|
Nga Dr. Laurant BICA |
Me “Iljadën” jepet origjinali greqisht i Homerit
dhe përkthimi greqisht e shqip – ashtu edhe i “Ëndërrimeve” (Tehajylat) vite më parë,
në persisht e shqip, nga studiuesi Jorgo
Bulo, krijojnë hapësira të reja për studiuesit e sotëm të kulturuar e të
nesërm, njohës të gjuhëve respektive, për të thënë një fjalë të re më të
kualifikuar për poetin tonë të kombit. Në librin e vet Dhori Qiriazi shkuan një
parathënie me mjaft interes, Sa mirë do të ishte që, sikurse „Ëndërrimet“, të
kishte një studim hyrës, siç ka bëtë studiuesi i letërsisë sonë, zoti Jorgo
Bulo
|
Nga libri “Naimi në
Kostandinopojë” |
Megjithatë, duke e shfletuar atë, gjeta disa konstatime dhe ide me
vlerë, që na tërhoqën vëmendjen, tek të cilat do të ndalem më poshtë. Në
fillim të veprës së parë greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, botuar në
Bukuresht, Naimi ka një kushtim, që flet shumë për të, aq më tepër që ai ishte
në hapat e para të krijimtarisë. Ai shkruan: “Nënës sime të ëmbël, Shqipërisë, Asaj që më dha gjithë forcën që kam”.
Dhe këtë ai e bën pikërisht në një botim në gjuhën greke, nëpërmjet të cilit ai
i drejtohej kryesisht një auditori të huaj, duke mos mohuar edhe shqiptarët e
shkolluar në shkollat greke brenda e jashtë perandorisë, sigurisht, ata të
krishterë.
Pas veprës “Ëndërrimet”, që
është botimi i parë i tij në gjuhë të huaj, në persisht, brenda Perandorisë
Osmane, duke mos llogaritur krijimet e tij shqip në revistën “Drita – Dituria”
(1884-1885), vjen botimi i tij i dytë, prapë në gjuhë të huaj, këtë radhë
greqisht dhe jashtë perandorisë. Natyrshëm, vetvetiu lind pyetja: pse Naimi
boton përsëri në gjuhë të huaj, ende pa nxjerrë një botim shqip?
Përmbledhja me poezi në gjuhën
persiane “Ëndërrimet”, ishte “dallëndyshja e parë” e krijimtarisë poetike
naimjane, siç e kemi vënë në dukje më parë. Ndryshe, do ta quanim “divani” me
vjersha persisht i Naimit, sepse ai këtu eci në gjurmët e traditës
shumëshekullore e mijëvjeçare të poezisë persiane dhe debuton me shumë sukses
si nga pikëpamja e gjuhës ashtu dhe e vjershërimit ku ai është edhe novator,
siç nuk mungojnë të vënë në dukje studiuesit e ndryshëm persianë, madje ndokush
arrin ta cilësojë “poet persian”. Veç
“divani persisht” i Naimit në fund të shekullit 19, siç thotë shqipëruesi i tij
Vehxhi Buharaja, ka një ndryshim nga divanet e tjera, sepse normal, ata
fillojnë me një vjershë për Zotin, ndërsa Naimi këtë vjershë e vë nga fundi i
përmbledhjes së tij persisht. Pra, Naimi “provon dorën” në persisht, në gjuhën
e poezisë së Lindjes, ecën në gjurmët e një poezie me tradita dhe tregon që
është një mjeshtër i kësaj poezie. Ai i drejtohet jo vetëm intelektualëve
persianë, por një auditori të gjerë, atij të elitës intelektuale osmane, e cila
e njihte gjuhën perse krahas gjuhës arabe dhe krijonte në të.
Dhori Qiriazi, në parathënien
e tij shkruan se e botoi poemën “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” në greqishten katheravusa, se ishte gjuhë jo vetëm e intelektualëve grekë,
por e mbarë elitës intelektuale të krishterë të Ballkanit. Para se të ecim më
poshtë, duhet të japim një sqarim. Ashtu si për turqishten e vjetër,
osmanishten, duhet të themi që ishte gjuha zyrtare (e përzierë me fjalë
arabisht e persisht) e Perandorisë Osmane dhe ndahej nga turqishtja e popullit,
edhe katheravusa ishte greqishtja
bizantine mesjetare e cila në rrjedhë të shekujve u largua nga gjuha e
popullit, që quhet “dhimotiko”. Me krijimin e shtetit grek ajo u bë gjuha
zyrtare e tij, mësohej në shkolla njësoj si osmanishtja dhe, gati deri në fund
të shekullit të 20 vazhdoi të ishte e tillë.
Vetëm tani vonë u zëvendësua nga
greqishtja popullore. Kurse turqit vetëm pak kohë pas vendosjes së republikës,
më 1923, bënë reformën e gjuhës (1928) dhe vendin e osmanishtes e zuri
turqishtja e re me germa latine, e cila iu afrua gjuhës së popullit, duke u
pastruar nga fjalët e huaja. Gjuha katheravusa dhe osmanishte u bënë gjuhë e
administratës, e shkollës dhe e kulturës e letërsisë, e elitës intelektuale e
aristokracisë. Aristokracia e vendeve ballkanike si Rumania, Bullgaria etj. pa
folur për Greqinë, e përdornin tradicionalisht si gjuhë të tyre të kulturës.
Pikërisht Naimi kishte parasysh këtë elitë intelektuale që ishte në krye të
shteteve përkatëse, plus që të gjithë kishin përfaqësuesit e tyre në qytetin
kozmopolit të Stambollit, kryeqendra e Perandorisë Osmane.
Naimi e thuri këtë
poemë në gjuhën greqishte elitare
katharevusa duke ecur në gjurmë të një tradite shekullore e mijëravjeçare të
poezisë greke. Edhe këtu, me guxim, ai tregoi, sikurse në persisht, këtë radhë
jo më për Lindjen, por për Perëndimin e perandorisë e për krejt Ballkanin, se
mund të debutojë me sukses në fushën e poezisë greqisht. Kjo poemë në greqisht
është „dallëndyshja e dytë“ e krijimtarisë së Naimit, ku ai e tregoi përsëri
lartësinë e vet në fushën e poezisë elitare prapë si mjeshtër i saj.
Pra,
Naimi, duke ecur në gjurmët e dy traditave të fuqishme, në fushën e poezisë në
persisht e në greqisht, duke e treguar veten e nivelin e vet me sukses,
paskëtaj, me guxim, iu kthye gjuhës shqipe. Pasi e prezantoi veten në botën
intelektuale të kryeqytetit osman dhe jashtë tij, ai i hyri poezisë shqip dhe
krijoi poemën „Bagëti e Bujqësia“ në shqip. Kjo është „dallëndyshja e tretë“
naimjane në fushën e krijimtarisë poetike, por tashmë në gjuhën amtare, e
botuar jashtë kufijve të perandorisë, se brenda saj nuk mundi ta botojë.
Shqipja ishte një gjuhë pak e lëvruar dhe jo me traditë si dy gjuhët e
lartpërmendura dhe mjeshtri i afirmuar Naim, pasi forcoi pozitat e veta në
botën intelektuale, në elitën osmane, iu përvesh prapë me kurajë të krijojë
tashmë, traditë në gjuhën e vet shqipe, e cila, për më tepër, ishte gjuhë e
ndaluar, nuk lejohej shkrimi i saj. A ishte Naimi në nivelin e krijimeve të tij
në persisht e greqisht? Studiuesi i mirënjohur, i mbrujtur me idealet
rilindëse, që është marrë me krijimtarinë e Naimit, Rexhep Qosja, me hollësi e
ka analizuar atë dhe na ka zbuluar nëntokën e poemës „Bagëti e Bujqësia“ dhe
nivelin e lartë të saj si nga ana artistike e ideore, ka zbuluar mjeshtërinë e
madhe të krijuesit Naim.
Poema me 8 këngë “O eros” (Dashuria), krijimi i
fundit i Naimit, sepse shëndeti i përkeqësuar nuk e lejoi të shkruajë. Botimet
e mëpasme ishin shkruar qysh më parë. „O eros“, siç e tregon titulli, u shkrua
në greqisht gati 10 vjet më vonë pas botimit të divanit persisht „Ëndërrimet“.
Kjo ishte dëshmi e nivelit që kishte arritur mjeshtri i poezisë Naim pas mbi 10
vjet pune botimesh në poezi e në prozë. Ka të ngjarë kjo të jetë edhe vepra me
të cilën ai bashkë me krijimet e Abedin Dinos iu paraqitën Akademisë së Athinës
dhe u çmuan lart prej saj e morën dekoracione, siç thuhet në një burim.
Studiuesve të ardhshëm të Naimit nuk duhet t’u dalë jashtë vëmendjes studimi i
këtyre katër veprave të tij, të cilat janë shkruar në gjuhë të ndryshme dhe
tregojnë lartësinë e tij si krijues dhe si mjeshtër i poezisë edhe në gjuhë të
tilla elitare të poezisë si persishtja e greqishtja, si dhe debutimin e tij të
suksesshëm në një gjuhë ku ai krijoi traditë, siç ishte gjuha shqipe. Si në
gjuhët me traditë, si në një gjuhë si shqipja, pothuajse pa traditë, Naimi
tregoi guxim. Ai hodhi themelet e traditës të poezisë shqip. Brezat e sotëm i
janë mirënjohës Naimit, këtij mjeshtri të poezisë shqip. Mjeshtërinë e vet në
poezi në gjuhët botërore të poezisë ai e vuri në shërbim të krijimit të
traditës së gjuhës së nënës së vet
Shqipëri, nga e cila ai merrte forcën që kishte. Studiuesit e sotëm naimjanë
duhet të shohin divanin persisht, dy poemat greqisht dhe poemën kryevepër
„Bagëti e Bujqësia“ të tij në veçoritë e tyre, por edhe përbashkësitë e tyre,
t’i shohin duke i shijuar në origjinalet e tyre, për të nxjerrë në pah
lartësinë e mjeshtrit të poezisë jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhët botërore
të saj, të dijetarit Naim, të akademikut Naim.
Naimi është një figurë, një
personalitet i letërsisë jo vetëm shqipe, por edhe i letërsive të tjera, por
kjo gjë duhet të dalë në pah. Studimi nga specialistë të gjuhës perse,
iranologë, qofshin shqiptarë apo të tjerë, apo helenistë të specializuar si të
greqishtes së vjetër bizantine etj. do të na sjellë befasime të reja në lidhje
me lartësinë e Naimit tonë, që e njohim dhe prapë s’e njohim siç duhet. Te Naimi
deri më tani kemi parë krijimet e veçanta dhe kjo shpesh na ka penguar të
shohim të tërën. Kemi parë drurët e veçantë, poema të veçanta, krijime të
veçanta dhe kjo na ka penguar të shohim nga lart Naimin, të tërin, pyllin. Po
të shohim të katër veprat e sipërpërmendura, në total do të vërejmë që Naimi
është mjeshtër i madh i poezisë, që i ka kapërcyer me kohë kornizat kombëtare
me të cilat jemi mësuar ta shohim deri më sot. Ai nuk është vetëm një poet kombëtar i yni.
Përmasat në kohën kur jetoi ishin perandorake, madje ai i kapërceu edhe ato.
Studimet më të thella të krijimtarisë së tij, jo vetëm në shqip, por edhe në
gjuhë të huaj dhe zbulimi i mjeshtërisë artistike duke e krahasuar me poetët e
kombeve të tjerë, do të nxjerrë vlerat e tij si poet me kualitetet e larta të
mjeshtërisë së tij në fushën e poezisë, thellësitë e mendimit naimjan si dhe
universin poetik të tij. Naimi është një poet që s’na takon vetëm ne
shqiptarëve, por mbarë botës.
Vepra, apo më mirë të themi kryevepra e tij, poema
„Bagëti e Bujqësia“ është dëshmia më e mirë për këtë. Kjo është edhe një nga
arritjet më të mëdha të Naimit, ndofta më e madhja në lëmin e poezisë. Ai jo
vetëm thuri një poemë me vlera të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet
artistike, atdhetare etj. por vuri gurë themeli
në vjershërimin shqip dhe ndofta ajo qëndron me gjithë vlerat që kanë në
gjuhët përkatëse të poemave e vjershave të tij, të tjera në gjuhët persisht,
greqisht, shumë e shumë më sipër. U takon specialistëve të gjuhës e të
letërsisë shqipe e letërsive respektive
përkatëse të thonë një fjalë gjithnjë e më preçize. Veçse roli që luajti
ajo me vargjet e saj ndezën një popull të tërë, e vetëdijesuan atë.
Vepra “Bagëti e Bujqësia”
ishte e para. Të tjera erdhën më pas. Vepra letrare në prozë e në poezi, si nga
Naimi ashtu edhe nga kohëshokët e tij, rilindësit e tjerë. U krijua mbi bazën e
saj një letërsi e tërë, një traditë e tërë; traditë që meritën e „trasimit“ të
saj, punën prej pionieri e ka Naimi ynë, Naim Frashëri, rilindësi Naim,
dijetari Naim, poligloti Naim, atdhetari Naim, Akademiku Naim e pse jo, Profeti
i Shqiptarizmit, Naim Frashëri. „Vjershat për mësonjtoret e para“ (1886),
„Lulet e verës“ (1890), „Parajsa dhe Fjala fluturake“ (1894) do të ishin në
vazhdim të „Bagëti e Bujqësisë“, duke krijuar traditën naimiane të shqipes. Dhori Qiriazi në
parathënien e sipërpërmendur, kur ndalet në vjershën “O eros”, përsa i përket
gjuhës që përdor autori Naim, thekson se është greqishtja që i takon shkollës
fanarite. Naimi i përmbahet kësaj shkolle e, me sa duket, greqishtja e preferuar
e tij është pra kjo fanarite.
Gjithashtu, në lidhje me poezizë greqisht të Naim Frashërit, ai thekson se në
të duket qartazi ndikimi i rrymës në modë të asaj kohe, që vinte nga Perëndimi
në letërsi, rrymë parnasiane. Kjo rrymë më shumë sesa përmbajtjes, i vinte
rëndësi formës, gjë që nuk mungon të shihet edhe te Naimi në këtë poezi të tij
në greqisht. Një lexues i zakonshëm këtë mund ta kalojë lehtazi, ashtu sikurse
edhe autori i parathënies, vetëm sa i vë në dukje këto dy momente në veprën e Naimit, pa i shtjelluar më tej
ato. Sigurisht, do të ishte me shumë vlerë për ne në qoftë se autori do të
ishte ndalur në të, t’i kishte shtjelluar, zbërthyer apo thelluar. Për ne edhe
kaq sa jep nuk është pak...
Mjeshtër
si në greqishten e vjetër tek “Iliada”,
apo te varianti i saj katharevesa te “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” (“O
pathos ... ton skipetarion”), Naimi del përpara opinionit intelektual
perandorak me preferencat e veta për greqishten, pikërisht atë të shkollës
fanariote. Sigurisht, Naimi nga shkolla dinte si greqishten e vjetër ashtu edhe
atë të re (katharevusa). Ndërsa greqishten popullore, sidomos atë të Greqisë
Veriore e Perëndimore, greqishten e ishujve të Jonit, greqishten e Korfuzit, të
Epirit ai e dinte “ujë”, se kaloi 15-20 vjet në vilajetin e Janinës. Plus
administrata osmane në këtë vilajet, veç osmanishtes njihte edhe greqishten dhe
në të dilte edhe gazeta zyrtare e vilajetit jugor shqiptar. Ç’t’i bësh,
paradokse të kohës! Shqipja nuk njihej. Nuk lejohej të shkruhej. Kush guxonte
të ngrinte kokën, ia prisnin. Ndaj, Naimi që e kishte provuar këtë realitet nuk
mund të pajtohej me të. Ai donte që shqipja të shkruhej, të njihej, të
zyrtarizohej, ndaj ai i bën opinionit intelektual perandorak njërën sfidë pas
tjetrës.
"Kam shkuar shumë herë në
Ishujt e Princave apo Ishujt Prinkipo në detin Marmara ose siç u thërresin
thjesht turqit “Adalar” (Ishujt) që janë pranë pjesës aziatike të Stambollit,
rajonit të Kadiqoit. Aty akoma banojnë rreth 10.000 banorë, të cilët me
shumicën e tyre janë rumë greqishtfolës. Ato janë 9 ishuj, 2-3 prej të cilëve
të pabanuar. Më të mëdhenjtë e tyre, ku banon shumica e popullsisë, janë
Byjukada, Hejbeliada dhe Kënallëada. Kam parë fytyrat e banorëve vendas që rrojnë
aty prej shekujsh. Kam parë artitekturën e banesave, vilat, rrugët, pajtonet që
i bien kryq e tërthor ishujve ngarkuar me turistë dhe, çuditërisht, më kujtojnë
diçka nga Shqipëria, nga njerëzit tanë, nga toka jonë, nga arkitektura e
ndërtimeve tona. Kam dëgjuar njerëzit të flasin veç turqishtes edhe greqishten
e Stambollit.
Kam parë me vëmendje sjelljet e tyre, qëndrimet e tyre, kam
përcjellë, sa herë kam shkuar në ishuj, pastërtinë e tyre, veshjen e tyre,
zakonet e tyre, qytetërimin e tyre. Ai sikur më sjell, ashtu mbyturazi, jehonën
e një bote tashmë të perënduar, botës bizantine. Ata sa vijnë e rrallohen dhe
aty vendosen vazhdimisht banorë të rinj.... Dikur aty kanë ardhur rilindësit
tane dhe ata osmanë, si dijetari Hoxha Tahsin, Sami Frashër, poeti Naim, rilindasi
Pashko Vasë, prijësi Ismail Qemal, aristokrati Munif Pashë, Ahmet Xhevdet Pashë etj. etj.
Ishujt, si në shekuj në të kaluarën
ashtu edhe sot, kanë qenë vend verimi e vend pushimi. Vilat
dy-trekatëshe apo më të mëdha qarkojnë ishujt. Aty vinin në kohën e Naimit
pasanikët e Stambollit me familjet e tyre, pashallarë e bejlerë, funksionarë të
lartë të shtetit, rumët e pasur, armenët, jahudinjtë (çifutët), por edhe
personalitete të artit e të shkencës, të arsimit e të kulturës, madje një
pjesë e tyre kishin vilat verore (jazllëk-et-turqisht – L.B.). "
Në Hejbeliada ka
qenë shkolla e priftërisë, e priftërinjve ortodoksë. Ajo ka një bibliotekë
shumë të pasur 400-vjeçare a më tepër. Aty mund të gjesh libra të vyera si për
shekujt bizantinë ashtu edhe princat e Ballkanit, përfshi edhe ata shqiptarë,
për Skënderbeun, për historinë e rumëve greqishtfolës, banorë autoktonë të
këtyre trojeve. Aty duhet të ketë literaturë të pasur për Voskopojën, për
Rilindjen e rilindësit shqiptarë, përfshi edhe Naimin tonë, për botuesit rumë
me të cilët pati të bëjë ai, koleksionet greqisht të gazetave e revistave si “Neologosi”
me të cilën polemizoi Shemsedin Sami Frashëri, apo ku u botuan poezitë e Abedin
Dinos, periodikë si “Qiriksi”, ku u botua studimi për veprën persisht të Naimit
“Ëndërrimet” etj. etj.
Biblioteka e shkollës së Patriarkanës së Stambollit ruan
thesare për historinë e Turqisë, të Greqisë, të Shqipërisë, historinë e
ortodoksizmit ballkanas. Ajo pret studiuesit e sotëm e të nesërm, për t’u hapur
gjirin e vet. Aty duhet të ndodhen edhe botimet greqisht të Naim Frashërit e
plot gjëra me vlerë të shkruara nga rilindësit. Me sa di unë, hulumtues
evropianë apo amerikanë kanë shkuar mjaft, por shqiptarë nuk besoj se ka shkuar
njeri. Gërmimet edhe në këtë bibliotekë shekullore mund të na befasojnë me “zbulime
të reja”...
Aty ruhen libra unike në llojin e vet dhe që s’i gjen në asnjë vend
tjetër Naimi, që e kishte greqishten si gjuhën e tij amtare dhe e dinte në
perfeksion, nuk ka si të mos jetë frymëzuar nga muzat greke. Fakti që ai shkroi
edhe në greqisht është dëshmia më e mirë për këtë... Sot, nga lartësia e 150
vjetëve nga vdekja e Sollomosit dhe mbi 100 vjet nga largimi i Frashërit, ne
jemi në gjendje të çmojmë më mirë si vlerat e tyre për kombet respektive edhe
mesazhet e tyre për miqësinë e paqen e kahershme si ure kulturore midis popujve
fqinjë...