Wednesday, November 27, 2013

TEQEJA E FRASHËRIT - OXHAKU I KULTURËS DHE SHQIPTARIZMIT







 
Nga: Dr. Laurant BICA


Tematika shkencore “Frashëri dhe Prizreni – vatra madhore të historisë kombëtare”, na orienton të marrim në fokus  qytezën malore të Frashërit dhe për Teqenë e Nasibiut si qendër intelektuale e tij, duke shtjelluar një kategori të caktuar, të cilën unë e kam quajtur “salloni” i Teqesë së Nasibiut (Tahir Skënderasit), dhe që në shqip ne e gjejmë me emrin “oda” shqiptare, apo më thjeshtë dhoma e pritjes së miqve, ku zhvillohen biseda nga më të ndryshmet, nga ato më të lartat me karakter intelektual, bisedat ndërkombëtare, profesionale, të jetës së përditshme, etj. Në turqisht kjo njihet edhe me emrin “konak”, të cilin e përdorim edhe ne, po këtu ka një status të posaçëm në shtjellimin që po i bëjmë.

Shtjellimi do të bëhet nëpërmjet krahasimit, duke iu referuar sa Frashërit e Shqipërisë aq Stambollit e Perandorisë Osmane, dhe po aq Parisit e Francës, sa Rilindjes Kombëtare Shqiptare, aq dhe “Renesancës”, Rilindjes franceze, sa iluminizmit shqiptar aq dhe atij mbarosman dhe iluminizmit francez. Trajtimi ka në epiqendër “sallonin”, apo më mirë odën e madhe të Teqesë së Frashërit, ku mblidhej kryesisht elita e asaj kohe e këtij qyteti të vogël malor.

 Gjithashtu kumtesën e kemi përqëndruar në 3-4 rilindas, kryesisht përmetarë, si një Naim e Sami Frashëri, një Kostandin Duka dhe një Elena Gjika (Dora d’Istria).

Krahas qyteteve fushore si Berati, Elbasani, Prizreni, Nishi etj., për të cilët flet Evlija Çelebiu në shekullin XVII, u zhvilluan dhe qytetet malorë si Voskopoja, Frashëri, etj., duke arritur një nivel të lartë intelektual.

Voskopoja, jo larg Frashërit, u bë një nga metropolet e Europës dhe arriti deri të ketë një shkollë-akademi të vetën. Frashëri, një qytet me disa mijëra banorë, arriti në kohën e lulëzimit të vet të ketë disa shkolla dhe si qendër intelektuale Teqenë e Nasibiut, nga të cilat dolën dijetarë me emër që zunë vend nderi në historinë e Shqipërisë, të letërsisë shqipe dhe të mendimit filozofik shqiptar e më gjerë.



I – Teqeja e Frashërit si sallon



E krijuar nga dijetari Tahir Skënderasi, në krye të saj qenë njerëz që shkollimin e tyre e bënë në Iran, si Teheran, Ispahan, Shiraz, Harasan etj; apo Stamboll apo Kairo etj., me kulturë solide lindore dhe që zotëronin gjuhët e lindjes, arabishten, persishten, osmanishten, po dhe gjuhë lokale si greqishten, bullgarishten, vllahishten etj., pa folur për gjuhën amtare. Familjet fisnike të Frashërit, përfshi dhe Dukollarët (fis i Naimit), merrnin mësues të huaj shpesh nga Europa, si Itali, Austri etj., dhe këtë traditë do ta vazhdonin dhe në Stamboll në Turqi (p.sh. Sami Frashëri). Kështu bënin dhe Vlorajt në Vlorë, Vrionasit në Berat, Toptanët në Tiranë, Gropajt në Dibër të Madhe, Kryezinjtë në Gjakovë, Begollajt në Pejë, Dinot në Çamëri, etj.

Pa dashur të zgjatem, “Salloni” apo Oda e madhe e Teqesë së Frashërit ka kryer disa funksione legale dhe ilegale.



Funksione legale:



1. - Funksioni fetar: Në Teqe, si objekt kulti, janë ushtruar ritet bektashiane, kremtimi i festave fetare si ditët e matemit (zisë), dita e ashures, etj.

2. - Funksioni kulturor-letrar. Ajo qe një vatër dijeje dhe kulture ku recitohej poezia në disa gjuhë, sikurse dhe krijohej në çast, provohej aftësia vjershëruese e miqve intelektualë të ardhur, aty lexoheshin kaside e gazele të klasikëve persianë, si Firdusiu, Saadiu, Rumiu, Shiraziu etj., po dhe klasikë osmanë, si Bakiu dhe Fuzuliu, po dhe një Haxhi Bektash Veliu, e një Jonuz Emre, krijues bektashianë. Diskutohej në këtë sallon me zjarr për letërsinë arabe, perse, osmane, dhe duke dëgjuar ato i mori zanafillat “fenomeni” Naim.

3. – Funksioni arsimor. “Salloni i Frashërit”, do ta quaja sallonin e Teqesë, ishte një vatër diturie, ku mësoheshin të paktën disa gjuhë të huaja lindore, si persishtja, arabishtja dhe osmanishtja (turqishtja e vjetër), dhe në një mënyrë ose tjetër dhe shqipja, e mbase edhe ndonjë tjetër.

4. – Funksioni mediatik. Në këtë Teqe, në këtë sallon, bëheshin diskutime filozofike, teologjike, politike, shoqërore. Ai ishte një klub diskutimesh, debatesh, shpesh të zjarrta. Këtë atmosferë autori i këtyre rradhëve e ka përjetuar në shumë raste në Stamboll, në ambjentet e medreseve të vjetra, njëra prej të cilave e ndërtuar nga arkitekti i madh Sinan Shqiptari. Në të përmendeshin filozofë të Lindjes, po edhe të Perëndimit, diskutoheshin ngjarjet në Perandorinë Osmane dhe shtetet e asaj kohe, përfshirë dhe “memleqetin” (vendin amë) Shqipërinë.

Teqeja luante rolin e një “qendre mediatike” për Frashërin. Në ndonjë prej tyre, si në Teqenë e Helvetive në shekullin XVIII në Tiranë, arritën të nxjerrin edhe revistë në gjuhën persiane, që ekzemplari i saj ruhet sot në Pallatin e Topkapive të sulltanëve në Stamboll.

5. – Funksioni ekonomik (turistik). Teqeja, në kushtet e mënyrës së hoteleve, ishte vend i pritjes e i përcjelljes së udhëtarëve të huaj e të vendit, i njerëzve të ditur, po edhe i kalimtarëve të rastit. Aty shpalosej mikpritja shqiptare. Jo më kot ka mbetur shprehja “si në teqe”...

6. – Funksioni social. Teqeja ka luajtur dhe rolin e një strehe sociale për të varfërit, fukarenjtë, skamnorët, invalidët, të pastrehët e fshatrave përreth apo që u binte rruga andej etj. etj.

7. – Funksioni politik-kombëtar. Teqetë, po sidomos ajo e Frashërit, kanë qenë vatra të shqiptarizmit. Është i padiskutueshëm, i jashtëzakonshëm, dhe i pastudiuar, si dhe sa duhet, roli i sektit bektashi dhe i bektashinjve për çështjen kombëtare. Ky sekt, të paktën në Shqipëri, më tepër se një sekt fetar njihet si sekt kombëtar. Ne themi thjeshtë, siç kanë kaluar në tekstin e Historisë së politizuar të Shqipërisë, dy mbledhjet e Frashërit në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe 1889, dhe të krijohet përshtypja sikur ato ishin takime të thjeshta individësh. Por ato ishin Kongrese heroike të Shqiptarizmit, ku morën pjesë rilindasit tanë më të shquar, më eminentë, vetëm nga Jugu shumica, por dhe nga Veriu, nga të katër anët e trojeve shqiptare. Aty ishte dhe një Abdyl por dhe një Hoxha Tahsini, ishte dhe një Jani Vreto etj. etj. Abdyli e Naimi, që do të asistonin në sallonin e Prizrenit si mysafirë në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878, krahas Ymer Prizrenit, do të ishin në Frashër me Baba Alushin në krye, të zotët e shtëpisë në organizimin e tubimit kombëtar, dhe mbi shpatullat e tyre 30 vjeçare do të rëndonte barra e organizimit të një tubimi mbarëkombëtar shqiptar, dhe në ç’kushte e rrethana, pa asnjë mbështetje veç popullit, e nën hundën e sulltanit. Dhe “Pallati i Kongreseve” i të ashtuquajturave “Mbledhje të Frashërit”, do të ishte “Teqeja e Nasibiut”



Kush e do Shqipërinë kush

i varfri Baba Alush

Që nga varri na thërret

Përpiqi për mëmëdhet!



Teqeja e Frashërit printe në ballë të shqiptarizmës, në ballë të teqeve shqiptare nga Gjakova e Kosovës, në Durballa të Thesalisë, e deri në Kavallë të Selanikut! Nderime e respekte pafund Frashërit dhe Frashërllinjve për atë ndihmesë të paçmuar që kanë dhënë në altarin e çështjes kombëtare, dhe për njerëzit e shquar që i kanë dhënë Panteonit Kombëtar me në krye vëllezërit zulmëmëdhenj Frashëri, Abdyl, Naim, Sami, Mehmet!



Funksionet ilegale




8. - Funksioni i shkollimit. Në sallonin e Teqesë së Nasibiut është mësuar fshehurazi gjuha shqipe para gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit deri më 1912. Siç na bën me dije prof. Agron Xhagolli, nga goja e popullit na vjen e dhëna që në teqenë e Frashërit ka shërbyer si mësues në mënyrë ilegale prifti atdhetar At Stath Melani. Ajo ka shërbyer edhe si qendër ku grumbullohej e nga ndahej literatura në gjuhën shqipe. Të njëjtën gjë si nën osmanllinjtë, e përjetuan kosovarët nën serbomëdhenjtë në vitet 80, 90 të shekullit të njëzet për arsimimin shqip...

9. - Funksioni politiko-ushtarak. Në to fshiheshin komitët, kaçakët e malit, luftëtarët e lirisë, në to bëheshin mbledhje ku flitej për çlirim dhe gatiteshin aksionet e ardhshme të armatosura; ato ishin bërë çerdhe të kryengritjeve popullore, ishin kthyer në qendra organizative të lëvizjes atdhetare-patriotike, baza të komiteteve të fshehta për liri dhe jo rrallë, në krye të tyre, të lëvizjeve, kish dhe baballarë të teqeve.

10. – Funksioni fetaro-ushtarak. Në shekuj teqetë e bektashinjve dhe ky sekt heterodoks, simbiozë e veçantë e islamizmit me kristianizmin, ka qenë i lidhur me urdhërin e ushtarëve jeniçerë të sulltanit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë edhe të gjakut shqiptar. Në vitin 1826 sulltan Mahmuti II e mbyti në gjak urdhërin e jeniçerëve, dhe sekti i bektashinjve u përndoq gjatë gjithë shekullit XIX. Deti Marmara në Stamboll u skuq nga gjaku i jeniçerëve, tregojnë dëshmitarët okularë të asaj kohe, nga ajo masakër e përbindshme, batërdi gjakderdhjeje, që u bë n’atë kohë...





II – Salloni i Teqesë së Frashërit dhe rilindasit përmetarë Kostandin Duka, Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Dora d’Istria



Për t’i dalë ballas gjuhës së kukuvajkave, që po bëhet gjithnjë e më e pranishme në mjediset tona të zakonshme dhe intelektuale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Turqi e kudo që ka shqiptarë, që flet me përulje për Europën e nëpërkëmb krenarinë tonë kombëtare si shqiptarë, më lejoni të heq disa paralele për problemin e salloneve që po flasim.

Bëjmë fjalë për hyrjen e Shqipërisë në Europën e Bashkuar sot e të Kosovës nesër, dhe gjërat i shohim nga poshtë lart si inferiorë. Nuk mund të flas pa mllef. Shqipëria e trojet e Ballkanit e kanë parë “Europën e Bashkuar” në thonjëza 10 shekuj nën Bizantin e 5 shekuj nën Osmanllinë, kanë provuar dhe “tregun e përbashkët” për 15 shekuj. Gadishulli i Apenineve (mbi gjysma), i Ballkanit, dhe i Anadollit për gati 10 shekuj kanë qenë nën të njëjtën qeverisje...

Po t’i lëmë këto dhe të trajtojmë problemin nga një kah tjetër. Pukëvili, konsulli i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, gjeti në Përmet një burrë të ditur shqiptar që quhej Kostandin Duka. Ai kish qenë në Paris dhe në Kafen “Prokop”, ku mblidheshin iluministët francezë, kish pirë kafe e kish biseduar me ta. Dhe këta njerëz që jemi mësuar t’i shohim me nderim me të drejtë, si një Deni Didero, Zhan Leron D’Alamber, Markezi Kondorse, Volteri, Rusoi etj., hartuan në grup Enciklopedinë e Madhe Franceze, që ndikoi aq shumë në Francë e jashtë saj. Veç harrojmë, nga padija e plot shkaqe të tjera, që edhe rilindasit shqiptarë dhe ata osmanë e kishin një “Kafe Prokop” të tyre në Stamboll në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, pranë një xhamije shumë të vjetër, të themeluar rreth një dekadë pas pushtimit të Konstandinopolit nga osmanllinjtë më 1453. Aty shkonte dhe Hasan Tahsini dhe Naim e Sami Frashëri, dhe rilindas osmanë të shquar, ndonjë edhe prej gjakut shqiptar si Namik Qemali, Ahmet Xhevdet Pasha, Munif Pasha etj. Ajo nuk ishte shumë larg nga Ministria Osmane e Arsimit, ku punoi edhe Naimi ynë. Dhe bash ndofta dhe që këtu zunë fill projektet e iluministëve shqiptarë e osmanë, të cilat i realizoi një njeri i vetëm, përmendore e gjallë pune, dhe i njohur me nofkën “Ebu-Lisan” (baba i gjuhëve), biri i kësaj toke dhe i këtij fshati, kollosi rilindas shqiptar i njohur në Perandorinë osmane me emrin Shemsedin Sami.

Një shkrimtar dhe enciklopedist persian Didhoda, bashkëkohës i tij, do të fliste me respekt e nderim të jashtëzakonshëm për Samiun, për “Kamus’ul Alam”-in e tij. Atë që enciklopedistët frëngj e bënë si grup, atë Sami Frashëri e bëri një i vetëm, një njeri – një Akademi bëri “Enciklopedinë e botës” në 6 vëllime, me rreth 5000 faqe, që u bë bibla për diplomatët, qoftë të Lindjes apo të Perëndimit, për njohjen e Perandorisë Osmane e më gjerë, në fund të shekullit XIX e fillim të shekullit XX. Një akademik rus Gordlevskij, që e kish njohur vetë Samiun, shkruan për të se “ka të ngjarë që ky shqiptar të ketë bërë shumë më tepër se ç’kanë bërë osmanët për vehten e tyre”. Një orientalist rus në vitet ’50 të shekullit XX, një nxënësit të tij nga Shqipëria i tha: “A e di se cili është turkologu më i madh në botë i të gjitha kohërave?”, “Jo, – iu përgjigj studenti nga Shqipëria”. “Është një bashkëkombasi yt që quhet Shemsedin Sami Frashëri” – qe përgjigja e orientalistit rus...

Ndërsa Kafen “Prokop” e kemi dhe në Teqenë e Frashërit. Ajo ka pasur edhe këtë funksion, dhe aty shërbehej sipas traditës bektashiane edhe shqiptare me kafe dhe raki, të shoqëruara me biseda intelektuale sipas rradhës që mbahet në odën e burrave shqiptarë, në bazë të moshës, rëndësisë, mençurisë e të zakoneve të moçme...

Paralelja e dytë që do të donin të na hiqnin europianët neve, do të ishte ajo e salloneve mondane të dukëve, kontëve dhe markezëve të tyre, dhe ajo që do të ishte asgjësuese për ne prej tyre, do të ishte ekzistenca e salloneve të mëdha të grave mondane si një Madam D’Montenon, Madam Deni, Zonjës Pompadur në Francë, apo salloni i zonjës franceze Grafinji (mikeshës së Volterit), letrare e shquar për kohën e saj, etj. Por dhe këtu iu siguroj se s’janë të suksesshëm. Salloni shqiptar, oda e pritjes, është një sallon që vjen prej shekujve dhe është shenjë e mikpritjes proverbiale shqiptare me famë botërore, tipike për çdo shtëpi shqiptare. Por mund t’u them se familjet fisnike shqiptare kanë pasur sallonet e tyre në sarajet-pallatet e tyre. Mjafton t’u përmend Vlorajt. Në shtëpinë e Ismail Qemalit në Vlorë çdo ditë në sallonin e tij mund të hanin 100-150 njerëz. Kushëriri i tij në Stamboll, dijetari Syrja Vlora, i ati i Eqerem bej Vlorës, bënte të njëjtën gjë. Në sallonet e rilindasve osmanë, si një Ahmet Xhevdet Pashë, Munif Pashë në Nuriosmanije dhe në Sulejmanije etj., rrinin dhe Frashëllinjtë dhe Hoxha Tahsini, Pashko Vasa, etj. Ata zbukuronin kuvendet ku shkonin me praninë e tyre. Në konakët e tyre merrnin pjesë edhe gra, si poetja Lejla Hanëm, e bija e Ahmet Xhevdet Pashës, apo poetesha Nigjar Hanëm, e bija e një pashai me origjinë polake, apo dhe intelektuale të shquara të gjakut shqiptar...

Por sfisa është tek sallonet e grave franceze. As me këtë s’dalin fitimtarë. Po iu përmend vetëm dijetaren rilindase me origjinë përmetare, Elena Gjikën. Për të shkruhet:

Zonja Dora nga Përmeti

Me dituri porsi deti”.



Ajo ishte mysafire e Akademive të ndryshme të Europës, si të Parisit, Athinës, Bukureshtit. Xhaxhai i saj Jon apo Jan Gjika, ishte kryetar i Akademisë Rumune të Shkencave. Për të qenë hapur sallonet nga Petërburgu e Moska në Rusi, deri në Paris, Berlin, Vjenë e Romë e Gjenevë të Zvicrës. Ajo kish bërë kërkime në arkivat e Venecias, Vjenës, Stambollit, etj. Shtëpinë e saj në Zvicër, apo së fundi Firence, e kish kthyer në një qendër, sallon, ku vinin ajka e inteligjencës italiane, europiane, por dhe rilindas shqiptarë si një Mitko, De Radë, etj. Kjo dijetare e nderon Përmetin tonë, kombin tonë.

Pra nuk kanë qenë vetëm zonjat franceze, si ajo Pompadur, Grafinji etj., po dhe një zonjë e tillë e rëndë përmetare, si Dora d’Istria e jonë.

Një zonjë e tillë e rëndë, e njëkohësisht tepër e thjeshtë, përmetare nga e ëma, është Solanzh D’Anzheli, e bija e albanologut Robert D’Anzheli, autor i librit “Enigma”.





III – Sallonet e aristokracisë shqiptare

në Shqipëri dhe në Stamboll



Evlija Çelebiu në veprën e tij “Sejahatname”, mbi tre shekuj më parë, tregonte për medresetë e kohës në Berat, Elbasan, Prizren, etj., dhe kafenetë ku ajka e inteligjencës së kohës bënte diskutime filozofike, teologjike, letrare etj. Poetët, dijetarët e kohës ishin të shumtë dhe ata i jepnin tonin jetës intelektuale në fund të shekullit XVII. Mbi dy shekuj e gjysëm, sipas Hafiz Ali Korçës, “Elbasani ka qenë qendra e ulemave (dijetarëve) në Shqipëri. Atje shkruanin vjersha të çdo lloji si edhe rubai (Çdo rubai përmbledh një mendim ose ide të plotë ose pohon një të vërtetë morale apo filozofike të shprehur në vargje). Atje shkruanin vjersha të çdo lloji, si dhe rubai në gjuhën arabe, perse, turke dhe shqipe. Nga nami i madh dhe buja e përhapur që ka pasur Elbasani, i vinin vizitues nga Arabia, Persia dhe Turqia”. Hafiz Ali Korça u referohet dy dijetarëve të mëdhenj, shqiptarëve Hasan Zyko Kamberit nga Kolonja dhe mistikut me famë Ibrahim Nezim Frakulla të Beratit, që vdiq në Stamboll.

Siç na njoftojnë udhëtarët e huaj apo diplomatët që lëvizën në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës, në sallonet e sarajeve të tij në Janinë dhe Tepelenë, ata hasën aty apo jashtë tyre njerëz të dijshëm, dijetarë, intelektualë të ndryshëm. Po jo vetëm në Pashallëkun e Jugut. Edhe në atë të Veriut, të Bushatlinjve, apo dhe të Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Në Shkodër gjejmë një dijetar si Isuf Tabaku, në jug, në Filat, një Osman Hoxha (i ati i Hasan Tahsinit) apo një Muhamet Kyçyku Çami në Konispol...

Ky zhvillim u reflektua edhe në qytete malore si Voskopoja, Vithkuqi, Frashëri, Leskoviku, Konica, etj. Në Frashër nga shtëpitë e bejlerëve, oxhakë me emër si Sulejmanbellinjtë, Vilakët, Skënderajt etj., njerëzit e shkolluar nga fisi i tyre në Teheran, Stamboll, Kajro apo ndonjë edhe në Perëndim, që përbënin elitën e qytetit të vogël malor, mblidheshin në teqenë e Nasibiut që ishte bërë një qendër kulture, sidomos të kulturës lindore. Në këtë vatër diturake “mori pagëzimin” e parë dhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Aty, në këtë “sallon” të Frashërit malor, mori edukatën orientale. Aty ai dëgjoi nga baballarët e kulturuar të Teqesë frashërjote divane të tëra poezish në persisht, arabisht e osmanisht. Aty atij i ranë në dorë libra në tre gjuhët e lindjes që ndodheshin në bibliotekën e Teqesë. Aty ai mësoi poemat e Dalip e Shahin Frashërit në shqip.

Më pas me transferimin në Janinë, në vitet ’60 të shekullit XIX, Janinë e cila ruante ende kujtimin e Luanit Shqiptar, Ali Pashë Tepelenës; në sallonin e gjimnazit klasik “Zosimea”, ai me të vëllanë Samiun do të mësonin greqishten dhe latinishten, po dhe italishten dhe frëngjishten. Jashtë tij do të perfeksiononin gjuhët e lindjes... Në këtë gjimnaz, ku studiuan vëllezërit Frashëri, në gjurmë të shkollimit të tyre ka qenë një gjurmues i apasionuar i jetës, veprës dhe ideve të tyre, si profesor Zija Xholi, dhe së bashku me të një ish punonjës i ambasadës sonë në Greqi dhe më pas ambasadori ynë në Turqi, zoti Jonuz Begaj...

Në sallonin e këtij gjimnazi, rilindasit tanë Naim e Sami, djelmosha n’atë kohë, u njohën me klasikët greko-latinë të kohës së vjetër dhe me klasikët italianë e francezë në kohët e reja.

Aty në gjimnaz apo në konsullatën franceze të Janinës, Naimi ynë mori nga albanologu francez, August Dozon, porosinë për të mbledhur fjalë të urta në vendlindje, në krahinën e Dangëllisë. Në mjedisin e teqesë, ku vinin e shkonin njerëz nga të katër anët e krahinës, në komunikim me ta, po dhe të krahinave përreth si Skrapari, Tomorica, Opari, Kolonja, Përmeti, etj., edhe në fshatin Frashër midis njerëzve i qëmtoi me kujdes fjalët e urta dhe ia dha dijetarit të vyer Dozon, siç na bën me dije shkrimtari nga Kolonja me banim në Bullgari, Thoma Kaçorri. Kjo lidhje me konsullin frëng Dozon qysh në moshë të re, është një tjetër dëshmi më tepër se Naimi i ka pasur lidhjet të hershme, dhe jo vetëm nëpërmjet librave por dhe të gjalla, me kulturën frënge dhe njerëzit e kësaj kulture dhe më gjerë asaj europiane...

Teqeja e Frashërit dhe salloni i saj ishin një si mikrokozmos ku dëgjoheshin tërë gjuhët që fliteshin në Frashër, këtë qytetth të vogël mes maleve të Dangëllisë. Ne sot s‘mund ta përfytyrojmë statusin e atëhershëm shumëgjuhësh, ku u lind dhe u rritën një Naim, një Sami, e përgjithësisht vëllezërit Frashëri e të tjerë. Në Frashër, veç lagjeve muslimane bektashiane, kish dhe një lagje të krishterë, e një lagje vllahe. Në to kish dhe shkollat përkatëse. Veç një shkolle fillore (mejtepit) në gjuhën osmane, aty kish një shkollë greke (për të krishterët) dhe kuptohet me mësuesit përkatës nga Frashëri ose jo. Sigurisht që kishte edhe kishë. Bile, siç na bën me dije Samiu në “Kamus-ul Alam” (Fjalori i botës), kish dhe dy teqe, një e sektit bektashi dhe tjetra e sektit sadi.

Kuptohet dhe dihet historikisht që teqeja bektashiane e Frashërit qe më kryesorja, dhe ajo u shndërrua në qendrën intelektuale të këtij qyteti malor. Ajo u bë “Akademia” ku rriheshin probleme filozofike, fetare, letrare, shkencore, artistike, kulturore, politike etj. etj. Aty në teqe dëgjoheshin dhe tërë gjuhët që fliteshin në fshat, sadoqë të gjithë ishin shqiptarë. Muslimanët bektashinj dinin turqisht (dhe jo vetëm ata) se qe gjuha e administratës, shkollës, fesë etj. Ata më të shkolluarit, që kishin shkuar deri në Iran ose pa shkuar atje flisnin persishten, gjuhë që e dinin normalisht baballarët e teqeve po dhe dervishët dhe të tjerë. Po edhe arabishten që mësohej në mejtep krahas osmanishtes e persishtes, e dinin shumë njerëz si gjuhë e kuranit, librit të shenjtë, gjuhë e liturgjisë islame në xhami, po dhe në teqe. Të krishterët ortodoksë mësonin “gjuhën e tyre” greqishten, të njohur si gjuhë e ortodoksëve të Ballkanit e të krejt Perandorisë Osmane, pra dhe të krishterëve shqiptarë. Shkolla greke dhe kisha ku mësohej po në greqisht, shto dhe lidhjet tregëtare me Janinën e Greqinë më thellë, e mbanin të gjallë këtë gjuhë. Bile atë e dinin dhe e flisnin edhe një pjesë (veç të krishterëve) e muslimanëve të jugut shqiptar, përfshi edhe bektashinjtë. Sido që të ishte, greqishtja ishte një gjuhë kulture e vjetër e trashëguar që nga antikiteti dhe Bizanti. Jo më larg se një vrap pele ajo flitej dhe ishte folur, shkruar e mësuar në Voskopojën e Vithkuqin fqinj, qytete malorë njësoj këto si edhe Frashëri, por më të mëdhenj. Të mos themi dhe tjetrën që kishin edhe lidhje të shumllojta si fqinjë që ishin, lidhje tregëtare, ekonomike, kulturore, të gjakut, si dhe Voskopoja ishte në lidhje pronësie me Frashërin. Pas rënies e djegies së Voskopojës nga derebejtë, figurojnë bejlerët frashërllinj, si pronarë feudalë të qytetit zulmëmadh të Voskopojës...

Pra, në teqenë e Nasibiut në Frashër, si në mbarë qytezën e Frashërit, dëgjohej rëndom të flitej persishtja, arabishtja, turqishtja, greqishtja, vllahishtja dhe së fundi, llaçi lidhës ishte gjuha e vetme që nuk shkruhej, gjuha e “njerkës”, “hirushja e votrës”, që flitej në çdo shtëpi. Në teqe të gjithë merreshin vesh nëpërmjet shqipes, kjo qe “gjuha ndërkombëtare”, “esperantoja” që merreshin vesh të gjithë, por që përbuzej nga pushteti administrativ dhe ndalohej shkrimi i saj. Të priste burgu po të mësoje e të lexoje e të shkruaje shqip. Megjithë ndjekjet, prapë shqipja mësohej fshehurazi, bash në teqenë e Frashërit. Bile tregojnë se në një fshat të Skraparit në derë të një teqeje është gdhendur një shqiponjë që ka mbërritur deri në ditët tona e trashëguar qysh nga kohërat e osmanllisë. Guximi dhe kurajoja nuk u ka munguar shqiptarëve dhe aq më tepër bektashinjve. Njerëzit në sallonin e teqesë i bashkonte jo vetëm gjuha e përbashkët, meqenëse ishin shqiptarë dhe e mësonin qysh me qumështin e nënës, por dhe traditat shqiptare, si besa, burrëria, ndershmëria, mikpritja, kurajoja, guximi, etj. Në lidhje me ndershmërinë tregojnë në një fshat të Skraparit a të Dangëllisë, se një mjeshtër oparak ndërtoi një teqe. Si e mbaroi, e thirri Babai i teqesë dhe e pyeti: “Ustabash, sa të bën haku?”. Mori një tas me monedha të arta e të argjendta, mexhide turke të kohës, apo monedha të arta të shteteve të tjerë si korona austriake, mbushur plot e përplot, dhe ia vuri përpara. “Merr sa të duash”, - i tha shehu. Por ustai me atë ndershmërinë që i karakterizonte njerëzit e asaj kohe që ruanin zakonet shqiptare, zgjati dorën, mori disa monedha prej tasit dhe u tërhoq. “Kaq është haku im” – i tha. Ndërsa babai i teqesë me fisnikërinë që e karakterizonte, kapi dhe një monedhë tjetër ari dhe ia dha: “Këtë e ke peshqesh nga mua për punën me cilësi të mirë që ke bërë për teqenë”. Të tillë ishin njerëzit e asaj kohe...

Pra, në një qytet të vogël si Frashëri, as më pak e as më shumë fliteshin gjashtë gjuhë, persisht, arabisht, osmanisht,. Greqisht, vllahisht dhe shqipja që e dinin të gjithë, që ishte si ndonjë gjuhë që e kemi sot në përdorim por që nuk shkruhet nëpër qytetet tona, p.sh. gjuha që flasin arixhinjtë, ciganët... Kish njerëz që kishin bërë në shtëpitë e tyre, apo dhe kishin mbaruar licetë, gjimnazet apo dhe universitetet në Europë, nga oxhakët e Frashërit, që dinin dhe gjuhët e perëndimit, kryesisht frëngjishten, italishten, ndonjë dhe gjermanisht e shumë rrallë dhe anglisht...

Në këtë mjedis u rrit në dekadën e parë të jetës së tij Naimi, Samiu e vëllezërit e tjerë, dhe më pas në dekadën e dytë të jetës së tyre ngjiteshin deri në Frashër, sidomos Naimi në pushimet e verës të shkollës. Pasi shlodhej në Bredhat e Hotovës tek burimi, i ngjitej malit të Kokojkës, dhe pastaj përmes të tatëpjetës e mbante frymën në Teqe për të takuar Baba Alushin, mikun e shtëpisë e të zemrës dhe të gjakut të Frashërllinjve, pa shkuar në shtëpinë prindërore. Pastaj shkonte tek shtëpia e vet, e Dukollarëve dhe shkonte në gjëri, në farefis, në “akraba”, dhe më pas çmallej me shtëpitë e njerëzit e lagjeve apo mëhallave në tërë Frashërin. Nuk harronte të shkonte të shihte dhe kopetë e bagëtive e të dëgjonte zilet e tyre, sidomos në mëhallën e vllehëve. I tillë ishte Naimi.

Vite më vonë këto mbresa të ngulitura në kujtesë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme mbi bagëtitë, mbi malet, apo pishat, lisat, bredhat e drejtë si qiriu të Hotovës, ai do të derdhte si ndoca statuja e do t’i gdhendte me shpirt “ustai”, në vargjet e veprës së tij të pavdekshme “Bagëti e Bujqësia”. Në të ai do t’i këndonte Tomorrit të lashtë antik e Tomorrit mal i shenjtë tek rrinin perënditë e shqiptarëve dhe të bektashinjve....

Frymëzimi i tij nga Tomorri do të frymëzonte dhe elektrizonte me shqiptarizëm mbarë shqiptarët:



O Tomorr, o mal i lartë, ku rrij zoti

Pas fesë që kishin shqiptarët qëmoti...



Në “Akademinë” e Teqesë së Frashërit, në këtë vatër diturake me bibliotekë të pasur e me dijetarë me emër e me kulturë solide lindore dhe vendore, në këtë strehë ku përcillej brez pas brezi kultura shqiptare dhe kodet e zakonet morale të shqiptarëve, në këtë vatër kulture ku zhvilloheshin biseda në gjuhë të ndryshme nga elita e Frashërit, sidomos bejlerët e shkolluar të shëtitur e të gjesdisur të tij, në këtë “univers” gjuhësh, në këtë vend ku vinin e rrinin e zhvillonin biseda nga më të ndryshmet, nga filozofia e feja e deri tek letërsia dhe kultura e orientit po dhe e oksidentit, duhen kërkuar bazat e kulturës poliedrike, enciklopedike, të kryepoetit tonë, Bilbilit të Frashërit. Bilbil i Frashërit duhet ta marrim jo vetëm në kuptimin se prej andej ka prejardhjen, është ky qytet e kjo trevë e Dangëllisë apo Përmetit që e nxorri, domethënë nga rridhte edhe në kuptimin më të thellë se është Frashëri, teqeja e tij e bektashinjve, dhe “salloni” i saj, që i hodhën themelet e formimit të tij si njeri, si humanist, si panteist, si shqiptar me Sh të madhe, dhe po këtu u hodhën bazat e kulturës së tij të ardhshme si poet po edhe si dijetar, si një erudit e poliglot që zotëronte mbi 10 gjuhë...

Por le të lemë pakëz, për pak çaste Teqenë e Frashërit, këtë “Akademi të Vogël”, që na përgatiti Naimin e Samiun tonë të madh, dhe të ecim në rrugëtimin e tyre jetësor drejt Stambollit, kryeqytetit të Perandorisë Osmane, ku i hodhën valët e jetës dy korifenjtë tanë, por dhe shumicën e rilindasve tanë më të rëndësishëm... Në këtë qytet të stërmadh, kryqëzim veç të tjerash të kulturave të popujve të ndryshëm të Ballkanit, Anadollit, Kaukazit, jugut të Europës e Mesdheut e më gjerë, të Lindjes së mesme, Afrikës Veriore, Azisë së mesme, Ukrainës e Krimesë, Iranit, Indisë etj. etj. Aty, në atë pikëtakim të kulturave të lashta me ato të reja, të Lindjes dhe të Perëndimit, të Veriut e të Jugut, aty në atë pikëpjekje të tre kontinenteve, do të konsolidoheshin ata si filozofë e dijetarë, si poetë e shkrimtarë të përkushtuar ndaj popullit të vet, si shqiptarë të vërtetë...

Naimi në Stamboll ka qenë mysafir i shpeshtë në dy “konakët”, sallonet e Munif Pashës, ministër i arsimit në kohën kur ai punonte në këtë ministri, por dhe më parë në fillim të viteve ’70 të shekullit XIX, bashkë me Hoxha Tahsinin dhe të vëllanë Sami Frashërin... Këto dy sallone ishin fare pranë Ministrisë Osmane të Arsimit, njëri në Nuriosmanije e tjetri në Sulejmanije. Në të merrnin pjesë edhe gra të arsimuara, intelektuale, poetesha plus dhe dijetarë si nga Persia, Pakistani, India, Arabia, Egjypti, por dhe nga Norvegjia...

Në medresenë e Hasan Tahsinit në Stamboll vinin intelektualë të vendit, personalitete të arsimit dhe kulturës osmane si Munif Pasha, por vinin siç na bën  me dije Sami Frashëri dhe dijetarë të huaj, si gjermani Pol Gronifel apo dhe të tjerë.

Naimi në Stamboll do të punonte për dy dekada në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë, dhe aty në sallonin e saj ai do të kish rast të dëgjonte e të merrte pjesë në pritjet e përcjelljet e personaliteteve të vendit e të huaj. Unë kam qenë në katin e tretë apo të katërt të kësaj ndërtese, sot Muzeu i Shtypit të Stambollit (Press Museum apo Basin Muzesi), dhe aty ndodhet salla e bibliotekës së këtij institucioni. Po unë e përfytyroj këtë sallon të stërmadh, ku bëheshin konferenca, në të cilin vinin të huaj nga mbarë bota e asaj kohe, dijetarë hungarezë si Arminius Vamberi, mik shtëpie i Sami Frashërit etj. Naimi në rolin e zëvendësministrit ndofta në krah të Munif Pashës, titullarit të asaj ministrie, priste e përcillte këta njerëz të shquar të kombeve të ndryshëm, si akademiku i Akademisë së Shkencave të Budapestit, Vamberi etj.

Është interesant se para një muaj e gjysëm kur isha në Stamboll, më ra në dorë një material i cili konfirmonte se në të njëjtën ndërtesë ku ka qenë Ministria Osmane e Arsimit, aty më tepër se një dekadë më parë, ishte çelur universiteti i parë osman, dhe nga ballkoni i saj rektori i parë i tij Hoxha Tahsini u qe drejtuar mbi 1000 e ca studentëve (talebeve) në inagurimin e tij. Aty ishin mbajtur në sallonin në fjalë dhe disa prej konferencave shkencore që mbaheshin në muajin e Ramazanit për studentët  e më gjerë.

Naim Frashëri, Naimi ynë, shkonte dhe në sallonet e të krishterëve armenë apo rumë të Stambollit të lagjeve Fener apo Balata etj., në sallonet e tyre ku mblidhej ajka e inteligjencës së Stambollit. Është me interes të theksoj një fakt kuptimplotë. Pas vdekjes së Hoxha Tahsinit, në medresenë e tij pas vitit 1881 ka qenë instaluar një drejtori e Ministrisë së Arsimit ku ndofta mund të ketë punuar Naimi. Çka ndjerë poeti ynë, duke qenë në të njëjtën ndërtesë ku kish jetuar rilindasi Hasan Tahsini, apo fakti tjetër që në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit kish qenë më përpara ndërtesa ku u çel universiteti i parë osman nga Tahsini.

Sallonet e Vlorajve, qoftë të degës së Ismail Qemalit, diplomatit më të madh të Perandorisë Osmane, apo të degës tjetër të Syrja e të Eqerem bej Vlorës, qoftë në Vlorë apo në Stamboll, nuk u linin gjë mangut atyre të kryeministrive osmane. Sallonet e sadrazemëve si Ali Pasha etj., që patën lidhje edhe me rilindasit tanë, ku ulej e ngrihej sofra për 200-300 vetë çdo ditë, ishin çerdhe intelektuale të ajkës së elitës osmane po dhe shqiptare…

Shtëpitë e Pashko Vasës, Ismail Qemalit, ofiqarë të lartë osmanë, të Abdyl Frashërit (deputet në parlamentin osman) në Bejollë, në zemër të Stambollit, ishin qendra të lëvizjes atdhetare shqiptare. Në sallonet e tyre zhvilloheshin biseda politiko-atdhetare e merreshin vendime historike, siç ka qenë ai për shpalljen e pavarësisë, 30 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shtëpinë e Abdyl Frashërit, në Merxhan Jokushu (E tatëpjeta e Merxhanit), sa del nga Kapallë Çarshia (Pazari i floririt në Stamboll), u mbajt mbledhja historike që shënoi themelimin e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Në sallonin modest të saj u mblodhën firmëtarët e kanonizmës (statutit) të saj.

Shtëpitë e Naim e Sami Frashërit në pjesën europiane, e më pas në pjesën aziatike të Stambollit, ishin vende tubimesh intelektuale e atdhetare. Aty vinin dijetarë nga Lindja e nga Perëndimi. Në to rrinin pranë e pranë prifti dhe hoxha, po dhe shehu bektashi e rabini çifut, siç na bëjnë me dije albanologu Piter Bartl apo Mithat Frashëri, e ndonjë burim tjetër. Kur s’i nxinte salloni i pritjes, kalohej në kopësht.

Për rilindasit tanë s’kanë qenë të huaja sallonet e mëdha. Kështu Naimi kish qenë shumë herë në sallonin e Liceut francez të Gallatasarajt, ku në tubime shkencore asistonin profesorë frëngj, ambasadorë e konsuj të huaj, liceistë e të tjerë. Tashmë është e njohur pjesëmarrja e Naim Frashërit në fund të shekullit XIX në kolegjin amerikan të vajzave në Ysqydar (rajon i Stambollit në pjesën aziatike), në ceremoninë e dhënies së diplomave maturantëve të tij, midis të cilave dhe Sevasti Qiriazit. N’atë sallon ndodhej dhe vetë ambasadori amerikan i kohës.

Rilindasit tanë, kur e solli rasti e koha dhe e patën mundësinë, vizituan dhe sallonet mondane të Europës, si të Vjenës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Moskës, Amsterdamit etj., siç ndodhi me një Abdyl Frashëri, Abedin Dino, Mehmet Ali Vrioni, Pashko Vasa, Turhan Pashë Përmeti etj. E dimë nga historia se me këto sallone kanë qenë të “familjarizuar” mirë dhe Dora d’Istria dhe Faik Konica të zonës së Përmetit e përreth… Zonjës së madhe Elena Gjika i kushtuan një antologji me poezi njerëz të shquar të inteligjencës arbëreshe të Italisë, arbërorëve të Greqisë po dhe nga Shqipëria (Shkodra), që e njihnin personalisht apo kishin korrespondencë me të. Në sallonet mondane franceze, ku mblidhej ajka e inteligjencës së Francës po dhe nga kombe të tjerë, në mjedisin e tyre (dhe të mos na vijë çudi) ka pasur dhe dijetarë arbëreshë, shqiptarë, ballkanas, etj., që i njohim apo s’i njohim aspak.

Edhe sot e kësaj dite ndërtesa stambollite, apo përgjithësisht turkomane, ka në përbërje sallonin e madh të pritjes së miqve ndofta odën më të madhe të shtëpisë. Ajo si sistem është institucionalizuar në shekuj dhe vjen deri në ditët tona e trashëguar më së miri, ashtu sikurse oda e pritjes në kullat kosovare e deri poshtë në Çamëri e në Manastir e më tej. Konakët e Ismail Qemalit, rilindas shqiptar, e të Ahmet Refik Pashës, rilindas osman, në rajonin e Arnaut-Qojit buzë detit Marmara në Stamboll, ishin model i këtyre salloneve, dhe jo që s‘u linin gjë mangut salloneve europiane, po konkuronin me to si nga hapësirat që përfshinin ashtu dhe nga bukuria e mobilimi. Aty ndërthurej në shkallën më të lartë mikpritja me fisnikërinë shqiptare e osmane dhe bollëkun e menysë së gjellëve dhe cilësinë e tyre dhe sqimën e të zotërve të shtëpisë… Autori i këtyre rradhëve ka parë me sytë e vet sallonin tepër të madh, në Bejollë pranë Liceut të Gallatasarajt, të Shoqatës së Shqiptarëve të Stambollit e të krejt Turqisë, si dhe një sallon të stërmadh të një familjeje të pasur turke në Jajla (një rajon tjetër i Stambollit) me piano e mobilje të tjera tepër të vyera në ditët tona…

I ndoqën Frashërllinjtë, po dhe rilindasit e tjerë shqiptarë, në rrugëtimin e tyre nga Shqipëria drejt qendrës së Perandorisë Osmane, Stambollit, dhe për një pjesë prej tyre dhe drejt Europës. I ndoqën një Naim, Sami, po dhe një Abdyl në trajektoren e tyre të jetës nga “salloni” apo oda e pritjes e teqesë së Nasibiut në Frashër, në “konakët” e Stambollitm dhe Abdylin, udhëheqësin shpirtëror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në sallonet mondane të Parisit, Vjenës etj. Por për ta kudo që vajtën, ngado që shkuan, nga Frashëri në Janinë, nga Janina në Stamboll, nga Tripoli I Libisë në Vjenë të Austrisë apo në mbarë Europën, siç bëri Abdyli, nga kujtesa mbeti e pashlyer ajo, kudhra e parë, Teqeja e thjeshtë e Frashërit, ku morën mësimet e para të shqiptarizmës e bektashizmës, të dashurisë për njeriun e veçanërisht atë shqiptar.

Naimi dhe Samiu nuk e panë më Teqenë e Frashërit se ishin të internuar e të izoluar në Stamboll. Vdiqën në mërgim dhe u varrosën pranë në Merdiven Qoj në varret bektashiane pranë xhamisë së Sahrai-Xhedid. Por teqe ata patën në anë të Kadiojit, e kontaktet me bektashinjtë e baballarët e tyre (disa prej të cilëve shqiptarë) në sallonet e tyre nuk i ndërprenë asnjëherë. Këto u sillnin deri diku në mendje Frashërin me teqenë e tij bektashiane, dhe i bënin të mos e ndjenin deri në njëfarë mase mallin e mëmëdheut që i përvëlonte. Në kujtesën e tyre më e dashur se sallonet europiane apo osmane mbetën ato shqiptare, dhe në mënyrë të veçantë shëmbëlltyra e pashlyer, vizioni i Teqesë së Nasibiut, aty në Frashërin malor, ku bënë pagëzimin e parë me idetë e misticizmës bektashiane e të shqiptarizmës.

            Naimi, Samiu, e mbarë korifejtë e Rilindjes sonë Kombëtare ishin iluministë të shquar që ndriçuan popullin shqiptar në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe progresit. Për këtë ata janë të pavdekshëm, si ata vetë bashkë me trashëgiminë që na lanë. Nuk mund të mohojmë ndikimin e iluminizmit francez në ta. Por bashkë me të dhe vlerat e tij të padiskutueshme, nuk mund të mos i japim të drejtë të ndjerit padre françeskan, At Zef Pllumbit, i cili nënvizon se kemi një komponente të iluminizmit shqiptar. Bile, sipas tij, Bushatlinjtë e Shkodrës bënë një gjysëm shekulli më parë para revolucionit borgjez francez, në mënyrë paqësore shndërrime që ky i fundit i bëri me dhunë. Prandaj rrënjët e iluminizmit shqiptar, sipas Pllumbit, janë edhe më të hershme se ato të atij francez.

Sidoqoftë rilindasit tanë të mëdhenj, me një Hoxha Tahsin dhe Frashërllinjtë në krye, në formimin e tyre patën të gërshetuar si komponenten vendase ashtu dhe atë europiane të iluminizmit, dhe të armatosur me to i hapën sytë popullit të vet e në një plan më të gjerë me veprat e tyre ndikuan mbi popujt e tjerë të Perandorisë Osmane. I tillë qe Sami Frashëri, i tillë qe Naim Frashëri, e tillë qe dhe Elena Gjika (Dora d’Istria)….

Në rrugën e tyre të ndritur këta rilindas lanë gjurmë të pashlyera. Është mirë që ata të përjetësohen, dhe këta njerëz të pavdekshëm jo vetëm në Shqipëri po dhe jashtë saj, sepse e tillë është vepra e tyre, të tilla janë meritat e shërbimet që i kanë bërë popullit, kombit, atdheut tonë.

Sa herë shkoj në Stamboll ku kam jetuar përmbi një dekadë, kam dy vende të shenjta të mijat: medresenë e Hoxha Hasan Tahsinit në Xhahalollu dhe ndërtesën e Ministrisë Osmane të Arsimit në Çemberlitash, të cilat nuk i lë pa vizituar, sidoqë të jetë. Nuk bëhet ndonjë qamet, nëqoftëse në rrugë qeveritare, institucionale, nga Ministria jonë e Jashtme u kërkohet autoriteteve shtetërore në Stamboll vendosja e dy tabelave të thjeshta, një me mbishkrimin “Këtu ka banuar rilindasi shqiptar dhe osman, Hoxha Hasan Tahsini 1871-1881” në murin e medresesë së tij, që sot është një librari e M.E.B. – it (Milli Egitim Bakanilgi (Ministria Turke e Arsimit). Dhe në murin e Muzeut të Shtypit (Press Museum apo Basan Muzesi) tabela tjetër: “Në këtë ndërtesë të Ministrisë Perandorake Osmane të Arsimit për 20 vjet rrjesht (1881-1900) ka punuar rilindasi dhe poeti kombëtar i Shqipërisë, Naim Frashëri”. Mos harrojmë që maqedonët kanë brenda Universitetit të Stambollit, në “Edebiyat Fakultesi” (Fakulteti i Letërsisë), s’e di prej sa dekadash, bustin e një rilindasi të tyre që ka jetuar e punuar në Stamboll…

Për të përmbyllur këto rrjeshta, po them se sikur të kish gojë Teqeja e Frashërit dhe salloni i saj do të na shpalosnin thesare…




Me rastin e 135 vjetorit  të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

     


No comments:

Post a Comment