Friday, November 29, 2013

Sinteza e Veprave studimore nga Shahbaze Vishaj.

Dr. Laurant BICA



“Shumë emra personalitetesh që i takojnë popullit shqiptar, i kanë përvetësuar të tjerët dhe sot “stolisin” enciklopeditë e vendeve të tjera deri ato në shkallë botërore…”L. B




Doktor i shkencave të filozofisë, profesor i disa universiteteve në Tiranë në të kaluarën dhe sot, Laurant Bica është një emër kushtimisht i ri në këtë fushë, por shumë produktiv, shumë serioz, madje talent dhe emër që në të ardhmen do të mbajë mbi supe peshën e një studiuesi të mirëfilltë të shkencave filozofike shqiptare. Këtë ky studiues e ka dëshmuar me dhjetëra e dhjetëra studime nga fusha e filozofisë, me theks të veçantë, të filozofisë së mendimtarëve, shkrimtarëve e filozofëve të Rilindjes sonë kombëtare, si Naim e Sami Frashëri, Hasan Tahsini e mendje të tjera të ndritura. Këtë e dëshmojnë edhe librat “Naimi në Konstantinopojë i I-II” (2009) dhe “Profesor Hasan Tahsini 1-3”. (2009) që tashmë dy vjet ndodhen në duart e lexuesve. Këto dy vepra vëllimore në pesë libra, me gjithsej 2400 faqe, si dhe libri “Niko Stillo – Njeriu akademi”, Tiranë 2007 prej 218 faqesh, flasin më së miri për seriozitetin dhe përkushtimin prej studiuesi në fushën e filozofisë të Dr. Laurant Bica.

Pyetje: Fusha e kërkimeve tuaja shkencore është, sa e gjerë, aq dhe komplekse. Këtë e dëshmon numri i madh i studimeve mbi dhe rreth çështjeve të letërsisë së Rilindjes kombëtare, me theks të veçantë të filozofisë së tyre, e sidomos botimi i dy veprave madhore në pesë vëllime “Naimi në Konstantinopojë i I-II” dhe “Profesor Hasan Tahsini 1-3”. Si doktor i shkencave filozofike, çka mund të na thoni, për mendimin filozofik në letërsinë e Rilindjes Kombëtare
L. Bica: Mendimit filozofik në letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare dhe më gjerë në historinë e filozofisë shqiptare, ne si shqiptarë dhe studiues i jemi borxhli e do t’i mbetemi kështu edhe në të ardhmen. Kemi një prapambetje relative të theksuar në raport me fushat e tjera, për të mos thënë më tepër. Është një fushë e mbetur djerrë. Mjafton të konsultohesh me veprën e një orientalisti si Prof. Hasan Kaleshi e të shikosh se ku jemi. Ju dhe opinion publik në përgjithësi e ai shkencor në veçanti nuk mund ta merrni me mend se sa njerëz të dijshëm ka nxjerrë në shekuj populli ynë, duke filluar të paktën nga antikiteti greko-romak e deri në ditët tona. Janë me dhjetëra e me qindra dijetarët, filozofët, teologët etj, që kanë dalë nga populli ynë fisnik shqiptar i etshëm e i pangopur, për dije e kulturë. Bile ai ka kontribuar në tërë rilindjen, duke filluar me Rilindjen Ilire, Rilindjen Bizantine e duke vazhduar me atë në kohën e principatave feudale shqiptare, në Rilindjen Evropiane, Rilindjen Ballkanike, në Pararilindjen apo Rilindjen e periudhës së Voskopojës (shekulli XVII) dhe Pashallëqeve të Mëdha Shqiptare, Rilindjen tonë Kombëtare e deri në ditët e sotme. S’po flas për popujt e tjerë sidomos ata fqinjë. Shumë emra personalitetesh që i takojnë popullit shqiptar, i kanë përvetësuar të tjerët dhe sot “stolisin” enciklopeditë e vendeve të tjera deri ato në shkallë botërore… Vetëm periudha e Voskopojës numëron mbi 54 dijetarë e filozofë të mirëfilltë shqiptarë. Kontributi i Kosovës tjetër” të kultivuar, asaj të Sanxhakut të Nishit në Perandorinë Osmane dhe i nahijes së Qyprovecit (katolikët shqiptarë që mbeten në Bullgari, për të cilët flet filozofi ynë, Pjeter Bogdani) është i jashtëzakonshëm. Numri i njerëzve të dijshëm të dalë nga kjo trevë, për të cilën sot nuk flet njeri është i pallogaritshëm. Ajo ka qenë dikur “truri” i Kosovës së sotme. Brezat e rinj le t’u drejtohen më së paku arkivave e bibliotekave dhe do të zbulojnë thesare…

Pyetje: Libri juaj “Naimi në Konstantinopojë i I-II”, përkundër shumë veprave, studimeve dhe monografive të botuara deri më sot hedh dritë mbi një kapitull jete thuaj të panjohur deri më sot mbi Naimin poet. Ndërsa vepra juaj e shikon këtë figurë nga një kënd krejtësisht tjetër: Naimi dhe veprimtaria e tij në Konstantinopojë. Çka mund të na thoni diç më konkrete në pika të shkurta?
L.Bica: Naimi është fatlumturi rilindës që është studiuar më shumë nga të tjerët për arsye të njohura si poet kombëtar etj. Por si filozof e teolog për Naimin dimë relativisht pak. Me dy vëllimet e mia për Naimin vetëm sa kam ngritur tiparin, veç të tjerash, edhe në këtë aspekt. Kush ka hyrë në arkiva e bibliotekat turko-osmane për Naimin? Pothuajse askush. Kemi ende vepra të panjohura të Naimit në osmanishte e gjuhë të tjera. Tre-katër i di vetë. Le të shpresojmë që e ardhmja të na i nxjerrë në dritë. Naimi ka nevojë shumë e më shumë të studiohet e ristudiohet vetë e në raport me të tjerët. Brenda e jashtë trojeve shqiptare. Janë, të mos them qindra faqe të panjohura për Naimin, po disa dhjetëra po se po që presin t’u shtohen veprave të tij që njohim të botuara deri më sot. Faqe të reja presin t’u shtohen veprave të tij me karakter teologjik si “Fletore e Bektashinjtë” dhe “Qerbelaja”, që kanë të bëjnë sidomos me filozofinë e botëkuptimin e tij. Jam i bindur se e ardhmja do të na befasojë me prurje të reja për te…
Pyetje: Kontributi i vëllezërve Frashëri dihet në organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos roli i prijatarit Abdyl Frashëri. Po roli i Naimit cili ishte, meqë në këtë kohë kishte arritur pjekurinë si veprimtar, mendimtar dhe shkrimtar. Në ç’parametra e ndihmoi këtë Naim Frashëri? L.Bica: Tjetër është Naimi si letrar, dhe tjetër Naimi si veprimtar dhe tjetër është problem se sa e njohim veprimtarinë e Naimit në Lidhjen e Prizrenit apo sa e dokumentuar është ajo. Një shqyrtim i vëmendshëm në arkivat evropiane e osmane, jam i bindur se do të nxirrte të dhëna të reja. Për mua Naimi dhe Samiu, është jashtë çdo dyshimi që ata ishin një, vëllezër të vëllait të vet, grusht për çështjen e madhe kombëtare. Naimi ndihmoi nga Janina e nga Frashëri për jetësimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në jug të tokave shqiptare dhe mbaroi me të gjitha forcat çështjen çame, kufijtë e vilajetit më jugor. Naimi në këtë rast ecte në traditën e familjes s’bënte gjë tjetër veçse shkelte në hullinë e hapur nga i jati Halil Frashëri dhe vëllai i madh Abdyli, si dhe miku i tyre Iliaz Pashë Dibra. Ata luftuan me armë në dorë për mbrojtjen e tokave shqiptare në zonën e Selanikut, Thesalisë e të Janinës për vite e vite me radhë. Në librin për Naimin, unë e kam ndriçuar edhe këtë aspekt për aq sa na lejon dokumentacioni sot.

Pyetje: Teza e doktoratës suaj nga fusha e shkencave të filozofisë “Hasan Tahsini – jeta, vepra, idetë“ është vepra më e plotë, më e kompletuar, e pse jo edhe e vetmja deri më sot për këtë figurë të Rilindjes Kombëtare. Me çfarë vështirësish jeni ballafaquar gjatë kërkimeve shkencore rreth figurës madhore të Hasan Tahsinit?

L.Bica: Të mos them më shumë është punë e katër dekadave, punë jete. Vështirësitë kanë qenë të shumta, të mos them të panumërta e të karakterit të ndryshëm. Së pari, kërkimore. Më është dashur të kërkoj shumë e të gjej pak, të rrëmoj në dhjetëra e qindra libra, duke filluar nga Biblioteka Kombëtare, Tiranë e duke përfunduar tek Biblioteka e Bashkisë së Stambollit, bibliotekat e rretheve në Shqipëri, arkivat etj. etj. Volumi i punës së përballuar ka qenë i stërmadh… Së dyti, vështirësitë e gjuhëve për të lexuar veprat e tij që janë osmanishte (turqishte e vjetër dhe mbi të, në gjuhë nga më të ndryshmet. Dominon turqishtja, të cilën e mësova në Stamboll, ku jetova 12 vjet. Osmanisht mora mësim dy vjet por s’munda ta përfundoj. Së treti, Hasan Tahsini më futi në Rilindjen shqiptare, atë turke, arabe, ballkanike, të shteteve fqinje; më detyroi të mësoja disa gjuhë, më futi në iluminizmin frëng, në mesjetën arabe etj. Së katërti, më detyroi të shpenzoj shumë kohë dhe pata, kontakte me njerëzit, të hyj në folklor etj. Së pesti, më detyroi të njoh rilindësit e tjerë e personalitete nga më të ndryshmit që s’ma merrte mendja, të vendit dhe të huaj; më bëri në një kuptim enciklopedist siç qe vetë ai. Së gjashti, Hasani më futi kokë e këmbë në Rilindje, si të thuash më bëri në një farë mënyre rilindës, të jetoj me shqetësimet dhe idealet e tyre, që ende sot nuk janë të realizuara. Së shtati, Profesor Hasani në një farë mënyre më bëri të privohem nga shumë probleme të jetës, ashtu siç më ka dhënë pas kaq e kaq vjetësh pune me të si kryerilinda, të ndjej një kënaqësi e satisfaksion të jashtëzakonshëm. Unë do t’i mbetëm për jetë atij mirënjohës si për kënaqësitë ashtu dhe shqetësimet e panumërta që më solli. Në libër, në hyrje, unë tregoj peripecitë e jetës që kam kaluar deri sa mbarova disertacionin e pas tij libri në tre vëllime është dhe një përgjigje pas kaq e kaq vitesh për ata që më kanë vënë gurrë në rrota në rrugën time të jetës e të studimeve. Tani nga lartësitë e viteve ndjej se koha më dha të drejtë. Një punë ngulmuese mund gjithçka. Ka plot vështirësi të tjera, por s’dua të zgjatëm. Përmenda disa nga më të rëndësishmet e kryesoret. Lexoni librin dhe do të më kuptoni. Studimeve për Hasan Tahsinin do t’ja u di për faleminderit që më mprehën aparatin kërkimor shkencor timin si njeri dhe më bënë një studiues serioz…

Pyetje: Cila është ndihmesa e Hasan Tahsinit në fushën e filozofisë, meqë kjo figurë, ishte edhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit, përkatësisht i njohur në fusha të ndryshme të filozofisë, psikologjisë, letërsisë, gjuhësisë dhe shumë fushave të tjera? L.Bica: Ndihmesa e Hoxha Tahsinit është e madhe si për kombin shqiptar dhe atë turk, si për rilindjen shqiptare ashtu dhe atë osmane. Ai është një ideologu nga më kryesorët, mos them më tepër, si për Shqipërinë, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Së pari, si njohës i mirëfilltë i filozofisë dhe historisë së saj në përgjithësi.
Së dyti, si njohës i aftë dhe i thellë i filozofisë arabe, evropianoperëndimore dhe veçanërisht i iluminizmit francez dhe personaliteteve më të shquara të fushës së filozofisë.
Së treti, i pari në Perandorinë Osmane e në Shqipëri që futi shkencën e filozofisë, të psikologjisë, atëherë kur ajo ishte në fillimet e saj edhe në Perëndim. Së katërti, në revistën “Mexhmua-i Ulum” (“Dituria”) janë botuar edhe vepra të tjera me karakter filozofik që do të hedhin dritë të re për këtë mendimtar. Rëndësi ka që të sillen në shqip sa më parë dhe veprat e Hoxha Tahsinit. Atë e kemi nga të rrallët personalitete që u kushtohet të dy fushave: dhe atyre të skemave shoqërore po sidomos atyre natyrore: ai është edhe fizikan dhe kimist dhe astronom etj. etj., por dhe gjuhëtar, filozof, psikolog etj. etj .

Pyetje: Botëkuptimi i dijetarit të “lartë ndër të lartët” (Sami Frashëri), autori i veprave “Psikologjia” dhe “Bazat e Astronomisë“ trajtojnë problem të ndikimit që ushtrojnë idetë e tij në mendimin filozofik, politik e shoqëror të Rilindjes dhe atë shqiptar në përgjithësi. Ku ndodhet vend ii Hasan Tahsinit në këto shkenca filozofike për kohën kur u mur pikërisht me këto? L.Bica: Profesor Hasan Tahsini ishte në nivelin e shkencave të kohës, për shembull dhe të psikologjisë. Ai ishte pionier i përhapjes së të rejave më të fundit në shkencat e ndryshme dhe i lindjes së shkencave të reja në Perandorinë Osmane. Merita e tij duhet parë në dy aspekte: së pari, në synimin e tij iluminist për t’ja dhënë këto dije të reja popullit të tij dhe popujve të tjerë që jetonin në Perandorinë Osmane dhe, së dyti një përpjekje e tij për divulgimin e tyre d m th paraqitjen e tyre sa më thjeshtë e kuptueshëm për masat. Brezat e kohës së tij dhe gjeneratat që erdhën më pas nuk do të harrojnë kurrë Hoxha Tahsinin, Profesor Tahsinin, “Meshur Tahsin”-in (“Të famshmin Tahsin”) për atë që bëri për ta, për zgjimin e tyre. S’qe puna vetëm për hartimin e një alfabeti (H. Tahsin e bëri një të tillë origjinal. Siç më thotë miku im, albanologu Niko Stillo, a i njihte me rrënjë alfabetet e ndryshme që nga lashtësia por edhe pajisjen e popullit me arritjet bashkëkohore në lëmin e shkencave.

Pyetje: Do t’i hynim në hak profesor Hasan Tahsinit sikur të anashkalonim një angazhim tjetër të tij rreth çështjes çame, meqë ky vetë ishte çam i lindur në Ninat të Çamërisë. Cili është kontributi i Hasan Tahsinit rreth çështjes së njohur çame? L.Bica: Për çështjen çame mund të them se kontributi i tij është rrënjësor, thelbësor, i pallogaritshëm. Mund të themi shkurt se në saje të tij, dhe të çamit tjetër të Prevezës, rilindësit Abedin Dino, Çamëria – Epiri shpëtoi; dhe për 35 vjet të tjera mbeti nën shtetin Osman në dorë të shqiptarëve. E pësoi vetëm Thesalia dhe qyteti i Artës, që ju bënë kurban Greqisë që më 1880-1881.
Pyetje: Bazuar në këto dy vepra që ua keni dhuruar lexuesve, është krejtësisht e natyrshme që vepra juaj e radhës të jetë e një rëndësie si këto dy të mëparshmet. A është fshehtësi që për lexuesit të “zbuloni” se çka keni nëpër duar dhe çka do t’u dhuroni atyre në të ardhmen jo të largët?
L.Bica: Në duar kam një tekst mësimor nga fusha e sociologjisë, një libër për një shtetar shqiptar të Perandorisë Osmane në kulmin e saj, që koinçidon me 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe për një figure rilindëse tjetër sikurse Hasan Tahsini, e cila mund të dale si libër në një ose dy vëllime. Por se kur do t’i nxjerrë nga duart këtë s’e parashikoj dot. Çdo gjë kërkon kohën e maturimin e vet. Rëndësi ka që i kam hyrë punës me të gjitha forcat. Veprat studimore, sidomos ato seriozet, duan kohë. Pyetje: Ç’do të thoshit diçka tjetër që s’e kemi përfshirë në pyetjet tona?
L.Bica: Aktualisht jam pedagog i punësuar pranë Universitetit “Kristal”, më i madhi në Shqipëri pas Universitetit Shtetëror të Tiranës. Jap kontributin tim si mësimdhënës në fushën e filozofisë, sociologjisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe në punën kërkimore shkencore. Përpiqemi të japim ndihmesën tonë modeste si me botimet ashtu edhe me veprimtarinë tonë për çështjen kombëtare shqiptare, trojet etnike e për diasporën. Zaten, ky është filli i kuq që ka përshkuar e do të përshkojë deri në fund jetën tonë. Ne ndofta jemi nga rastet e fundit të gardës së brezit të fundit që e shkrinë jetën për liri e pavarësi , për Kosovë e Çamëri. Ne ecim përpara në rrugën e progresit të popullit tonë me idealet rilindëse në mendje e në zemër, me idealin kombëtar në gji, që na ka mbajtur në këmbë edhe në rastet më të vështira, qoftë në atdhe, qoftë në rrugët e largëta e të rënda të emigracionit…
Ju falënderoj nga zemra që më dhatë këtë mundësi të shprehem nëpërmjet intervistës tuaj…Vlerësoj shumë dhe faktin që intervista më vjen nga Kosova se në Shqipëri kemi bërë mjaft të tilla…Personalisht ju falënderoj ju për shkrimet që u keni kushtuar veprave të mia për Naimin e Tahsinin në Kosovë… Edhe një herë faleminderit!



Për gazetën “Nacional” intervistoi: Shahbaze Vishaj

No comments:

Post a Comment