë te portat e Konstandinopojës, nëse ndonjë ambicioz do të dijë si të përfitojë nga numri, kurajoja dhe disiplina e natyrshme e këtij kombi.” Dhe ashtu siç e kishte parashikuar konsulli Laskaris, shumë drejtues shqiptarë u bënë një kërcënim serioz për Perandorinë. 

Në fillim të shekullit XIX-të, Mehmet Aliu, një ushtar shqiptar nga Kavalla u bë sundimtar i Egjiptit, themelues i një dinastie mbretërore dhe krijues i një perandorie jetëshkurtër në Afrikë e në tokat arabe. Më pranë atdheut ishte Ali Pasha – Bonaparti mysliman, siç e quante Bajroni – i cili sundoi në gjithë bregdetin perëndimor të Ballkanit nga kalaja e tij në Janinë. 

Ky ishte një pasha shqiptar, i cili po ndërtonte shtetin e tij dhe po ofronte mbrojtje për të krishterët e rajonit. Këtyre ne duhet t’u shtojmë dhe dy drejtues të tjerë pashallëqesh shqiptarë që konsulli francez nuk i jep, por që ishin edhe ata bashkëkohës me dy të mësipërmit, Bushatllinjtë e Shkodrës  në Veri dhe Ahmet Kurt Pasha i  Beratit që ishte një pasardhës i denjë i myslimanizuar i princërve Muzakaj. 

Këto të dhëna për Selanikun i kemi nga profesori amerikan me origjinë hebreje i historisë në Universitetin e Columbias në Njujork, Mark Mazover, në librin e tij “Selaniku, qytet i fantazmave”, Tiranë 2011, kur flet për shqiptarët në faqet 148-151.

Është fakt i pamohueshëm historikisht se furia osmane i shtypi kryengritjet e ndryshme të shqiptarëve me zjarr e me hekur dhe pashallarët osmanë të çdo kohe, të dërguar nga sulltanët, e mbuluan Shqipërinë e tokat shqiptare me lumenj gjaku dhe u bënë në shekuj shkak i lëvizjeve të mëdha e të stërmëdha demografike të shqiptarëve sidomos drejt Stambollit e Anadollit.

Së dyti, një lëvizje tjetër e madhe demografike në fund të shekullit 18 e fillim të shekullit 19 lidhet me emrin e qytetit të Voskopojës, metropol ballkanik e europian. Me rastin  e dy-tre djegieve dhe shkatërrimeve të saj më 1769 e më 1789 e më pas në fillim të shekullit 19 popullsia e saj në shumicën e saj dërmuese e mbajti frymën drejt qytetit metropol të krejt Perandorisë Osmane. 

Disa dhjetra mijëra voskopojarë ja mësyen, u mërguan drejt Stambollit, me të cilin kishin lidhje të shumanshme tregëtare, ekonomike, kulturore e deri ato fetare. Askush deri më sot nuk ka folur për këto lëvizje të mëdha njerëzish të këtij qyteti, Voskopojës e të malësisë së saj, krahinës së Oparit drejt Konstandinopojës, përfshi dhe qytetin apo qytezën e Vithkuqit etj., që pati një fat pak a shumë të ngjashëm me të simotrës së saj, të Voskopojës dhe u dogj e u prish edhe ai, afërsisht në të njëjtën kohë.



  • Vijmë tani në shekullin XIX. Popullsia që ka pësuar më së tepërmi kanë qenë shqiptarët. Emigrimet e para drejt Turqisë fillojnë nga Përlepi i Maqedonisë. 

Pastaj vazhdojnë me eksodin nga mbi 600 fshatrat dhe qyteti shqiptar i Nishit të mbi 300.000 banorëve, vazhdojnë me futjen më 1912 nën sqetullën e Serbisë të Kosovës dhe të Greqisë, të Çamërisë e të një pjese të Maqedonisë; vijojnë me ikjet gjatë luftës së parë botërore. 

Kështu, nuk mund të lëmë pa përmendur emigrimin e qindra, mos themi mijra Voskopojarëve dhe Oparakëve nga Shqipëria – Voskopoja, kur u dogj në vitin 1916, kishte mbi 500 shtëpi – për në Stamboll. 

Shumica e banorëve të saj e mbajtën frymën drejt qytetit të madh, me të cilin kishin lidhje të shumta familjare, ekonomike, tregëtare, arsimore, kulturore e të tjera prej shekujsh. 

Ikjet vazhdojnë drejt Turqisë si rezultat i shkatërrimeve të papara se Shqipëria u bë shesh lufte në Luftën e Parë të Përbotshme e sidomos në fund të saj, 

kur Jugosllavia e Versajës rikthehet në Kosovë, me Traktatin e Lozanës 1923-24, shkëmbimet e mëdha greko-turke të shqiptarëve, me lëvizjet e kosovarëve më 1938 drejt Turqisë, që u ndërprenë fatmirësisht, deri diku por jo përfundimisht nga lufta e dytë botërore, 

me zhvendosjet për arsye politike pas luftës si genocidi çam apo dhe masakrat mbi kosovarët si ajo e Tivarit apo brenda Kosovës e Maqedonisë nga hordhitë serbe e maqedonase; me disa qindra e mijra të tjerë të emigracionit politik drejt Turqisë, Italisë dhe Evropës Perendimore, drejt SHBA-së dhe Australisë; 

me dëbimin e madh në Turqi nga 1954-1960 e më tej në bazë të Traktatit turko-jugosllav Tito – M. Qyprili (ministër i jashtëm i Turqisë) dhe në dekadat vijuese deri në ditët tona një rrjedhje e skajshme pa precedent drejt Stambollit e Anadollit e papërmbajtshme e shqiptarëve, 

pa folur për ikjet në Evropë e Amerikë; 

pa folur për emigracionin biblik nga Shqipëria pas viteve ‘90 -të shekullit të 20-të drejt Evropës e Amerikës. Një kapitull më vete përbën tjetërsimi, boshatisja këto 70 vjetët e fundit nga shqiptarët e Sanxhakut me kryeqendër Tregun e Ri (Novi Pazar) dhe largimi masiv prej pllajës së Peshterit. 

Është një emigrim i vazhdueshëm, i pashembullt drejt Stambollit e qyteteve kryesore të Turqisë si Bursa, Izmiri, Ankaraja etj. Vetë kam folur shqip më 1989 me të rinjtë e Pazarit të Ri në Kapallë Çarshi (Pazari i floririt) që kishin ardhur e ishin punësuar në Turqi. Largim, largim, kurbet, deri kur?! Formimi i shteteve të pavarura të Ballkanit ka pasur koston më të lartë për shqiptarët që kanë qenë të detyruar të marrin rrugët e mërgimit me hir apo me pahir…

Ka edhe një zhvendosje të padukshme, të katërt të madhe, bile do të thosha të stërmadhe të shekujve, për të cilën kurrë nuk do të ketë shifër të saktë por bëhet fjalë për qindra e mijëra  shqiptarë që mbeten në dhé të huaj, qoftë lanë kockat, qoftë zunë vend aty, krijuan familje e nuk e panë më tokën që i lindi, atdheun e tyre.  Është fjala për aspektin ushtarak qoftë si shërbim i detyrueshëm, qoftë si profesion, si ushtarë me pagesë ose të njohur ndryshe si mercenarë. 

Me të drejtë Robert Elsie flet për “emigrimet e hershme të shqiptarëve në Turqi si rezultat i rekrutimeve me forcë për ushtrinë osmane dhe jeniçerë“. 

Gjatë pesë shekujve të sundimit osman në trojet etnike, shqiptarët kryen shërbimin ushtarak në të katër anët e perandorisë, me një sipërfaqe mbi 15 miljon km2 të shtrirë në tre kontinente. Kënga e “Urës së Qabesë“ është sinjifikative në këtë drejtim…Shërbimi vazhdonte, në disa raste, deri në 10-15 vjet dhe, ose linin kockat në shkretëtirat e Arabisë, Jemenit, Sirisë, Veriut të Afrikës si në Egjipt, Libi e gjetkë, ose vendoseshin andej.

Një plagë e pambyllur, e nisur që në shekujt bizantinë e që vazhdoi edhe në shekujt osmanë, është mercenarizmi që e kanë kaluar shqiptarët pa dallim feje. 

Dy janë popujt në Evropë që armën e kanë patur të shenjtë dhe që jeta e malet ku jetonin, i diktonin e i detyruan të mos e hiqnin nga supet dhe luftën ta bënin profesion të tyre se vendi nuk i mbante: Shqiptarët dhe Zviceranët. 

Katolikët e zonës së Krajës mbi Shkodër e Ulqin, e kanë kryer shërbimin ushtarak tradicionalisht në Gardën e Sulltanit, madje me veshje karakteristike të krahinës së tyre.



Nga Dr. Laurant Bica
Gazeta Metropol,  2012.
 http://www.gazetametropol.com/shqiptaret-e-turqise/

No comments:

Post a Comment