Monday, October 21, 2013

Mbi gjysëm shekulli mjek e pedagog…nga Dr.Laurant Bica

Një nga duajenët e mjekësisë shqiptare,  Profesor Emeritus Doktor Hektor Çoçoli.



Nga
Dr. Laurant BICA
H y r j e

Atë e respektojnë dhe e nderojnë kudo në punë,në shoqëri,në zonën ku jeton,në mjedisin familjar të ngushtë dhe të gjërë,brënda dhe jashtë Shqipërisë.Sapo kalon derën e Universitetit Kristal,ku punon këto 6-7 vjetët e fundit,pas daljes në pension,e ndjen këtë gjë.Fillon me portierin e rojet e sigurisë dhe vazhdon me punonjësit e shërbimeve,të prapavijës e të pastrimit,me sekretaret,me pedagogët e fakulteteve të ndryshme,dekanët e deri tek rektori,drejtoresha egzekutive e vetë presidenti i kompanisë,zoti Ahmet Muça.Nderimi për të mbetet po njësoj ,si kur ishte rektor i universitetit edhe tani që është në krye të Qëndrës për Kërkime Shkencore të Universitetit Kristal.Pa e tepruar mund të themi me plot gojën se Prof.Dr.Hektor Çoçoli është kthyer në një simbol të universitetit tonë si brenda dhe jashtë tij dhe në kanalin televiziv “Planet”. Në raste të ndryshme ai ka dalë në këtë media elektronike,sikurse dhe në të tjera,duke prezantuar me dinjitet,si punën e vet,ashtu dhe atë që ka bërë e bën për Universitetin Kristal.

Profesor  Hektor Çoçoli


-Po kush është zoti Hektor Çoçoli?
Të gjithë e shohim pothuajse përditë, e kemi midis nesh,ashtu pa rënë në sy,me atë thjeshtësinë që e karakterizon.Po sa e njohim?Themi se e njohim por pak e dimë se ç’përfaqëson ky personalitet i mjekësisë,arësimit dhe shkencës shqiptare.Më saktë dua të them se e njohim dhe s’e njohim.Na kalon para syve tanë pa e vënë re,pa e ditur mire se me kë kemi të bëjmë.Sigurisht në kornizat e një shkrimi si ky nuk mund të futet jeta e një njeriu që i ka kaluar tashmë shtatë dekadat dhe që ka mbi pesë prej tyre të mbushura me punë në shërbim të njerëzve , të shoqërisë.
Cila është jeta e tij?Po ta thoshim shkurt me vite mund ta periodizonim pak a shumë kështu, faza e parë Prejardhja,ambjenti familjar,fëminia,rinia,shkollimi që ngërthen një periudhë nga viti 1939-1960.

Faza e dytë Është koha kur emërohet në Tropojën e largët dhe kalon aty pesë-gjashtë vjet,1960-1966.

Faza e tretë Përkon me kthimin në Tiranë,nga 1967 e deri më 1975,kur punon si pedagog i thjeshtë në fakultetin e mjekësisë.

Faza e katërt Kur bëhet zv.dekan i fakultetit të mjekësisë për problemet shkencore,1975-1983.

Faza e pestë Kur ai vazhdon punën si shef departamenti në fakultetin e mjekësisë,pa e ndërprerë mësimdhënien si pedagog,si dhe punën në klinikë,1984-1997.

Faza e gjashtë Është ajo periodë kohe,kur pa u shkëputur nga fakulteti i mjekësisë,balanca anon nga puna si shef i klinikës së pneumologjisë në Spitalin

Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” (pra Senatorium),1997-2007.

Faza e shtatë Përkon me kohën kur del në pension dhe kalon si profesor i punësuar në Universitetin Kristal dhe më pas dhe rektor i tij.Pra vitet 2007-2013 e në vazhdim…



1.Prejardhja dhe shkollimi

Rrënjët e fisit të Prof. Dr.Hektor Çoçolit në Gjirokastër të dokumentuara kapin mbi dy shekuj e gjysëm përpara.I pari i tyre Isufi u muar me tregëti dhe i takon vitit 1750.I biri i tij Selfua i lindur më 1790 u bë latifondist i madh tokash.Pastaj në 6-7 breza,deri sa vijmë tek vetë zoti Hektor në fisin e vet në Gjirokastër gjejmë dhe juristë,gjykatës të dëgjuar, siç ishte tradita e vetë qytetit,edhe mjekë e mësues të zotë.Ndërsa tani në kohën tonë dy vëllezërit e Hektorit,Idajeti,më i madhi ,u bë profesor i fizikës dhe dha mësim në vite në Universitetin Bujqësor,Bashkimi inxhinjer elektrik,ndërsa e motra ,Bukuria dhe i shoqi Eshref Pumo morën drejtimin e gjeologjisë. Ky i fundit ka qënë dekan i fakultetit të gjeologjisë dhe një nga personalitetet më në zë në mbarë Shqipërinë.Djali i motrës, Besniku,u bë shef i lëndës së statistikës matematikore në Universitetin e Anzherit në veri të Francës;një mbesë është profesoreshë kimie në Universitetin e Otavës në Kanada dhe një mbesë tjetër, profesoreshë për shkencat inxhinjerike në Universitetin e Nju Xhersit në Amerikë.
Profesor Hektori lindi në Gjirokastër më 20.6.1939.Ende pa i mbushur një apo dy vjet,i ati,Nesheti, me familjen u çvendos në Tiranë.Aty ai përfundoi shkollën fillore dhe shtatëvjecare.Në vitin 1955 mbaroi studimet në Politeknikumin Mjekësor dhe po atë vit hyri në Universitetin e Tiranës,të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1960,duke u diplomuar si mjek i përgjithshëm .Ai kreu më pas në vite të ndryshme kurse specializimi për Ftiziopneumologji brenda dhe jashtë vendit si në Francë,Turqi e gjetkë dhe sot është ndër mjekët më të njohur në këtë specialitet të mjekësisë.Ndonëse jeta e ndau nga Gjirokastra ,ai kurrë nuk e harroi qytetin e lindjes.Në vitet 50,kur kreu fakultetin e mjekësisë,ai pati një shans të madh sepse në shumicë pedagogët ishin specialistë të huaj (rusë) nga më të mirët.Hektori duke qënë një student tepër i zellshëm e sistematik,doli me rezultate të shkëlqyera dhe u bë një mjeshtër i zanatit të vet…




2.Mjeku i përkushtuar

a.Në malësitë e Tropojës

Kur njeriu ende pa kryer shkollën e lartë,apo kur është në vazhdim të saj,sigurisht thurr edhe një sërë ëndrash për të ardhmen e tij.Duke qënë tiranas,ai mendonte se do të emërohej në kryeqytet.Nuk e pati të lehtë,kur i doli emërimi për në veriun ekstrem të Shqipërisë, për në Tropojë,por dhe nuk u dëshpërua.Nuk i kishte as 21 vjeç,kur bashkëmoshatarët e tij mbaronin universitetin 23 vjeç.Hektori kish hyrë 6 vjeç në shkollë,plus të mesmen mjekësore e kishte bërë me një vit më pak se më vonë u bë 4 vjet.Megjithatë djaloshi i ri, besnik i Urdhërit të Mjekut (Betimit të Hipokratit) nuk u thye.Gjatë viteve 1960-1965 punoi si mjek ftizio-pneumolog në qytetin Bajram Curri të rrethit të Tropojës,ku u dallua për përkushtimin me profesionalitet në ndihmë të mbrojtjes të shëndetit të banorëve të asaj treve të largët,jo vetëm në specialitetin e tij,por edhe si mjek i përgjithshëm.Meqënëse në Bajram Curri ai gjeti vetëm një mjek,nevoja e bëri të shërbente edhe si patolog,gjinekolog,pediatër.Në qëndrën shëndetësore të atyshme ai gjeti një personel mjekësor të përgatitur dhe të përkushtuar për punën.

Fillimi është i vështirë për këdo.Aq më tepër të vinje nga Tirana dhe pasi të kishe mbaruar një specializim një vjeçar me Doktor Shefqet Ndroqin.Njohja me malësorin tropojan Ali Mula,që kur shkeli aty, me humorin e tij të veçantë disi ja lehtësoi dhe detyrën e mjekut.”Doktor Hektori,”i thosh Aliu,kur po e përcillte herën e pare tek autobuzi për Tiranë,pas ardhjes në Tropojë,”mos u mërzit do të kthehesh shpejt!”(E kish fjalën për Tropojën!?)Doktori i ri s’kishte bërë as dy javë aty.Dhe si “për t’i dhënë kurajo” i thosh jo pa humor:”Të vështirë do ta kesh vetëm 4-5 vitet e parë,pastaj s’është më problem!?!”…

Ditët,muajt dhe vitet në vazhdim e bënë doktor Hektorin njeriun më të dashur të asaj treve.Me vrullin djaloshar,pasionin për profesionin dhe dëshirën për të ndihmuar këta njerëz të dashur por të varfër,nuk la fshat e shtëpi pa hyrë,në dimër e behar,ditën apo natën edhe 12 orë pa pushim.Në një rast,duke udhëtuar natën në dëborë,rrëshqiti nja tre metra poshtë.I hodhën litarin nga lart se qe errësirë.Porosia nga sipër jo pa humor:”Mos e ver litarin tek koka,por tek sqetllat!”.Tropoja për të qe një shkollë jete e vërtetë,të cilën ai e kapërceu me sukses.Nuk e harron ai atë përkujdesje dhe dashuri që tregonin për të si të ishte i shënjtë.Por dhe ai bëhej copë për njerëzit.

Në kushtet e vështira ekonomike shoqërore të asaj periudhe si dhe të terrenit të thyer malor,ai u gjendej për ndihmë mjekësore të gjithë banorëve të rrethit Tropojës gjatë gjithë vitit,kohë pa kohë,prandaj ata i janë mirënjohës për këtë përkushtim dhe gadishmëri.Në një rast të rëndë lindjeje të vështirë Dr.Hektori,duke mos patur rrugë tjetër,shpëtoi nënën ndërsa fëmija lindi i vdekur.Megjithatë i shoqi dhe i ati i gruas i mbetën për jetë mirënjohës atij,në kushtet e atij dimri të egër me mbi dy metra dëborë në Bajram Curri.Me punën e tij ai e bëri Dispanserinë e Tropojës,përgjegjës i së cilës ishte,një nga më të mirat në vëndin tonë,duke u përballur me tuberkulozin,sëmundje shumë e përhapur dhe kërcënuese për jetën e banorëve .Kjo gjë u realizua me anën e depistimeve masive dhe vizitave në çdo shtëpi të të sëmurëve me tuberkuloz.Duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha vatrat e infeksionit dha një ndihmesë të vyer në pakësimin e rasteve të reja me këtë sëmundje.

Pas largimit nga Tropoja ai nuk e harroi kurrë atë dhe mbeti “tropojan” gjithë jetën,duke ju gjendur tropojanëve edhe në Tiranë.Por as Tropoja s’e harroi asnjëherë atë.Në vitin 2009 ai u shpall “Qytetar Nderi” i Tropojës.Kishin kaluar plot 45 vjet.Ishte një nga ato vlerësime që i ngjalli emocione të fuqishme e i rizgjoi kujtimet e viteve 1960-1966…


b.Rikthimi në Tiranë.Me Dr. Shefqet Ndroqin
Mbas kthimit nga Tropoja për gati një vit,1966-1967 ai punoi si përgjegjës i Dispanserisë për sëmundjet e mushkërive në Tiranë.Nga fundi i vitit 1967 e më pas ai dha mësim si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në lëndën e Sëmundjeve të Mushkërive.

Ai u emërua si mjek asistent i profesorit të njohur Shefqet Ndroqi (1914-2001) në Klinikën e Ftiziologjisë pranë Institutit të Ftizio-Pneumologjisë, me të cilin bashkëpunoi për gati 30 vjet.Prej tij ai përfitoi jashtëzakonisht shumë.Ai u bë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe bashkë me një plejadë mjekësh të tjerë të shquar e shumë të kualifikuar si Dr.L.Kalmar,Dr.i Shkencave Sh.Karaulli,Prof.Dr.B.Bylyku,Prof.Dr.E.Selimi,Prof .Dr.Albert Sotiri etj. çuan më tej me sukses luftën kundër”sëmundjes së shekullit” siç qe tuberkulozi.Lufta kundër malarjes dhe tuberkulozit (veremit siç thotë populli) u kurorëzua me sukses në sajë të këtyre mjekëve të përkushtuar e të papërtuar më në krye “babain e pneumologjisë shqiptare” Prof.Dr.Shefqet Ndroqin.Hektori në sajë të aftësive të tij,të punës së tij plot pasion dhe të pasurimit të dijeve të tij si nga librat dhe nga terreni,arriti të bëhej bashkëpunëtori më i ngushtë i Prof.Ndroqit dhe krahu i djathtë i tij.Këtë gjë profesori e ka pohuar dhe me gojën e tij në kujtimet e veta:”Në fillim isha pedagog i vetëm,pastaj shef i klinikës me bashkëpunëtorë Dr. Hektor Çoçolin,qysh prej vitit 1967 dhe më vonë Dr. Jul Bushatin.Me të dy kam shkuar shumë mire e në harmoni të plotë,duke bashkëpunuar rregullisht,si për zhvillimin e procesit pedagogjik dhe të punës shkencore,ashtu dhe për t’u shërbyer të sëmurëve me ndërgjegje dhe cilësi.”

Aktiviteti i Prof.Dr.Hektor Çoçolit,bashkë me kolegët e tjerë prej më shumë se katër dekadash,ka ndjekur me rigorozitet ecurinë e tuberkulozit në vëndin tonë,ku ka dhënë ndihmesën e vet në profilaksinë,diagnostikimin dhe trajtimin e tuberkulozit.Prej shumë vitesh ai bën konsulta në spitalet e ndryshme të vëndit,duke mos u kursyer asnjëherë,për të dhënë ndinmën e vet.Shumica e Disertacioneve të mbrojtura nga mjekët në fushën e sëmundjeve të mushkërive,për të kërkuar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” kanë firmën e tij.Në këtë numur duhet përfshirë dhe mjeku tropojan Ram Matoshi që e mbrojti me sukses një temë nga fusha e tuberkulozit në zonën e Tropojës.


Në periudha të ndryshme ,nga viti 1983 deri më 2007 është zgjedhur shef i Klinikës së Ftiziatrisë dhe shef i Klinikës së dytë të Pneumologjisë.Gjithashtu ka qënë anëtar i Këshillit Shkencor në Ministrinë e Shëndetësisë,në Institutin e Higjienës dhe Epidemiologjisë,në Institutin Kërkimor të Mjekësisë Ushtarake;për shumë vite ka qënë anëtar dhe më pas kryetar i Komisionit Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për punë (KMCAP).


3.Pedagogu i standarteve të larta

Me punën e tij të madhe,cilësore dhe të vazhdueshme,me kualifikimet dhe specializimet në Shqipëri e jashtë saj,duke pasur në krah kolegë shumë të kualifikuar dhe me një akitivitet të pasur kërkimor – shkencor e pedagogjik,ai i ngjiti shpejt shkallët e rritjes cilësore të vet.Pas diplomimit si mjek më 1960,njëzet vjet më vonë,më 1980,ai fiton gradën shkencore ”Kandidat i Shkencave Mjekësore” në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.Më 1983 bëhet Docent,më 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Mjekësore” dhe një vit më pas,më 1994, bëhet “Profesor” në Universitetin e Tiranës.Në vitin 2008 merr titullin e veçantë “Profesor Emeritus” dhe po këtë vit në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”(Botimi i dytë) vol.1,faqe 400, Tiranë 2008,emri i tij me një biografi të shkurtër zë vend aty,shprehje dhe e konsideratës së qarqeve shkencore për ndihmesën e Prof.Dr.Hektor Çoçolit në rang kombëtar e më gjërë.
Gjatë viteve të punës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës Prof.Hektori ka dhënë lëndën e Pneumologjisë ndërsa pas pensionimit,kur kaloi në Universitetin “Kristal”,ai dha lëndën Sëmundjet e Brëndëshme dhe Fiziologjinë e Njeriut.Janë me qindra dhe me mijëra studentët që kanë kaluar në auditor,duke dëgjuar pedagogun e tyre të nderuar,Prof.Dr.Hektor Çoçolin.Nuk mund ta harrojnë ata ligjërimin e tij pasionant,të rrjedhshëm e të qartë. ” Asgjë nuk kushton aq pak dhe nuk

çmohet aq shumë sa sjellja e mirë!”do t’u thotë qysh në leksionet e para,mësuesi i tyre Prof.Çoçoli sepse mjeku nëqoftëse do që të jetë mjek në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale,duhet t’u përkushtohet të tjerëve,ai nuk i takon më vehtes.Nga babai i tij Nesheti,ai u përcjell studentëve,sidomos atyre të viteve të larta,fjalët e popullit në vargje:


“O more njeri me mend !

Mos e kërko në çdo vend,

Provoje në trupin tënd,

Si të dhëmb,ashtu më dhëmb!”


Një tipar i Hektorit si pedagog shprehet në atë se ai është tepër i rreptë e kërkues.Atë e karakterizon përgatitja e lartë pedagogjike si në mësimet në auditor, ashtu dhe në laborator apo në klinikën mjekësore;është lidhja e ngushtë e teorisë me praktikën e në këtë rast atë mjekësore.Gjithashtu ai çfrytëzon për pasurimin e leksioneve revistat shkencore mjekësore,botimet e reja,në anglisht e rusisht e në gjuhë të tjera që ai zotëron.Ai vetë është hartues i teksteve të lëndëve që jep.Nuk është e rastit që në shtator të 2011 Prof.Dr. Hektor Çoçoli u bë anëtar i Akademisë të Shkencave të Edukimit me kryetar Prof.Dr.Musa Krajën,si dhe u zgjodh në kryesinë e saj.
I pasur është dhe aktiviteti pedagogjik i Prof.Dr.Hektor Çoçolit.Ai punon me pasion dhe rigorozitet me studentët dhe mjekët specializantë,të cilët e ndjekin nga afër e me respekt,për të përfituar nga përvoja pedagogjike shumëvjeçare e tij.Ai ka zhvilluar ligjërata interesante edhe në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin “Kiril i Metodi”në Shkup të Maqedonisë.Përndryshe nuk do të ishte aq i vlerësuar dhe i dëshiruar nga studentët e mjekësisë…


 

4.Drejtuesi dhe Organizatori

STAFI DREJTUES I UNIVERSITETIT KRISTAL

 Gjatë viteve 1975-1983 ka qënë zëvëndës Dekan për problemet shkencore pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.Në këtë rol ai ndikoi së tepërmi në rritjen e vazhdueshme të nivelit shkencor të trupës pedagogjike.Punimi i tij shkencor mbi patologjitë mediastinale u bë udhërrëfyes i vërtetë i studentëve e i mjekëve pneumo-ftiziatër.N’atë periudhë ka qënë Dekan i Fakultetit të Mjekësisë,një figurë e shquar e kësaj fushe si Dr.Ciril Pistoli,i cili ka mbajtur për një kohë relativisht të gjatë edhe postin e Ministrit të Shëndetësisë.Para tij në këtë post si dekan ka qënë Dr.Medar Shtylla,pra në vitet 50,kur Hektori ishte student.Kolegë si zv/dekanë ka pasur Prof.Dr.Viron Xhillarin për anën mësimore dhe Prof.Dr.Ylber Vehbiu për specializimin pasuniversitar të mjekëve.Me të tre këta kolegë ka pasur një bashkëpunim shumë të mire dhe ka përfituar sidomos nga përvoja e vyer e Dekanit Dr.Ciril Pistoli.

Gjatë gati një dekade që qe në këtë detyrë ai rriti aftësitë drejtuese e organizative.Asnjëherë nuk e ndërpreu punën në auditor dhe në klinikë, ku ai bënte jo vetëm mjekun po edhe drejtuesin e stafit mjekësor.Kjo përvojë e fituar më vonë,kur do te fillonte punë në Universitetin Kristal më 2007 pas daljes në pension,do t’i vlente në detyrën e rektorit në këtë institucion privat nga më të mëdhenjtë në Shqipëri.Ardhja e Profesor Hektorit në këtë post u duk në një sërë ndryshimesh të rëndësishme që u reflektuan në jetën e Universitetit.E paharruar për Hektorin do të mbetet marrëveshja e nënëshkruar me Universitetin e Tetovës,Maqedoni ,me rektorin homolog Prof.Dr.Agron Reka.Ishin impresionante takimet qoftë në Tiranë në mjediset e Universitetit Kristal,qoftë në Tetovë.I paharruar e mbresëlënës do të mbetet për të dhe takimi tjetër me aktoren me origjinë shqiptare të Hollivudit,Eleni Dushku,e cila para se të largohej në SHBA,vizitën e fundit e bëri në Universitetin Kristal.Pasi pa Universitetin ajo do të deklaronte e entusiazmuar:”Më vjen mirë që vizitën time në Shqipëri po e mbyll në një Universitet dhe për më tepër si ky i Juaji”.


Nga konferencat shkencore të organizuara në Universitetin Kristal,ku spikatën aftësitë e tij drejtuese e organizative,do të veçoja Konferencën me mjekët e familjes për sëmundjet e mushkërive dhe të tuberkulozit,mbajtur në Filialin e Fierit,Konferencën me karakter ndërkombëtar për reformat për integrimin në BE të Shqipërisë si dhe një Seminar me doktorantët e Universitetit Kristal për shkëmbim eksperience.Dy tre prej atyre që i kishin mbrojtur respektivisht doktoratat në Tiranë, në Romë dhe në Oksford të Anglisë,ju dhuruan nga një buqetë me lule, nga një stilograf dhe nga një libër. S’kish dhuratë më të bukur e kuptimplote!Për pjesëmarrësit dhe për vetë doktorët e rinj të shkencave ky qe një seminar i paharruar.
Aktualisht Prof. Dr. Hektor Çoçoli drejton Qëndrën Kërkimore-Shkencore dhe të Zhvillimit të Universitetit Kristal (QSHUK).Është inisiator i nxjerrjes së revistës “Hulumtime Shkencore” të Universitetit Kristal që tani ka arritur në numurin e saj të gjashtë.Rezultat i punës së tij të palodhur është shtimi i botimeve shkencore në Shtëpinë Botuese Kristal e Shtypshkronjën e saj si dhe është në rritje numuri i absolventëve që synojnë të mbrojnë gradat shkencore “Doktor i shkencave” e më tej.




5.Shkencëtari i palodhur

Emri i Prof.Dr. Hektor Çoçolit prej kohësh është bërë një nga emrat më të shquar të mjekësisë shqiptare.Në librin e Prof.Dr.Flamur Tartarit “Gjurmë të mjekësisë shqiptare”,vol.5,faqe 80-86,Tiranë 2007,ai në 6-7 faqe flet për figurën e mjekut Hektor Çoçoli.Jam i bindur që po të ishin gjallë Prof.Dr.Fejzi Hoxha dhe Prof. Dr. Kadri Kërçiku që respektivisht kanë shkruar “Histori të zhvillimit të mjekësisë në Shqipëri” dhe “Histori të zhvillimit të mjekësisë për Tiranën” me siguri do të kishin shkruar për ish studentin dhe kolegun e ri të tyre siç ka bërë ish kolegu dhe ish studenti i tyre Doktor Flamur Tartari në ditët tona.
Në personin e Prof.Dr. Hektor Çoçolit kemi jo thjesht një mjek e pedagog por dhe një shkencëtar të talentuar.Këtë e dëshmon gjithë jeta e tij, tërë veprimtaria e tij dhe mbarë botimet e tij në Shqipëri e jashtë saj.Aktiviteti i tij shkencor është shumë i madh, i gjithanshëm dhe shumëcilësor.Ka marrë pjesë aktive në shumë sesione,konferenca,simpoziume dhe kongrese mjekësore shkencore, të zhvilluara në Shqipëri dhe jashtë saj në vënde të ndryshme të botës.Ai sidomos në Shqipëri,ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkencore,si për problemet e sëmundjeve të mushkërive ashtu dhe për ato të tuberkulozit ,të zhvilluara në Tiranë apo qytete të tjera të vëndit; në konferencat e organizuara me mjekë të huaj;në konferencat mjekësore të organizuara nga specialitetet e tjera, ku ka diskutuar për problemet e sëmundjeve të mushkërive.Ka botuar studime të shumta,monografi,tekste mësimore,libra për probleme të tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive, artikuj shkencorë etj.Botimet janë bërë në Shqipëri dhe në revista të huaja an’ e kënd botës.Ja ç’thuhet në “Bulletin of Medical Sciences” Vol.43,nr.4,faqe 67,Tiranë 2012:”Kontribut të çmuar në aktivitetin klinik,mësimor e shkencor të klinikës së pneumo-ftiziatrisë dhe në luftën kundër tuberkulozit kanë dhënë realisht dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Shefqet Ndroqit,Hektor Çoçoli,Jul Bushati dhe Bedri Bylyku.”

Nëpërmjet studimeve shkencore të tij si autor apo bashkëautor,Hektori ka paraqitur dhe paraqet me dinjitet dhe profesionalitet të lartë arritjet më të mira të shkencës mjekësore shqiptare në fushën e ftizio-pneumologjisë,një pjesë e të cilave është botuar në shtypin mjekësor periodik vendor dhe të huaj ose është referuar apo paraqitur në formë posterash si brenda ashtu dhe jashtë shtetit.Poashtu ka marrë pjesë aktive në tryeza të rrumbullakta të organizuara në Francë,Rusi,Rumani,Itali,Tunizi etj.Në mjaft konferenca mjekësore ai ka drejtuar seanca të veçanta si brenda ashtu dhe jashtë vëndit,ndërsa në disa ai ka qënë i ftuar nderi.Tani së voni pas viteve 2000 ju dërgua ftesa nga Singapori i largët në Azi ,për të asistuar në një konferencë botërore të mjekësisë si një nga drejtuesit kryesorë të saj…

Prof.Dr.Hektor Çoçoli është autor i disa monografive dhe bashkëautor tekstesh apo librash si “Tuberkulozi”(1977),”Adenopatia trakeobronkiale dhe diagnoza diferenciale e saj”(1982)(Kjo temë ka qënë disertacioni shkencor që e realizoi nën udhëheqjen direkte të Prof.Dr. Shefqet Ndroqit);”Sëmundjet e Mushkërive”(1988),”Kriteret orientuese për përcaktimin e Aftësisë për Punë”(1986) që do të pasohej me “Kriteret Orientuese për përcaktimin e Aftësisë në Punë të invalidëve për tuberkulozin”(1991);”Sëmundjet e Brëndshme”(1990,për stomatologët);”Menaxhimi i tuberkulozit në nivel rrethi”(2000);”Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike”(2002);”Tuberkulozi”(2007) dhe “Sëmundjet e Brëndëshme”(2010, për studentët e farmacisë dhe stomatologjisë),duke qënë bashkëautor me kolegun e tij të nderuar,Prof.Dr.Bedri Bylyku.Në dorë profesor Hektori ka një libër shumë interesant që pritet ta botojë së shpejti.Libri i drejtohet një lexuesi të gjërë.S’duhet lënë pa permëndur se profesori është dhe anëtar redaksish të disa revistave mjekësore ndërkombëtare.

Është anëtar gjithashtu në shoqata mjekësore që merren me sëmundjet e mushkërive siç janë “Shoqata e Pneumologëve të Shqipërisë”,”Unioni Medical Balcanique”,IUATLD (International Union Against Tuberculosis and Lung Diseases),SPLF (Societe de Pneumologie de langue Française),”Federazione Italiana Contro la TB e le Malattie Polmonari e Sociali” dhe “Scientific and Medical Association International of Phthisiology” me qëndër në Moskë dhe antar i “New –York Academy of Sciences”.

Profesor Çoçoli ka pasur marrëdhënie pune dhe korespondencë të rregullt me disa nga figurat më në zë të mjekësisë botërore, (“njëshat” e saj) në fushën e Pneumoftiziologjisë si Sër Xhon Krofton në Skoci,Prof. Zhak Kretien në Francë,Prof. Komenko në Rusi,Prof. Oto Shvajger në Hungari,Prof Anastasatu Konstandin në Rumani,Prof.Bertran Docemberg në Francë dhe Prof. Rudolf Ferlinc në Gjermani.Me Sër Xhon Krofton,personalitetin më të shquar botëror në fushën e sëmundjeve të tuberkulozit,Prof.Hektori ka pasur marrëdhënie të ngushta.Ata i bashkonte një respekt i ndërsjellë,reciprok.Kur teksti i Sër Xhon Kroftonit për tuberkulozin u përkthye në shqip,ai i kërkoi Hektorit,që parathënien e tij ta shkruante ai vetë.Ky personalitet me famë botërore,që mua më kujton Sër Bertran Rasell,një nga majat e filozofisë,logjikës e matematikës sot në botë,e donte dhe e çmonte shumë Prof.Dr. Hektor Çoçolin.

* * *

Gjatë rreth një çerek shekulli,por sidomos në dekadat e demokracisë,profesor Hektori i ra kryq e tërthor botës në simpoziume,konferenca e kongrese për tuberkulozin e përgjithësisht sëmundjet e brëndëshme sidomos të mushkërive.Diku i ftuar nderi,diku në grupin shkencor për përgatitjen e kongreseve botërore,diku në presidium e diku drejtues seancash.Ai lëvizi cep më cep,nga njëri kontinent në tjetrin,duke filluar nga Evropa në Azi,në Afrikë e deri matanë oqeanit,në Amerikë.Nga Moska e Rusisë deri në Siatëll të SHBA;nga Lome e Togos deri në Welfezen të Hollandës,nga Parisi i Francës deri në Teheran të Iranit, nga Marakeshi në Marok deri në Kajro të Egjyptit e kështu me rradhë.Sidomos në Europë,ai shkeli nga njëra anë e kontinentit në tjetrën ,nga Athina,Stambolli e Ankaraja deri në Skoci të Anglisë.Vetëm në Paris mund të ketë shkuar rreth 10 herë.Kudo që shkonte ai jo vetëm i përmbahej programit që kishin përgatitur organizatorët e konferencave shkencore,por ai patjetër do të kërkonte,nëqoftëse mungonin,një vizitë në universitetin dhe muzetë kryesore të atij vëndi.Dua të theksoj se Hektori ka qënë bashkëautor në dy botimet e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar,si atij të 1985,ashtu dhe atij të 2008 – 2009 që doli në tre vëllime.Në botimin e dytë hyri si zë i veçantë dhe emri i tij,i shkruar nga Prof.Dr.Elez Selimaj.


Gjatë këtyre udhëtimeve nëpër botë,pjesë e tyre kanë qënë dhe takimet me bashkë-
atdhetarë ,të cilët e kanë nderuar dhe respektuar më së miri.Po sjell sa për ilustrim,pritjen që ju bë kur shkoi në një kongres botëror në SHBA.Në Nju Jork atë e pritën dhe e shëtitën gjithandej shqiptarët me banim aty.Atij ju bë një pritje e ngrohtë në Selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra”.

Për nder të tij u shtrua dhe një drekë në një lokal aty afër.Atje ai vizitoi një rradhë muzesh të Nju Jorkut, midis të cilëve atë Metropolitan,e çuan në Manhatan,në zonën ku është Selia e OKB,në lagje të ndryshme të Nju Jorkut;i shtruan një drekë në katin e 110 të njërës prej dy “Kullave Binjake” në një restorant lluksoz,e çuan në Operan e Nju Jorkut etj. etj.Janë çaste të paharruara që i kaloi në shoqërinë e njerëzve të një gjaku,të miqve të vet etj.



6.Njeriu i nderuar
          
 Nëqoftëse do të  të jepnim portretin e Profesor Doktor  Hektor Çoçolit si njeri, ja disa tipare të tij  :

  • Njeri fisnik, gjë që i ka rrënjët jo vetëm në prejardhjen e tij me breza qytetare,por për më tepër manifestohet kjo cilësi fisnikëria në çdo hap të tij,në sjelljen e qëndrimin e tij.

  • Thjeshtësia është një tipar tjetër i Hektorit që të bie në sy që në takimin e parë me të,po dhe në vazhdimësi kudo e kurdoherë.

  • Humanizmi.Këtë e sheh jo vetëm në aspektin si mjek që është i pakursyer ndaj kujtdo qoftë,student,koleg, njerëz të ndryshëm etj. po edhe si njeri.Në një emision televiziv që u bë për zonën e Petrelës,ku qe i ftuar ,ai dha ndihmesën e vet.Redaktori i emisionit u habit me dashurinë që ushqenin banorët e zonës për këtë mjek të nderuar.Dekada më parë kish punuar aty dhe kish bërë depistimin masiv të banorëve të saj.Si mund ta harronin petrelasit këtë mjek e njeri humanist!

  • Korrektësia.Është një nga standartet e sjelljes permanente të zotit Hektor,që ka të bëjë me qëndrimin serioz të tij ndaj punës(si orari etj.) dhe ndaj njerëzve,karakteristikë dalluese e një jete të tërë.

  •   Etika me njerzit.Kjo spikat vazhdimisht tek ai.Të bie në sy sidomos komunikimi i ngrohtë me të sëmurët dhe personelin mjekësor etj.

  • Aftësia për punë.Janë dekada të tëra që dëshmojnë më së miri këtë.Ai i qëndron punës mbi kokë dhe s’i ndahet asaj.E kërkon atë dhe nuk mund ta kuptojë vehten jashtë saj.Tërë jetën i është kushtuar asaj,si mjek u ka shërbyer njerëzve me devocion dhe ka qënë i papërtuar kurdoherë.

Tek profesor Hektori gjen një njeri të gjallë,tepër aktiv,qoftë si pedagog,qoftë si mjek,si drejtues,një njeri të shkathët.

  • Idealist si njeri. Ai kurrë nuk është marrë me gjëra të vogla,ka pasur dhe ka disa qëllime në jetë që ja ka vënë vehtes që kur ishte i ri dhe ka punuar me vendosmëri për realizimin e tyre.Kurrë interesi material dhe paraja për të nuk kanë qënë një qëllim në vetvehte por veçse një mjet i nevojshëm për njeriun që i lehtëson jetën dhe ja bën më të mirë atë.

  • I kulturuar.Çiftin Çoçoli e ke sa në Opera aq në teatër apo vizitë në një ekspozitë apo muze,si brënda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Po të bisedosh për muzikën psh.konstaton se ai është ndjekës i rregullt i jetës kulturore e artistike të vëndit.Dhe kjo sigurisht pa zhurmë e bujë. Ajo është bërë pjesë e mënyrës së tij të jetesës.

  • I mënçur.Populli përdor shprehjen e goditur,burrë i mënçur kaq “derhem” apo “karat”.Një prej tyre është dhe profesor Hektori.Padyshim s’ka nevojë të zgjatemi.Kemi të bëjmë me një njeri të fushës së dijes,që këtë mençuri e dituri e ka manifestuar në tërë veprimtarinë e vet,në bisedat e veta,e ka shprehur në librat e tekstet shkollore të veta.Për këtë flet dhe biblioteka e madhe që ka në shtëpinë e vet.Midis librave të tjerë janë dhe tre libra voluminozë me arritje dhe informacion më të fundit të shkencës së mjekësisë botërore për sëmundjet e mushkërive,botime të vitit 2009.Profesor Çoçoli di t’i ruajë gjërat e veta,shkrimet,dokumentat ,fotografitë etj. si një arkivist i mirë dhe i gjen në çdo moment , kur i duhet.

  • Familjar i mirë.Po them vetëm një detaj për ta ilustruar këtë.Hektori ka shëtitur nëpër botë nëpërmjet pjesëmarrjes në konferenca shkencore.Në një pjesë të mirë të tyre shok i pandarë me të ka qënë shoqja e vet e jetës,Lirika.

  • Humori. Do të ishte e mangët figura e njeriut Hektor Çoçoli,nëqoftëse nuk do të permëndnim këtë tipar thelbësor të tij që ai e manifeston në punë,në universitet,në mjedisin shoqëror, në familje,duke i zbukuruar bisedat e tij me humorin e tij të hollë ,me shakatë e anekdotat e këndëshme.Edhe në një mbledhje nga më seriozet,ai do të gjejë mënyrën,për ta lezetuar sipas vëndit e rastit me humorin e tij,duke i bërë njerëzit të qeshin shëndetshëm e me shpirt.



P ë r f u n d i m:

Gazeta “Tirana Observer” e 28 Korrikut 2007 nën okelion “100 mjekët më të shquar të Shqipërisë gjatë periudhës 1862-2006” jepte dhe emrin e Prof. Emeritus Doktor Hektor Çoçolit dhe fliste për të.Komentet janë të tepërta.Ai është një personalitet në mjekësi dhe një personalitet shoqëror i gjithanshëm.Siç i përmëndëm më sipër vlerësimet e merituara për të,të Prof.Dr.Shefqet Ndroqit,Fjalorit Enciklopedik Shqiptar etj. etj.,të shokëve,miqve,kolegëve flasin shumë për figurën e tij.Ai është nga ata intelektualë të zot e të nderuar që populli i quan “pesha të rënda”,përfshihet midis atyre njerëzve që përbëjnë “trurin” e një populli e një kombi.Ironia dhe paradoksi me njerëz si Hektor Çoçoli është se të huajt i ngrenë në qiell, u japin vëndin që meritojnë, kurse në Shqipëri këta njerëz, “njësha”të profesionit të tyre që na nderojnë në botë,janë lënë edhe sot e kësaj dite jashtë dyerve të Akademisë të Shkencave .Është për të ardhur keq,që njerëz nën këto nivele që po flasim,që s’e meritojnë, kanë “uzurpuar” vëndet e Akademisë,duke çfrytëzuar shpesh dhe anën partiake të tyre.Po Prof.Dr. Hektor Çoçoli s’është i vetmi i tillë si akademik jashtë akademisë.Njerëz të tillë ka mjaft.Po permënd disa që i kam njohur vetë si Profesor Koli Xoxi,Albanologu Niko Stillo,Mjeku erudit Apollon Gjebrea,Biologu e botanisti i shkëlqyer,shkencëtari Mustafa Demiri,që sot s’është gjallë e plot të tjerë.Njerës si Profesor Emeritus Hektor Çoçoli,që kanë miq në sferat më të larta të partive politike,kanë preferuar të rrinë jashtë politikës…

Një personalitet si Prof.Dr.Hektor Çoçoli të huajt kanë ditur ta vlerësojnë.Gjatë jetës, në Austri e në SHBA etj., ai ka pasur oferta,për të punuar e jetuar në këto vënde,duke çmuar profesionalizmin,aftësitë e standartet e tij intelektuale.Bile në SHBA ai është anëtar i “New York Academy of Sciences”.Megjithatë Hektori si njeri idealist që është,ka preferuar t’i shërbejë popullit të vet ,kombit të vet,atdheut të vet, Shqipërisë.

  • Dua ta përmbyll këtë shkrim për një njeri të nderuar si Prof.Dr.Hektor Çoçoli,duke shprehur optimizmin se figura e personalitete të tilla më shumë se ata vetë për kombin,ka nevojë kombi për ta.Ky personalitet i ra kryq e tërthor anembanë botës.Nisi me Kosovën,Prishtinën, në vitet 70 me minibus dhe autoveturë dhe pastaj në fillim të viteve 80, në vitet 90 dhe fillim të viteve 2000,për më se një çerek shekulli, udhëtoi me avion në të katër anët e botës.Ai u kthye në një lloj “Evlija Çelebiu” i llojit të vet.Në rast se udhëtari i mirënjohur turk i shekullit të 17-të udhëtonte majë kalit në hapësirat e stërmëdha të Perandorisë Osmane (që atëhere ish në kulmin e vet dhe shtrihej në tre kontinente) dhe jashtë saj në Europë,Prof.Hektor Çoçoli ,majë avionit do të rrihte hapësirat e botës në katër kontinente,Europë,Azi,Afrikë e në Amerikë .Duke qënë një admirues i zjarrtë i leximit,historisë,gjeografisë,arkitekturës,pikturë s,muzikës,udhëtimeve,ai duke vizituar rreth 30 vënde të botës,u kthye në një lloj “Evlija Çelebiu” të kohës sonë,bile duke ja kaluar disa herë atij.Aq u bënë të shpeshta këto ecejake nëpër botë një kohë, në vitet 1994-1998 me tre deri në pesë udhëtime në vit nëpër forumet shkencore ndërkombëtare,sa kolegët e mjekësisë i thoshin gjysëm me shaka:”Hektor,mos zbrit nga avioni kur kthehesh,por na telefono,të të njoftojmë për ftesën e rradhës dhe vazhdo rrugën n’atë drejtim.”

Për Universitetin Kristal është nder e krenari që ka në gjirin e vet një personalitet të këtyre përmasave si Profesori i Merituar Doktor Hektor Çoçoli. Autori i këtyre rradhëve është po ashtu krenar që një njeri të tillë e njeh personalisht…

Dr. Laurant Bica



  BOTUAR TEK GAZETAT METROPOL DHE TELEGRAF,  VITI 2013

No comments:

Post a Comment