Monday, November 4, 2013

Shqiptarët në turqi dhe gjuha - Pjesa e Dytë

Nga Dr. Laurant BICA

Shqiptarët katolikë të Veriut, shqiptarët ortodoksë të Jugut e të Moresë që kapërcyen detin në Itali në shekullin 15 shërbyen si stratiotë (ushtarë me pagesë) në ushtritë e perandorëve e mbretërve dhe princërve të Evropës Perëndimore. Këtë traditë e vazhduan po në Perëndim në shekujt osmanët shqiptarë ortodoksë të Himarës, Labërisë, Suljotët e çamërisë e të tjerë. Në Lindje, në Rumani, shërbyen shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut e të malësive të Korçës, Pogradecit, Strugës, Ohrit, Kolonjës, Përmetit, Dangëllisë e Gjirokastrës. 

Ata qenë ushtarë rrogtarë në shërbim të gospodarëve (princërve fanariotë shqiptarë si Gjikajt, Dukajt etj.) në principatat e Vllahisë e Moldavisë. Labëria, edhe kur u islamizua, vazhdoi zanatin e “gjakut”. 

"Anglezët, francezët etj., kolonizatorë, kanë rekrutuar për llogari të tyre mercenarët shqiptarë e i kanë dërguar pas përgatitjes stërvitore ushtarake në Afrikë e gjetkë. Shqiptarët me fustanella, sidomos nga Jugu i Shqipërisë po edhe Veriu, kanë luftuar me pagesë edhe për llogari të Mehmet Aliut, kur ai u bë pasha i Misirit (Egjiptit) edhe në shkretëtirat e Sirisë, Sudanit, të Arabisë, Libisë e në vende të tjera, ku e solli hera.

Nuk është e rastit që në një sërë tabllosh të piktorëve të shquar anglezë e francezë etj., kur tregohen luftërat në Afrikë apo në Lindjen e Mesme, paraqiten shqiptarët me fustanella të bardha dhe qeleshet karakteristike në kokë. Shërbimi ushtarak dhe mercenarizmi përbëjnë zhvendosjen e katërt të madhe të shqiptarëve, atë të largimit nga trojet amtare… "

Duke e ndalur fokusin e vështrimit në dy gadishuj, atë të Anadollit dhe Sinisinë Ilirike (Gadishulli i Ballkanit siç njihet sot) mund të themi si konkluzion të shtjellimit të kësaj pjese të parë të punimit tonë se pavarësisht nga gjuha, që ka të bëjë me tjetërsimin e shqiptarit që ka jetuar në këto troje, si greqisht tek arvanitët, turqisht tek arnautët, kemi të njëjtin njeri. Antropologjia do të kishte se çka të fliste.

Shifrat për popullatën shqiptare që jeton në Turqi shkojnë nga 3 milion deri në 20 milionë  (shifra zyrtare nuk ka por dhe kur jepen janë qesharake, rreth 50.000 veta, më e larta e dhënë në një botim të fundit deri më sot). Regjistrime, statistika në këtë drejtim për popullatën shqiptare nuk gjenden kurrkund. 

Gjithçka është e diskutueshme në shifrat që jepen andej këtej. P.sh. gjatë vizitave në Shqipëri të presidentëve turq, pas vitit 2000, për shqiptarët e Turqisë janë dhënë nga goja e tyre shifrat 53 dhe 64 milion. Në një emision të kanalit televiziv Top Channel për shqiptarët e Turqisë është dhënë shifra rreth 15 milionë pa treguar burimin. 

Ka burime të tjera që japin shqiptarët ¼ apo 1/3 e popullsisë aktuale të Turqisë. Sipas një të dhëne çdo i treti banor i Turqisë pavarësisht e flet shqipen apo jo, si gjuhë amtare, është i gjakut shqiptar. Kohët e fundit janë shtuar botimet arkivale për popullsinë e zbritur në Republikën e Turqisë nga Rumelia d.m.th. Ballkani. Ka që e shpien shifrën e të ardhurve prej këtej në Anadoll, deri në gjysmën e popullsisë së tij, apo që përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë totale të Turqisë. Këtë autori i këtyre rrjeshtave e ka dëgjuar edhe nga specialistë demografë në simpoziume e kongrese shkencore të mbajtura si në Jeshilqoj apo vende të tjera. 

Po të gjykosh nga këto shifra, duke marrë parasysh dhe shtesën e madhe natyrore të popullsisë së re në Turqi, shikon se shifrat që u dhanë më sipër nuk janë dhe fort larg realitetit, apo e thënë ndryshe nuk janë dhe aq të papranueshme. Gjithsesi, problemi mbetet i hapur….

Po sjellim edhe të dhënat nga dy burime që i takojnë të njëjtit studiues, kanadezit Robert Elsie, të cilat na ranë në dorë tani së fundi, kur po i vinim pikën këtij artikulli studimor. 

Në të parin, në zërin “Turqia, shqiptarët në Turqi” ai shkruan dhe këto (lexuesi le të gjykojë vetë si për informacionin e sjellë, ashtu dhe për autorin): “Ndonëse jo shumë i njohur jashtë dhe pavarësisht mungesës së statistikave të besueshme për popullsinë, komuniteti shqiptar në Turqi, në të vërtetë mund të jetë më i madhi në diasporë. 

Emigrimet e hershme të shqiptarëve në Turqi ishin rezultat i rekrutimeve me forcë për ushtrinë osmane dhe jeniçerë…Numri i shqiptarëve etnikë, (dmth nga Ballkani-L.B) në Turqi mund të arrijë mbi një milion, ndonëse shumë prej tyre janë asimiluar. Një raport i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Turqisë, më 2008, vlerësonte se në Turqi jetonin 1,2 milionë shqiptarë. Sidoqoftë, ka ende komunitete të mëdha dhe aktive shqiptare në Stamboll dhe Bursë”. 

Kësaj shifre (1,2 milion), në burimin tjetër, albanologu Elsie i shtonte sqarimin, “shumica e të cilëve me origjinë kosovare”. U takon studiuesve kompetentë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, shqiptarëve të Turqisë dhe shtetit turk që ka statistikat e plota të brendshme për të thënë një fjalë më të plotë dhe kompetente edhe në këtë drejtim. Kjo i takon së ardhmes. Ne vetëm kaq mund të themi përafërsisht mbi bazën e burimeve direkte apo të dhënave indirekte që disponojmë…

Mendohet se vetëm qyteti i Stambollit ka mbi 3 milion shqiptarë në një kohë kur ai u është afruar 
rreth të 20 milionëve. Është qyteti me më shumë shqiptarë në Ballkan, për t’u ndjekur nga qytete-metropole si Tirana dhe Shkupi dhe, tash së voni, edhe Prishtina.


Për ngjashmërinë apo më mirë njejtësinë e shqiptarit apo njeriut të Ballkanit me shqiptarin apo njeriun e Anadollit të tjetërsuar në gjuhë etj., flet e do të flasë më mirë në të ardhmen antropologjia, etnografia, folkloristika e shkenca të tjera.  

Mjafton të krahasosh instrumentet muzikorë si çiftelia, gërneta e të tjera apo veshjet e një popullate të Detit të Zi, siç janë llazët, këngët, vallet, lodrat e tyre të ndryshme e të bindesh se sado larg të jenë këto vise gjeografikisht nga njeri-tjetri, prapë janë afër, shumë afër në doke, në zakone, në tradita.

Me sy të lirë, vetëm duke parë muzeun e qytetërimeve anatoliane në Stamboll, muzeun e pasur arkeologjik të Bursës, muzeun arkeologjik të Antalias, muzeun e arkeologjisë së nënujit në Bodrum në brigjet e Egjeut etj., dhe t’i krahasosh me muzeun arkeologjik të Tiranës, s’e ke të vështirë të realizosh se në një kuptim, në të dy gadishujt ka jetuar e njëjta popullsi iliro-pellazge. Kur mësonte gjuhën turke në Stamboll, autori i këtyre rrjeshtave në tekstin e mësimit shihte një fotografi me varre monumentale në zonën e Izmirit, në atë që njihet si “rrethi mavi (blu)” dhe që kap më së shumti brigjet e Egje-Mesdheut deri në Antalia. 

Nuk ishte e vështirë të konstatoje se ato ngjisnin si dy pika uji me varret monumentale të Selcës së Poshtme në Pogradec, ku ishin varrosur mbretër ilirë. Del nevoja e studimeve krahasimtare në këtë fushë të djerrë si arkeologjia që do të na sjellë në zbulime “perla” për popullatën ilire të Anatolisë që gati nuk është studjuar fare.  

Deri tani as që bëhet fjalë për studime krahasuese. Del gjithashtu nevoja e thellimit të bashkëpunimit të Instituteve apo Muzeve homologe, p.sh., të arkeologjisë. Sikur vetëm vizitat reciproke nga profesionistët në to, pa folur për sesione, simpoziume apo kongrese shkencore të përbashkëta shqiptaro-turke që mund të bëhen edhe në këtë fushë apo sfera të tjera si etnografia, folkloristika etj. etj. 

Brezat e rinj të sotëm e të nesërm të shkencëtarëve e studiuesve duhet të hulumtojnë dhe të tregojnë se sa të ngjashëm, të njëjtë, të mos themi identikë, janë qytetërimi ilir në Ballkan me atë në Anadoll, si në Trojë e në mbarë bregdetin egjean e në thellësi të tokës anatolike…




II

Vendndodhjet e shqiptarëve në Turqi sot…


Më kujtohet se gjatë kohës që kam qenë në Republikën e Turqisë, sa herë jepej moti në lajmet e mbrëmjes në televizor, ajo ndahej në 8 rajone të mëdha. Mbi bazën e tyre po paraqesim me një vështrim telegrafik shpërndarjen e popullatës shqiptare në të.

Së pari: Rajoni i Stambollit dhe Thrakës Lindore ose thjesht Thrakia Turke me qytete të tilla si Edrene, Tekirdag, Gelibollu, Kerklareli etj. Stambolli dhe Trakia siç i thonë turqit, përfshijnë një territor prej 24.000 km2 gati sa Shqipëria. Në shekuj, po sidomos në shekullin e 20-të, kemi dyndje të shqiptarëve drejt Stambollit dhe pjesës evropiane të Turqisë. 

Mjafton të shohësh njerëzit e këtyre anëve dhe bindesh për origjinën e tyre. Edhe pa i pyetur, antropologjia s’të lë të gabosh kurrsesi. Por janë edhe shqiptarët vendas të krishterë “rumë“, po dhe muslimanë të konvertuar në shekuj deri në ditët tona. Stambolli numëron me miliona shqiptarë të shpërndarë në lagje si Aksaraj, Ejup, Alibeqoj, Beshiktash, Arnautqoj, Kadiqoj, Feriqoj, Bajrampasha, Fendekzade, Topkapi, Fatih, Kuçykçekmexhe etj.etj. 

Dikur shqiptarët kanë qenë të vendosur me mahalla sipas krahinave në lagjet e ndryshme të Stambollit, bile kjo deri në vitin 1990 p.sh, Alibeqoj kishte shqiptarë të Kolonjës dhe të Gostivarit me shumicë që jetonin në masa kompakte në shtëpitë e tyre me bahçe dhe familjet ishin të një ane, madje në një pjesë të tyre ishin edhe farefis apo dhe ishin bërë të tillë, duke jetuar në krah të njëri-tjetrit. Nuk përziheshin me të tjerët e ruanin me fanatizëm gjuhën, madje në dialektin e veçantë siç e kishin folur në Shqipëri. Madje ndihej moszhvillimi i mëtejshëm i saj dhe dukeshin trajtat konservatore. I ruanin siç u bartën nga Kolonja dhe n’atë gjendje i flisnin sot. Vetë i kam dëgjuar e komunikuar me ta. 

Ruanin edhe këngë popullore, vjersha e folklor të vendlindjes. Mund të kishin lindur edhe në Turqi por ruanin një mall të patreguar për fshatin, qytetin, apo krahinën prej së cilës kishin ardhur. Të prekte kjo dashuri e mall i tyre i patreguar për t’u kthyer qoftë edhe njëherë në vendlindje. Shpesh të rinjtë bartnin si të regjistruar në një shirit magnetofoni kujtimet e prindërve të tyre për vendet nga ishin  shpërngulur deri dhe për gurët e drurët e vendëlindjes… 

Bajrampasha, rajoni më shqiptar i Stambollit, ka kryesisht shqiptarë të Maqedonisë, sidomos nga rajoni e qyteti i Manastirit, Perlepi e fshatrat shqiptare rreth tij, kurse Fëndekzade ka më shumë shqiptarë të Shkupit, bile edhe shoqata e tyre e ka qendrën këtu… 

S’ka rajon të Stambollit që të mos ketë shqiptarë. Janë nga Kosova, Maqedonia po dhe nga Novi Pazari (Tregu i Ri)  mbi Mitrovicën e Kosovës si dhe nga jugu i Shqipërisë, të hershëm e të sotëm. Pas viteve ‘90 erdhi një valë e re emigracioni nga Shqipëria. Shqiptarët myslimanë në Traki, jo vetëm që i ke me shumicë në qytetet si në Edrene apo Tekirdag po edhe nëpër fshatra. Në shumicë janë të ardhur nga Kosova po edhe Shkupi.

"Sami Frashëri na bën me dije për ngulime të tjera shqiptare në Thrakë dhe në brigjet e Detit Marmara si dhe në ishujt afër tyre. Këto komunitete shqiptarësh ortodokse u dëbuan në Greqi pas Luftës së Parë Botërore, në periudhën e shkëmbimit të popullsisë midis dy vendeve (turqisht “mubadele” dhe greqisht “andallaia”). 

Nuk është fjala për “Adalar”(Ishujt e Princave) që janë në Grykën e Bosforit në Stamboll, përballë Kadiqojit, gjithsej 9 ishuj të banuar e të pabanuar, me popullsi ortodokse, që s’u përfshinë në marrëveshjen e shkëmbimit që u nënshkrua në Lozanë të Zvicrës. Popullata ortodokse e Stambollit nuk u prek nga ky traktat ogurzi për shqiptarët. Sasia më e madhe e shqiptarëve të Turqisë është grumbulluar në pjesën evropiane të saj."


Së dyti: Rajoni i Bursës me sipërfaqe 11.087 km2 dhe popullsi prej 2.600.555, pra gati sa Kosova e sotme. Bursa është qyteti i katërt më i madh i Turqisë. Në këtë rajon përfshihen edhe qytetet si Adapazar, Kutahja (emri i vjetër Qytahja) Bandërmaja, Ballëkesir, Çanakala e deri në Ajvallëk, një qendër e vogël e banuar buzë Detit Egje. Brenda qytetit Bursa (thirret edhe Brusa) ka disa mëhalla si “Zafer” etj. plot e përplot me shqiptarë, ku shqipja gjallon deri në ditët tona. Kjo lagje njihet si lagje e shqiptarëve. Ata kanë shoqatat e tyre kulturore – artistike dhe janë të mirëorganizuar. 


Ka shqiptarë të hershëm si ata të Nishit që i gjen në qytete si Adapazari, Kutahja etj. Shqiptarë ka dhe Bandermaja, Ballëkesiri, si dhe rajonet bregdetare, por me klimë relativisht të ftohtë si Çanakala apo diçka më ndryshe Ajvallëk, Akçaj etj. 

Ka dhe ishuj si Bozxha Ada apo ndonjë tjetër në krah të saj të banuar nga të krishterë shqiptarë të vendit, të ashtuquajtur rumë. Prej këtyre ka dalë dhe patriarku ortodoks aktual i Stambollit, Bartolemeo, që e di shqipen si gjuhë amtare që e ka… Banorët e ardhur janë kryesisht nga Kosova e më pak nga Maqedonia.


Së treti: është Rajoni i Izmirit me qytete si Manisa, Akhisar, Ajdin, Denizli, Fethije, Marmaris, Bodrum e deri në Antalja e Alanja, duke përfshirë dhe Ispartën dhe Afjonin etj. Ky rajon është i mbushur plot e përplot me shqiptarë të Çamërisë që erdhën pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës në vitet 1923-25. Qyteti i Izmirit lagjen e vet më të madhe e më të rëndësishme, lagjen aristokrate të vet, Karshejaka, në 90% të saj i ka me shqiptarë të Çamërisë apo dhe Janinës. Po nuk mungojnë dhe shqiptarët e Kosovës psh. nga Prishtina, të Shqipërisë e të Maqedonisë. 

Në lagjet e Izmirit apo Smirnës së dikurshme, është folur shqip nga rumët shqiptarë të këtij qyteti dhe pastaj pas dëbimit me marrëveshjen e Lozanës të shqiptarëve ortodoksë, këta u zëvendësuan me shqiptarë muslimanë të Çamërisë, me shqiptarë fisnikë muslimanë arvanitë të krahinave të Manit e të Lalës në Peloponez (More). 

Po ashtu Izmiri pas 1924-1925 u mbush me kosovarë të ndjekur nga regjimi serbomadh i kralit Aleksandër Karagjorgjeviç. Pra shqipja është dëgjuar deri në fund të shekullit XX në lagjet e Izmirit e ku më shumë e ku më pak, ndonëse më rrallë, sot vetëm në mjedise familjare. 

Çamët jetojnë të tubuar në qytete të tilla, veç Izmirit, si Foça, Menemen, Manisa, Soqe, Selçuk, Ajdin, Denizli e më pak në Bodrum, Fethije, Marmaris apo Muglla. Është për t’u përmendur një fshat i madh  apo qytet i vogël, jo larg nga Izmiri, me emrin Jeniqoj me shqiptarë të Kosovës që flasin edhe sot e kësaj dite shqip e vetëm shqip. Njeriu mendon se është në Kosovë apo Shqipëri. Shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë ka në qendrat e banuara në veri e në verilindje të Izmirit, siç është Aksaraj e të tjerë.

 Ka dhe rajone që janë të përziera me shqiptarë të ndryshëm, të Kosovës e të Çamërisë, siç është qyteti Akhisar e qendra të tjera më pak të njohura. Janë fshatra të tëra që deri vonë kanë folur shqip, por proceset urbanizuese kanë bërë punën e vet. Antalja, Alanja dhe qytete të vogla në krah të tyre, buzë detit si Qemer, Manavgat, Side etj. kanë shqiptarë të ardhur e të vendosur në to në kohë të ndryshme. Shifra për numrin e tyre s’ka, por kur pyet shqiptarët e atyshëm të thonë se janë shumë, “pa hesap”!

Së katërti: kemi Rajonin e Anadollit Qendror apo të Ankarasë, ndryshe mund ta quaja edhe të kryeqytetit turk. Në të përfshihen veç kryeqendrës së Turqisë po edhe të Anadollit Qendror e përgjithësisht të Ankarasë dhe qytete të tilla si Jozgat, Konja, Kajseri dhe Nigde, si dhe qytetin e Haxhi Bektashit si qendër e bektashizmit. Ankaraja si çdo kryeqytet ka mbledhur edhe shqiptarë nga të katër anët e Turqisë dhe numri i tyre që banojnë në të është i konsiderueshëm.


Shqiptarët i gjen kudo në tërë poret e jetës turke, sidomos në poste drejtuese e komanduese si në aparatin shtetëror, në ushtri, në polici, në ekonomi, industri e tregti, në arsim dhe kulturë dhe ata gëzojnë respektin e mbarë popullsisë. 

Të përmendësh emrin shqiptar në Turqi, si dje dhe sot, është sikur të përmendësh një emër të shquar, të nderuar, me reputacionin më të mirë që mund të bëhet. Në tërë shtresat e popullsisë, pavarësisht nga niveli shoqëror apo raca dhe në gjithë popullsinë e Republikës Turke, s’ka  rëndësi përbërja etnike e saj, të thuash “arnaut” d.m.th. të kujtosh një emër me peshë të madhe, njerëzore që gëzon një respekt jo të zakonshëm. 


Nuk dua të zgjatem në këtë pikë se do të shkonte gjatë ky shkrim.
Popullsia rume e Kajserit, e Konjës apo dhe e qyteteve e fshatrave të tjera të Anadollit Qendror me marrëveshjen e Lozanës u vu në rrugën e ikjes drejt Greqisë. Boshllëkun e tyre e mbushën çamët e Çamërisë dhe shqiptarët e Maqedonisë “greke” deri në qytetin e Mersinit në bregdetin e Mesdheut. 

Nga këto vise është shkrimtari, poeti e dramaturgu i njohur turk me origjinë shqiptare Nexhati Xhumali prej Follorine që vdiq tani së voni, pas viteve 2000, në Turqi.  

Viset e Jozgatit kanë të ardhur më shumë çamë kurse Kajseri, Konja, Nigde dhe Haxhi Bektashi etj. kanë shqiptarë nga Kosova, më pak nga Maqedonia,  po diku dhe shqiptarë të ardhur herët nga Shqipëria, kryesisht nga jugu i saj. Diku fare pranë qytetit të Haxhi Bektashit janë dy fshatra shqiptare ku ende edhe sot flitet shqip, siç na kanë bërë të ditur dëshmitarë okularë.

Së pesti: kemi Rajonin e Adanasë apo të Juglindjes me qytete të tilla si Adana, Mersin, Iskenderun  etj. që shtrihet kryesisht në një nga fushat më pjellore të Turqisë, të Çukurovës nën malet Toros, vargmale që përshkojnë tej për tej Anadollin. Aty gjen shqiptarë nga tërë trevat e Ballkanit, të trojeve etnike shqiptare, po edhe çamë. Autori i këtyre rrjeshtave ka takuar në një qytet të vogël, Dortjoll, të përfshirë në qarkun Osmanije, afër Iskenderunit, çamë të Pargës dhe të zonës së Igumenicës. 

Në këto anë janë dy fshatra me shqiptarë të Kosovës, të dëgjuar në tërë Turqinë si Naxhar i Madh dhe Naxhar i Vogël, ku flitet sot e gjithë ditën shqip, të dy bashkë, me disa mijëra banorë. Këto emra të vjetër të këtyre fshatrave sot janë ndërruar, po shqipja vazhdon të dëgjohet edhe në këto anë të Anadollit. Çudia e autorit ishte, kur mësoi për ekzistencën e një a dy fshatrave shqiptare pranë kufirit me Sirinë, në zonën e qytetit Antakja apo provincës Hataj siç thuhet ndryshe, e cila dihet hyri në përbërje të Republikës Turke me referendumin e vitit 1938.

Së gjashti: kemi Rajonin e Detit të Zi, apo Karadenizit (siç i thonë turqisht), kryesisht me qytetet e Samsunit, Amasjas, Sivasit, Bafrës po dhe të Sinopit e të Çankërë… 

Këtu ka kryesisht shqiptarë të ardhur në vitet 1877, 1878 nga qyteti dhe rajoni shqiptar i Nishit apo siç thirrej dikur Sanxhaku i Nishit, sot i mbetur nën Serbi. Janë me dhjetra mijëra, mos them  qindra mijra shqiptarë që jetojnë në fshatra me masa kompakte si dhe në ndonjë qytet si Bafra që mund të quhet pa frikë qytet shqiptar. Janë për t’u përmendur shqiptarët e qytetit të Tokatit e të rrethinës së tij. 

Të gjithë ata që shisnin simite rrugëve të Stambollit me karroca ambulante ishin nga këto anë dhe kudo midis tyre ata flisnin shqip. Ata ishin shqipfolës të çartur, ndonëse disa breza kishin  lindur e rritur në Turqi dhe në fshatrat e tyre flitej shqipja e patrazuar. Kur vinin në Stamboll në punën e tyre si simiteshitës atëherë fillonin të mësonin turqisht.  Shqiptarë të çuditshëm, asht i pandryshueshëm i tokës arbëreshe. 

Të përkulem në gjunjë dhe të falem ty o gen i tokës mëmë që di të mbijetosh dhe i pashkolluar, siç ke mbijetuar në shekujt vrastarë e të pamëshirshëm e në kohërat “njerkë“ për Shqipërinë e kombin shqiptar! 

Shqiptarët e këtyre anëve jetojnë në një gjeografi që përfshin qytetin e madh bregdetar të Samsunit, kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër me mbi 1 milion banorë, në Sivas, në Amasja e Tokat po edhe në Sinop e Çankere. I gjen ata dhe në qytetet e Bollusë e të Zonguldakut si qendër minerare e metalurgjike e vendit, në Kastamonu etj. 

Fusha e Samsunit, ku rritet sidomos duhani e deri poshtë në thellësi të Anadollit zbukurohet edhe me qeleshet, plisat shqiptarë. Sado që ka kaluar gati një shekull e gjysmë nga dëbimi i tyre prej trojeve amtare, shqipja ruhet edhe në këto anë në thellësi të Turqisë. Këta shqiptarë të Nishit përbëjnë një kapitull të veçantë të mbijetesës së racës shqiptare në këto anë. 

Një autor i Kosovës u ka kushtuar një monografi të tërë këtyre shqiptarëve me trup si lisat e bjeshkëve të tokës arbnore dhe me pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme, palcë e shqiptarizmit që bartën kudo që shkuan genin e shqiptarit. Ata i dhanë emrit shqiptar përmasa dhe vënd të veçantë, që s’guxon ta zërë kush në Republikën e Turqisë. 

Nderim e respekt të pamatë këtyre burrave të kombit shqiptar dhe nënave shqiptare që janë krenare për emrin shqiptar e për nënën SHQIPERI! 

Nishi dhe nishjotët kosovarë nuk vdesin kurrë! Ndaj detyrë e dy shteteve shqiptare është studimi i jetës dhe veprimtarisë së këtyre shqiptarëve të “harruar”të Samsunit, nxjerrja në dritë e tyre, ruajtja e gjuhës shqipe dhe përpjekja për moszhbërjen e tyre, duke ngritur qendra kulturore shqiptare, duke hapur panaire libri, duke dërguar grupe artistike-folklorike etj. Janë me qindra fshatra që gjallojnë shqip e si shqiptarë!

Së shtati: Rajoni i popullsisë llaze. Në të përfshihet zona e lindjes së Detit të Zi e banuar nga një popullsi që quhen llazë, në qytete të tilla si Trabzon, Artvin po dhe Ordu e Giresun. Pra, rajoni i shtatë i llazëve në një kuptim të kujton apo ngjet me rivierën shqiptare të Himarë – Sarandës. Aty ke dhe detin e kaltër dhe malin dhe fushën pranë e pranë njëra tjetrës. 

Kjo popullsi është shumë e afërt në tradita, zakone, konstitucionin shpirtëror me shqiptarët, aq sa dikush prej shqiptarëve apo dhe llazëve thotë se këto dy kombe janë “djem xhaxhallarësh”, “kushërinj”. Këto i kam dëgjuar në rajonin e Stambollit, të Zejtinburnusë, një nga më të mëdhenjtë, më të industrializuar dhe me më përspektivë të qytetit të stërmadh, gjysma e të cilit banohet kryesisht me shqiptarë të Maqedonisë e gjysma nga llazë të Detit të Zi.

 Duke dëgjuar turqishten e të dy palëve, që nuk i shpëton akcentit të  gjuhëve përkatëse, të duket sikur po dëgjon turqishten e Prizrenit të Kosovës, të konservuar nga osmanishtja, turqishtja e vjetër, sidomos me theksimin e gërmës xh (c) dhe eleminimin në shqiptim të rrokjeve të fundit psh të formës së kohës së ardhshme:”do të vij“ – “gelexhehim – gelexhem”. 

Koha kërkon dhe kushtet janë krijuar, me botimet gjithnjë e më të shumta edhe në këtë gjuhë, pak të lëvruar siç është gjuha llaze – llazishtja – të bëhen nga gjuhëtarët tanë studime krahasuese e pse jo dhe gramatika e fjalorë në të dy gjuhët. 

Atëherë do të dalë në shesh se sa të afërt me njëri- tjetrin janë këta dy popuj, që në Turqi i konsiderojnë si “kushërinj” dhe sa përkime e gjëra të përbashkëta e bile të njëjta ka në gjuhët e tyre, në veshjen e tyre, në traditat, zakonet, në historinë e tyre. A ka shqiptarë të vajtur në Trabzon, Artvin, Hopa e qytete të tjera më të vogla llaze? 

Ka, relativisht pak, si në historinë e largët e të afërt si dhe sot. Gjithmonë janë shkrirë e bërë njësh me popullsinë vendase llaze, janë martuar aty e përthithur nga mjedisi llaz. “Kan çeker” – “tërheq gjaku”, thonë turqit e në këtë rast kjo vlen midis shqiptarëve dhe llazëve. Ngjasin në fjalët e urta, në shakatë e tyre e në se nuk ngjasin!

 Nuk mund t’i shpjegosh kollaj këto përngjasime kaq të mëdha. Kërkojnë studime të posaçme që unë kam bindjen që koha do t’i sjellë, bile më shpejt se sa mund të mendohet. Llazët, gjaku ynë pellazg nuk mund të zhduket kurrë!!! Zoti e ka ruajtur deri në ditët tona! Dhuratë e papërsëritshme! “Kan çeker”, po po “kan çeker”. Gjaku s’bëhet ujë po dhe n’u bëftë s’pihet… 

Me llazët është marrë, sidomos me gjuhën e tyre një shkencëtar, një gjuhëtar i shquar i ish- Bashkimit Sovjetik N. Mari i cili kritikohet direkt nga Stalini, në veprën e tij “Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë“.

Së teti: Rajoni i fundit kurd. Ky përfshin viset e Anadollit të brendshëm lindor me kryeqender qytetin e madh të Dijarbakërit (ose Dijarbeqirit) me qytete të tjerë si Gaziantep, Marash, Urfa, Malatia, Tunxheli, Elazig, Van, Mush, Siirt etj. të banuar kryesisht nga kurdët po dhe turqit. 

Rajoni kurd dhe ai llaz nga pikëpamja që po flasim d.m.th. për vendndodhjen e shqiptarëve, janë dy rajonet më pak të rëndësishëm. Këtu në këtë zonë ka shqiptarë të turqizuar të sjellë në kohën e Ataturkut që janë nga ish Vilajeti i Selanikut apo dhe Gjiriti, siç i thonë turqit ishullit të Kretës në Detin Mesdhe. 

P.sh. autori i ka njohur të tillë “shqiptarë selaniklinj”, të vendosur në rrethinat e qytetit Elazig, me tradita, zakone etj. si shqiptarët e krejt Toskërisë. Vetëm ishte bjerë gjuha shqipe në brezat e rinj. Sigurisht nga pikëpamja sasiore në pjesën e Dijarbakërit, sidomos nëpër qytete, 

(Ataturku i vendosi këta emigrantë nëpër fshatra, u dha tokë, shtëpi, gjë të gjallë e katandi) numri i shqiptarëve është shumë më i madh se në brigjet e Detit të Zi.

Do t’i mbyllja këto rreshta duke iu drejtuar dy shqiptarëve në Turqi, njerit nga Dibra e tjetrit nga Kosova, nga Prizreni. 

I pari: është filozof i mirënjohur në Turqi, Riza Tefik Dibrani, i cili shkruan se “kombi fisnik shqiptar i ka dhënë Perandorisë Osmane e më pas Republikës së Turqisë me dhjetra e qindra njerëz të mëdhenj që lartësuan emrin e Turqisë në Europë dhe në botë, përfshi këtu një Hoxha Tahsin, një Shemsedin Sami Frashëri e të tjerë”. 

I dyti: është shqiptari i Prizrenit e miku im, atdhetari i shquar Ibrahim Ikiz (Binaku) që dhe fëmijëve të vajzës së vet ua vuri emrat Naim e Besa. Ai më ka treguar se “nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë (qëndronin mbi turqit e të tjerët) ishin shqiptarët. Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vënd e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot Shqiptarët e Turqisë…


Autori i këtyre rradhëve, duke menduar të ardhmen, ka bindjen e patundur dhe koha ka për ta treguar e vërtetuar, edhe historia ka për ta shkruar se Shqiptarët e Turqisë janë një potencial i jashtëzakonshëm sasior (përbëjnë numrin më të madh të shqiptarëve në botë) dhe cilësor dhe si të tillë kanë një mision fisnik të trefishtë (ndonjë segment i të cilit vjen natyrshëm nga shekujt), 

së pari, të kontribuojnë maksimalisht për vendin ku jetojnë e punojnë, Turqinë; 

së dyti, të shërbejnë si urë e fuqishme jo thjesht miqësie por vëllazërie midis Turqisë dhe Shqipërisë dhe, 

së treti, të shërbejnë në një mënyrë ose tjetër si një mbështetje dhe një lloj “leve Arkimedi” për zhvillimin e përparimin e Shqipërisë e të krejt kombit shqiptar, mjafton që vendi amë mos të bëjë indiferemtin ndaj tyre siç e ka bërë deri më tani dhe të kujdeset për emancipimin e vazhdueshëm, sidomos shpirtëror, të tyre.


Nga gazeta Metropol - viti 2012
 http://www.gazetametropol.com/shqiptaret-ne-turqi-dhe-gjuha/

No comments:

Post a Comment