Friday, November 29, 2013

Sinteza e Veprave studimore nga Shahbaze Vishaj.

Dr. Laurant BICA



“Shumë emra personalitetesh që i takojnë popullit shqiptar, i kanë përvetësuar të tjerët dhe sot “stolisin” enciklopeditë e vendeve të tjera deri ato në shkallë botërore…”L. B




Doktor i shkencave të filozofisë, profesor i disa universiteteve në Tiranë në të kaluarën dhe sot, Laurant Bica është një emër kushtimisht i ri në këtë fushë, por shumë produktiv, shumë serioz, madje talent dhe emër që në të ardhmen do të mbajë mbi supe peshën e një studiuesi të mirëfilltë të shkencave filozofike shqiptare. Këtë ky studiues e ka dëshmuar me dhjetëra e dhjetëra studime nga fusha e filozofisë, me theks të veçantë, të filozofisë së mendimtarëve, shkrimtarëve e filozofëve të Rilindjes sonë kombëtare, si Naim e Sami Frashëri, Hasan Tahsini e mendje të tjera të ndritura. Këtë e dëshmojnë edhe librat “Naimi në Konstantinopojë i I-II” (2009) dhe “Profesor Hasan Tahsini 1-3”. (2009) që tashmë dy vjet ndodhen në duart e lexuesve. Këto dy vepra vëllimore në pesë libra, me gjithsej 2400 faqe, si dhe libri “Niko Stillo – Njeriu akademi”, Tiranë 2007 prej 218 faqesh, flasin më së miri për seriozitetin dhe përkushtimin prej studiuesi në fushën e filozofisë të Dr. Laurant Bica.

Pyetje: Fusha e kërkimeve tuaja shkencore është, sa e gjerë, aq dhe komplekse. Këtë e dëshmon numri i madh i studimeve mbi dhe rreth çështjeve të letërsisë së Rilindjes kombëtare, me theks të veçantë të filozofisë së tyre, e sidomos botimi i dy veprave madhore në pesë vëllime “Naimi në Konstantinopojë i I-II” dhe “Profesor Hasan Tahsini 1-3”. Si doktor i shkencave filozofike, çka mund të na thoni, për mendimin filozofik në letërsinë e Rilindjes Kombëtare
L. Bica: Mendimit filozofik në letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare dhe më gjerë në historinë e filozofisë shqiptare, ne si shqiptarë dhe studiues i jemi borxhli e do t’i mbetemi kështu edhe në të ardhmen. Kemi një prapambetje relative të theksuar në raport me fushat e tjera, për të mos thënë më tepër. Është një fushë e mbetur djerrë. Mjafton të konsultohesh me veprën e një orientalisti si Prof. Hasan Kaleshi e të shikosh se ku jemi. Ju dhe opinion publik në përgjithësi e ai shkencor në veçanti nuk mund ta merrni me mend se sa njerëz të dijshëm ka nxjerrë në shekuj populli ynë, duke filluar të paktën nga antikiteti greko-romak e deri në ditët tona. Janë me dhjetëra e me qindra dijetarët, filozofët, teologët etj, që kanë dalë nga populli ynë fisnik shqiptar i etshëm e i pangopur, për dije e kulturë. Bile ai ka kontribuar në tërë rilindjen, duke filluar me Rilindjen Ilire, Rilindjen Bizantine e duke vazhduar me atë në kohën e principatave feudale shqiptare, në Rilindjen Evropiane, Rilindjen Ballkanike, në Pararilindjen apo Rilindjen e periudhës së Voskopojës (shekulli XVII) dhe Pashallëqeve të Mëdha Shqiptare, Rilindjen tonë Kombëtare e deri në ditët e sotme. S’po flas për popujt e tjerë sidomos ata fqinjë. Shumë emra personalitetesh që i takojnë popullit shqiptar, i kanë përvetësuar të tjerët dhe sot “stolisin” enciklopeditë e vendeve të tjera deri ato në shkallë botërore… Vetëm periudha e Voskopojës numëron mbi 54 dijetarë e filozofë të mirëfilltë shqiptarë. Kontributi i Kosovës tjetër” të kultivuar, asaj të Sanxhakut të Nishit në Perandorinë Osmane dhe i nahijes së Qyprovecit (katolikët shqiptarë që mbeten në Bullgari, për të cilët flet filozofi ynë, Pjeter Bogdani) është i jashtëzakonshëm. Numri i njerëzve të dijshëm të dalë nga kjo trevë, për të cilën sot nuk flet njeri është i pallogaritshëm. Ajo ka qenë dikur “truri” i Kosovës së sotme. Brezat e rinj le t’u drejtohen më së paku arkivave e bibliotekave dhe do të zbulojnë thesare…

Pyetje: Libri juaj “Naimi në Konstantinopojë i I-II”, përkundër shumë veprave, studimeve dhe monografive të botuara deri më sot hedh dritë mbi një kapitull jete thuaj të panjohur deri më sot mbi Naimin poet. Ndërsa vepra juaj e shikon këtë figurë nga një kënd krejtësisht tjetër: Naimi dhe veprimtaria e tij në Konstantinopojë. Çka mund të na thoni diç më konkrete në pika të shkurta?
L.Bica: Naimi është fatlumturi rilindës që është studiuar më shumë nga të tjerët për arsye të njohura si poet kombëtar etj. Por si filozof e teolog për Naimin dimë relativisht pak. Me dy vëllimet e mia për Naimin vetëm sa kam ngritur tiparin, veç të tjerash, edhe në këtë aspekt. Kush ka hyrë në arkiva e bibliotekat turko-osmane për Naimin? Pothuajse askush. Kemi ende vepra të panjohura të Naimit në osmanishte e gjuhë të tjera. Tre-katër i di vetë. Le të shpresojmë që e ardhmja të na i nxjerrë në dritë. Naimi ka nevojë shumë e më shumë të studiohet e ristudiohet vetë e në raport me të tjerët. Brenda e jashtë trojeve shqiptare. Janë, të mos them qindra faqe të panjohura për Naimin, po disa dhjetëra po se po që presin t’u shtohen veprave të tij që njohim të botuara deri më sot. Faqe të reja presin t’u shtohen veprave të tij me karakter teologjik si “Fletore e Bektashinjtë” dhe “Qerbelaja”, që kanë të bëjnë sidomos me filozofinë e botëkuptimin e tij. Jam i bindur se e ardhmja do të na befasojë me prurje të reja për te…
Pyetje: Kontributi i vëllezërve Frashëri dihet në organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos roli i prijatarit Abdyl Frashëri. Po roli i Naimit cili ishte, meqë në këtë kohë kishte arritur pjekurinë si veprimtar, mendimtar dhe shkrimtar. Në ç’parametra e ndihmoi këtë Naim Frashëri? L.Bica: Tjetër është Naimi si letrar, dhe tjetër Naimi si veprimtar dhe tjetër është problem se sa e njohim veprimtarinë e Naimit në Lidhjen e Prizrenit apo sa e dokumentuar është ajo. Një shqyrtim i vëmendshëm në arkivat evropiane e osmane, jam i bindur se do të nxirrte të dhëna të reja. Për mua Naimi dhe Samiu, është jashtë çdo dyshimi që ata ishin një, vëllezër të vëllait të vet, grusht për çështjen e madhe kombëtare. Naimi ndihmoi nga Janina e nga Frashëri për jetësimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në jug të tokave shqiptare dhe mbaroi me të gjitha forcat çështjen çame, kufijtë e vilajetit më jugor. Naimi në këtë rast ecte në traditën e familjes s’bënte gjë tjetër veçse shkelte në hullinë e hapur nga i jati Halil Frashëri dhe vëllai i madh Abdyli, si dhe miku i tyre Iliaz Pashë Dibra. Ata luftuan me armë në dorë për mbrojtjen e tokave shqiptare në zonën e Selanikut, Thesalisë e të Janinës për vite e vite me radhë. Në librin për Naimin, unë e kam ndriçuar edhe këtë aspekt për aq sa na lejon dokumentacioni sot.

Pyetje: Teza e doktoratës suaj nga fusha e shkencave të filozofisë “Hasan Tahsini – jeta, vepra, idetë“ është vepra më e plotë, më e kompletuar, e pse jo edhe e vetmja deri më sot për këtë figurë të Rilindjes Kombëtare. Me çfarë vështirësish jeni ballafaquar gjatë kërkimeve shkencore rreth figurës madhore të Hasan Tahsinit?

L.Bica: Të mos them më shumë është punë e katër dekadave, punë jete. Vështirësitë kanë qenë të shumta, të mos them të panumërta e të karakterit të ndryshëm. Së pari, kërkimore. Më është dashur të kërkoj shumë e të gjej pak, të rrëmoj në dhjetëra e qindra libra, duke filluar nga Biblioteka Kombëtare, Tiranë e duke përfunduar tek Biblioteka e Bashkisë së Stambollit, bibliotekat e rretheve në Shqipëri, arkivat etj. etj. Volumi i punës së përballuar ka qenë i stërmadh… Së dyti, vështirësitë e gjuhëve për të lexuar veprat e tij që janë osmanishte (turqishte e vjetër dhe mbi të, në gjuhë nga më të ndryshmet. Dominon turqishtja, të cilën e mësova në Stamboll, ku jetova 12 vjet. Osmanisht mora mësim dy vjet por s’munda ta përfundoj. Së treti, Hasan Tahsini më futi në Rilindjen shqiptare, atë turke, arabe, ballkanike, të shteteve fqinje; më detyroi të mësoja disa gjuhë, më futi në iluminizmin frëng, në mesjetën arabe etj. Së katërti, më detyroi të shpenzoj shumë kohë dhe pata, kontakte me njerëzit, të hyj në folklor etj. Së pesti, më detyroi të njoh rilindësit e tjerë e personalitete nga më të ndryshmit që s’ma merrte mendja, të vendit dhe të huaj; më bëri në një kuptim enciklopedist siç qe vetë ai. Së gjashti, Hasani më futi kokë e këmbë në Rilindje, si të thuash më bëri në një farë mënyre rilindës, të jetoj me shqetësimet dhe idealet e tyre, që ende sot nuk janë të realizuara. Së shtati, Profesor Hasani në një farë mënyre më bëri të privohem nga shumë probleme të jetës, ashtu siç më ka dhënë pas kaq e kaq vjetësh pune me të si kryerilinda, të ndjej një kënaqësi e satisfaksion të jashtëzakonshëm. Unë do t’i mbetëm për jetë atij mirënjohës si për kënaqësitë ashtu dhe shqetësimet e panumërta që më solli. Në libër, në hyrje, unë tregoj peripecitë e jetës që kam kaluar deri sa mbarova disertacionin e pas tij libri në tre vëllime është dhe një përgjigje pas kaq e kaq vitesh për ata që më kanë vënë gurrë në rrota në rrugën time të jetës e të studimeve. Tani nga lartësitë e viteve ndjej se koha më dha të drejtë. Një punë ngulmuese mund gjithçka. Ka plot vështirësi të tjera, por s’dua të zgjatëm. Përmenda disa nga më të rëndësishmet e kryesoret. Lexoni librin dhe do të më kuptoni. Studimeve për Hasan Tahsinin do t’ja u di për faleminderit që më mprehën aparatin kërkimor shkencor timin si njeri dhe më bënë një studiues serioz…

Pyetje: Cila është ndihmesa e Hasan Tahsinit në fushën e filozofisë, meqë kjo figurë, ishte edhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit, përkatësisht i njohur në fusha të ndryshme të filozofisë, psikologjisë, letërsisë, gjuhësisë dhe shumë fushave të tjera? L.Bica: Ndihmesa e Hoxha Tahsinit është e madhe si për kombin shqiptar dhe atë turk, si për rilindjen shqiptare ashtu dhe atë osmane. Ai është një ideologu nga më kryesorët, mos them më tepër, si për Shqipërinë, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Së pari, si njohës i mirëfilltë i filozofisë dhe historisë së saj në përgjithësi.
Së dyti, si njohës i aftë dhe i thellë i filozofisë arabe, evropianoperëndimore dhe veçanërisht i iluminizmit francez dhe personaliteteve më të shquara të fushës së filozofisë.
Së treti, i pari në Perandorinë Osmane e në Shqipëri që futi shkencën e filozofisë, të psikologjisë, atëherë kur ajo ishte në fillimet e saj edhe në Perëndim. Së katërti, në revistën “Mexhmua-i Ulum” (“Dituria”) janë botuar edhe vepra të tjera me karakter filozofik që do të hedhin dritë të re për këtë mendimtar. Rëndësi ka që të sillen në shqip sa më parë dhe veprat e Hoxha Tahsinit. Atë e kemi nga të rrallët personalitete që u kushtohet të dy fushave: dhe atyre të skemave shoqërore po sidomos atyre natyrore: ai është edhe fizikan dhe kimist dhe astronom etj. etj., por dhe gjuhëtar, filozof, psikolog etj. etj .

Pyetje: Botëkuptimi i dijetarit të “lartë ndër të lartët” (Sami Frashëri), autori i veprave “Psikologjia” dhe “Bazat e Astronomisë“ trajtojnë problem të ndikimit që ushtrojnë idetë e tij në mendimin filozofik, politik e shoqëror të Rilindjes dhe atë shqiptar në përgjithësi. Ku ndodhet vend ii Hasan Tahsinit në këto shkenca filozofike për kohën kur u mur pikërisht me këto? L.Bica: Profesor Hasan Tahsini ishte në nivelin e shkencave të kohës, për shembull dhe të psikologjisë. Ai ishte pionier i përhapjes së të rejave më të fundit në shkencat e ndryshme dhe i lindjes së shkencave të reja në Perandorinë Osmane. Merita e tij duhet parë në dy aspekte: së pari, në synimin e tij iluminist për t’ja dhënë këto dije të reja popullit të tij dhe popujve të tjerë që jetonin në Perandorinë Osmane dhe, së dyti një përpjekje e tij për divulgimin e tyre d m th paraqitjen e tyre sa më thjeshtë e kuptueshëm për masat. Brezat e kohës së tij dhe gjeneratat që erdhën më pas nuk do të harrojnë kurrë Hoxha Tahsinin, Profesor Tahsinin, “Meshur Tahsin”-in (“Të famshmin Tahsin”) për atë që bëri për ta, për zgjimin e tyre. S’qe puna vetëm për hartimin e një alfabeti (H. Tahsin e bëri një të tillë origjinal. Siç më thotë miku im, albanologu Niko Stillo, a i njihte me rrënjë alfabetet e ndryshme që nga lashtësia por edhe pajisjen e popullit me arritjet bashkëkohore në lëmin e shkencave.

Pyetje: Do t’i hynim në hak profesor Hasan Tahsinit sikur të anashkalonim një angazhim tjetër të tij rreth çështjes çame, meqë ky vetë ishte çam i lindur në Ninat të Çamërisë. Cili është kontributi i Hasan Tahsinit rreth çështjes së njohur çame? L.Bica: Për çështjen çame mund të them se kontributi i tij është rrënjësor, thelbësor, i pallogaritshëm. Mund të themi shkurt se në saje të tij, dhe të çamit tjetër të Prevezës, rilindësit Abedin Dino, Çamëria – Epiri shpëtoi; dhe për 35 vjet të tjera mbeti nën shtetin Osman në dorë të shqiptarëve. E pësoi vetëm Thesalia dhe qyteti i Artës, që ju bënë kurban Greqisë që më 1880-1881.
Pyetje: Bazuar në këto dy vepra që ua keni dhuruar lexuesve, është krejtësisht e natyrshme që vepra juaj e radhës të jetë e një rëndësie si këto dy të mëparshmet. A është fshehtësi që për lexuesit të “zbuloni” se çka keni nëpër duar dhe çka do t’u dhuroni atyre në të ardhmen jo të largët?
L.Bica: Në duar kam një tekst mësimor nga fusha e sociologjisë, një libër për një shtetar shqiptar të Perandorisë Osmane në kulmin e saj, që koinçidon me 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe për një figure rilindëse tjetër sikurse Hasan Tahsini, e cila mund të dale si libër në një ose dy vëllime. Por se kur do t’i nxjerrë nga duart këtë s’e parashikoj dot. Çdo gjë kërkon kohën e maturimin e vet. Rëndësi ka që i kam hyrë punës me të gjitha forcat. Veprat studimore, sidomos ato seriozet, duan kohë. Pyetje: Ç’do të thoshit diçka tjetër që s’e kemi përfshirë në pyetjet tona?
L.Bica: Aktualisht jam pedagog i punësuar pranë Universitetit “Kristal”, më i madhi në Shqipëri pas Universitetit Shtetëror të Tiranës. Jap kontributin tim si mësimdhënës në fushën e filozofisë, sociologjisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe në punën kërkimore shkencore. Përpiqemi të japim ndihmesën tonë modeste si me botimet ashtu edhe me veprimtarinë tonë për çështjen kombëtare shqiptare, trojet etnike e për diasporën. Zaten, ky është filli i kuq që ka përshkuar e do të përshkojë deri në fund jetën tonë. Ne ndofta jemi nga rastet e fundit të gardës së brezit të fundit që e shkrinë jetën për liri e pavarësi , për Kosovë e Çamëri. Ne ecim përpara në rrugën e progresit të popullit tonë me idealet rilindëse në mendje e në zemër, me idealin kombëtar në gji, që na ka mbajtur në këmbë edhe në rastet më të vështira, qoftë në atdhe, qoftë në rrugët e largëta e të rënda të emigracionit…
Ju falënderoj nga zemra që më dhatë këtë mundësi të shprehem nëpërmjet intervistës tuaj…Vlerësoj shumë dhe faktin që intervista më vjen nga Kosova se në Shqipëri kemi bërë mjaft të tilla…Personalisht ju falënderoj ju për shkrimet që u keni kushtuar veprave të mia për Naimin e Tahsinin në Kosovë… Edhe një herë faleminderit!



Për gazetën “Nacional” intervistoi: Shahbaze Vishaj

Wednesday, November 27, 2013

TEQEJA E FRASHËRIT - OXHAKU I KULTURËS DHE SHQIPTARIZMIT







 
Nga: Dr. Laurant BICA


Tematika shkencore “Frashëri dhe Prizreni – vatra madhore të historisë kombëtare”, na orienton të marrim në fokus  qytezën malore të Frashërit dhe për Teqenë e Nasibiut si qendër intelektuale e tij, duke shtjelluar një kategori të caktuar, të cilën unë e kam quajtur “salloni” i Teqesë së Nasibiut (Tahir Skënderasit), dhe që në shqip ne e gjejmë me emrin “oda” shqiptare, apo më thjeshtë dhoma e pritjes së miqve, ku zhvillohen biseda nga më të ndryshmet, nga ato më të lartat me karakter intelektual, bisedat ndërkombëtare, profesionale, të jetës së përditshme, etj. Në turqisht kjo njihet edhe me emrin “konak”, të cilin e përdorim edhe ne, po këtu ka një status të posaçëm në shtjellimin që po i bëjmë.

Shtjellimi do të bëhet nëpërmjet krahasimit, duke iu referuar sa Frashërit e Shqipërisë aq Stambollit e Perandorisë Osmane, dhe po aq Parisit e Francës, sa Rilindjes Kombëtare Shqiptare, aq dhe “Renesancës”, Rilindjes franceze, sa iluminizmit shqiptar aq dhe atij mbarosman dhe iluminizmit francez. Trajtimi ka në epiqendër “sallonin”, apo më mirë odën e madhe të Teqesë së Frashërit, ku mblidhej kryesisht elita e asaj kohe e këtij qyteti të vogël malor.

 Gjithashtu kumtesën e kemi përqëndruar në 3-4 rilindas, kryesisht përmetarë, si një Naim e Sami Frashëri, një Kostandin Duka dhe një Elena Gjika (Dora d’Istria).

Krahas qyteteve fushore si Berati, Elbasani, Prizreni, Nishi etj., për të cilët flet Evlija Çelebiu në shekullin XVII, u zhvilluan dhe qytetet malorë si Voskopoja, Frashëri, etj., duke arritur një nivel të lartë intelektual.

Voskopoja, jo larg Frashërit, u bë një nga metropolet e Europës dhe arriti deri të ketë një shkollë-akademi të vetën. Frashëri, një qytet me disa mijëra banorë, arriti në kohën e lulëzimit të vet të ketë disa shkolla dhe si qendër intelektuale Teqenë e Nasibiut, nga të cilat dolën dijetarë me emër që zunë vend nderi në historinë e Shqipërisë, të letërsisë shqipe dhe të mendimit filozofik shqiptar e më gjerë.



I – Teqeja e Frashërit si sallon



E krijuar nga dijetari Tahir Skënderasi, në krye të saj qenë njerëz që shkollimin e tyre e bënë në Iran, si Teheran, Ispahan, Shiraz, Harasan etj; apo Stamboll apo Kairo etj., me kulturë solide lindore dhe që zotëronin gjuhët e lindjes, arabishten, persishten, osmanishten, po dhe gjuhë lokale si greqishten, bullgarishten, vllahishten etj., pa folur për gjuhën amtare. Familjet fisnike të Frashërit, përfshi dhe Dukollarët (fis i Naimit), merrnin mësues të huaj shpesh nga Europa, si Itali, Austri etj., dhe këtë traditë do ta vazhdonin dhe në Stamboll në Turqi (p.sh. Sami Frashëri). Kështu bënin dhe Vlorajt në Vlorë, Vrionasit në Berat, Toptanët në Tiranë, Gropajt në Dibër të Madhe, Kryezinjtë në Gjakovë, Begollajt në Pejë, Dinot në Çamëri, etj.

Pa dashur të zgjatem, “Salloni” apo Oda e madhe e Teqesë së Frashërit ka kryer disa funksione legale dhe ilegale.



Funksione legale:



1. - Funksioni fetar: Në Teqe, si objekt kulti, janë ushtruar ritet bektashiane, kremtimi i festave fetare si ditët e matemit (zisë), dita e ashures, etj.

2. - Funksioni kulturor-letrar. Ajo qe një vatër dijeje dhe kulture ku recitohej poezia në disa gjuhë, sikurse dhe krijohej në çast, provohej aftësia vjershëruese e miqve intelektualë të ardhur, aty lexoheshin kaside e gazele të klasikëve persianë, si Firdusiu, Saadiu, Rumiu, Shiraziu etj., po dhe klasikë osmanë, si Bakiu dhe Fuzuliu, po dhe një Haxhi Bektash Veliu, e një Jonuz Emre, krijues bektashianë. Diskutohej në këtë sallon me zjarr për letërsinë arabe, perse, osmane, dhe duke dëgjuar ato i mori zanafillat “fenomeni” Naim.

3. – Funksioni arsimor. “Salloni i Frashërit”, do ta quaja sallonin e Teqesë, ishte një vatër diturie, ku mësoheshin të paktën disa gjuhë të huaja lindore, si persishtja, arabishtja dhe osmanishtja (turqishtja e vjetër), dhe në një mënyrë ose tjetër dhe shqipja, e mbase edhe ndonjë tjetër.

4. – Funksioni mediatik. Në këtë Teqe, në këtë sallon, bëheshin diskutime filozofike, teologjike, politike, shoqërore. Ai ishte një klub diskutimesh, debatesh, shpesh të zjarrta. Këtë atmosferë autori i këtyre rradhëve e ka përjetuar në shumë raste në Stamboll, në ambjentet e medreseve të vjetra, njëra prej të cilave e ndërtuar nga arkitekti i madh Sinan Shqiptari. Në të përmendeshin filozofë të Lindjes, po edhe të Perëndimit, diskutoheshin ngjarjet në Perandorinë Osmane dhe shtetet e asaj kohe, përfshirë dhe “memleqetin” (vendin amë) Shqipërinë.

Teqeja luante rolin e një “qendre mediatike” për Frashërin. Në ndonjë prej tyre, si në Teqenë e Helvetive në shekullin XVIII në Tiranë, arritën të nxjerrin edhe revistë në gjuhën persiane, që ekzemplari i saj ruhet sot në Pallatin e Topkapive të sulltanëve në Stamboll.

5. – Funksioni ekonomik (turistik). Teqeja, në kushtet e mënyrës së hoteleve, ishte vend i pritjes e i përcjelljes së udhëtarëve të huaj e të vendit, i njerëzve të ditur, po edhe i kalimtarëve të rastit. Aty shpalosej mikpritja shqiptare. Jo më kot ka mbetur shprehja “si në teqe”...

6. – Funksioni social. Teqeja ka luajtur dhe rolin e një strehe sociale për të varfërit, fukarenjtë, skamnorët, invalidët, të pastrehët e fshatrave përreth apo që u binte rruga andej etj. etj.

7. – Funksioni politik-kombëtar. Teqetë, po sidomos ajo e Frashërit, kanë qenë vatra të shqiptarizmit. Është i padiskutueshëm, i jashtëzakonshëm, dhe i pastudiuar, si dhe sa duhet, roli i sektit bektashi dhe i bektashinjve për çështjen kombëtare. Ky sekt, të paktën në Shqipëri, më tepër se një sekt fetar njihet si sekt kombëtar. Ne themi thjeshtë, siç kanë kaluar në tekstin e Historisë së politizuar të Shqipërisë, dy mbledhjet e Frashërit në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe 1889, dhe të krijohet përshtypja sikur ato ishin takime të thjeshta individësh. Por ato ishin Kongrese heroike të Shqiptarizmit, ku morën pjesë rilindasit tanë më të shquar, më eminentë, vetëm nga Jugu shumica, por dhe nga Veriu, nga të katër anët e trojeve shqiptare. Aty ishte dhe një Abdyl por dhe një Hoxha Tahsini, ishte dhe një Jani Vreto etj. etj. Abdyli e Naimi, që do të asistonin në sallonin e Prizrenit si mysafirë në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878, krahas Ymer Prizrenit, do të ishin në Frashër me Baba Alushin në krye, të zotët e shtëpisë në organizimin e tubimit kombëtar, dhe mbi shpatullat e tyre 30 vjeçare do të rëndonte barra e organizimit të një tubimi mbarëkombëtar shqiptar, dhe në ç’kushte e rrethana, pa asnjë mbështetje veç popullit, e nën hundën e sulltanit. Dhe “Pallati i Kongreseve” i të ashtuquajturave “Mbledhje të Frashërit”, do të ishte “Teqeja e Nasibiut”



Kush e do Shqipërinë kush

i varfri Baba Alush

Që nga varri na thërret

Përpiqi për mëmëdhet!



Teqeja e Frashërit printe në ballë të shqiptarizmës, në ballë të teqeve shqiptare nga Gjakova e Kosovës, në Durballa të Thesalisë, e deri në Kavallë të Selanikut! Nderime e respekte pafund Frashërit dhe Frashërllinjve për atë ndihmesë të paçmuar që kanë dhënë në altarin e çështjes kombëtare, dhe për njerëzit e shquar që i kanë dhënë Panteonit Kombëtar me në krye vëllezërit zulmëmëdhenj Frashëri, Abdyl, Naim, Sami, Mehmet!



Funksionet ilegale




8. - Funksioni i shkollimit. Në sallonin e Teqesë së Nasibiut është mësuar fshehurazi gjuha shqipe para gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit deri më 1912. Siç na bën me dije prof. Agron Xhagolli, nga goja e popullit na vjen e dhëna që në teqenë e Frashërit ka shërbyer si mësues në mënyrë ilegale prifti atdhetar At Stath Melani. Ajo ka shërbyer edhe si qendër ku grumbullohej e nga ndahej literatura në gjuhën shqipe. Të njëjtën gjë si nën osmanllinjtë, e përjetuan kosovarët nën serbomëdhenjtë në vitet 80, 90 të shekullit të njëzet për arsimimin shqip...

9. - Funksioni politiko-ushtarak. Në to fshiheshin komitët, kaçakët e malit, luftëtarët e lirisë, në to bëheshin mbledhje ku flitej për çlirim dhe gatiteshin aksionet e ardhshme të armatosura; ato ishin bërë çerdhe të kryengritjeve popullore, ishin kthyer në qendra organizative të lëvizjes atdhetare-patriotike, baza të komiteteve të fshehta për liri dhe jo rrallë, në krye të tyre, të lëvizjeve, kish dhe baballarë të teqeve.

10. – Funksioni fetaro-ushtarak. Në shekuj teqetë e bektashinjve dhe ky sekt heterodoks, simbiozë e veçantë e islamizmit me kristianizmin, ka qenë i lidhur me urdhërin e ushtarëve jeniçerë të sulltanit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë edhe të gjakut shqiptar. Në vitin 1826 sulltan Mahmuti II e mbyti në gjak urdhërin e jeniçerëve, dhe sekti i bektashinjve u përndoq gjatë gjithë shekullit XIX. Deti Marmara në Stamboll u skuq nga gjaku i jeniçerëve, tregojnë dëshmitarët okularë të asaj kohe, nga ajo masakër e përbindshme, batërdi gjakderdhjeje, që u bë n’atë kohë...





II – Salloni i Teqesë së Frashërit dhe rilindasit përmetarë Kostandin Duka, Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Dora d’Istria



Për t’i dalë ballas gjuhës së kukuvajkave, që po bëhet gjithnjë e më e pranishme në mjediset tona të zakonshme dhe intelektuale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Turqi e kudo që ka shqiptarë, që flet me përulje për Europën e nëpërkëmb krenarinë tonë kombëtare si shqiptarë, më lejoni të heq disa paralele për problemin e salloneve që po flasim.

Bëjmë fjalë për hyrjen e Shqipërisë në Europën e Bashkuar sot e të Kosovës nesër, dhe gjërat i shohim nga poshtë lart si inferiorë. Nuk mund të flas pa mllef. Shqipëria e trojet e Ballkanit e kanë parë “Europën e Bashkuar” në thonjëza 10 shekuj nën Bizantin e 5 shekuj nën Osmanllinë, kanë provuar dhe “tregun e përbashkët” për 15 shekuj. Gadishulli i Apenineve (mbi gjysma), i Ballkanit, dhe i Anadollit për gati 10 shekuj kanë qenë nën të njëjtën qeverisje...

Po t’i lëmë këto dhe të trajtojmë problemin nga një kah tjetër. Pukëvili, konsulli i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, gjeti në Përmet një burrë të ditur shqiptar që quhej Kostandin Duka. Ai kish qenë në Paris dhe në Kafen “Prokop”, ku mblidheshin iluministët francezë, kish pirë kafe e kish biseduar me ta. Dhe këta njerëz që jemi mësuar t’i shohim me nderim me të drejtë, si një Deni Didero, Zhan Leron D’Alamber, Markezi Kondorse, Volteri, Rusoi etj., hartuan në grup Enciklopedinë e Madhe Franceze, që ndikoi aq shumë në Francë e jashtë saj. Veç harrojmë, nga padija e plot shkaqe të tjera, që edhe rilindasit shqiptarë dhe ata osmanë e kishin një “Kafe Prokop” të tyre në Stamboll në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, pranë një xhamije shumë të vjetër, të themeluar rreth një dekadë pas pushtimit të Konstandinopolit nga osmanllinjtë më 1453. Aty shkonte dhe Hasan Tahsini dhe Naim e Sami Frashëri, dhe rilindas osmanë të shquar, ndonjë edhe prej gjakut shqiptar si Namik Qemali, Ahmet Xhevdet Pasha, Munif Pasha etj. Ajo nuk ishte shumë larg nga Ministria Osmane e Arsimit, ku punoi edhe Naimi ynë. Dhe bash ndofta dhe që këtu zunë fill projektet e iluministëve shqiptarë e osmanë, të cilat i realizoi një njeri i vetëm, përmendore e gjallë pune, dhe i njohur me nofkën “Ebu-Lisan” (baba i gjuhëve), biri i kësaj toke dhe i këtij fshati, kollosi rilindas shqiptar i njohur në Perandorinë osmane me emrin Shemsedin Sami.

Një shkrimtar dhe enciklopedist persian Didhoda, bashkëkohës i tij, do të fliste me respekt e nderim të jashtëzakonshëm për Samiun, për “Kamus’ul Alam”-in e tij. Atë që enciklopedistët frëngj e bënë si grup, atë Sami Frashëri e bëri një i vetëm, një njeri – një Akademi bëri “Enciklopedinë e botës” në 6 vëllime, me rreth 5000 faqe, që u bë bibla për diplomatët, qoftë të Lindjes apo të Perëndimit, për njohjen e Perandorisë Osmane e më gjerë, në fund të shekullit XIX e fillim të shekullit XX. Një akademik rus Gordlevskij, që e kish njohur vetë Samiun, shkruan për të se “ka të ngjarë që ky shqiptar të ketë bërë shumë më tepër se ç’kanë bërë osmanët për vehten e tyre”. Një orientalist rus në vitet ’50 të shekullit XX, një nxënësit të tij nga Shqipëria i tha: “A e di se cili është turkologu më i madh në botë i të gjitha kohërave?”, “Jo, – iu përgjigj studenti nga Shqipëria”. “Është një bashkëkombasi yt që quhet Shemsedin Sami Frashëri” – qe përgjigja e orientalistit rus...

Ndërsa Kafen “Prokop” e kemi dhe në Teqenë e Frashërit. Ajo ka pasur edhe këtë funksion, dhe aty shërbehej sipas traditës bektashiane edhe shqiptare me kafe dhe raki, të shoqëruara me biseda intelektuale sipas rradhës që mbahet në odën e burrave shqiptarë, në bazë të moshës, rëndësisë, mençurisë e të zakoneve të moçme...

Paralelja e dytë që do të donin të na hiqnin europianët neve, do të ishte ajo e salloneve mondane të dukëve, kontëve dhe markezëve të tyre, dhe ajo që do të ishte asgjësuese për ne prej tyre, do të ishte ekzistenca e salloneve të mëdha të grave mondane si një Madam D’Montenon, Madam Deni, Zonjës Pompadur në Francë, apo salloni i zonjës franceze Grafinji (mikeshës së Volterit), letrare e shquar për kohën e saj, etj. Por dhe këtu iu siguroj se s’janë të suksesshëm. Salloni shqiptar, oda e pritjes, është një sallon që vjen prej shekujve dhe është shenjë e mikpritjes proverbiale shqiptare me famë botërore, tipike për çdo shtëpi shqiptare. Por mund t’u them se familjet fisnike shqiptare kanë pasur sallonet e tyre në sarajet-pallatet e tyre. Mjafton t’u përmend Vlorajt. Në shtëpinë e Ismail Qemalit në Vlorë çdo ditë në sallonin e tij mund të hanin 100-150 njerëz. Kushëriri i tij në Stamboll, dijetari Syrja Vlora, i ati i Eqerem bej Vlorës, bënte të njëjtën gjë. Në sallonet e rilindasve osmanë, si një Ahmet Xhevdet Pashë, Munif Pashë në Nuriosmanije dhe në Sulejmanije etj., rrinin dhe Frashëllinjtë dhe Hoxha Tahsini, Pashko Vasa, etj. Ata zbukuronin kuvendet ku shkonin me praninë e tyre. Në konakët e tyre merrnin pjesë edhe gra, si poetja Lejla Hanëm, e bija e Ahmet Xhevdet Pashës, apo poetesha Nigjar Hanëm, e bija e një pashai me origjinë polake, apo dhe intelektuale të shquara të gjakut shqiptar...

Por sfisa është tek sallonet e grave franceze. As me këtë s’dalin fitimtarë. Po iu përmend vetëm dijetaren rilindase me origjinë përmetare, Elena Gjikën. Për të shkruhet:

Zonja Dora nga Përmeti

Me dituri porsi deti”.



Ajo ishte mysafire e Akademive të ndryshme të Europës, si të Parisit, Athinës, Bukureshtit. Xhaxhai i saj Jon apo Jan Gjika, ishte kryetar i Akademisë Rumune të Shkencave. Për të qenë hapur sallonet nga Petërburgu e Moska në Rusi, deri në Paris, Berlin, Vjenë e Romë e Gjenevë të Zvicrës. Ajo kish bërë kërkime në arkivat e Venecias, Vjenës, Stambollit, etj. Shtëpinë e saj në Zvicër, apo së fundi Firence, e kish kthyer në një qendër, sallon, ku vinin ajka e inteligjencës italiane, europiane, por dhe rilindas shqiptarë si një Mitko, De Radë, etj. Kjo dijetare e nderon Përmetin tonë, kombin tonë.

Pra nuk kanë qenë vetëm zonjat franceze, si ajo Pompadur, Grafinji etj., po dhe një zonjë e tillë e rëndë përmetare, si Dora d’Istria e jonë.

Një zonjë e tillë e rëndë, e njëkohësisht tepër e thjeshtë, përmetare nga e ëma, është Solanzh D’Anzheli, e bija e albanologut Robert D’Anzheli, autor i librit “Enigma”.





III – Sallonet e aristokracisë shqiptare

në Shqipëri dhe në Stamboll



Evlija Çelebiu në veprën e tij “Sejahatname”, mbi tre shekuj më parë, tregonte për medresetë e kohës në Berat, Elbasan, Prizren, etj., dhe kafenetë ku ajka e inteligjencës së kohës bënte diskutime filozofike, teologjike, letrare etj. Poetët, dijetarët e kohës ishin të shumtë dhe ata i jepnin tonin jetës intelektuale në fund të shekullit XVII. Mbi dy shekuj e gjysëm, sipas Hafiz Ali Korçës, “Elbasani ka qenë qendra e ulemave (dijetarëve) në Shqipëri. Atje shkruanin vjersha të çdo lloji si edhe rubai (Çdo rubai përmbledh një mendim ose ide të plotë ose pohon një të vërtetë morale apo filozofike të shprehur në vargje). Atje shkruanin vjersha të çdo lloji, si dhe rubai në gjuhën arabe, perse, turke dhe shqipe. Nga nami i madh dhe buja e përhapur që ka pasur Elbasani, i vinin vizitues nga Arabia, Persia dhe Turqia”. Hafiz Ali Korça u referohet dy dijetarëve të mëdhenj, shqiptarëve Hasan Zyko Kamberit nga Kolonja dhe mistikut me famë Ibrahim Nezim Frakulla të Beratit, që vdiq në Stamboll.

Siç na njoftojnë udhëtarët e huaj apo diplomatët që lëvizën në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës, në sallonet e sarajeve të tij në Janinë dhe Tepelenë, ata hasën aty apo jashtë tyre njerëz të dijshëm, dijetarë, intelektualë të ndryshëm. Po jo vetëm në Pashallëkun e Jugut. Edhe në atë të Veriut, të Bushatlinjve, apo dhe të Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Në Shkodër gjejmë një dijetar si Isuf Tabaku, në jug, në Filat, një Osman Hoxha (i ati i Hasan Tahsinit) apo një Muhamet Kyçyku Çami në Konispol...

Ky zhvillim u reflektua edhe në qytete malore si Voskopoja, Vithkuqi, Frashëri, Leskoviku, Konica, etj. Në Frashër nga shtëpitë e bejlerëve, oxhakë me emër si Sulejmanbellinjtë, Vilakët, Skënderajt etj., njerëzit e shkolluar nga fisi i tyre në Teheran, Stamboll, Kajro apo ndonjë edhe në Perëndim, që përbënin elitën e qytetit të vogël malor, mblidheshin në teqenë e Nasibiut që ishte bërë një qendër kulture, sidomos të kulturës lindore. Në këtë vatër diturake “mori pagëzimin” e parë dhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Aty, në këtë “sallon” të Frashërit malor, mori edukatën orientale. Aty ai dëgjoi nga baballarët e kulturuar të Teqesë frashërjote divane të tëra poezish në persisht, arabisht e osmanisht. Aty atij i ranë në dorë libra në tre gjuhët e lindjes që ndodheshin në bibliotekën e Teqesë. Aty ai mësoi poemat e Dalip e Shahin Frashërit në shqip.

Më pas me transferimin në Janinë, në vitet ’60 të shekullit XIX, Janinë e cila ruante ende kujtimin e Luanit Shqiptar, Ali Pashë Tepelenës; në sallonin e gjimnazit klasik “Zosimea”, ai me të vëllanë Samiun do të mësonin greqishten dhe latinishten, po dhe italishten dhe frëngjishten. Jashtë tij do të perfeksiononin gjuhët e lindjes... Në këtë gjimnaz, ku studiuan vëllezërit Frashëri, në gjurmë të shkollimit të tyre ka qenë një gjurmues i apasionuar i jetës, veprës dhe ideve të tyre, si profesor Zija Xholi, dhe së bashku me të një ish punonjës i ambasadës sonë në Greqi dhe më pas ambasadori ynë në Turqi, zoti Jonuz Begaj...

Në sallonin e këtij gjimnazi, rilindasit tanë Naim e Sami, djelmosha n’atë kohë, u njohën me klasikët greko-latinë të kohës së vjetër dhe me klasikët italianë e francezë në kohët e reja.

Aty në gjimnaz apo në konsullatën franceze të Janinës, Naimi ynë mori nga albanologu francez, August Dozon, porosinë për të mbledhur fjalë të urta në vendlindje, në krahinën e Dangëllisë. Në mjedisin e teqesë, ku vinin e shkonin njerëz nga të katër anët e krahinës, në komunikim me ta, po dhe të krahinave përreth si Skrapari, Tomorica, Opari, Kolonja, Përmeti, etj., edhe në fshatin Frashër midis njerëzve i qëmtoi me kujdes fjalët e urta dhe ia dha dijetarit të vyer Dozon, siç na bën me dije shkrimtari nga Kolonja me banim në Bullgari, Thoma Kaçorri. Kjo lidhje me konsullin frëng Dozon qysh në moshë të re, është një tjetër dëshmi më tepër se Naimi i ka pasur lidhjet të hershme, dhe jo vetëm nëpërmjet librave por dhe të gjalla, me kulturën frënge dhe njerëzit e kësaj kulture dhe më gjerë asaj europiane...

Teqeja e Frashërit dhe salloni i saj ishin një si mikrokozmos ku dëgjoheshin tërë gjuhët që fliteshin në Frashër, këtë qytetth të vogël mes maleve të Dangëllisë. Ne sot s‘mund ta përfytyrojmë statusin e atëhershëm shumëgjuhësh, ku u lind dhe u rritën një Naim, një Sami, e përgjithësisht vëllezërit Frashëri e të tjerë. Në Frashër, veç lagjeve muslimane bektashiane, kish dhe një lagje të krishterë, e një lagje vllahe. Në to kish dhe shkollat përkatëse. Veç një shkolle fillore (mejtepit) në gjuhën osmane, aty kish një shkollë greke (për të krishterët) dhe kuptohet me mësuesit përkatës nga Frashëri ose jo. Sigurisht që kishte edhe kishë. Bile, siç na bën me dije Samiu në “Kamus-ul Alam” (Fjalori i botës), kish dhe dy teqe, një e sektit bektashi dhe tjetra e sektit sadi.

Kuptohet dhe dihet historikisht që teqeja bektashiane e Frashërit qe më kryesorja, dhe ajo u shndërrua në qendrën intelektuale të këtij qyteti malor. Ajo u bë “Akademia” ku rriheshin probleme filozofike, fetare, letrare, shkencore, artistike, kulturore, politike etj. etj. Aty në teqe dëgjoheshin dhe tërë gjuhët që fliteshin në fshat, sadoqë të gjithë ishin shqiptarë. Muslimanët bektashinj dinin turqisht (dhe jo vetëm ata) se qe gjuha e administratës, shkollës, fesë etj. Ata më të shkolluarit, që kishin shkuar deri në Iran ose pa shkuar atje flisnin persishten, gjuhë që e dinin normalisht baballarët e teqeve po dhe dervishët dhe të tjerë. Po edhe arabishten që mësohej në mejtep krahas osmanishtes e persishtes, e dinin shumë njerëz si gjuhë e kuranit, librit të shenjtë, gjuhë e liturgjisë islame në xhami, po dhe në teqe. Të krishterët ortodoksë mësonin “gjuhën e tyre” greqishten, të njohur si gjuhë e ortodoksëve të Ballkanit e të krejt Perandorisë Osmane, pra dhe të krishterëve shqiptarë. Shkolla greke dhe kisha ku mësohej po në greqisht, shto dhe lidhjet tregëtare me Janinën e Greqinë më thellë, e mbanin të gjallë këtë gjuhë. Bile atë e dinin dhe e flisnin edhe një pjesë (veç të krishterëve) e muslimanëve të jugut shqiptar, përfshi edhe bektashinjtë. Sido që të ishte, greqishtja ishte një gjuhë kulture e vjetër e trashëguar që nga antikiteti dhe Bizanti. Jo më larg se një vrap pele ajo flitej dhe ishte folur, shkruar e mësuar në Voskopojën e Vithkuqin fqinj, qytete malorë njësoj këto si edhe Frashëri, por më të mëdhenj. Të mos themi dhe tjetrën që kishin edhe lidhje të shumllojta si fqinjë që ishin, lidhje tregëtare, ekonomike, kulturore, të gjakut, si dhe Voskopoja ishte në lidhje pronësie me Frashërin. Pas rënies e djegies së Voskopojës nga derebejtë, figurojnë bejlerët frashërllinj, si pronarë feudalë të qytetit zulmëmadh të Voskopojës...

Pra, në teqenë e Nasibiut në Frashër, si në mbarë qytezën e Frashërit, dëgjohej rëndom të flitej persishtja, arabishtja, turqishtja, greqishtja, vllahishtja dhe së fundi, llaçi lidhës ishte gjuha e vetme që nuk shkruhej, gjuha e “njerkës”, “hirushja e votrës”, që flitej në çdo shtëpi. Në teqe të gjithë merreshin vesh nëpërmjet shqipes, kjo qe “gjuha ndërkombëtare”, “esperantoja” që merreshin vesh të gjithë, por që përbuzej nga pushteti administrativ dhe ndalohej shkrimi i saj. Të priste burgu po të mësoje e të lexoje e të shkruaje shqip. Megjithë ndjekjet, prapë shqipja mësohej fshehurazi, bash në teqenë e Frashërit. Bile tregojnë se në një fshat të Skraparit në derë të një teqeje është gdhendur një shqiponjë që ka mbërritur deri në ditët tona e trashëguar qysh nga kohërat e osmanllisë. Guximi dhe kurajoja nuk u ka munguar shqiptarëve dhe aq më tepër bektashinjve. Njerëzit në sallonin e teqesë i bashkonte jo vetëm gjuha e përbashkët, meqenëse ishin shqiptarë dhe e mësonin qysh me qumështin e nënës, por dhe traditat shqiptare, si besa, burrëria, ndershmëria, mikpritja, kurajoja, guximi, etj. Në lidhje me ndershmërinë tregojnë në një fshat të Skraparit a të Dangëllisë, se një mjeshtër oparak ndërtoi një teqe. Si e mbaroi, e thirri Babai i teqesë dhe e pyeti: “Ustabash, sa të bën haku?”. Mori një tas me monedha të arta e të argjendta, mexhide turke të kohës, apo monedha të arta të shteteve të tjerë si korona austriake, mbushur plot e përplot, dhe ia vuri përpara. “Merr sa të duash”, - i tha shehu. Por ustai me atë ndershmërinë që i karakterizonte njerëzit e asaj kohe që ruanin zakonet shqiptare, zgjati dorën, mori disa monedha prej tasit dhe u tërhoq. “Kaq është haku im” – i tha. Ndërsa babai i teqesë me fisnikërinë që e karakterizonte, kapi dhe një monedhë tjetër ari dhe ia dha: “Këtë e ke peshqesh nga mua për punën me cilësi të mirë që ke bërë për teqenë”. Të tillë ishin njerëzit e asaj kohe...

Pra, në një qytet të vogël si Frashëri, as më pak e as më shumë fliteshin gjashtë gjuhë, persisht, arabisht, osmanisht,. Greqisht, vllahisht dhe shqipja që e dinin të gjithë, që ishte si ndonjë gjuhë që e kemi sot në përdorim por që nuk shkruhet nëpër qytetet tona, p.sh. gjuha që flasin arixhinjtë, ciganët... Kish njerëz që kishin bërë në shtëpitë e tyre, apo dhe kishin mbaruar licetë, gjimnazet apo dhe universitetet në Europë, nga oxhakët e Frashërit, që dinin dhe gjuhët e perëndimit, kryesisht frëngjishten, italishten, ndonjë dhe gjermanisht e shumë rrallë dhe anglisht...

Në këtë mjedis u rrit në dekadën e parë të jetës së tij Naimi, Samiu e vëllezërit e tjerë, dhe më pas në dekadën e dytë të jetës së tyre ngjiteshin deri në Frashër, sidomos Naimi në pushimet e verës të shkollës. Pasi shlodhej në Bredhat e Hotovës tek burimi, i ngjitej malit të Kokojkës, dhe pastaj përmes të tatëpjetës e mbante frymën në Teqe për të takuar Baba Alushin, mikun e shtëpisë e të zemrës dhe të gjakut të Frashërllinjve, pa shkuar në shtëpinë prindërore. Pastaj shkonte tek shtëpia e vet, e Dukollarëve dhe shkonte në gjëri, në farefis, në “akraba”, dhe më pas çmallej me shtëpitë e njerëzit e lagjeve apo mëhallave në tërë Frashërin. Nuk harronte të shkonte të shihte dhe kopetë e bagëtive e të dëgjonte zilet e tyre, sidomos në mëhallën e vllehëve. I tillë ishte Naimi.

Vite më vonë këto mbresa të ngulitura në kujtesë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme mbi bagëtitë, mbi malet, apo pishat, lisat, bredhat e drejtë si qiriu të Hotovës, ai do të derdhte si ndoca statuja e do t’i gdhendte me shpirt “ustai”, në vargjet e veprës së tij të pavdekshme “Bagëti e Bujqësia”. Në të ai do t’i këndonte Tomorrit të lashtë antik e Tomorrit mal i shenjtë tek rrinin perënditë e shqiptarëve dhe të bektashinjve....

Frymëzimi i tij nga Tomorri do të frymëzonte dhe elektrizonte me shqiptarizëm mbarë shqiptarët:



O Tomorr, o mal i lartë, ku rrij zoti

Pas fesë që kishin shqiptarët qëmoti...



Në “Akademinë” e Teqesë së Frashërit, në këtë vatër diturake me bibliotekë të pasur e me dijetarë me emër e me kulturë solide lindore dhe vendore, në këtë strehë ku përcillej brez pas brezi kultura shqiptare dhe kodet e zakonet morale të shqiptarëve, në këtë vatër kulture ku zhvilloheshin biseda në gjuhë të ndryshme nga elita e Frashërit, sidomos bejlerët e shkolluar të shëtitur e të gjesdisur të tij, në këtë “univers” gjuhësh, në këtë vend ku vinin e rrinin e zhvillonin biseda nga më të ndryshmet, nga filozofia e feja e deri tek letërsia dhe kultura e orientit po dhe e oksidentit, duhen kërkuar bazat e kulturës poliedrike, enciklopedike, të kryepoetit tonë, Bilbilit të Frashërit. Bilbil i Frashërit duhet ta marrim jo vetëm në kuptimin se prej andej ka prejardhjen, është ky qytet e kjo trevë e Dangëllisë apo Përmetit që e nxorri, domethënë nga rridhte edhe në kuptimin më të thellë se është Frashëri, teqeja e tij e bektashinjve, dhe “salloni” i saj, që i hodhën themelet e formimit të tij si njeri, si humanist, si panteist, si shqiptar me Sh të madhe, dhe po këtu u hodhën bazat e kulturës së tij të ardhshme si poet po edhe si dijetar, si një erudit e poliglot që zotëronte mbi 10 gjuhë...

Por le të lemë pakëz, për pak çaste Teqenë e Frashërit, këtë “Akademi të Vogël”, që na përgatiti Naimin e Samiun tonë të madh, dhe të ecim në rrugëtimin e tyre jetësor drejt Stambollit, kryeqytetit të Perandorisë Osmane, ku i hodhën valët e jetës dy korifenjtë tanë, por dhe shumicën e rilindasve tanë më të rëndësishëm... Në këtë qytet të stërmadh, kryqëzim veç të tjerash të kulturave të popujve të ndryshëm të Ballkanit, Anadollit, Kaukazit, jugut të Europës e Mesdheut e më gjerë, të Lindjes së mesme, Afrikës Veriore, Azisë së mesme, Ukrainës e Krimesë, Iranit, Indisë etj. etj. Aty, në atë pikëtakim të kulturave të lashta me ato të reja, të Lindjes dhe të Perëndimit, të Veriut e të Jugut, aty në atë pikëpjekje të tre kontinenteve, do të konsolidoheshin ata si filozofë e dijetarë, si poetë e shkrimtarë të përkushtuar ndaj popullit të vet, si shqiptarë të vërtetë...

Naimi në Stamboll ka qenë mysafir i shpeshtë në dy “konakët”, sallonet e Munif Pashës, ministër i arsimit në kohën kur ai punonte në këtë ministri, por dhe më parë në fillim të viteve ’70 të shekullit XIX, bashkë me Hoxha Tahsinin dhe të vëllanë Sami Frashërin... Këto dy sallone ishin fare pranë Ministrisë Osmane të Arsimit, njëri në Nuriosmanije e tjetri në Sulejmanije. Në të merrnin pjesë edhe gra të arsimuara, intelektuale, poetesha plus dhe dijetarë si nga Persia, Pakistani, India, Arabia, Egjypti, por dhe nga Norvegjia...

Në medresenë e Hasan Tahsinit në Stamboll vinin intelektualë të vendit, personalitete të arsimit dhe kulturës osmane si Munif Pasha, por vinin siç na bën  me dije Sami Frashëri dhe dijetarë të huaj, si gjermani Pol Gronifel apo dhe të tjerë.

Naimi në Stamboll do të punonte për dy dekada në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë, dhe aty në sallonin e saj ai do të kish rast të dëgjonte e të merrte pjesë në pritjet e përcjelljet e personaliteteve të vendit e të huaj. Unë kam qenë në katin e tretë apo të katërt të kësaj ndërtese, sot Muzeu i Shtypit të Stambollit (Press Museum apo Basin Muzesi), dhe aty ndodhet salla e bibliotekës së këtij institucioni. Po unë e përfytyroj këtë sallon të stërmadh, ku bëheshin konferenca, në të cilin vinin të huaj nga mbarë bota e asaj kohe, dijetarë hungarezë si Arminius Vamberi, mik shtëpie i Sami Frashërit etj. Naimi në rolin e zëvendësministrit ndofta në krah të Munif Pashës, titullarit të asaj ministrie, priste e përcillte këta njerëz të shquar të kombeve të ndryshëm, si akademiku i Akademisë së Shkencave të Budapestit, Vamberi etj.

Është interesant se para një muaj e gjysëm kur isha në Stamboll, më ra në dorë një material i cili konfirmonte se në të njëjtën ndërtesë ku ka qenë Ministria Osmane e Arsimit, aty më tepër se një dekadë më parë, ishte çelur universiteti i parë osman, dhe nga ballkoni i saj rektori i parë i tij Hoxha Tahsini u qe drejtuar mbi 1000 e ca studentëve (talebeve) në inagurimin e tij. Aty ishin mbajtur në sallonin në fjalë dhe disa prej konferencave shkencore që mbaheshin në muajin e Ramazanit për studentët  e më gjerë.

Naim Frashëri, Naimi ynë, shkonte dhe në sallonet e të krishterëve armenë apo rumë të Stambollit të lagjeve Fener apo Balata etj., në sallonet e tyre ku mblidhej ajka e inteligjencës së Stambollit. Është me interes të theksoj një fakt kuptimplotë. Pas vdekjes së Hoxha Tahsinit, në medresenë e tij pas vitit 1881 ka qenë instaluar një drejtori e Ministrisë së Arsimit ku ndofta mund të ketë punuar Naimi. Çka ndjerë poeti ynë, duke qenë në të njëjtën ndërtesë ku kish jetuar rilindasi Hasan Tahsini, apo fakti tjetër që në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit kish qenë më përpara ndërtesa ku u çel universiteti i parë osman nga Tahsini.

Sallonet e Vlorajve, qoftë të degës së Ismail Qemalit, diplomatit më të madh të Perandorisë Osmane, apo të degës tjetër të Syrja e të Eqerem bej Vlorës, qoftë në Vlorë apo në Stamboll, nuk u linin gjë mangut atyre të kryeministrive osmane. Sallonet e sadrazemëve si Ali Pasha etj., që patën lidhje edhe me rilindasit tanë, ku ulej e ngrihej sofra për 200-300 vetë çdo ditë, ishin çerdhe intelektuale të ajkës së elitës osmane po dhe shqiptare…

Shtëpitë e Pashko Vasës, Ismail Qemalit, ofiqarë të lartë osmanë, të Abdyl Frashërit (deputet në parlamentin osman) në Bejollë, në zemër të Stambollit, ishin qendra të lëvizjes atdhetare shqiptare. Në sallonet e tyre zhvilloheshin biseda politiko-atdhetare e merreshin vendime historike, siç ka qenë ai për shpalljen e pavarësisë, 30 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shtëpinë e Abdyl Frashërit, në Merxhan Jokushu (E tatëpjeta e Merxhanit), sa del nga Kapallë Çarshia (Pazari i floririt në Stamboll), u mbajt mbledhja historike që shënoi themelimin e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Në sallonin modest të saj u mblodhën firmëtarët e kanonizmës (statutit) të saj.

Shtëpitë e Naim e Sami Frashërit në pjesën europiane, e më pas në pjesën aziatike të Stambollit, ishin vende tubimesh intelektuale e atdhetare. Aty vinin dijetarë nga Lindja e nga Perëndimi. Në to rrinin pranë e pranë prifti dhe hoxha, po dhe shehu bektashi e rabini çifut, siç na bëjnë me dije albanologu Piter Bartl apo Mithat Frashëri, e ndonjë burim tjetër. Kur s’i nxinte salloni i pritjes, kalohej në kopësht.

Për rilindasit tanë s’kanë qenë të huaja sallonet e mëdha. Kështu Naimi kish qenë shumë herë në sallonin e Liceut francez të Gallatasarajt, ku në tubime shkencore asistonin profesorë frëngj, ambasadorë e konsuj të huaj, liceistë e të tjerë. Tashmë është e njohur pjesëmarrja e Naim Frashërit në fund të shekullit XIX në kolegjin amerikan të vajzave në Ysqydar (rajon i Stambollit në pjesën aziatike), në ceremoninë e dhënies së diplomave maturantëve të tij, midis të cilave dhe Sevasti Qiriazit. N’atë sallon ndodhej dhe vetë ambasadori amerikan i kohës.

Rilindasit tanë, kur e solli rasti e koha dhe e patën mundësinë, vizituan dhe sallonet mondane të Europës, si të Vjenës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Moskës, Amsterdamit etj., siç ndodhi me një Abdyl Frashëri, Abedin Dino, Mehmet Ali Vrioni, Pashko Vasa, Turhan Pashë Përmeti etj. E dimë nga historia se me këto sallone kanë qenë të “familjarizuar” mirë dhe Dora d’Istria dhe Faik Konica të zonës së Përmetit e përreth… Zonjës së madhe Elena Gjika i kushtuan një antologji me poezi njerëz të shquar të inteligjencës arbëreshe të Italisë, arbërorëve të Greqisë po dhe nga Shqipëria (Shkodra), që e njihnin personalisht apo kishin korrespondencë me të. Në sallonet mondane franceze, ku mblidhej ajka e inteligjencës së Francës po dhe nga kombe të tjerë, në mjedisin e tyre (dhe të mos na vijë çudi) ka pasur dhe dijetarë arbëreshë, shqiptarë, ballkanas, etj., që i njohim apo s’i njohim aspak.

Edhe sot e kësaj dite ndërtesa stambollite, apo përgjithësisht turkomane, ka në përbërje sallonin e madh të pritjes së miqve ndofta odën më të madhe të shtëpisë. Ajo si sistem është institucionalizuar në shekuj dhe vjen deri në ditët tona e trashëguar më së miri, ashtu sikurse oda e pritjes në kullat kosovare e deri poshtë në Çamëri e në Manastir e më tej. Konakët e Ismail Qemalit, rilindas shqiptar, e të Ahmet Refik Pashës, rilindas osman, në rajonin e Arnaut-Qojit buzë detit Marmara në Stamboll, ishin model i këtyre salloneve, dhe jo që s‘u linin gjë mangut salloneve europiane, po konkuronin me to si nga hapësirat që përfshinin ashtu dhe nga bukuria e mobilimi. Aty ndërthurej në shkallën më të lartë mikpritja me fisnikërinë shqiptare e osmane dhe bollëkun e menysë së gjellëve dhe cilësinë e tyre dhe sqimën e të zotërve të shtëpisë… Autori i këtyre rradhëve ka parë me sytë e vet sallonin tepër të madh, në Bejollë pranë Liceut të Gallatasarajt, të Shoqatës së Shqiptarëve të Stambollit e të krejt Turqisë, si dhe një sallon të stërmadh të një familjeje të pasur turke në Jajla (një rajon tjetër i Stambollit) me piano e mobilje të tjera tepër të vyera në ditët tona…

I ndoqën Frashërllinjtë, po dhe rilindasit e tjerë shqiptarë, në rrugëtimin e tyre nga Shqipëria drejt qendrës së Perandorisë Osmane, Stambollit, dhe për një pjesë prej tyre dhe drejt Europës. I ndoqën një Naim, Sami, po dhe një Abdyl në trajektoren e tyre të jetës nga “salloni” apo oda e pritjes e teqesë së Nasibiut në Frashër, në “konakët” e Stambollitm dhe Abdylin, udhëheqësin shpirtëror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në sallonet mondane të Parisit, Vjenës etj. Por për ta kudo që vajtën, ngado që shkuan, nga Frashëri në Janinë, nga Janina në Stamboll, nga Tripoli I Libisë në Vjenë të Austrisë apo në mbarë Europën, siç bëri Abdyli, nga kujtesa mbeti e pashlyer ajo, kudhra e parë, Teqeja e thjeshtë e Frashërit, ku morën mësimet e para të shqiptarizmës e bektashizmës, të dashurisë për njeriun e veçanërisht atë shqiptar.

Naimi dhe Samiu nuk e panë më Teqenë e Frashërit se ishin të internuar e të izoluar në Stamboll. Vdiqën në mërgim dhe u varrosën pranë në Merdiven Qoj në varret bektashiane pranë xhamisë së Sahrai-Xhedid. Por teqe ata patën në anë të Kadiojit, e kontaktet me bektashinjtë e baballarët e tyre (disa prej të cilëve shqiptarë) në sallonet e tyre nuk i ndërprenë asnjëherë. Këto u sillnin deri diku në mendje Frashërin me teqenë e tij bektashiane, dhe i bënin të mos e ndjenin deri në njëfarë mase mallin e mëmëdheut që i përvëlonte. Në kujtesën e tyre më e dashur se sallonet europiane apo osmane mbetën ato shqiptare, dhe në mënyrë të veçantë shëmbëlltyra e pashlyer, vizioni i Teqesë së Nasibiut, aty në Frashërin malor, ku bënë pagëzimin e parë me idetë e misticizmës bektashiane e të shqiptarizmës.

            Naimi, Samiu, e mbarë korifejtë e Rilindjes sonë Kombëtare ishin iluministë të shquar që ndriçuan popullin shqiptar në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe progresit. Për këtë ata janë të pavdekshëm, si ata vetë bashkë me trashëgiminë që na lanë. Nuk mund të mohojmë ndikimin e iluminizmit francez në ta. Por bashkë me të dhe vlerat e tij të padiskutueshme, nuk mund të mos i japim të drejtë të ndjerit padre françeskan, At Zef Pllumbit, i cili nënvizon se kemi një komponente të iluminizmit shqiptar. Bile, sipas tij, Bushatlinjtë e Shkodrës bënë një gjysëm shekulli më parë para revolucionit borgjez francez, në mënyrë paqësore shndërrime që ky i fundit i bëri me dhunë. Prandaj rrënjët e iluminizmit shqiptar, sipas Pllumbit, janë edhe më të hershme se ato të atij francez.

Sidoqoftë rilindasit tanë të mëdhenj, me një Hoxha Tahsin dhe Frashërllinjtë në krye, në formimin e tyre patën të gërshetuar si komponenten vendase ashtu dhe atë europiane të iluminizmit, dhe të armatosur me to i hapën sytë popullit të vet e në një plan më të gjerë me veprat e tyre ndikuan mbi popujt e tjerë të Perandorisë Osmane. I tillë qe Sami Frashëri, i tillë qe Naim Frashëri, e tillë qe dhe Elena Gjika (Dora d’Istria)….

Në rrugën e tyre të ndritur këta rilindas lanë gjurmë të pashlyera. Është mirë që ata të përjetësohen, dhe këta njerëz të pavdekshëm jo vetëm në Shqipëri po dhe jashtë saj, sepse e tillë është vepra e tyre, të tilla janë meritat e shërbimet që i kanë bërë popullit, kombit, atdheut tonë.

Sa herë shkoj në Stamboll ku kam jetuar përmbi një dekadë, kam dy vende të shenjta të mijat: medresenë e Hoxha Hasan Tahsinit në Xhahalollu dhe ndërtesën e Ministrisë Osmane të Arsimit në Çemberlitash, të cilat nuk i lë pa vizituar, sidoqë të jetë. Nuk bëhet ndonjë qamet, nëqoftëse në rrugë qeveritare, institucionale, nga Ministria jonë e Jashtme u kërkohet autoriteteve shtetërore në Stamboll vendosja e dy tabelave të thjeshta, një me mbishkrimin “Këtu ka banuar rilindasi shqiptar dhe osman, Hoxha Hasan Tahsini 1871-1881” në murin e medresesë së tij, që sot është një librari e M.E.B. – it (Milli Egitim Bakanilgi (Ministria Turke e Arsimit). Dhe në murin e Muzeut të Shtypit (Press Museum apo Basan Muzesi) tabela tjetër: “Në këtë ndërtesë të Ministrisë Perandorake Osmane të Arsimit për 20 vjet rrjesht (1881-1900) ka punuar rilindasi dhe poeti kombëtar i Shqipërisë, Naim Frashëri”. Mos harrojmë që maqedonët kanë brenda Universitetit të Stambollit, në “Edebiyat Fakultesi” (Fakulteti i Letërsisë), s’e di prej sa dekadash, bustin e një rilindasi të tyre që ka jetuar e punuar në Stamboll…

Për të përmbyllur këto rrjeshta, po them se sikur të kish gojë Teqeja e Frashërit dhe salloni i saj do të na shpalosnin thesare…




Me rastin e 135 vjetorit  të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

     


Sunday, November 10, 2013

Rilindasi Hasan Tahsini si Përhapës i Dritës së Vërtetë .


Nga Dr. Laurant Bica.
Fjala në Universitetin e Lezhës.



Profesor Hasan Tahsini, “Nderi i Kombit” për Diturinë dhe Arsimin.
















-I-


Nëqoftëse do të vlersoja me një fjalë thelbin e një njeriu si rilindasi Hasan Tahsini, atëherë  mendoj se kjo është “Dituria”, ai ishte mishërim i dijeve. 

Pra ai është një personalitet që si shprehet vetë: “e kërkoi diturinë kudo që ishte, prej djepit deri në varr” dhe kurrë nuk reshti për ta gjetur atë. 

Sipas Sami Frashërit: ‘Libri kurrë nuk i binte nga dora, vendi ku rrinte dhe shtrati ku flinte, ishin rrethuar me libra.'


Leximin i ndjeri e linte vetëm përkohësisht,atëherë kur do të mësonte të tjerët…… 

 Fjalët e tij ishin leksion i një niveli  të lartë dhe bisedat e tij kishin thellësinë e një deti të dijes. Ai ishte një dijetar kalibri   të madh dhe për të kish vend fjala ALIM, si përdorej në Lindje  edhe fjala SAVANT ne perëndim.Shqip ne do ta thoshim njeri i dijes,dituraki gjithanshëm, një enciklopedist, një erudit në kuptimin e mirfilltë të kësaj fjale, një ‘pus’ i dijeve dhe shkencave. 

Fjala dituri për këtë figurë të rilindjes sonë kombëtare përbën kuptimin e jetës së tij. Ai mblodhi dijet tërë jetën e tij dhe i shpërndau  pa kursim. Synimi i tij ishte arsimimi i popullit të vet.

 Ai ishte një iluminist, që për sa kohë i rrahu zemra, u përpoq të ndriçojë mendjet e njerëzve dhe sidomos të brezit të ri. Ai ishte dhe mbeti një personalitet i përmasave në rang perandorie dhe për krejt kombin e vet. Dimensionet e tij ishin europiane e pse jo edhe botërore.
 

Natyrisht të merresh me një rilindas si Hasan Tahsini në dy drejtime si për diturinë dhe arsimin, kjo do të shkonte gjatë. Në  një kumtesë të thjeshtë u kufizova të ndriçoj disa nga problemet dhe idetë që ai ngre në një moment kulmor të jetës së vet, pikërisht në fjalimin e shkurtër që ai mbajti në çeljen e universitetit të parë osman në Stamboll, fjalim ky i panjohur deri më sot. Ky moment si rektor i univesitetit të një perandorie të tërë shënon apogjeun e tij si personalitet. Më pas fillon dekada kur ai u godit nga qarqet e errësirës së sulltanatit osman, pra ka të bëjë me tragjedinë intelektuale të tij.











2




Hasan Tahsini sikurse të gjithë rilindasit e tjerë me anën e arsimit donin të zgjonin  popujt e perandorisë në përgjithësi.Kurse përsa i përket rilindasve shqiptarë dëshironin, duke i mësuar gjuhën shqipe,të shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndjenjën etnike, lartësimin kulturor dhe aftësimin e tij për jetën shtetërore të pavarur.Meqënëse Porta e Larte ju kundërvu hapjes së shkollave shqipe, u bë pjesë e pandarë e luftës për çlirimin kombëtar.

Dihet se rilindasit tonë përfshi edhe Hasan Tahsinin s’i ndërprenë kurrë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit si në rang perandorie ashtu edhe në nivel kombëtar. Pas dështimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rilindasit zgjodhën fushën e arsimit dhe të diturisë, si rrugën që do të siguronte arritjen e pavarësisë kombëtare. 


Me të drejtë Mustafa Qemal Ataturku ka thënë:

Ata që kanë shpëtuar kombet janë vetëm dhe pikërisht mësuesit.


Edhe Hasan Tahsini në tërë veprimtarinë e tij u bë një ideolog i popullit të vet,një mësuesi tij, që I ndriçoi rrugën drejt emancipimit të tij kombëtar e shpirtëror. Me arsimimin e kombit të vet rilindasit tanë, me në krye Prof Hasan Tahsinin dhe Frashërllinjtë, synonin disa qëllime kryesore: të krijonin njerëz të mirë, qytetarë të mirë, profesionistë të mirë por edhe atdhetare të mirë.Ata synonin pavarësimin e kombit shqiptar dhe ndërtimin e një demokracie të re shtetërore si mjet, që do ta conte atë drejt progresit.Sytë e tyre ishin drejtuar nga Perëndimi, ku ishin majat e përparimit dhe fjalimi  i Hasan Tahsinit në universitet është edhe një dëshmi e këtij këndvështrimi të tyre. Mendja dhe zemra e tyre punonin për Shqiperinë për përparimin e saj, të popullit të saj, bij të të cilit ishin edhe ata vetë.


Personaliteti i Hasan Tahsinit merr vlerë për faktin, se kulturën dhe diturinë e tij të gjerë e vuri në shërbim të atdheut dhe të njerëzimit.

Në shtator të vitit 1869 Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman,si rektor i parë iUniversitetit të Stambollit.Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative,ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi,bashkëpunëtoret që afroi në universitet,programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë,për të dhënë njohuritë e reja shkencore perëndimore janë dëshmia më e qartë e nivelit të tij. Ai ishte një drejtues i aftë,një punëtor i palodhur,një përhapës i njohurive shkencore.Si autori veprave shkencore,letrare,përkthyes e publicist, ai u shqua për vëllimin e madh të botimeve, larminë tematike,thellësinë e njohurive dhe karakterin funksional të tyre.







3



Kam qënë me dhjetra herë në medresenë e Hoxha Tahsinit që është edhe sot në këmbë si një librari e Ministrisë së Arsimit të Turqisë. Kam qënë edhe në godinën ku u cel universiteti I parë osman.Bile kam shkelur edhe në ballkonin ku mbajti fjalimin e tij  ‘i përndritshmi’Hoxha Tahsin Efendiu. Prej andej duket si në pëllëmbë të dorës Xhamia e Qyprilinjëve të mëdhenj, biblioteka e ngritur prej tyre, varret e tyre, një pjesë e bashkisë të Eminonusë, që dikur ka qënë bashki e Stambollit dhe aty janë zhvilluar mësime universitare. Diku aty prapa godinës së Universitetit Osman, që sot është Muzeu I Shtypit, në Nuriosmanije, është ish Konaku i Munif Pashës,një sallon dijeje ku takoheshin dijetarë të Lindjes dhe të Perëndimit përfshirë këtu edhe Hoxha Tahsinin. Në vitet 50, 60, 70 të shekullit XIX, aty mblidheshin një pjesë e elitës osmane dhe diskutonin problemet e kohës,të dijes, të shkencës dhe të përparimit material e mendor. 

Kam shkuar këto 20 vitet e fundit në Universitetin e Stambollit sidomos në atë që quhet Fakulteti i Letërsisë (Edebiyat Fakultesi). S’kishte gëzim e kënaqësi me të madhe për mua kur pas rreth 150 vitesh nga data e çeljes së universitetit të parë osman në Stamboll unë dorëzoja në departamentin e historisë së shkencës në bibliotekën e tij tek shefja e tij profesoresha Feza Gynergyn 3 vëllime për Hoxha Hasan Tahsinin me rreth 2000 faqe. Ishte njëkohësisht edhe një homazh për këtë personalitet të madh të letrave, sa të kombit shqiptar aq edhe të kombit turk. S’ka enciklopedi turke që të mos i kushtojë qoftë edhe disa rrjeshta këtij kolosi të arsimit.


Stambolli është qyteti i tretë apo i katërt në botë për nga popullsia pas Nju Jorkut, Tokios, Meksikos. Me të 20 milionët e vet ai është qyteti më i madh i Europës sot. Faqja e tij që nga koha e Hoxha Tahsinit ka ndërruar krejt dhe tani nuk është qyteti i ngritur mbi 7 kodra por mbi 70 kodra dhe i mbi 77 miletëve.Aty takohen Veriu me Jugun dhe Perëndimi me Lindjen.


Me një ekip filmik në këtë fillim maji xhiruam edhe godinën e universitetit Osman ku mbajti fjalimin Hoxha Tahsini, edhe medresenë ku ai kaloi dhjetë vitet e fundit të jetës edhe rrugën Hoxha Tahsin në një rajon të tij që quhet Karakoj.


Medreseja e tij duke qënë pranë ish godinës së qeverisë osmane ‘Babi Ali’ pra Portës së Lartë siç njihet ndryshe në histori dhe sot godina ku rri valiu i vilajetit të Stambollit, çuditërisht i ka shpëtuar stuhisë së kohës e pa prekur. N’atë medrese të famshme, që si godinë po i mbush 2 shekuj e gjysëm,i kaloi vitet e fundit të jetës Hoxha Tahsini i persekutuar i përbuzur dhe i përndjekur nga qarqet fanatike konservatore dhe masat injorante të popullit që i vunë damkën e “gjaurit”- “heretikut”.









4

Kështu ka ndodhur me pishtarët e arsimit kudo në botë si në të kaluarën e afërt dhe atë më të largët. Kështu ndodhi edhe me Hasan Tahsinin tonë. 

‘’Njerëz të tillë të përkushtuar dhe të vendosur iu kundërvunë cdo vështirësie pa u ndrojtur nga tmerri   i despotizmit.’’-  Shkruan nje gazetar turk në vitet 50 të shekullit '20.

“Ata nuk ishin njerëz me fuqi magjike. Këta të panjohur ishin heronjtë e arsimit."


Ndërsa tirania ekzekutonte të diturit, ata orvateshin të zhvillonin talentet. Këto kujtime, këto gjurmë, këto mendime janë drita të lara me ar në fletët e errëta të despotizmit.


Kush ishin këta njerëz të pamposhtur dhe të palodhur? Shkëndijat që ndezën ata në shkolla një ditë u bënë furtunë e cila u përplas në fytyrën e pa të ardhme të tiranisë.

Disa emra nga këto personalitete të larta të asaj periudhe.Këta njerëz të nderuar mbollën farën e luleve të lirisë dhe i sollën popullit qytetërim dhe begati.


Ja disa prej tyre: Selim Sabit, Ahmet Mithat, Ebuzija Tevfik, Namik Kemal, Mynif Pasha, Abdurrahman Sheref, Tevfik Pasha Vidinli, HOXHA TAHSiN EFENDi, Salih Zeki, Tevfik Fikret, Tevfik Danish, Ismail Safa, Ajshe Sidika (gruaja e Riza Tefikut) etj……


Pedagogët e universiteteve dhe mësuesit e shkollave i morën përdore bijtë e popullit dhe i ngjitën në shkallët e lirisë dhe revolucionit. Ndërsa vendi rropatej për të mbijetuar dhe lëngonte nën torturat e despotizmit, njerëz të tillë të mëdhenj ecën përpara me vendosmëri dhe vetmohim në rrugën e dijes dhe të progresit dhe duke kapur përdore të gjithë brezin e ri e çuan drejt majave të së vërtetës dhe të qytetërimit.”


Po ndalem në tre prej këtyre martirëve të mëdhenj të arsimit perandorak dhe shqiptar. 

Hasan Tahsini krijoi tekstin e parë të psikologjisë në sulltanatin osman. Me të drejtë gazetari turk që citova pak më parë shkruan duke patur parasysh psikologjinë e Hoxha Tahsinit: “Shkroi një libër leximi shkencor për shkollat fillore dhe të mesme. Deri në atë kohë nuk kishte dalë ndonjë që të shkruante një libër kaq të bukur. Me fjalë të tjera, kjo ishte vepra e parë e tij që të tërhiqte vëmendjen. Hasani në një kohë kur psikologjia edhe si shkencë që në fillimet e veta në Perendim bënte një punë pioneri duke e futur edhe në Lindje. Meritat e tij në këtë drejtim janë të pa diskutueshme para shkencës, arsimit, kulturës.









5

Figura e dytë që meriton vëmendje të veçantë është gruaja e shqiptarit filozof Riza Tefik me origjinë nga Dibra, e quajtura profesoreshë Ajshe Sidika, e cila ka shkruar tekstin e parë të pedagogjisë në perandorine osmane. Ajo është dekoruar nga vetë sulltani i kohës. Ka qënë një nga gratë më inteligjente. Hasan Tahsini s'ka qënë ndër të gjallët por me siguri në ceremoninë e dhënies së një medaljeje të vecantë me siguri kanë qënë dy miq të tij.


Veterani i arsimit dhe shoku i Parisit i Tahsinit Selim Sabit dhe ndoshta vetë Naim Frashëri, që ishte në atë kohë (dmth në fillim të viteve 90 të shekullit XIX) zëvëndës ministër i arsimit. Edhe zonja Ajshe Sidika që ka qënë ndër gratë më të kulturuara të elitës osmane të fund shekullit XiX nuk është pa rrënjë shqiptare. 

Personi i tretë është vetë Selim Sabiti. Meritat e tij në fushën e arsimit janë të jashtëzakonshme. Gazetari i sipërpërmendur jo vetëm që e ve Selim Sabitin në krye të listës së njerëzve që vuajtën nga despotizmi por njëkohësisht thekson se janë shumë të paktë ata nga brezi   i kaluar që nuk kanë përfituar nga librat e tij.  Në çdo kapak e faqe të parë të librave që na binin në dorë në shkollat  fillore dhe të mesme, ishte shkruar “Vepër e Selim Sabitit”.


‘’Selim Sabiti ishte personi që hartonte dhe vendoste në muret e shkollave hartat e punuara me qëndismat dhe lulet e shkencës. Selim Sabit Efendiu vendosi parimet e mësimdhenies ne shkolla. Askush si ai nuk ka kontribuar per modernizimin e shkollave fillore dhe te mesme. Selim Sabit Efendiu ishte ndër personalitetet e parë më të rëndësishëm të Reshit Pashës (kryeministër osman) të universitetit dhëndër shkencëtarët më të zellshëm të Këshillit të Arsimit. Selim Sabiti u mësonte mësuesve se mësimdhënia dhe edukimi  janë në varësi të metodave shkencore’’.


Hasan Tahsini është nga ata heronj të mendimit, që ngjet si dy pika uji me dijetarët arabë të mesjetës si dhe me dijetarët dhe filozofët iluministë francezë të shekullit 18- 19. Sa për të ilustruar këtë po bëjmë një krahasim me një dijetar të famshëm të mesjetës arabe. Ebu Hanifeja (699-767)  themelues edhe i një shkolle juridike në Bagdad me emrin e tij.

Dihet që Hoxha Tahsini ka qenë doktor në jurisprudencën islame dhe me dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore. 

Bashkohësit për Ebu Hanifenë kanë thënë: 

‘’Sikur të matej dituria e tij me diturinë e gjithë bashkohësve të tij, do të peshonte më shumë dituria e Ebu Hanifesë.’'

Kjo vlen edhe për Hoxha Tahsinin me rilindasit e tjerë shqiptarë dhe osmanë.  Peshorja  po të viheshin në kandar do të anonte nga rilindasi Tahsin.






6


është e njohur thënia e Ebu Hanifesë: 
” Nuk dëshiroj të vdesë dituria” 

dhe moment i dytë i ngjashmërisë nga jeta e këtyre të dyve siç mësojmë nga libri i Prof. Dr. Hajrullah Koliqit, “Kur perëndia identifikohej me diturinë” Prishtinë 2011 ka të bëjë me atë që Ebu Hanifeja gjithë jetën e kaloi duke mësuar vehten dhe nxënësit e tij thuhet se ai  u shqua edhe për një thesar idesh dhe këshillash pedagogjike. Mësimdhënia e tij ishte më shumë studim se ligjërim. Sami Frashëri shkurt e qartë thotë për Tahsinin ‘’leximin i ndjeri e linte vetëm përkohësisht, atëherë kur do të mësonte të tjerët’’.


Duke bërë këtë krahasim me dijetarë të mëdhenj të mesjetës arabe nuk mund të mos na kujtohet cilësimi i Sami Frashërit që e quan Tahsinin një Ibn-Sina shqiptar. 

Veç të tjerash, Hasan Tahsini në fushën e diturisë ngjet me dy filozofët e famshëm dhe figurat qëndrore të Kalifatit arab, 
me Ibn Ruzhdiun në perëndim dhe Ibn Sinën në lindje sidomos për qëndrimin që u mbajt ndaj veprës së tyre. Kështu vepra e Hasan Tahsinit u denigrua dhe u la në harresë për dekada te tëra. Edhe në qoftë se diçka lëvizi nga kjo i takon jointeresimit shtetëror por dashamirësve të tij dhe të veprës së tij.

Njësoj u veprua pas vdekjes së Ibn Sinajt dhe Te Ibn Ruzhdiut. Ata u shpallën ‘mëkatarë’ në të gjallë të tyre e aq më tepër pas vdekjes dhe ajo që e pësoi më tepër ishte vepra e tyre. 

Sipas H.Koliqit mësimet filozofike të Ruzhdiut për kohën ishin shumë të avancuara, ndaj dhe ato fillimisht i dënoi Universiteti i Parisit (1240) dhe papa Leon (1519). Enciklopedia e madhe filozofike (logjike, fizike, metafizike) e Ibn Sinës me titull “ESH SHiFA”në 18 vëllime me urdhërin e kalifit të kohës u dogj publikisht në Bagdad pas vdekjes së tij me 1160. Pra qoftë  Avicena qoftë Averroesi, të dy filozofë e shkencëtare të shquar kanë pasur pak a shumë fat të njëjtë me veprën e tyre me dijetarin, filozofin e shkencëtarin Hoxha Hasan Tahsini.


-II-

Disa dekada më parë na dukej si ëndërr se do të vinte një ditë që në duart tona do të kishim fjalimin e Hasan Tahsinit para studentëve osmane në inagurimin e universitetit të parë të perandorisë osmane. Po ja që koha bën të vetën. Botimet më të fundit të bëra në Republikën Turke na e bënë të mundur një gjë të tillë dhe sot unë kam rastin e lumtur të shpalos para këtij auditori të nderuar disa nga problemet dhe idetë që parashtron rilindasi ynë në fjalën e tij para fidanishtes të arsimit të një shteti të madh që shtrihej asokohe në 3 kontinente.  



Është në nderin dhe krenarinë tonë si shqiptarë që në krye të universitetit u vu si drejtor një shqiptar i lartë si Hoxha Tahsini. Në vite kemi qënë në kërkim të ngjarjeve të universitetit, të cilat në shumicën e burimeve osmane kaloheshin me disa rreshta As që mund të mendohej dhe shpresohej më shumë me gjëndjen e kërkimeve studimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Turqisë gati gjysëm shekulli më parë.






7

I vetmi informacion në lidhje me inagurimin e Universitetit Osman ishin disa rrjeshta nga Mehdi Frashëri. Ai shkruante në një revistë të kohës së Zogut me 1934 se :

‘’Sami Frashëri disa vjet më vonë e kujtonte fjalimin e tij si një fjalim programatik që dëshmonte për dijenitë e gjëra dhe shquhej për rrjedhshmëri mendimi’’

Vite më vonë në kërkimet e mija të parreshtura rashë në gjurmë të fjalimit të ministrit të arsimit të asaj kohe, Safet Pashës që kish folur në çeljen e universitetit, po edhe ky jo i plotë.  

Do të kalonin vite e vite derisa të binte në duart e mia fjalimi origjinal i rilindasit tonë Hoxha Tahsini dhe të gjithë personaliteteve të tjera që asistuan në ceremoninë solemne të kësaj ngjarjeje jo të zakonshme për të gjithë kombet e popujt e perandorisë përfshi edhe shqiptarët. 

Le t’ia lëmë fjalën Mehdi Frashërit dhe burimeve nga ndonjë enciklopedi në lidhje me fjalimin e Hoxhë Tahsinit në Universitet. 

Shemsedin Sami Frashëri, Mehdi Frashëri  ti pati thënë ditën e çeljes së universitetit Hoxha Tahsini me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie nxënësish dhe me një gojtari të pashembullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar  kështu boshtin ideoshkencor dhe ideopolitik të asaj qëndre të madhe kulturore. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje se shkaku i prapambetjes së theksuar të popujve islamike ishte mungesa e kulturës moderne.’’Ishte një fjalim ‘’i pashembullt’’ dhe me pak doreza-shkruan Mehdi Frashëri. Kuptohet s’kish si bënte ndryshe në mjedisin e kohës…. 

Në lidhje me zhvillimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me ceremoninë e inagurimit të universitetit rezultojnë këto të dhëna nga një burim autoritar. Më 21 shkurt të vitit 1870, pranë mauzoleumit (tyrbesë L.8)të sulltan Mahmutit u bë përurimi i godinës së re të universitetit. Në lidhje me këtë rast në një nga enciklopeditë e fundit turke,(Turk Ansiklopedisi vol.12 Ankara 1964 faqe 320-322) lexojmë: 

‘’U bë një ceremoni madhështore ku morën pjesë mijëra vetë, kryesisht studentë të medreseve të Stambollit. Gjithashtu edhe personalitetet më të larta qeveritare si kryeministri, ministri i arsimit personalitete të ndryshme të kulturës, gazetarë, klerikë te rangjeve të ndryshme, njerëz të thjeshtë dhe të huaj. Në këtë ceremoni u mbajtën disa fjalime. E mori fjalën në fillim ministri i arsimit të asaj kohe Safet Pashai, pastaj foli kryetari i komisionit të lartë të arsimit turk Mynif Efendiu dhe rektori i Universitetit Hoxha Tahsin Efendiu. Këta të tre folën në gjuhën turke. Në miting u mbajtën fjalime edhe nga pedagogët Xhemaledin Afganiu në gjuhën arabe dhe Aristokli Efendiu frëngjisht’’.Në një botim të fundit për universitetin në Republikën Turke jepet edhe fjalimi i Hoxha Tahsinit me këtë titull: ‘’Ligjërata e drejtorit të universitetit të përndritshmit Tahsin Efendi’’. 

Duke lexuar këtë fjalim apo ligjëratë publike njeriu nuk mund të mos ndjeje jehonën e mendimit të lashtë grek, mendimit të mesjetës arabe dhe mendimit iluministi francez sepse Hasan Tahsin kishte jetuar vetë në Francë.








8


Ne fjalën e vet para universitetit ai u ndal në mënyrë të koncentruar në disa probleme.


Së pari: Universiteti që sapo inagurohej ishte një portë, që po i hapej dijes më të përparuar në botë shkencës. Ishte një nivel  i lartë i arsimimit që s’ishte arritur ndonjëherë.


Së dyti: ishte një mundësi më e madhe që iu jepej popujve që jetonin nën ombrellën e perandorisë osmane 
e sidomos gjeneratës së re.


Së treti: Ishte një shkallë më lart në rrugën drejt progresit e drejt qytetërimit. Këtu ai iu referua dijetarëve të lashtësisë në lidhje me rolin e dijes për të ngjitur njëra pas tjetrës shkallët e qytetërimit botëror.


Së katërti: Ishte një mundësi për të zbuluar kapacitetet mendore që kish perandoria dhe për të përgatitur kuadro të reja. Theksin e vuri në përgatitjen e nëpunësve që do të punonin në aparatin gjigand të kësaj perandorie.


Së pesti: Arsimimi deri në universitet krijonte mundësi të reja për të luftuar me injorancën, me analfabetizmin, për të shëruar një nga plagët e rënda të shoqërisë osmane.


Së gjashti: Duke u shtuar dhe shumëfishuar mundësitë e arsimimit i kufizohej terreni i veprimit të krimit, të dhunës, pakësohej sasia e tyre dhe sigurohej ecje përpara me njerëz të kulturuar.

Së shtati: I hapej nëpërmjet çeljes së universitetit rruga e zhvillimit, përparimit, ecej me siguri drejt një të ardhmeje më të mirë. Bëhej e mundur përdorimi gjithnjë e më tepër i arritjeve të shkencës, teknikës e teknologjisë.


Së teti: Bëhej e mundur një zhvillim në gjerësi në të gjitha fushat  që nga mjekësia e deri tek zhvillimi fizik e mendor i njerëzve. Ngritja e spitaleve e farmacive e kufizonte përhapjen e sëmundjeve. Zhvillimi i arsimit ishte dhe zhvillim i kulturës, shpinte në ngritjen  e bibliotekave, të muzeve e të tjera të ngjashme me këto.


Së nënti: Duke ecur me vendosmëri në rrugën e zhvillimit e përsosjes së arsimit bëhej e mundur edukimi i rinisë, i djalërisë për të ecur ajo në rrugën e përvehtësimit të shkencës dhe të dijeve, të teorive më të përparuara të kohës. E armatosur me to rinia shkallë-shkallë i ngjitej rrugës së përparimit.









9



Së dhjeti: Hoxha Tahsini i bëri thirrje popullit të perandorisë që shekulli që jetonin ishte shekull i zhvillimit të shpejtë të dijeve. Koha nuk priste e të linte pas prandaj fuqishëm të rinjtë duhet t’u drejtoheshin dyerve të Universitetit të sapohapur. Në këtë drejtim për rrugën që do të ndiqej nuk kish e nuk mund të kishte dilema. Shekulli që po jetonin, sidomos gjysma e dytë e shekullit të 19-te ishte koha e një zhvillimi të hovshëm e të vrullshëm të shkencave të vjetra e të reja. 

Shekulli që po jetonin ishte një shekull i dritave jo vetëm në kuptimin e përhapjes së dijes, në kuptimin e arsimit por ishte qindvjeçari i përhapjes së dritës, në kuptimin e mirëfilltë material që ka kjo fjalë. Zbulimi i elektricitetit në fund të shekullit të 19-të dhe i telegrafit etj, përhapnin dritën në kuptimin figurativ të arsimit por dhe dritën reale, dritën e vërtetë. Prandaj kishte të drejtë kur ngrinte fuqishëm e me forcë nga ballkoni i universitetit profesori Hoxha Tahsin i armatosur me tre doktorata që duhet të hyjmë sa më parë në universitet në këtë tempull të dijes e të shkencës. Duhet të hyjmë krah për krah të bashkuar si një familje. 

E donte e mira vetiake, e familjeve e kombit e atdheut e krejt perandorisë. Ndaj i drejtohet turmës prej disa mijra vetësh që po e dëgjonte në përurimin e universitetit: 

“Ej mileti osmanije” Ej milet, o populli osman i Perandorisë osmane.”

Nuk harron të theksojë profesor doktor Hasan Tahsini jo vetëm nevojën e arsimimit të përgjithshëm po shtron si një nevoj të domosdoshme dhe arsimin professional në degët e ndryshme sidomos inxhinjerike, të shkencave fizike e natyrore për të cilat shteti i madh perandorak kish aq shumë nevojë. Ai e kish të qartë dhe nuk mungoi ta vinte në dukje në fjalim se universiteti u jepte studentëve bazat e dijeve, pjesa tjetër plotësohej e zhvillohej në jetë, në praktikë. 

Eshtë interesant ta shohim ligjëratën e profesor Hasanit, rilindasit tonë është në një pikëpamje tjetër: Cfarë fjale përdor ai më shumë në fjalimin e tij. Këtu duke e nisur nga numri i tyre por dhe nga përmbajtja do të dallojmë tre grupe apo tre kategori fjalësh.

Më shumë nga të gjitha që janë përdorur mbi 10 herë janë fjalët edukim, arsim, shkence, përparim. Pastaj janë një grup fjalësh mbi 5 herë si: moral, qytetërim, universitet, shtet, popull, popullsi, kulturë, shoqëri, trup, zhvillimi fizik i njeriut, milet dhe kategoria e tretë janë fjalët: lëvizje, rini, rregull, pronë, atdhe, informacion, drejtësi, dritë, ndërtim, qeveri, mëndje, dije etj etj.









10

Edhe nga kjo paraqitje sasiore e fjalëve që përdoren në ligjëratën e Hoxha Tahsinit njeriu nuk mund të mos konkludojë se tek rreh cekani i rilindasit tonë. Prioritet për të është arsimi, shkenca, përparimi i gjithanshëm e sidomos i rinisë. Së dyti, prioritet ka për të zhvillimi shpirtëror e fizik i individit në vecanti por dhe i shoqërisë në përgjithësi. Dhe së treti në vëmëndjen e tij janë puna që duhet të bëjë shteti, qeveria nëpërmjet ligjit dhe forcës së dijes për të cuar atdheun, vendin përpara, për të përgatitur brezin e ri, filizat e së ardhmes më të mirë.

Dhe po ndalem tek disa ide që përshkojnë fjalimin për të cilat kam përkthyer 'mo ta mo' nga origjinali disa pjesë, fragmente që flasin më së miri për parametrat e rilindasit tonë, për përkushtimin e tij ndaj diturisë e arsimit.

'Në një komb (popull, milet)investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për vendin (atdheun) është pasuria më e madhe.' 

Afërsisht kështu e fillon fjalimin e tij Hoxha Tahsini. Dihet qoftë për një njeri të veçantë, aq më tepër për një komb, investimi më i mirë me fitim të madh është investimi në dije dhe vlerat si njeri mund t'i rrisësh duke marrë jo thjesht sa më shumë dije, por dije cilësore. Ai që kërkon dituri nuk vdes.

Një fjalë e urtë thotë se :

'boja e penës së dijetarëve peshon më shumë se gjaku i shehideve (dëshmorëve)


Aq e vlefshme është dija sa me të drejtë thuhet: 

 'Kërkoje diturinë qoftë dhe deri në Kinë.'



 Dituria është tipar sidomos i intelektualit. Me të drejtë miku im profesor, Ahmet Osja, akademik nderi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë thotë:

 'Njeriu në radhë të parë prodhon mendim, por mendimi i shkruar është pasuri.' 

Do të shtoja që kjo pasuri e madhe janë veprat e dijetarëve, shkencëtarëve e filozofëve.


Prapë le t'i referohemi ligjërimit të Tahsinit në inaugurimin e universitetit:

'Siç del nga shumë vepra që kanë lënë në fushën e politikës Aristoteli dhe Platoni kanë thënë që për përparimin e një shteti, pikë mbështetja më e fortë, që jep maksimumin dhe që është kusht shumë i domosdoshëm për këtë është edukimi i mirë

Dihet që Platoni në veprën e tij 'Republika' si qeverisje ideale konsideronte atë që në krye të ishin njerëz të dijshëm, filozofët, dijetarët, kurse Aristoteli ka qënë 'princi' i dijeve të antikitetit, zotëruesi dhe 'mëndja më universale', midis grekëve, Platonit i takojnë edhe këto fjalë që kanë të bëjnë me mënyrën e edukimit. 

"Ushtrimet fizike të bëra me detyrim ndikojnë mirë tek trupi, por dijet e marra me detyrim nuk mbeten në mëndje."









11



Një mëndje e hapur si profesor Hasan Tahsini nuk mund të mos u referohej dy korifejve të diturisë në lashtësi veprat e të cilëve u rezistuan shekujve dhe erdhën deri në ditët tona në një pjesë të mirë të tyre. 
 
Se ç'rëndësi ka edukimi i mirë qoftë për individin, qoftë për shtetin e jep dhe akademiku rumun me origjinë shqiptare Nikolla Jorga.

'Fëmija nuk i detyron prindërve jetën, por edukatën.'

Ecim më tej. Në paragrafin e gjashtë të ligjëratës së tij, Hasan Tahsini me një gjuhë të figurshme siç bën në ndonjë nga veprat e tij, më pas shkruan kështu: 

''Ashtu si një gonxhe e freskët në kopshtin e trëndafilave që kur goditet nga ndriçimi i diellit kundërmon erën e këndshme të lëvizjes së bukur, ashtu njësoj dhe pishtari i shkencës dhe i arsimit në shoqërinë e bashkëqytetarëve këtej e tutje (dmth pas hapjes së universitetit L.B) duke ndriçuar zotësitë dhe kapacitetet e mëndjes të atdheut tonë, pa pikë dyshimi që do të kundërmojë erë të mirë.''

Në këtë pasazh të shkurtër zbulon dhe ideologun dhe shkencëtarin dhe letrarin të shkrirë në një.  

Nuk mund të shprehen më mirë vlerat e një institucioni të lartë të dijeve siç qe hapja e universitetit dhe rrezatimi i tij me to (dmth dijet).

Është interesante se sa qartë e shkurt e shpreh vlerën e këtij rrezatimi në disa drejtime. Ja c'thotë iluministi ynë. 'Arsimi duke u shumëfishuar, dhuna pakësohet.' Këto fjalë të arta të tij, ai i sqaron më përpara e më pas. Me arsimin e njerëzve, bie analfabetizmi, ulen shifrat e krimit etj etj.Errësira e injorancës ndriçohet me dritën e shkencës. 

Më poshtë kam dy shprehje që në mënyrë të goditur japin rolin e arsimit në përparimin e vëndit. Ai flet për arritjet më të fundit në shkencë e teknikë 


shtë e nevojshme -thotë Hoxha Tahsini-që progresi të bëhet shkallë shkallë dhe flet për atë që e quan  'vapori i përparimit'


''Diturinë dhe shkencën adhuroje''- thotë një i mënçur.


 Një nga njerëzit më të ditshëm në Perandorinë Osmane që ka ndikuar dhe tek profesor Hasan Tahsini është edhe Qatip Çelebi, i njohur ndryshe dhe si Haxhi Kallfa. Ai shkruan që disa shekuj më parë:
'Injorantëve t’u flasësh për shkencën është si të shpenzohesh kot. Atyre që kanë nevojë për të, t'ja u pengosh është padrejtësi.' 

Për t'i përmbyllur këto ide në lidhje me ligjeratën e Hoxha Tahsinit po sjell një mendim të Albert Ajnshtajnit. 

'E ardhmja e një kombi është e lidhur ngushtë me edukimin që merr rinia.’’








12

Hoxha Tahsini me këtë ligjëratë e idetë që përçon në të si rektor i një universiteti perandorak, si një kryemësues hyn në radhën më të lartë të llojeve të mësuesve. 

'Mësuesit mediokër tregojnë, mësuesit e mirë shpjegojnë, mësuesit superiorë demonstrojnë, mësuesit gjenialë frymëzojnë' - ka thënë një i ditur.

Hasan Tahsini është në radhën e këtyre të fundit. Me figurën e tij u bë burim frymëzimi si në brezat bashkëkohës të tij, ashtu dhe për ata që erdhën më pas deri në ditët tona. 

Hasan Tahsini mendonte se përhapja e diturisë përbënte një mision të lartë jo vetëm shoqëror por dhe kombëtar. Ai synonte si rilindasit e tjerë që nëpërmjet dritës së diturisë e arsimimit, të zgjohej e të forcohej ndërgjegja kombëtare. 

Kauza e alfabetit unik për të cilën ai punoi me mish e me shpirt, kishte të bënte me interesat shpirtërore të kombit tonë, si të shkruhej mirë gjuha e si të përparonte dituria. Ai kishte njohuri të jashtëzakonshme për alfabetet që nga lashtësia siç thotë albanologu Niko Stillo:

 ''Shkronjat këmbët e milingonës janë vërtet të vogla por shumë të fuqishme për përparimin, për përhapjen e diturisë. 

"Alfabeti është armë e diturisë dhe e progresit,’’ 
thoshte vazhdimisht profesor Tahsini.


Hasan Tahsini ishte një rilindas vizionar që shihte larg në të ardhmen, në lidhje me rolin e letërsisë.

E famshme është thënia e tij: 
'’Nëse do të mësosh dije, vrapo në Paris’’,

 një qëndër botërore e kulturës si dje dhe sot, është një kryeqytet i dijeve. Po ashtu s'mund të rrimë pa përmëndur një thënie tjetër të Hoxha Tahsinit në veprën e tij 'Historia e krijimit'. 

Në të ai shkruan: 'Dija është fuqia dhe mundja (fitim L.B) sipas Benjamin Franklinit. Pse i referohet këtij filozofi e diplomati që luftoi aq shumë për pavarësinë e Amerikës (SHBA). Dihet se rilindasit tanë ishin të hapur drejt progresit. Mos parashikoi Hoxha Tahsini, si vizionar që ishte, rolin e SHBA-ve në të ardhmen?!....


Dua t’i drejtohem dhe ta përshëndes publikun e nderuar akademik me paragrafin e fundit me të cilin e mbylli Profesor Doktor Hasan Tahsini ligjëratën e vet në inaugurimin e Universitetit Osman dhe me dy poezi që shkroi ai me këtë rast. Të duket, ndonëse ka kaluar rreth 150 vjet sikur ai po na drejtohet ne të gjithëve sot. Fjalëve të tij s’mund t’u heqësh asnjë presje.












13



Ej populli ynë..! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë! 

Ej, bijtë e atdheut, vatanit!

Botën e lartpërmendur (të zhvilluar) që është dëshirë e të gjithë njerëzve, nënshtetas të denjë të këtij shteti të dashur (ku jetojmë) për të qënë të aftë të banoni dhe që të meritoni shpërblimin (për punën e bërë) si dhe të keni një vënd të deklaruar dhe të nderuar, duhet të dini të sillni prova për të argumentuar të vërtetën: 

Ejani të lidhemi me njëri tjetrin, duke biseduar miqësisht të bashkohemi si një familje!

Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë (sa më parë) në Universitet!’’

Fill pas këtyre fjalëve të thëna me solemnitet para mijëra vetëve që po u fliste i vetëdijshëm se po hapte një periudhë të një epoke të re në fushën e arsimit të lartë për një perandori të tërë;

Prof.Dr. Hasan Tahsini lexoi dhe të dyja poezitë e krijuara prej tij. E para kish të bënte me datën e inaugurimit të Universitetit ndaj e shkroi si distik (dyvargësh) e cila në bazë të një teknike të caktuar, të ebxhedit jepte datën e çeljes së universitetit. 21 shkurt 1870, atë ditë që foli Tahsini. Kjo u shkrua e gdhendur në një tabelë të mermertë dhe u var tek porta e hyrjes së Universitetit. Distiku ishte ky:

‘’Të lexohet data e ditës së inaugurimit të mësimit.

U cel me madhështi, Universiteti Darylfynun-i Osmani’’!

1286 H (1870)

Në fakt ky nuk ishte rasti i parë që poezitë e Hasan Tahsinit zbukuronin muret e ndërtesave të Stambollit, por në këtë rast kemi një institucion të rëndësishëm publik. Një autor turk Nexhip Asimi na bën me dije se që në vitin 1874 një nga poezitë e Hoxha Tahsinit, ajo për gjithësinë, strofa e saj e parë në formë tabele e gdhëndur, varej në muret e dyqaneve të mijëra zejtarëve të Stambollit.









                                                        14

Ndërsa strofa e dytë shprehte entuziazmin e vetë profesor Hasan Tahsinit për celjen e Universitetit Perandorak, rektor i parë I të cilit ai pati nderin të jetë:

’Ej Tahsin, njerëzit e dijes,
Në këtë ditë të shënuar kanë pohuar
Drita e shkencës së Universitetit
Studentët ka për t’i ngazëlluar!’’



Uroj që në një të ardhme sa më të afërt drita e dijes dhe e shkencës së rrezatuar nga një universitet të ketë vënd edhe në Lisusin apo Lezhën sa të lashtë aq dhe të re!





Referencat:

1.  Mehdi Frashëri ‘Revista Minerva’, Tiranë 1934, Nr.23-24

2.  I.M.K Inal ‘Son asir turk sairleri’, Istanbul 1969, vol.2, faqe 1883

3. ‘Universiteti’ Stamboll 2012 faqe 963-964

4.Laurant Bica ‘Prof.Hasan Tahsini’ Ëestprint Tiranë 2009, Vol.2, fq 7-56, 322, 509-520

5. Sami Frashëri ‘Revista Hafta, Hoxha Tahsin’ Stamboll 1881, Nr 5-6

6. ‘Turk Ansiklopedisi’, ‘Darulfunun’ vol.12 Ankara 1964 faqe 320-322

7.Historia e shkollës dhe e mendimit pedagogjik në Shqipëri Tiranë 2008

8.Hajrullah Koliqi ‘Kur perëndia identifikohej me diturinë’Prishtinë 2011




    Bio:
Dr. Laurant  BICA ka lindur më 18 mars 1951. Shkollën fillore e të mesme i kreu në qytetin e lindjes në Korçë, me rezultate shumë të mira. Mbaroi degën e filozofisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1973. Nga ky vit deri në 1993, për 20 vjet punoi si pedagog i filozofisë pranë katedrës po të filozofisë në Universitetin Shtetëror.
Në vitin 1987 mbrojti tezën e doktoratës ‘Hasan Tahsini – Jeta, Vepra, Idetë”, për të cilin fitoi dhe një çmim kombëtar.Nga viti 1994 deri në vitin 2005 për gati 12 vjet ishte në emigracion në Republikën e Turqisë, në Stamboll, ku punoi si mësues gjuhësh të huaja.Nga viti 2006 deri sot  punon si pedagog pranë universitetit “Kristal”.













Përmbledhje:

Në këtë artikull shkencor studimor, trajtohet figura e Prof.Dr.Hasan Tahsinit si dijetar, si njeri i diturisë dhe arsimit. Në qëndër të tij është analiza e fjalimit që mbajti ai me rastin e celjes së Universitetit të parë të Perandorisë Osmane. Inaugurimi i tij u bë më 21 shkurt 1870. Aty vihet në dukje ndikimi i mendimit të lashtë grek, atij të mesjetës arabe dhe të iluminizmit frëng. Gjithashtu ndriçohen problemet dhe idetë që ngre rilindasi ynë në këtë ligjëratë. Nënvizohet po ashtu dhe ndihmesa e tij jo vetëm në rang perandorie por edhe në fushën e shkollës dhe të arsimit shqip gjatë rilindjes sonë kombëtare.




Abstract:
This scientific article treats the figure of Prof. Dr Hasan Tahsin as a scholar, and a man of knowledge and education. Indeed, it’s focused on the speech delivered by him on the occasion of the opening of the first Ottoman Empire’s University, on February 21, 1870. It highlights the impact of the ancient Greek thought, the medieval Arabic one and the French Enlightenment. It explains also the problems and ideas that our scholar raised in this lecture. Here are underscored also his contribution not only at the level of the empire but also in the field of Albanian education during our national Renaissance.

Burime:
http://gazetatelegraf.com/dr-laurant-bicaprofesor-hasan-tahsini-nderi-i-kombit-per-diturine-dhe-arsimin/