Monday, October 21, 2013

Samiologu Vasfi Samimi - nga Dr. Laurant Bica

Nga
Dr. Laurant BICA

1. Midis samiologëve


Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, dr. Vasfi Samim Visokën e gjejmë në Tiranë si pedagog në Universitetin Bujqësor, apo siç njihej në atë kohë Instituti i Lartë Bujqësor. Krahas punës në auditor ai merrej dhe me orientalistikë. Një nga figurat që ai i kushtoi një vëmendje të madhe për më tepër se dy dhjetëvjeçarë është dhe Sami Frashëri.
Ndonëse ai punoi gjerësisht me të, duke parë materialet e shumta që kemi në dorë të trashëguara prej tij në dosjet për Sami Frashërin, konstatojmë se ai pak arriti të botonte. Jo se nuk desh, por nuk deshën të tjerët që ai të jepte ndihmesën e tij. Rruga e botimit, megjithë përpjekjet e tij të parreshtura, mbeti për të de facto e mbyllur. Shumë-shumë, ai arriti të botojë për Samiun dy-tre artikuj në shtypin e kohës, si: - një material për gruan në revistën “Shqiptarja e Re”; - një material për Sami Frashërin në fushën e bujqësisë, në revistën shkencore “Horizonti”; - dhe një artikull për jetën e tij personale në gazetën “Drita”; mbase edhe ndonjë gjë tjetër të vogël andej-këndej në ndonjë organ si gazeta “Bashkimi”.
Ndërkohë që në dosjet e tij figuronin me dhjetëra e dhjetëra faqe punime, përkthime, hulumtime shkencore etj., për rilindasin Sami Frashëri. Po ashtu ai kish bërë përkthime edhe për Samiun për llogari të Arkivit të Shtetit, arkivit të Institutit të Historisë e Gjuhë-Letërsisë, arkivit të Institutit të Folklorit, etj. Për fat të keq këto materiale edhe sot e kësaj dite nuk e kanë parë dritën e botimit, por, edhe kur ka ndodhur në ndonjë rast sporadik një gjë e tillë, emri i tij nuk është përmendur. Dolën dy vëllime për Sami Frashërin, për veprat e tij, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, por, megjithë ndihmesën në përkthime të dr. Vasfiut apo për verifikimin e saktësisë së këtyre përkthimeve nga osmanishtja, emri i tij nuk u përmend kurrkund.
Sa qe gjallë ai iu drejtua Vito Kapos, në atë kohë presidente e Forumit të Grave të Shqipërisë, për botimin e një punimi të tij për gratë, por rezultantja qenë vetëm disa citate të Sami Frashërit të botuara në revistën e grave të Shqipërisë. Iu drejtua rektorit të kohës, prof. Lufter Xhuvelit, të Institutit të Lartë Bujqësor ku punonte edhe vetë, dhe mezi mori një përgjigje të thatë prej tij. I thonte se kish gati përkthime nga origjinali osmanisht për bujqësinë e shkencat e natyrës, por kërkesa e tij binte në vesh të shurdhër. Shohim një përpjekje të tij nga Lidhja e Shkrimtarëve, me kritikun letrar Dalan Shapllo, për përkthimin e një drame origjinale nga osmanishtja: “Giave”, me subjekt çlirimin nga vargonjtë pushtues, por megjithë dëshirën e mirë të të dy palëve nuk u bë gjë. Drama deri sot që po shkruajmë, për 33 vjet, “fjeti” në dosjet e dr. Vasfiut për Sami Frashërin.
Mund të vazhdonim gjatë me përpjekjet e dr. Samimit për të nxjerrë në dritë Sami Frashërin “e tij”, se ai nuk ndenji asnjë minutë rehat në vitet ’60-70 të shekullit XX, por ato përfundonin pa sukses.
Veç kësaj kish dhe ndonjë që, duke parë përpjekjet e tij për të bërë diçka për Sami Frashërin, një ditë e ndali dhe i tha: “Samim, çfarë do të bësh ti për Sami Frashërin? Nuk e shikon se po merremi ne!”. Nuk dua të zgjatem me atë se kush është ky njeri, por doktorit tonë këto e fjalë të tjera të ngjashme e mërzitën dhe, siç më tregojnë njerëzit e shtëpisë pas kaq dekadash nga vdekja e tij, kur u kthye shpërtheu: - “Ç’janë këta njerëz! Ç’mendojnë se Rilindja Kombëtare është çiflig i tyre? Sami Frashëri është një arë e tillë kaq e madhe sa jo unë por dhjetëra njerëz e institute të tëra po të merren, prapë nuk ia dalin dot! Ç’është ky mentalitet! Ç’janë këta njerëz shpirtvegjël! Kush ua jep të drejtën të më ndalin në rrugë e të më “ndalojnë” të merrem me Sami Frashërin! Harrojnë se dielli i shkencës ndriçon për të gjithë!”.
Nga bisedat që kemi bërë me të dhe nga librat e artikujt që kemi gjetur në dosjet për Sami Frashërin, vijmë në konkluzionin se ai i njihte të gjithë ata që merreshin me Samiun, qoftë personalisht, qoftë nga ato ç’ka kishin shkruar për të, si artikuj të ndryshëm shkencorë e publicistikë, ashtu dhe botimet e tyre. Vasfi Samimi është marrë me tërë “samiologët” shqiptarë, bile dhe vetë u bë njëri prej tyre, pavarësisht se s’iu dha mundësia nga rrethanat e kohës që të botonte e të njihej nga opinioni shkencor e më gjerë si një studiues i Sami Frashërit. Krijimet, studimet, përkthimet e tij mbetën për mëse tre dekada “të ngujuara” në dosjet e tij. Tani erdhi koha që ato të dalin në dritë të diellit.
Ai i njihte të tërë samiologët e kohës së vet, duke filluar që nga më i vjetri Kristo Frashëri, pastaj duke vazhduar me një kolegun e tij në Institutin e Lartë Bujqësor, Esat Reson, prof. Zija Xholin, punonjësin e Bibliotekës Kombëtare, Zyber Bakiu, dhe studiuesin në Institutin e Historisë, Shaban Çollaku.
Këtë të fundit e arriti në të gjallë të tij, por s’pati relata të ngushta me të. Duke rrëmuar në shënimet e tij konstatojmë se ish përpjekur ta takonte, dhe, në dallim nga gjithë të tjerët që merreshin me Samiun, ky i fundit njihte osmanishten, të cilën e kish studiuar në Bullgari në Fakultetin e Gjuhëve Orientale pranë Universitetit të Sofjes. Ai mundi të lexojë artikuj të ndryshëm të Shabanit në shtypin e kohës, pasi vepra e tij “Mendimi iluminist i Sami Frashërit” doli në vitin 1986, nja 5 vjet pasi Samimi kishte vdekur.
Vasfi Samimi pa dyshim njihte veprën e samiologut të shquar nga Kosova profesor Hasan Kaleshit, shef i katedrës së orientalistikës në Universitetin e Prishtinës. Ky kish shkruar dy tre artikuj të gjatë shkencorë për Sami Frashërin në shqip e në gjuhën frënge, ndonjë prej tyre edhe në turqisht. Më i rëndësishmi prej tyre është studimi “Sami Frashëri në Letërsinë dhe Filologjinë turke”, një studim madhor, me vlera të veçanta, që dëshmon punën serioze të këtij mjeshtri të orientalistikës nga Kosova. Të tijat janë dhe zërat për Rilindjen Shqiptare, përfshi dhe Sami Frashërin etj., në një ennciklopedi të Europës juglindore në gjuhën gjermane. Kur kemi qenë studentë në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, kemi pasur rastin t’i dëgjojmë ligjëratat e tij për orientalistikën në auditorët e Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Në vitin 1969 doli vepra “Shemsettin Sami” me autor Agâh Sirri Levend, libër të cilin dr. Vasfi Samimi e shqyrton, e analizon. Është vepra më e mirë që është shkruar deri më sot për Sami Frashërin. Për fat të keq në literaturën turke deri në ditët tona ende nuk e kemi, megjithë artikujt shkencorë që janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen për Sami Frashërin, një “Levend” të dytë. Nga brezi i ri i studiuesve turq mund të përmendim, veç samiologut Levend në fund të viteve ’60, studimin e Etem Çalik “Shemsedin Sami ve Medeniyyet-i Islamiyye” (Sami Frashëri dhe qytetërimi islam), botuar në vitin 1996. Autori është marrë me jetën, personalitetin dhe veprën e Samiut në fillim të viteve ’70 pranë Universitetit të Erzurumit në Turqi, dhe pastaj pas dy dekadash ka botuar pranë shtëpisë botuese “Insan jajënllarë” veprën e sipërpërmendur mbi 200 e ca faqe.
Janë botuar shkrime të ndryshme në tekstet shkollore të letërsisë në Universitet apo në periodikë shkencorë andej-këndej për Sami Frashërin, ama monografi të mirëfillta për të fatkeqësisht nuk kemi. Pra nga Turqia, veç Levendit e deri diku dhe Çalikut, nuk hasim samiologë të tjerë. Me interes në ditët tona janë edhe shkrimet e orientalistit turk që zotëron edhe gjuhën shqipe dhe që ka jetuar disa vite në Shqipëri, Bylent Bilmez. Ai e ka parë Sami Frashërin si një të vetëm, pavarësisht shkrimeve të tij në dy gjuhë kryesore, në osmanisht dhe në shqip. Por objekti i studimeve të tij nuk është thjesht Sami Frashëri. Ai ka bërë botime dhe ka mbajtur konferenca për Sami Frashërin në Turqi, në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Europës, si në Londër, Paris, Berlin, Budapest e gjetkë, duke dalë mbi studiuesit shqiptarë e turq që përgjithësisht, duke u nisur nga shkrimet në gjuhët përkatëse, e shikojnë si një Sami thjesht shqiptar, apo thjesht turk. Mendojmë se ky studiues edhe i Samiut është në rrugë të drejtë dhe ne kemi pasur rastin të kontaktojmë e bisedojmë me të dhe të jemi të një mendjeje për shumicën e problemeve që kemi diskutuar në Stamboll.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe dy samiologë shqiptarë, veprat e të cilëve për Sami Frashërin kanë dalë apo priten të dalin pas vitit 2000. Të dy i kam njohur personalisht. Njëri është historiani i mirënjohur Gazmend Shpuza në Shqipëri, dhe tjetri Mitat Hoxha nga Peshkopia me banim në Stamboll, Turqi, pas viteve ’90 të shekullit XX. I pari botoi studimin dinjitoz “Bota iraniane në veprën e Sami Frashërit”, ndofta edhe si një kulminacion të shkrimeve të shkruara më parë në vite e dekada për tërë Frashërllinjtë. Ndërsa Mitat Hoxha është duke u marrë me botimin e fjalorëve turqisht-shqip në gjurmë të Sami Frashërit, dhe prej tij priten prurje të mëdha në këtë fushë të gjuhësisë.
Nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes edhe albanologun Nexhip Alpani (Pula) me banim në Ankara, i cili veç të tjerash është marrë edhe me Sami Frashërin në artikuj të veçantë shkencorë, por sidomos në punimin “Arnavut Alfabesi nasil dogdu?” (Si lindi alfabeti shqip?). Nexhip Alpani, i cili u mor edhe me hartimin e një fjalori turqisht-shqip prej mbi 40000 fjalësh që s’arriti ta mbarojë, nuk figuron tashmë midis të gjallëve. Por dhe kontributi i tij është i konsiderueshëm në drejtim të evidentimit të veprës së rilindasit Sami Frashëri.
Natyrisht dr. Vasfi Samimi pati rastin të lexojë në origjinal veprën e Levendit për Sami Frashërin, kurse autorët e sipërpërmendur i takojnë plejadës së fundit të shekullit XX e fillimit të mijëvjeçarit të tretë. Është për të ardhur keq që një kollos i letrave turke si Sami Frashëri pas Levendit nuk ka gjetur një të dytë të nivelit të tij, të kalibrit të tij. Agjah Sirri Levendi ka qenë drejtori i “Tyrk dili kurumu” (TDK) i Institutit të gjuhës turke, që e pat të nevojshme t’i kushtonte vite të tëra të jetës së tij një personaliteti të gjuhës e letrave turko-osmane si Sami Frashëri, i mirënjohur në Republikën e Turqisë e më herët në Perandorinë Osmane si Shemsettin Sami.
Është gjithashtu për të ardhur keq të preket sot në Turqi figura e tij në mënyrë tangenciale, sporadike, spontane, kur ky shkencëtar meriton të ketë samiologët e vet. Le të shpresojmë se, siç u bë për botimin integral, të plotë të veprave të një të madhi tjetër të letrave turko-osmane Ahmet Midhat nga Instituti i Gjuhësisë Turke, të vazhdohet në të njëtën linjë edhe me botimin e tërësishëm dhe të plotë të veprave të Sami Frashërit.
Vasfi Samimi në të gjallë të vet i njohu dy studiuesit nga fusha e filozofisë, dhe njëkohësisht pedagogë universitetesh, Esat Reson dhe Zija Xholin. Të dy i zgjeruan studimet e tyre fillestare mbi Sami Frashërin me botime të reja më të plota, të cilat i botuan të dy nga fundi i viteve ’70 kur Samimi ishte në jetë dhe besoj që i njohu edhe ato. Vetëm se nuk mund të mos pohojmë një të vërtetë për të dy studiuesit. Duke mos njohur gjuhën osmane, nuk mundën të hynin në “detin” e krijimtarisë së Sami Frashërit në këtë gjuhë që përbën trungun e krijimtarisë së tij. Ata u kufizuan kryesisht në veprat shqip dhe pjesërisht në ato pak përkthime që kish nga enciklopedia e tij në arkivin e Institutit të Historisë dhe andej-këndej, si vepra e dijetarit tiranas, Zyber Bakiut, “Sami Frashëri-Patriot dhe dijetar i shquar” (Bibliografi me përmbajtje të veprave), apo tek punimet e profesor Hasan Kaleshit të Prishtinës. Kjo gjë nuk mund të mos manifestohej, megjithë ndihmesën e sjellë prej tyre në njohjen dhe interpretimin e veprës së Sami Frashërit, në mjaft mangësi të shprehura në punimet e tyre. Më e pakta e kushtëzuar nga njohja e pjesshme, fare e vogël e veprës së Samiut jo për faj të tyre, por të mosqënit të saj e tëra në shqip.
Edhe sot që po shkruajmë këto rradhë veprën e Sami Frashërit s’e kemi në total në gjuhën shqipe. S’e kemi në Turqi ku mundësitë janë shumë më të mëdha se tek ne. Është paradoksale kjo situatë me veprat e Samiut. Tek ne veprat e Sami Frashërit nuk u sollën në shqip në të kaluarën. Jo se mungonin veprat e tij në bibliotekat tona, në gjuhën turke. Edhe po të kish ndonjë mungesë kjo fare mirë mund të plotësohej. E keqja qe se, megjithë thëniet se “ne në fushat e gjuhësisë e letërsisë kemi shkencëtarë të kalibrit botëror si Sami e Naim Frashëri… e të tjerë”, veprat e tyre asnjëherë s’u bë e mundur të botoheshin të plota. Pa një investim shtetëror kjo gjë s’mund të realizohej atëhere. Megjithë që “psallej” në kupë të qiellit për poetin kombëtar Naim dhe për Samiun, një parà nuk u derdh për të shqipëruar veprat e tyre të shkruara në gjuhë të huaja, sidomos në osmanisht. Po të qe bërë një kujdes dhe një investim pak më i madh në 50 vjetët që shkuan, ne sot do të kishim “lumturinë” ta lexonim dijetarin tonë të madh në shqip.
Edhe sot pas gati dy dekadash në ditët e tranzicionit, botimi i veprave të një Samiu apo Naimi i është lënë spontaneitetit. Le t’i lakojmë ata në tërë rasat si “të mëdhenjtë” e letërsisë sonë. Ne ende “nuk po i japim Çezarit atë që i takon Çezarit”. Veprat e kollosëve tanë të kulturës tonë “flenë” në biblioteka e arkiva të vendit e të huaja dhe do të vazhdojnë të bëjnë “gjumin e madh” edhe kushedi për sa kohë! Ç’të them për këtë gjendje krejtësisht të papranueshme, por të vjen të “ulërish” për atë që i dhimbset kombi dhe atdheu, që korifejtë e tyre të mos i kemi në shqip! Të tjerët i kanë personalitetet e tyre kombëtarë në përmasa më të vogla se tonat dhe s’kanë kursyer asgjë për t’u nxjerrë në dritë edhe “presjet”, kanë ngritur edhe institute të tëra në kërkim të tyre, kurse ne si në të shkuarën edhe sot “flemë e flemë”. Po deri kur?!…
Por le të kthehemi tek Vasfi Samimi ynë në dhjetëvjeçarin 1967-1977, kur ai nxori nga pluhuri i harresës dhe na i solli në shqip apo komentoi disa vepra krejtësisht të panjohura të Sami Frashërit. Dhe paradoksi qe se ato mbetën, megjithë përpjekjet e tij të parreshtura, të mbyllura në dosjet e tij brenda bibliotekës së vet personale që numëronte mijëra libra në raftet brenda një dhome të veçantë, “rafte që shkonin deri në tavan dhe në të katër anët e saj”… Pra nga një anë nuk investohej për Samiun, nga ana tjetër dhe inisiativat personale të një Vasfi Samimi nuk përkraheshin, bllokoheshin! Cila qe e veçanta e samiologut Vasfi Samimi dhe vendi i tij midis samiologëve të sipërpërmendur dje dhe sot, kur atë s’e kemi midis nesh, dhe kur vepra e tij pas plot tre dekadash po i jepet publikut shqiptar?
Për shqyrtim po marrim pesë samiologë të kohës së tij, dhe ai vetë i gjashti. Unë do i ndaja në dy grupe të mëdhenj, duke u nisur nga kriteri i gjuhës. Kristo Frashëri, Esat Reso dhe Zija Xholi, ishin tre të parët që nuk e njihnin osmanishten. Por, ndërsa i pari ishte i fushës së historisë dhe kish njohuri të mira arkivore, burimesh, mbi Samiun, dy të tjerët nuk e patën një mundësi të tillë, megjithatë ata kanë meritën e pionerit në lidhje me shtrimin, vlerësimin dhe interpretimin e pikëpamjeve filozofike, të ideve të Sami Frashërit. Ndërsa Zyber Bakiu, Vasfi Samimi dhe Shaban Çollaku e njihnin osmanishten dhe si të thuash i futën thellë duart në miell dhe na dhanë gjëra të vlefshme për atë kohë edhe për sot. Pak gjë ka ndryshuar qysh atëhere deri më sot për Samiun. Vepra e tyre e ruan vlerën për sot e për të ardhmen.
Zyber Bakiu, duke na lënë një bibliografi të zgjeruar me përmbajtje të veprave direkt nga origjinali, u zgjeroi horizontin studiuesve dhe hapi shtigje të reja për kërkime të mëtejshme.
Shaban Çollaku më 1986 me botimin e veprës së tij mbi mendimin iluminist të Samiut në planin tematik problemor trajtoi disa probleme nga më të rëndësishmet, siç janë ato për gjuhësinë (në përgjithësi, turke, shqiptare), për letërsinë e kritikën letrare, për fenë, për gruan, etj., me materiale origjinale të vjela direkt nga veprat osmanisht të Samiut.
Ndërsa Samimi vetë, nëqoftëse shohim strukturën e materialeve të tij për S. Frashërin, duhet të themi se aty dominon, mbi gjysma e materialeve, përkthimi (përkthimet nga revista shkencore “Hafta” dhe drama “Giave”, si dhe epistolari dhe materialet mbi jetën e Samiut nga vepra e Agjah Sirri Levend), pastaj kemi monografinë e tij për gruan, emancipimin e saj, problem që qe veçanërisht i mprehtë për shoqërinë shqiptare në vitet ‘60-70 të shekullit XX, etj. Pra Samimi futet në aspekte pak ose aspak të prekura nga vepra e Sami Frashërit, me interes aktual për shoqërinë shqiptare.
Gjithashtu përkthimet e tij nga osmanishtja dëftojnë për njohjen e thellë të saj si askush tjetër nga samiologët e tjerë shqiptarë deri më sot. Të tjerët e mësuan nëpër shkolla ndërsa Samimi e foli osmanishten, jetoi në Stamboll, në mënyrë të natyrshme, përjetoi kalimin e turqishtes në alfabetin latin, etj. Ai përkthente në çast nga osmanishtja pa ndihmën e fjalorit, shkruante e fliste në këtë gjuhë deri sa ishte gjallë më 1981, në një kohë kur në Turqi osmanishtja ishte kthyer në një gjuhë të vdekur. Gjë e rrallë kjo dhe që s’e hasim tek asnjë osmanist. Ndihmesa e Samimit për Samiun është e veçantë në krahasim me të tjerët, ndërsa verifikimi i përkthimeve të “Enciklopedisë” së Samiut të bërë nga të tjerët, përkthimi i epistolarit të Sami Frashërit, dhe përkthimet nga gjuha osmane që përdor Evlija Çelebiu, dëshmojnë për njohjen e gjithanshme të osmanishtes nga dr. Vasfiu, qoftë në gjerësi qoftë në thellësi.
Secili prej samiologëve të sipërpërmendur e la nga një monografi për Sami Frashërin. Përjashtim bën vetëm Kristo Frashëri. Por po të shikojmë shkrimet e tij të botuara në harkun kohor 1954-1974, sidomos në periodikët shkencorë e letrarë, do të konstatojmë se të mbledhura ato tok e bëjnë një monografi do të thosha të plotë, të kompletuar. Me një të tillë njohësi i vëllezërve Frashërllinj doli vetëm për Abdyl Frashërin në vitet ’80 pas vdekjes së Samimit.


2. Si punonte Vasfi Samimi?

(Në laboratorin e punës kërkimore-shkencore të tij)


Nëqoftëse duam të mësojmë se si punonte dr. Vasfi Samim Visoka, duhet të bëjmë një udhëtim të shkurtër me të në literaturën që ka shfrytëzuar për njohjen e Sami Frashërit, e më gjerë duhet t’i hedhim një vështrim materialeve ku fatmirësisht ruhen shënime të bëra me dorën e tij, sidomos në dy gjuhë në shqip dhe në osmanisht, në ndonjë rast edhe në turqishten e re apo në gjermanisht. Duke i parë me vëmendje ato e mjaft gjëra të tjera dhe duke sjellë ndërmend shumë kujtime mbresëlënëse që kemi edhe në këtë drejtim nga kontaktet e përditshme me të, mund të krijojmë një përfytyrim të përafërt për laboratorin krijues të këtij studiuesi e punëtori të palodhur të shkencës, dhe njëkohësisht dhe autorit të një sërë krijimesh të tij nga fusha e letërsisë, si drama, tregime, novela etj., apo përkthyesit të talentuar sidomos nga gjuhët osmano-turke, gjermane, e të tjera.
Veprimtaria krijuese e V. Samimit nuk mund të kuptohet jashtë sferave të kulturës, artit, sado që ai ishte dhe një shkencëtar i mirëfilltë. E kemi përmendur dhe herë të tjera që Samimi i takonte shkollës gjermane. Ai shquhej për principialitetin e tij, për punktualitetin e tij, ishte tepër sistematik. Një tipar i punës së tij qe karakteri shkencor i saj. Ai nuk dinte të bënte punë gjysmake. Kur i hynte apo merrte përsipër një punë, kur i vendoste vetes një qëllim të kryente iks punë, ai punonte me këmbëngulje në arritjen e saj, në kryerjen e saj me sukses, dhe më së fundi ishte tepër cilësor. Synonte përsosurinë. Më kujtohet kur më mësonte gjuhën osmane. Kërkonte që në çdo hap të isha sistematik. Edhe vetë përgatitej në një mënyrë të tillë, sistematikisht. Shumë shprehi të tij m’u ngulitën pa dashje dhe janë bërë të miat. Edhe në një detaj të tillë: Kur më jepte detyrat që duhej të kryeja, më thosh shënoji me rradhë dhe sipas tyre edhe do të të kontrolloj. Ishte tepër rigoroz e serioz në zhvillimin e mësimit. I vinte rëndësi të gjitha gjërave. Nuk kish për të në një kuptim gjëra të mëdha e gjëra të vogla. Kur punonte për një gjë, ai i përkushtohej asaj. Ishte dhe tepër i durueshëm dhe me gjakftohtësi të sqaronte deri në një për paqartësitë që mund të kishe apo të lindnin gjatë procesit mësimor.
Kam pasur rast, duke shqyrtuar dosjet e tij, të shoh me dhjetra tituj librash të shënuara në copa letrash apo skedat për marrjen e librave në bibliotekën kombëtare. Shpesh në krah të tyre kish shënime të ndryshme shqip, por shpesh edhe osmanisht. Dinte të rrëmonte në skedarët e bibliotekave kur i duhej për një temë të caktuar. Ndërkohë kam gjetur shënime për kërkime të ndryshme, ide që i lindnin në çast dhe i shënonte në to. Gjithashtu kam parë planin apo skicë-idenë e shkrimeve të ardhshme. Shtojca të bëra aty-këtu e më pas shtjellimin apo konkretizimin e tyre apo pikave të caktuara të tyre në literaturën përkatëse që do të ndihmonte në shtjellimin e tyre.
Kam konstatuar se ato që shkruante në osmanisht veç karakterit vetjak që kishin, por ato shpesh mund të kishin dhe ndonjë diçka që ai s’donte ta merrnin vesh të tjerët. I ndjeri Vasfi Samimi bënte një lloj autocenzure se e mendonte që ndofta ndonjëherë ndokush mund t’i lexonte shkrimet e tij. Ndaj shkruarja në osmanisht sipas mendimit tim e kishte dhe një element të tillë. Duhet thënë dhe tjetra që ai osmanishten e kishte si gjuhën e nënës. Ai qe mësuar me të që nga fëmijëria dhe për të ajo qe bërë si një shkrim rutinë në të cilën ai shprehej lirisht. Shpesh më thoshte: - Kur shkruaj osmanisht, shkruaj shpejt. Është si stenografi dhe i regjistroj shumë shpejt ato që dëgjoj.
Po le t’i shohim me rradhë shënimet e tij në veprat e samiologëve që ka konsultuar për rilindasin Sami Frashëri.
Së pari, kemi në dorë një separat nga revista “Studime historike”, nr. 2, 1967, dhuruar atij nga samiologu Kristo Frashëri, i cili në faqen e brendshme të kapakut të separatit shkruan: “Prof. V. Samimit” dhe poshtë saj firmuar “Kr. Frashëri”, domethënë Kristo Frashëri. Është fjala për një artikull shkencor të tij “Shemsedin Sami Frashëri – ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare”, faqe 79-93, ndërsa në faqet 93-94 ka një rezyme të shkurtër të artikullit në frëngjisht. Ky është artikulli i dytë shkencor në shenjë pas atij të botuar në vitin 1955 në “Buletin për shkencat shoqërore”, numri 6, faqe 57-112. Sigurisht edhe ky paraqet interes shumë të madh për Sami Frashërin. Zaten titulli i tij është “Sami Frashëri (1850-1904)” dhe kap mbi 56 faqe reviste shkencore. Një monografi e vogël më vehte. Studimi që kemi në dorë “S. Frashëri si ideolog” – 1967 është në një mënyrë vazhdimi dhe thellimi i atij të vitit 1955.
Ajo ç’ka na intereson ne janë shënimet që ka bërë Vasfiu për vehten e vet, që na sqarojnë mbi qëndrimin e tij ndaj pjesëve të ndryshme të artikullit, ideve që shpreh aty Kristo Frashëri dhe konceptimit tërësor që i bën figurës së Sami Frashërit, duke u nisur nga shkrimet e tij në shqip e në osmanisht, turqishten e vjetër. Shënimet e tij nuk shtrihen në të gjithë artikullin por kapin vetëm periudhën e Lidhjes së Prizrenit, para saj dhe aty ku ndalet në veprat turqisht të Samiut. Ndërsa kur merret me veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” dhe me qëndrimin ndaj lëvizjes xhonturke, aty prej dr. Vasfiut nuk kemi asnjë shënim. Me sa duket aty ai pak a shumë nuk ka ndonjë vërejtje, kurse në 2/3 e para të artikullit aty gjejmë shënime në shqip, osmanisht, gjermanisht, shenja si +, ?, !, të cilat kanë të bëjnë me qëndrimin e Samimit në lidhje me vlerësimin e rolit të Shemsedin Sami Frashërit në Perandorinë Osmane nga ana e autorit të artikullit, historianit Kristo Frashëri. Nga një vështrim i përgjithshëm konstatojmë se dr. Vasfi Samimi ka vërejtje të rëndësishme ndaj tij, apo në ndonjë rast nuk është krejtësisht dakord me vetë studiuesin Kristo Frashëri për ato që shpreh në artikullin e vet. Vasfi Samimi ka jetuar në Perandorinë Osmane, “atmosferën” e saj e njihte nga brenda, ka jetuar edhe në Shqipëri, dhe me sa kuptojmë ai ka rezervat e veta për shkrimin e zotit Kristo Frashëri.
Po le të hyjmë në detaje në shënimet e dr. Vasfiut brenda këtij artikulli. Që në dy paragrafët hyrës shohim një sërë pikëçuditësesh e pikëpyetjesh në lidhje me shtrimin e problemit nga historiani K. Frashëri në lidhje me figurën e Samiut. Studiuesit e të dy vendeve kanë krijuar dy portrete të tij, një Sami “shqiptar” dhe një “turk”, pasi studimet e tyre janë të njëanshme. Kristo Frashëri duke u mbështetur kryesisht në materiale shqiptare të Sami Frashërit shumë pak të njohura jashtë kufijve të Shqipërisë dhe pothuajse aspak të shfrytëzuara nga studiuesit turq, “rreh të provojë” se në themel të dy portreteve është “Samiu shqiptar”, pra del tek titulli që i ka vënë krejt artikullit të tij shkencor “Shemsedin Sami Frashëri-ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare”.
Për ne ka rëndësi që Vasfi Samimi, duke pasur një njohje të mirë të “brendshme” të të dy ambjenteve, atij osman e shqiptar, dhe një njohje relativisht të mirë të materialeve të Samiut në origjinal në të dy gjuhët, nuk është dakord me shtrimin e problemit nga historiani Kristo. Unë mendoj se koha i dha të drejtë Samimit. Samiu ka qenë një i vetëm, një atdhetar e një shkencëtar, një njeri përparimtar, i cili nga lartësia e personalitetit që kish arritur i dontë të mirën si Turqisë dhe Shqipërisë, dhe vepra e tij pavarësisht në ç’gjuhë u shkrua nuk mund të ndahet ne thikë, është një e vetme, e shkruar nga e njëjta dorë, nga i njëjti njeri. Ai atdhenë do ta donte me tërë forcën e shpirtit të vet, por si personalitet kjo s’do ta pengonte që në të dy rastet pa njëanshmëri të vlerësonte nga të njëjtat pozita përparimtare me të njëjtën masë, me të njëjtin kut, si Shqipërinë dhe Turqinë. Për ne ka rëndësi, pa hyrë në detaje më të imta analize, që Samimi ndahet nga dy “Samitë” dhe vijmë në konkluzionin që këtu ai pozicionohet në pozita të drejta.
Shohim në nëndarjen më poshtë që kur përmendet fjala “Janinë e Epirit” dhe jo e “Shqipërisë”, apo më poshtë kur flitet për edukatën që mori Samiu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës nga pedagogë iluministë, Samimi bën shënimin “shovinistë”. Këtu ai me sa duket do të vërë në dukje karakterin e tyre si shkolla “greke”, që bënin një propagandë të njohur në favor të përhapjes së helenizmit. Sigurisht kjo në elementët atdhetarë si një Sami, një Naim, një Ismail Qemal, Jani Vreto apo Abedin Dino, sigurisht nuk mund të kalonte. Ata dinin të anashkalonin dhe të merrnin atë ushqim kulturor klasik e modern, racional e shkencor që jepej në këtë vatër diturie.
Por V. Samimit i japim të drejtë kur do të nënvizojë karakterin shqiptar të Janinës, që shpesh historianët tanë i marrin krahët apo nuk guxojnë ta thonë me plot gojën. Janina, kryeqendër e Çamërisë, e vilajetit shqiptar të Epirit, kryeqytet i Shqipërisë së Jugut, nuk ka si të ishte ndryshe nga hinterlandi i vet përveçse shqiptare. Populli tregon se Janina kish 18 lagje shqiptare, një lagjë vllehe dhe një çifute, po dhe këto dy të fundit shqipfolëse. Në 18 lagjet pjesa më e madhe qe e besimit kristian, e cila sipas traditës së njohur në Perandorinë Osmane kish shkollat rume, domethënë në greqisht, kurse pjesa tjetër muslimane në gjuhën turke-osmanisht. Mungesa e shkrimit të shqipes dhe mosnjohja e saj si gjuhë zyrtare e shqiptarëve kish këto konseguenca që fqinjët tanë grekë e të tjerë i kanë përdorur, që në bazë të ekuacionit ortodoks=grek të nxjerrin popullsinë shqiptare të krishterë si greke e të na nxjerrin “grekë” në Epir, në Çamëri.
Në faqen e dytë e të tretë të artikullit shkencor kemi një sërë shënimesh në osmanisht apo dhe shqip, dhe sidomos vijëzimesh të atyre figurave të shquara të rilindjes si shqiptare dhe osmane, apo shkrimeve në osmanisht të nxjerra nga Sami Frashëri, apo ngjarjeve të kohës në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Duket se Samimi ka “rezervat” e veta për trajtimin e çështjeve, se diku vë dhe pikëpyetje, diku në krah grupon vitet 1875, 1877, 1876. P.sh. sa për ilustrim po marrim emrin e Abdyl Frashërit osmanisht, në krah të të cilit ai vë me të drejtë një pikëpyetje. Kristo Frashëri e shkruan Abdullah Hysny të ndarë. Samimi e di fort mirë se ai shkruhet si një emër i tërë i përngjitur dhe jo me gërmë të madhe: Abdullahhysny. Pra kemi një gabim në mënyrën e shkrimit. Ose në faqen e katërt të separatit thuhet se Komiteti i Stambollit u krijua më 1878 në një lagje të Bosforit. Samimi vë dy ??, domethënë ai pret që të shënohet emri i lagjes, gjë e cila mungon duke lënë aty një element pasaktësie.
Një pikëçuditëse dhe një pikëpyetje V. Samimi e vë dhe aty kur flitet për synimet e qeverisë osmane, Portës së Lartë, në lidhje me krijimin e karakterin e Besëlidhjes shqiptare të Prizrenit, dhe faktin që Portës së Lartë më tepër se aneksimi i tokave shqiptare i interesonte që kjo të mos ndodhte me Bosnjen në Veri dhe Thesalinë në Jug. Samimi s’është dakord me këtë parashtrim, duke e pasur të qartë se Portës i dhimbsej çdo pjesë toke e saj, aq më tepër tokat shqiptare që përbënin “pjesën e luanit” të territoreve të saj.
Në faqen e pestë me të drejtë shkruan, ndryshe nga ç’e paraqet Kristo Frashëri botuesin e veprave të Samiut si “mik i tij i vjetër”, si shfrytëzues. Bile koha provoi jo vetëm këtë. Në kohën tonë unë kam gjetur në shtypin e sotëm turk se Mihrani ishte njeriu që e spiunonte pranë qeverisë osmane Samiun në çdo hap të tij. Me këtë ai ka qenë njeriu që i ka sjellë telashe e andralla të panumërta në raport me qeverinë dhe është njeriu që i ka “shkurtuar” në njëfarë mënyre jetën. Shkëputja midis tyre ndodhi rreth vitit 1900, kur Samiu gjeti një botues tjetër që e paguante më mirë dhe që sillej më mirë me të dhe e respektonte siç e meritonte një njeri e një figurë si Sami Frashëri.
Gjithashtu nga dy tre shënime të Samimit kuptojmë që ai (Samimi) është kundër dhënies Samiut të atyre meritave që s’i ka, mbivlerësimit të rolit të tij në krahasim me rilindasit e tjerë. Samiu qe tepër i ri në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe nuk mund të ish për çdo gjë violina e parë. I tillë u bë në dekadat më pas, po në atë kohë ishin burra të tjerë të nderuar, duke filluar nga i vëllai Abdyli, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Ismail Qemali, Seit Toptani, të cilët qoftë nga përvoja qoftë nga mosha ishin më të mëdhenj se Samiu. Tjetër gjë që në emër të së ardhmes, të nevojave të momentit, të faktit që një pjesë e tyre ishin “përplasur” me regjimin sulltanor etj. etj., dhe për të mos i sjellë dëm çështjes, vunë në krye një figurë më pak të “njollosur” si Sami Frashëri. Rilindasit njihnin shumë mirë njëri-tjetrin, ishin burra me integritet dhe dinin se ç’bënin. Ata vepronin si e donte interesi më i lartë i kombit. Nuk mund të vihej as në krye të Komitetit të Stambollit më 1878, as në krye të Shoqërisë së Stambollit më 1879, dhe as në krye të Komisionit për hartimin e alfabetit të shqipes një njeri si Hoxha Hasan Tahsini. Jo vetëm se ky qe në moshë të kaluar, i sëmurë nga tubekulozi dhe i damkosur nga regjimi despotik sulltanor si “gjavur”; ose njerëz si Pashko Vasa apo Ismail Qemali që kishin poste të larta në hierarkinë osmane e t’u sillej dëm. U gjet një figurë e re plot energji, e aftë, “me perspektivë dhe e papërlyer” si Sami Frashëri dhe nuk mund të jemi dakord me shprehje të tilla si “i pari midis të barabartëve etj. etj.”.


Rilindasit me njëri-tjetrin dhe opinioni publik e dinte vlerën e secilit dhe s’mund të qe pesha e roli i tyre i barabartë, gjë e pamundur. Standartet e një Ismail Qemali e Pashko Vase e Abedin Dinoje në hierarkinë shtetërore e në diplomaci s’mund të krahasoheshin me ato të një rioshi në atë kohë si Sami Frashëri. Çdo gjë duhet vendosur në kohën e vendin e vet e mos nisemi nga ajo se ç’u bë Samiu më vonë në vitet ’80-90 të shekullit XIX. Atëhere në fund të viteve ’70 Samiu në rastin më të mirë qe një gazetar i mirë dhe një propagandist i flaktë i ideve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Mos i shohim më syrin e së sotmes dhe duke u nisur nga fakti se ç’përfaqësojnë sot në tërësinë e tyre si personalitete të veçanta, po t’i vendosim bashkarisht krahas njëri-tjetrit në një kohë e një vend të caktuar. Atëhere do të bëjmë pak ose aspak gabime në vlerësimin e drejtë të tyre.


Prandaj ne i japim të drejtë doktor V. Samimit në shënimet që bën. Pavarësisht se ai nuk shkruan shumë gjëra, por ! dhe ?-et e tij flasin shumë. Samimi, me sa kuptojmë nga shënimet e tij, është si kundër superlativave në vlerësimin e një personaliteti si Sami Frashëri, po dhe kundër vërejtjeve e teprimeve në vlerësimin negativ të regjimit sulltanor duke rënë në voglima për diskreditimin e tij si regjim i egër policor etj. etj.
Një pikë tjetër ku Vasfiu shpesh nuk ndan të njëjtat mendime si samiolog me historianin Frashëri është pikërisht ajo pjesë e artikullit në vazhdim ku ai bën vlerësimin e punës së Sami Frashërit në gjuhën osmane. Në lidhje me tre vepra mësimore shqip të Samiut për shkollat shqipe, si Abetarja shqipe, Gramatika shqipe dhe Dheshkronja (Gjeografia), dr. Samimi para gramatikës vë tre pikëçuditëse në lidhje me atë se ajo “e ruan vlerën e saj shkencore edhe sot”. Me sa duket Samimi ynë i shkollës gjermane nuk mund të pajtohet me vlerësime të tilla, pas gati një shekulli, kur koha megjithë vlerat e tyre kish nxjerrë gramatika gjithnjë e më të përsosura për gjuhën shqipe. Samimi i shikon si “teprime” këto të historianit Kristo Frashëri. Ose ai nuk është dakord me gjuhën me kënde të mprehta që përdor Kristua për raportet shqiptaro-osmane, si p.sh. shprehja “aluzion therës”, etj. etj. të kësaj natyre. Kontradikta ka pasur, por jo çdo gjë ka qenë në teh të thikës. Dihet roli i rëndësishëm që kanë luajtur shqiptarët në tërë mekanizmat e makinës gjigante të perandorisë.
Dr. Samimi ka vërejtje dhe për çka shkruhet për enciklopedinë 6-vëllimshme të Samiut, në lidhje me vendin që u është dhënë shqiptarëve e Shqipërisë në të. Sigurisht vendi i tyre është i madh, po me sa duket nga pikëçuditëset e kryqet që shënon Vasfiu duket se Kristua ekzagjeron e tepron me ato që shkruan. V. Samimi e kish lexuar këtë enciklopedi, ashtu sikurse dhe samiologu tjetër i mëvonshëm Gazmend Shpuza, dhe nuk mund të pajtohej me ndonjë thënie jo fort të saktë të një njeriu që nuk e njihte osmanishten.
Dhe së fundi, për ta përmbyllur me shënimet e dr. Vasfiut në artikullin shkencor të Kristo Frashërit, po shënojmë se nga fundi i tyre gjejmë një fjalë “aforoz” me një ?!. Kjo fjalë vihet pas frazës së Frashërit: “Në kuadrin e këtij programi (iluminist, Kr. Fr.) hyn edhe botimi nga Sh. Samiu i një vargu tekstesh shkollore turqishte - abetare, gramatikë e sintaksë turke e arabe, të ndërtuara sipas parimeve të pedagogjisë moderne, të cilat nuk e kompromentonin aspak ndërgjegjen politike të autorit si një patriot shqiptar” (Vijëzimi është i dr. Vasfiut). Fill pas kësaj vjen fjala aforoz (mallkim, i mallkuar, nga greqishtja).
Samimi nuk mund të pajtohet me historianin Kristo, i cili poshtë në shënimin 35 jep titujt e veprave mësimore turqisht, “një mal i tërë”, ndërkohë që shkruan se “nuk e kompromentonin aspak ndërgjegjen politike të autorit si një patriot shqiptar”. Shtrimi në mënyrë jo të saktë i problemit rrjedhimisht çon në vlerësime të pasakta. Me sa duket vetë Kristua ndjen një dobësi të pozicionit të vet që bën një pohim të tillë…
Por të mos zgjatemi me këtë aspekt që e përmendëm që në fillim të shtjellimit të këtij artikulli të zotit Kristo Frashëri, në lidhje me shënimet e bëra nga dr. Vasfi Samimi mbi të. Ne vetëm sa u munduam “të lexojmë” në të diçka në lidhje me mendimet e vlerësimet e dr. Vasfiut në lidhje me këtë artikull shkencor për Shemsedin Sami Frashërin si ideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Dy autorë të tjerë, samiologë, po që janë të së njëjtës fushë filozofisë, janë Esat Reso dhe Zija Xholi. Në duar prej të parit kemi broshurën “Sami Frashëri”, Tiranë 1962, prej 72 faqesh; dhe prej të dytit një artikull të faqes së tretë të gazetës zyrtare të kohës, organit kryesor të shtypit “Zëri i Popullit”. Data 11 qershor 1975 është shkruar me laps të kuq nga vetë Samimi, meqenëse ai e ka prerë si kipyrë nga gazeta. Artikulli është shkruar në kuadrin e rubrikës “Nëpër faqet e historisë së ndritur të popullit tonë” dhe është firmuar: prof. Zija Xholi, dekan i Fakultetit të Shkencave Politiko-juridike.
Autori i këtyre rradhëve në atë kohë e më pas për 20 vjet rrjesht ka qenë punonjës, pedagog në atë fakultet, dhe ka patur rastin t’i njohë nga afër si dekanin e tij ashtu dhe pedagogun e filozofisë në Institutin e Lartë Bujqësor, zotin Esat Reso. Vite më vonë, ende pa vdekur dr. Vasfiu, Esati doli me një botim të zgjeruar të librit të tij për Samiun, ndërsa prof. Zija Xholi, i cili më 1962 krahas Esat Resos me Samiun doli me një broshurë për “Naim Frashërin” (në aspektin si mendimtar, L.B.), në fund të viteve ’70 botoi një libër për mendimtarin Sami Frashëri, të cilat besojmë se Vasfi Samimi do t’i ketë lexuar si samiolog që ish. Por të shohim shënimet që bën në dy materialet e sipërpërmendura që gjetëm në dosjen e tij për Sami Frashërin.
Prezenca e librit të Esat Resos në dosjen e Samimit na sjell në përfundimin që interesimet e doktorit për Sami Frashërin janë të hershme, më e pakta nga 1962, ndonëse jemi të sigurt se ai me të është marrë dhe më herët. Nga kjo kohë ndofta tek ai zë fill mendimi për të shkruar dhe ai nga ana e vet diçka për Sami Frashërin.
Libri ka disa shënime ekstra në faqet 2, 7 dhe 68. Në faqen 2 ka lartësitë e majave më të larta të Shqipërisë. Ndofta kjo ka të bëjë me një pasion të vjetër të doktorit për sportin që e shoqëroi gjithë jetën. Dihet se ai ka qenë futbollist, basketbollist, po dhe sporte të tjerë si alpinizmi etj., ai i ka dashur dhe është interesuar për to. Aty përmenden Jezerca, Korabi, etj. Interesante është diçka e shkruar në greqisht, që me aq sa kuptoj unë nga gërmat greqisht bën fjalë për shqiptarët. Ndofta është diçka, një dyvargësh, nga Naim Frashëri për miqësinë me fqinjët grekë, sllavë, etj., të rrojmë në paqe e në marrëdhënie të mira me ta (?). Nuk mund të them diçka të prerë, megjithatë shkrimi i ndrojtur më jep të kuptoj se Samimi e ka shkruar aty nuk e di për ç’arsye. Greqishten ai e ka bërë në Fakultetin e Veterinarisë së Stambollit, mbase edhe në Berlin, por pak iu desh e pak e përdori. Ai e dinte atë krahas latinishtes për aq sa i duhej për nevojat e shkencës e të profesionit.
Megjithatë unë kam një rezervë për shënimet në këtë libër: mund të mos jenë të Samimit, sado që libri u gjend në dosjen e tij. Mund të ketë rënë në dorë më pas, t’ia ketë dhuruar njeri. Megjithatë t’i lemë hamendësimet. Vijëzimet në libër dhe ndonjë shënim aty këtu janë bërë me laps të zakonshëm, laps kopjativ dhe me stilolaps, gjë që më shpie në dy përfundime, ose libri është lexuar disa herë dhe e besoj që ka të ngjarë më shumë kjo, por s’përjashtoj dhe të jetë lexuar njëherë me kujdes, duke e studiuar si i thonë “me laps në dorë”, avash-avash në kohë të ndryshme, duke përdorur pa qibër mjetet e rastit që i janë ndodhur në tavolinën e punës. Edhe shënimet osmanisht i gjejmë kryesisht me laps plumbi e me stilolaps. Ndonjëherë jo për të shkruar (kjo shumë rrallë) ai ka përdorur dhe lapsin kuq e blu, siç ndodh në vijëzimet në librin bibliografik të Zyber Bakiut për Sami Frashërin. Aty dominon ky i fundit e shumë rrallë lapsi i zi ose stilolapsi.
Le të ndjekim tani Vasfi Samimin në shënimet që bën në librin e Esat Resos për Sami Frashërin botuar më 1962. Libri me titull “Sami Frashëri-Pikëpamjet filozofike, shoqërore dhe politike”, i shoqëruar me një bibliografi në fund të tij të literaturës së shfrytëzuar, asaj bazë që është shumë shumë e paktë nga veprat e S. Frashërit dhe literaturës ndihmëse dy llojshe. Një janë veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit kryesisht nga rusishtja dhe literaturës së shkruar mbi Sami Frashërin. Duhet të kuptojmë Esat Reson në rrethanat që është shkruar broshura, qoftë për ndikimin rus që reflektohet dhe në ndonjë referim tek turkologët rusë si Gordlevskij për Sami Frashërin, qoftë dhe ndonjë citim që jep nga gazeta “Pravda”, gazetë kryesore e PK të Bashkimit Sovjetik.
Samimi në fund ka vijëzuar një letër të cituar si dokument i Arkivit të Shtetit të Shqipërisë. Letër e S. Frashërit e Naimit dërguar Murat Toptanit dhëndrit të tyre, letër të cilën ai e kish përkthyer vetë në këtë arkiv, siç del nga kopja që na ka dhënë me dorën e tij neve vetë vite më parë kur qe gjallë.
Nga veprat origjinale të Samiut Esat Resua ka pasur në dorë ato shqip të gjitha, si tre veprat mësimore Abetare, Gramatikë, Gjeografi (Dheshkronja), Alfabetare e gjuhës shqipe, ku ka dhe ndonjë shkrim të Samiut, veprën “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të jetë”, si dhe një përkthim të dramës “Besa” të botuar në Tiranë më 1937. Gjithashtu ai ka shfrytëzuar në dorëshkrim veprën “Emsal” (Proverba filozofike), Stamboll 1880, dhe “Qytetërimi islam”, Stamboll 1886, të përkthyera në arkivin e Instituti të Historisë e Gjuhësisë. Mund të themi se me gjithë varfërinë për atë kohë të literaturës, edhe ajo që ishte, pak është shfrytëzuar. Autori, megjithë vështirësitë që ka pasur, është munduar t’i futë idetë e Sami Frashërit në disa klishe, të cilat mund t’i ketë hasur në literaturën e ngjashme për personalitetet e ndryshme të huaja të lëmit të filozofisë, dhe vepra më tepër se analizës së veprës origjinale të Samiut ka karakter propagandistik.
Ribotimi i zgjeruar i veprës që bëri dy dekada më vonë po i njëjti autor, pati më tepër analizë dhe më tepër “frymëmarrje”. Po qëllimi nuk është të merremi me shqyrtimin e veprës së Esat Resos. Këtë gjë të sipërpërmendur e konstatojmë nga shënimet e Samimit, i cili sikur kërkon në vijëzimet e citateve origjinale nga Samiu, të gjejë diçka të tijën dhe jo komentet e zgjeruara të autorit të librit, të cilat i paraprijnë e sikur i mbytin citatet që sillen thjesht për ilustrim në funksion të skemave të caktuara ideologjike, filozofike. Ndjejmë se dr. Samimi sikur gëzohet pasi lexon paragrafe të tëra, kur gjen ndonjë citat prej vetë S. Frashërit të sjellë nga autori. Kjo është karakteristike e gjithë librit. Libri i Esat Resos ka pak a shumë një kompozicion të tillë: Kapitulli I – Jeta dhe vepra e Sami Frashërit (faqe 9-14), pas një Hyrje 4-5 faqesh në fillim. Kapitulli II – Pikëpamjet filozofike të Sami Frashërit, me nëntituj sipas rastit (fq. 15-38), dhe Kapitulli III – Pikëpamjet shoqërore-politike të Sami Frashërit, faqe 39-68. Pra në thelb libri ka dy pjesë.
Në hyrje dhe në jeta e vepra, nga V. Samimi nuk kemi asnjë shënim. Në Pikëpamjet filozofike të Sami Frashërit, në nëntitullin Veçoritë kryesore të botëkuptimit të Sami Frashërit, gjejmë të nënvizuar një citat të gjatë shumë kuptimplotë që e po e sjellim të gjithë, për qytetërimin tonë, të cilin Samiu e ka marrë e rimarrë disa herë në shqyrtim në disa vepra të tij shqip e turqisht, si në revistën “Drita-Dituria” të vitit 1884 (shqip), në “Hafta” (Java) (turqisht), në “Qytetërimi islam” 1886, etj.: “Nuk jemi nga ata – shkruan Sami Frashëri – që e mohojmë fuqinë dhe rëndësinë e qytetërimit të Greqisë së Vjetër. As nuk pretendojmë se nuk i kanë shërbyer zgjimit të Europës mësimet e veprave greke, që u dhanë nga mësonjësit që erdhën në Itali nga Bizanti. Por nuk na bëhet të besojmë se lëmshi i dheut mbeti i zbrazët prej qytetërimit qysh prej ditës që u shua qytetërimi i vjetër grek e deri sa lindi qytetërimi europian, se u zhyt në terrin e injorancës dhe të egërsisë, dhe se qytetërimi i sotëm europian është vepra e disa shkencëtarëve bizantinë që ikën nga Bizanti… Gjithmonë një qytetërim më i vonshëm është më i përsosur se qytetërimi i mëparshëm”.
Me interes ëshë dhe një citat i sjellë në fund të kësaj pjese që flet për patriotizimin e Samiut e që i ka bërë përshtypje V. Samimit: “Trim – ka shkruar Samiu – është ai që vdes për të ruajtur nderën e tij kombëtare ose për të mirën e njerëzisë”.
Pas dy paragrafëve, si: Tiparet materialiste në botëkuptimin e Sami Frashërit dhe Zhvillimi historik i botës, ku s’kemi asnjë shënim prej dorës së Vasfiut, tek tre paragrafet e tjerë pasardhës për pikëpamjet filozofike, kemi disa nënvizime. Tek Sami Frashëri mbi origjinën e njeriut, nënvizon rolin kryesor që ka luajtur puna sipas F. Engelsit dhe, duke iu referuar Samiut, nënvizon faktin që ai e quan njeriun “qenie të përsosur”. “Atyre që duan ta rritin tepër njeriun (mistikët) do t’u tregojmë vogëlsinë e të metat e tij, dhe atyre që duan t’ia ulin fare vlerën (materialistët vulgarë) do t’u provojmë se ai është një qenie e përsosur”.
Gjithashtu një faqe më pas dr. Samimi nënvizon një pasazh të sjellë nga Samiu për deizmin si botëkuptim i tij “Njeriu - ka shkruar Samiu - është krijuar pothuajse në të njëjtën gjendje egërsore me kafshët e tjera, veçse i plotfuqishmi zot i dha një fuqi e një prirje njeriut për të përmirësuar veten dhe për t’u qytetëruar”. Pra Samiu si forcë lëvizëse merr “mendimin” dhe “arsyen”. Në paragrafin tjetër Gjuha dhe mendimi, nga fundi i tij ai nënvizon faktin e vënë në dukje nga Sami Frashëri që “zhvillimi i gjuhës bëhet shumë ngadalë dhe se ky zhvillim ka lidhje me evolucionin e njeriut”. Samiu fjalorin e quan si visarin e një gjuhe. Ai kupton rëndësinë e madhe të fondit të fjalëve, të gramatikës dhe të sintaksës. “Kapitali i gjuhës - shkruan ai - përbëhet prej fjalësh e prej rregullash morfologjike e sintaksore”.
Samiu shtron tezën e tij se në të vërtetë gjuha në procesin e zhvillimit të saj pasurohet me fjalë të huaja, por ky princip duhet të mbështetet në dy kushte të domosdoshme: së pari, kur gjuha ka fjalën e saj që është e qartë dhe e vjetër, atëhere nuk duhet të zëvendësohet ajo me një fjalë të huaj, që është e pakuptueshme për popullin; së dyti, fjalët e reja duhet t’u përputhen ligjeve të gjuhës. Por njëkohësisht ai ishte dhe kundër purizmit të plotë. Në vitin 1932 Kongresi i shkrimtarëve të Turqisë që u mblodh në Stamboll e pranoi këtë vepër si bazën e gjuhës së re letrare turke (veprën “Kamusi Turki” (Fjalori i gjuhës turke) i Samiut, që njëkohësisht është dhe fjalor etimologjik). Sami Frashëri është dhe një nga pionerët e alfabetit të sotëm të gjuhës turke, i cili u vu në përdorim në vitin 1928 (në libër është vënë 1937 gabimisht dhe dr. Samimi e ndreq duke e shkruar në krah me laps pasi e prish 1937).
Në paragrafin e fundit të pikëpamjeve filozofike të Samiut, Elemente të dialektikës në veprat e Sami Frashërit, doktor Vasfiu nënvizon faktin se “qytetërimi i soçëm europian është më i lartë se qytetërimi islam (domethënë i Lindjes në kohën e mesme) dhe si rrjedhim më i lartë se qytetërimi i Greqisë së vjetër”. Pra zhvillimi ka ecur pa ndërprerje nga një civilizim më i ulët tek një më i lartë.
Në lidhje me njohjen e botës dr. Samimi ka përfshirë me laps plumbi dy paragrafe që flasin për qëndrimin pozitiv të Samiut ndaj njohjes njerëzore. “Njerëzit – shkruan ai – kanë një detyrë të madhe të njohin natyrën dhe të vërtetën e materjeve që gjenden në botë e veçanërisht mbi lëmsh të Dheut tonë, të dinë të përfitojnë nga cilësitë e atyre materjeve dhe t’i shtien ato në punë për mirëqenien e mbarë rruzullimit”. Njëkohësisht S. Frashëri thotë se jo çdo e vërtetë është përfundimtare, e plotë dhe e pandryshueshme: “Shkenca pohon se mendja njerëzore nuk mund të zbulojë gjithë të fshehtat”, dhe në një vend tjetër Samimi nënvizon një pasazh tjetër të marrë nga S. Frashëri: “Dyshimi është kriteri i së vërtetës. Kurrë nuk mashtrohet ai që bën dyshim në punë. Kush dyshon në çështje shkencore bëhet filozof”.
Në kapitullin III - Pikëpamjet shoqërore politike të Sami Frashërit, autori i broshurës, Esat Reso, ka vënë në krye një citat me shkronja të zeza nga Sami Frashëri, që dr. Vasfiut i tërheq vëmendjen dhe e fut midis dy vijave vertikale të bëra me laps kopjativ. Le ta sjellim të gjithin se është tepër i rëndësishëm: “O filozof, opinioni publik që ti nuk e pëlqen, është shumë më me vend se mendimi yt, pse në atë përmblidhen mendimet e sa e sa miliona njerëzve, kurse mendimi yt mund të jetë vetëm ai i pesë ose gjashtë vetëve”.
Duke shfletuar faqet libri ka dhe ndonjë ilustrim si fotografia e Samiut me Naimin me gratë e fëmijët e tyre. Mbi të janë shkruar emrat e gjashtë vëllezërve, në fillim tre të njohurit Abdyl, Naim e Sami, dhe poshtë tyre Sherif, Tahsin, Mehmet. Sherifi e Tahsini vdiqën para kohe nga tuberkulozi që i preku pothuajse të gjithë vëllezërit e motrat Frashëri, me përjashtim të Mehmet Frashërit, më të voglit, i cili jetoi deri në fund të dekadës së dytë të shekullit XX dhe u kthye në Shqipëri. Pasardhësit e tij jetojnë në Tiranë.
Para se të hyjë në analizën e veprës madhore të Samiut, autori Esat Reso flet për shoqërinë në përgjithësi e disa fenomene të saj si lufta, paqja, roli i punës në të, kombi, progresi shoqëror, etj. Vasfiu nënvizon disa citate të sjella nga Samiu në këtë libër: “Lufta – shkruan ai – ka kaluar ndër njerëz nga bishat e egra. Paqja është vetia e natyrshme e njerëzve”. Duke çmuar punën e njerëzve, rolin e mjeshtrive të ndryshme, demokrati Sami shkruan “Mjeshtëria është një mbrojtje kundër varfërisë”. Dr. Samimi e sheh punën si burim të çdo pasurie, ndërsa në lidhje me rolin e kombit, Samiu shkruan “Po të vështrohen kombet e botës, s’ka asnjë komb qoftë dhe i prapambetur që të mos ketë veti të bukura e pak a shumë zakone të mira”.
Ndërsa në lidhje me rolin e shkencës e progresin e arritur nëpërmjet saj, Samiu shkruan dhe këto: “Një shoqëri duhet të ndreqë të metat e veta duke mbajtur në dorë pasqyrën e shkencës”. Veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të jetë”, ai e analizon në katër paragrafe me këta tituj: -Përmbajtja dhe idetë kryesore të librit: Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të jetë”; -Kushtetuta e shtetit të ardhshëm indipendent të Shqipërisë; -Shteti dhe feja; -Pikëpamjet e Sami Frashërit për disa çështje të ekonomisë së vendit; - Programi arsimor i Sami Frashërit. Dy paragrafet e fundit në lidhje me pikëpamjet shoqërore të Samiut, që dalin jashtë veprës së sipërpërmendur e mbështeten në pikëpamje të S. Frashërit të vjela andej-këndej, i kushtohen -Problemit të gruas, dhe -Çështjes së fshatarësisë. Duke filluar nga Shteti e feja e deri në Konkluzion, që mbyll librin e Resos, nuk kemi asnjë shënim të dr. Vasfi Samimit. Kemi disa vijëzime në dy paragrafet para tyre, tek të cilët do të ndalemi më poshtë.
Nuk janë shumë citime të vijëzuara, dhe si zakonisht fjalët e Sami Frashërit dhe jo komentet apo interpretimet e analizat e studiuesit Esat Reso. Samiu thotë se Turqia duhet dëbuar nga Shqipëria: “nuk ka gjuhë më të mirë se shpata… kjo është udh’ e shpëtimit, e jo tjetërë”. Dhe më poshtë: “Turqia as munt të ronjë paskëtaj, as do të ronjë, edhe as duhet të ronjë – ngjallja e Turqisë është vdekje e Shqipërisë”.
Pse i ka vijëzuar këto fjalë të Samiut dr. Vasfiu. Mos ndofta shtrimi kështu në mënyrë të prerë sikur nuk shkon midis dy vendeve! Dihet që Samiu i thotë në një kuptim të caktuar: Forcimi i perandorisë donte të thoshte vazhdimin e robërisë për Shqipërinë… Në fund të kësaj pjese sillet një citat që ka të bëjë me atë që lufta çlirimtare duhet të ishte e rreptë dhe e vendosur: “Kush të na qëndrojë përpara - shkruan Samiu - e të na ndalonjë në këtë udhë të shenjtëruar, ta shtyjmë, ta rrëzojmë, ta shkelim e të shkojmë tutje!”, (përpara) - kjo fjalë e fundit është shtuar nga dr. Samimi me vend. Në paragrafin tjetër për kushtetutën e shtetit të ardhshëm shqiptar Samiu mendoi për një shtet të atillë që të kishte mbështetjen e popullit dhe jo të forcës policore. “Kur shteti – shkruan ai – shkon në rrugën e dëshirave të popullit, ai do të jetë njëqind herë më i fortë”. Dhe më poshtë: “Populli është themeli i shtetit”.
Nga shënimet që shoh, qoftë në librin e Esat Resos “Sami Frashëri”, Tiranë 1962, apo dhe atë të Zyber Bakiut të vitit 1975 për Bibliografinë e veprave të Sami Frashërit, ku Esati ka bërë parathënien e edhe e ka pajisur vende vende me shënime, nxjerr përfundimin se dr. V. Samimi mund të ketë pasur një lloj rezerve ndaj këtij autori, ku mbizotëronte më tepër se analiza e materialeve origjinale të S. Frashërit, elementi koment dhe propagandistik. Kemi një ideologjizim dhe politizim të problemeve të ndryshme. Më tepër se studiuesi shkencëtar, del në pah njeriu i partishëm, gjë e cila shpesh çonte edhe në ndonjë njëanshmëri në analizat e materialit. Samimi ishte kundër këtyre.
Më bën përshtypje tek Bibliografia e Zyberit. Në parathënien e Esat Resos s’ka asnjë shënim, në Hyrjen e Zyber Bakiut ka një “Dr. V.S.” me laps të kuq. Është si të thuash një aprovim i tij, i Vasfi Samimit, për çka shkruar në të. Vetë Samimi në ndonjë rast sa herë ka tentuar “të përshtatet” me kohën në ndonjë rast të rrallë në shkrimet e tij, si ndonjë letër etj., tingëllon disi ndryshe, del jashtë natyrës së tij, ndihet do të thosha “i zbuluar”. Nuk ishte mësuar ai të bëjë propagandë të ditës. Samimi kudo fliste me gjuhën e studiuesit të mirëfilltë, me gjuhën e shkencëtarit.
Dr. Vasfi Samimi ndiqte me vëmendje dhe samiologun tjetër nga fusha e filozofisë marksiste, prof. Zija Xholin dhe shkrimet e tij. Në artikullin e 11 qershorit 1975 në “Zëri i Popullit”, faqe 3, nuk ka asnjë shënim të tij mbi të. Artikulli bën një vlerësim të figurës së Samiut mbi bazën e veprave shqip e sidomos veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë”, duke nënvizuar vlerën e ideve të tij edhe për momentin aktual që kalonte vendi ynë. Tangent përmenden veprat e tjera në turqisht. Jemi të mendimit se dr. Vasfiu ka ndjekur edhe shkrime të tjera të këtij autori, si analizën e gjatë “Duke lexuar Sami Frashërin”, botuar në “Nëndori” 1974, nr. 3, faqe 28-75, ku ndalet në veprën “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të jetë”, apo artikuj të tjerë studimorë e publicistikë të botuar në shtypin e kohës në këto vite. Veçse nuk mund të themi kurrnjisend përderisa vetë doktori nuk ka bërë asnjë shënim. Ndofta për ndonjë send mund të supozojmë se është ndonjë qëndrim i përafërt me atë ndaj Esat Resos. Një gjë mund të themi me siguri, që ai ishte mysafir i rregullt i Bibliotekës Kombëtare dhe ulej në sallën shkencore, dhe pavarësisht se ç’kemi gjetur ne në dosjen e tij, jemi të bindur se ai i ka lexuar shkrimet e prof. Zija Xholit mbi Sami Frashërin. Bile ai njihej dhe personalisht me të.
Në vitin 1975 u botua si maket, në formë dispence, libri i Zyber Bakiut “Sami Frashëri-patriot dhe dijetar i shquar” (Bibliografi me përmbajtje të veprave), me 317 faqe. Ishte një ndihmesë mjaft e madhe për kohën, e sidomos për studiuesit që merreshin me Samiun. Njëkohësisht dhe kushdo që ta lexonte, krijonte një përfytyrim të plotë për këtë rilindas të shquar, sidomos për veprat që kish shkruar në osmanisht, të cilat përbënin pjesën më të madhe të veprës së tij. Autori i këtij libri, samiologu Zyber Bakiu, punonjës i Bibliotekës Kombëtare, një burrë i shtruar dhe i urtë, që s’i ndihej zëri dhe veç punonte, i ish përkushtuar kësaj pune për vite të tëra. Pas vdekjes së tij dolën në dritë, nga i biri, përkthime të tjera nga Samiu, si ai për personalitetet shqiptare në Kamusul Alam (Fjalori i Botës), proverbat dhe anekdotat e mbledhura nga Samiu, një libër historik për Shqipërinë e S. Kylçe (me origjinë shqiptare ky), i botuar në Turqi, etj.
Bibliografia u botua si libër i veçantë në fillim të viteve ’80 të shekullit XX. Botimi që kemi në dorë, që ka shfrytëzuar V. Samimi, i vitit 1975 i është dhënë atij nga vetë zoti Zyber Bakiu me të cilin ai njihej personalisht. Zaten libri i parë nuk u shit por iu shpërnda personave të caktuar të interesuar, nga vetë autori apo Biblioteka Kombëtare. Vetë Samimi, me ta marrë në dorë, firmon në tre vende në kapak sipër “Dr. V. Samimi/1976”. E njëjta gjë përsëritet dhe në frontespicin brenda në qoshen poshtë nga e djathta, si dhe në faqen e fundit nga poshtë nga e majta. Këto janë shënuar me një rezervë ngjyrë vjollcë, të hollë, me të cilën gjejmë të shkruar shumë rrallë në ndonjë cep të librit ndonjë send. Në faqen fill pas frontespicit kemi të shkruar me rezervë osmanisht. Nga numrat e faqeve si “faqe 65” dhe “faqe 943” më poshtë, apo nga shifrat romake I, II në paragrafin sipër, dhe I, II-III (sëbashku) dhe IV në paragrafin poshtë, vijmë në përfundimin se V. Samimi mbi bazën e leximit të librit në fjalë planifikonte të shkruante diçka, siç edhe bëri në të vërtetë. Është interesant se firmën e doktorit Vasfi e gjejmë në gjashtë vende të ndryshme të librit, të cilat duke gjykuar nga materiali, faqet përkatëse, na nxjerrin në konkluzionin se ai jep aprovimin për t’i përdorur në shkrimet e veta për Sami Frashërin.
Këto janë faqja 35 me shifra romake e hyrjes, ku Zyber Bakiu arsyeton e argumenton pse Sami Frashëri shumicën e veprave të tij i shkruajti në turqishten e vjetër; faqen 11 ku renditet bibliografia e veprave shqip të Samiut; faqen 121 ku ai flet për materialet shkencore të revistës “Hafta” (Java) të vitit 1881 që nxorri Samiu dhe që dr. Vasfi Samimi i përktheu nga origjinali; faqe 225 ku gjejmë fragmente nga zërat e enciklopedisë së Samiut, si “Epiri”, “Arbëria”, etj.; faqe 255 ku ndalet në atë që Samiu u bë i pari si përkthyes në Perandorinë Osmane që i rrinte besnik origjinalit, duke thyer një traditë shumëshekullore që vihej dorë në tekstin e përkthyer nga vetë përkthyesi.
Së fundi kemi prapë një firmë me laps të kuq “Dr. V.S.”, pikërisht në pjesën ku jepet bibliografia e atyre që kanë shkruar për Sami Frashërin në turqisht, por aty dr. Samimi ndan një pjesë të autorëve me laps blu. Këta me sa dimë e kuptojmë ai kish në plan t’i shfrytëzonte për të shkruar një nga paragrafet hyrës për S. Frashërin në përkthimin e tij të materialeve për shkencat e natyrës nga revista “Hafta”, me titull “Vigani i punës mendore”. Atë ne nuk e gjetëm në materialet e dosjeve për S. Frashërin. Me sa duket e kish lënë për në fund dhe nuk arriti ta shkruajë. Por autorët ku mendonte të mbështetej, ai i ka shënuar me lapsin blu dhe në krah ka vënë një shenjë shumëzimi të mbyllur me rreth.
Në faqen e fundit të librit, nën “Dr. Vasfi Samimi/1976”, ka shënuar Aristoteles-384-322, Stagora-P.K.. Nga “Kamus’ul Alam” Zyber Bakiu përkthen me shkurtime dhe filozofin Aristotel, po pa shënuar vitet e lindjes, e vdekjes, vendlindjen, etj. Këto me sa duket doktori i ka gjetur në ndonjë burim tjetër, si ndofta shkurt “P.K.”, po që s’jep asnjë shpjegim, dhe i ka shënuar në qoshen e majtë në fund të faqes me një stilolaps me ngjyrë të zezë që shkruante trashë.
Gjatë librit në disa vende ai ndreq gabimet e fjalëve turqisht kur nuk janë shkruar saktë, si p.sh. në faqen 144 “xhep kutuphanesi” në vend të “t” ish shkruar gabimisht “l”, apo faqe 130 titulli i romanit të parë turk të shkruar nga Sami Frashëri “Dashuria e Talatit me Fitneten”, fjala e parë “Taașșuku Talat ve Fitnat”, s-të ishin shkruar pa bisht poshtë që e kthen në sh, fjala Talat ishte shkruar Tal’at, dhe dr. Vasfiu i ndreq me laps të kuq. Kështu edhe në vende të tjerë sa herë konstaton gabime të bëra sigurisht nga shtypshkronja, gjithashtu në vende të ndryshme sa herë has përkthime të pasakta ai vë pikëpyetje, i nënvizon. Këto do i përmendim në shtjellimin më poshtë, kur të shohim shënimet që ka bërë gjatë bibliografisë së Zyber Bakiut. Gjatë librit të samiologut Bakiu gjejmë gjashtë vende ku ai ka bërë shumë shënime me laps të kuq dhe blu, dhe vetëm në një rast me laps plumbi.
Ato janë: 1) faqet 44-46 dhe 50-52; 2) faqet 83-125; 3) faqet 129, 139-144; 4) faqet 254-265; 5) faqet 304-306, dhe së fundi 6) 307-314.
Le t’i shohim një nga një këto vijëzime të doktor Vasfiut, të cilat kanë të bëjnë me interesat shkencore të tij, kanë të bëjnë me interesimet e tij për punimin që përgatiste për Sami Frashërin.
Nga faqja 16-48 në librin bibliografik të Zyber Bakiut është trajtuar vepra e Samiut “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, duke dhënë përmbajtjen e saj në mënyrë të shkurtuar dhe duke bërë ndonjë citim për ide të caktuara. Vëmendjen e Samimit e kanë tërhequr dy-tre paragrafet e fundit të krejt librit të pjesës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Në krye të faqes 44 dr. Samimi ka firmosur me ngjyrë të kaltër “Dr. V.S.”, por këtë rradhë jo thjesht gërmat por tamam firmë e shkruar me shpejtësi dhe me viza shtesë.
Titulli i paragrafit XVI është “Punët e Begatisë”. Doktori merret me problemet ekonomike dhe ato të shkencave të natyrës të trajtuara në veprën në përgjithësi të Samiut dhe këto i tërheqin vëmendjen dhe tek traktati i tij politik. Por këtu e intereson në mënyrë të veçantë e ardhmja e Shqipërisë, e kombit: “Duke e përfytyruar Shqipërinë me një territor prej katër vilajeteve, siç është kërkesa e rilindasve – shkruan Zyber Bakiu – ai tregon se Turqia nga ky territor nxirrte tre milion lira turke, që janë baraz me 66 milion fr. ari në mot, përveç ç’vidheshin e ç’hajen e ç’humbasin kot”.
Më poshtë dr. Vasfiut i tërheq vëmendjen fakti me atë që Samiu tregon si duhet të jetë monedha shqiptare, si duhet të ngrihet dhe të organizohet Banka Kombëtare.
Për rrogat Samiu thotë: “Dy gjëra i prishnë shumë herë njerëzit e një qeverije: rog’ e teprë (këtë e nënvizon Vasfiu) q’u hap udhën edhe prishjes e së madhërisë, edhe rog’ e pakë q’i bën të vjedhin e të mos vështrojnë punë. Prandaj në Shqipëri duhet të mos ketë as rrogë shumë të madhe as shumë të vogëlë”. Aty në krah të këtyre rrjeshtave ka vënë !!! dhe një vijë në krah. Ndofta tre pikëçuditëset kanë të bëjnë me fjalët e Samiut “prishjes” dhe “madhërisë”, domethënë mendjemadhësisë.
Në paragrafin tjetër Samimi çmon shumë, duke vijëzuar fjalën katundaritë që e vijëzon. Kjo është një neologjizmë e tij, e cila i përgjigjet fjalës komunë që përdorim sot. Dr. Vasfiu në paragrafin e fundit të librit, “Përmbledhje”, nuk mungon të nënvizojë frazën e mëposhtme për të ardhmen e shkëlqyer të Shqipërisë. Vetë ai ishte një optimist i pandreqshëm, sidomos për të ardhmen e vendit të vet. Në këtë drejtim ai s’i linte gjë mangut rilindasit Sami Frashëri. “Në pakë kohë (Shqipëria) do të bëhesh një nga më të bukuritë vende t’Europësë e të gjithë dheut…”. Ndërsa për rrugët për arritjen e kësaj le të ndjekim vijëzimet e dr. Samimit në fjalët e S. Frashërit: “Vetëm dëshira dhe vendosmëria e shqiptarëve të bashkohen të gjithë, të çdukin dasinë fetare”. “A jemi shqiptarë – pyet Samiu – Besa, feja, puna, kujdesa, dëshira jonë, mendimi ynë të jenë për Shqipërinë e për shqiptarinë. Të shpjemë gjuhën përpara, ta xgjerojmë e ta zbukurojmë me shkronja e me dituri; të japimë shkolla, të mësojmë, të mos mbesë ndonjë shqipëtar i paditur…”.
Në faqen 46, tek një shënim i Zyber Bakiut, ai ka nënvizuar titullin e një vepre të vogël me përzgjedhje nga veprat e tij. “Sami Frashëri – “Dheu është flori”, Tiranë 1957, me 30 faqe. Ndofta dijetarit tonë dr. Vasfi Samim Visoka i ka tërhequr vëmendjen titulli që ka të bëjë me bujqësinë, fushës së cilës ai i kish kushtuar profesionet e veta si veteriner e zooteknik, me të cilat ai u mor gjithë jetën dhe ku qe i sukseshëm, tepër i suksesshëm, ashtu sikurse edhe në çdo fushë tjetër me të cilën u muar, ai na la punë cilësore, të kalibrit më të lartë.
Fill pas shqyrtimit të veprës më të madhe në shqip të Sami Frashërit, vjen një bibliografi alfabetike e veprave dhe artikujve mbi atë dhe atyre artikujve në përkatësi me atë. Aty mbi to, në përputhje me interesat e veta shkencore, Vasfi Samim Visoka ka nënvizuar me laps blu e të kuq një sërë artikujsh. Kështu p.sh. në krye të tyre vjen artikulli i Fiqiri Islamit “Sami Frashëri dhe mendimet ekonomike të tij” – “Ekonomia Popullore”, 1965, nr. 6, faqe 38-53.
Kjo ka lidhje me interesat e tij për të ndriçuar anën ekonomike, lidhur me bujqësinë, shkencat e natyrës dhe arsimin. Ky është një bllok që manifestohet me përkthimet nga revista “Java” (Hafta) që përfshihen në punimin e tij për Sami Frashërin. Në këtë kuadër shohim të vijëzuar artikullin e samiologut Hasan Kaleshi “Sami Frashëri, popullarizues i shkencave moderne”- “Jehona”, Shkup 1968, nr.10, faqe 25-43. Vetëm se aty ai bën edhe një kllapë me laps në ngjyrë të kuqe dhe poshtë artikullit tre pikëçuditëse. Fjala Shkup ka dy viza nën të, plus viti 1968 është rrotulluar dy herë me rreth me laps blu. Me sa duket Samimit i ka bërë përshtypje titulli shkenca moderne, i cili brenda ka një nonsens në fjalën “moderne”.
Një artikull tjetër në këtë kuadër është ai i S. Priftit “Mbi idetë arsimore të Sami Frashërit” – “Arsimi popullor”, 1953, nr. 6, faqe 56-66. Dihet interesimi i dr. Vasfiut për artin, sidomos atë dramatik, ai ka qenë një hobi i përhershëm për të. Ai ishte njeri me shpirt artisti i lindur. Ai krijoi drama vetë, i vuri në skenë në Turqi, në Stamboll, në Gjermani, në Berlin bëri kurse për artin dramatik me regjizorin e famshëm gjerman Maks Reinhard, regjizor i artistit tonë të njohur në botë Aleksandër Moisiu, të cilin e kish njohur dhe personalisht. Një nga dramat që ka përkthyer vetë nga osmanishtja është drama e S. Frashërit “Giave”.
Ndaj nuk është rastësi vijëzimi e ndjeshmëria e tij ndaj një artikulli të tillë në krah të të cilit vë një pikëçuditëse. S. Frashëri “Besa”, Dramë, Reç.: Mbi dramën “Besa” (Shënime kritike) – Zëri i Popullit, 1951, 8 qershor. Një recensë tjetër është dhe ajo e monografisë së samiologut turk Agjah Sirri Levend “Semsettin Sami”, Ankara 1969, me recensë të Shaban Çollakut – Studime Historike 1973, nr. 1, faqe 175-184. Aty rrihet problemi i madh që a është e Samiut vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, problem të cilin edhe dr. Vasfiu e shqyrton në punimin e tij për Sami Frashërin. Edhe ai ka parë me sy kritik në këtë drejtim veprën e Levendit, i cili në këtë drejtim bën një “atentat” ndaj rilindasit tonë Sami Frashëri në përpjekje për të nxjerrë që ai, me gjithë origjinën e tij shqiptare, ishte turk në jetën e veprën e tij.
Në pjesën ku jep gazetat e revistat në gjuhën turke që ka nxjerrë Samiu apo ka shkruar në to, është njëra ku Vasfiu ynë ndalet në mënyrë të veçantë, revista “Hafta” (Java) e vitit 1881. Në faqen 83 të veprës së Zyber Bakiut vijëzohet “Hafta”, Muharriri (Shkrimtari) S.Sami/Frashëri/ Edebiyat ve funun ve sanati ‘a dair mecmuadir/ Java, Redaktor: Sh. Sami, Revistë letrare, shkencore dhe artizanale, Istambul 1298 H/1881 E.R./. Vitin 1881 doktori e ka futur në rreth dhe poshtë, në fund të faqes, e shënon 1881 dhe i vë një pikëpyetje. Pra ka një dyshim, mos është ndonjë gabim viti i daljes së revistës. Në fakt ky është viti i saktë i daljes së saj.
Pa dashur të futemi në shënimet e bëra nga dr. Vasfiu, sepse ato i ka pasqyruar në punimin e vet për Samiun me përkthimet që ka bërë nga faqet e revistës, ato kanë të bëjnë me fushën e shkencës e të arsimit. Në secilin prej tyre shohim firmën e Samimit “Dr. V.S.”, si një “okej” që titujt e analizuar nga Zyber Bakiu i mendon t’i përkthejë të plota për punimin e tij, pjesën për shkencat e natyrës. Është interesante se ndërsa në revistë artikujt e veçuar nga dr. Samimi kronologjikisht vijnë njëri pas tjetrit, vetë doktori i ka rradhitur në konceptimin e tij mbrapsht. Artikulli i parë i vijëzuar me ngjyrë të kuqe “Përparimi dhe arsimi”, shënohet me numër 18 në faqen 84 të Bibliografisë së Z. Bakiut, për të dalë tek më i fundit në faqen 125 “Dobitë e diturisë” me numër 1. Brenda këtij harku ka artikuj nga fizika si ai me numër 7, faqe 109, me titull “Elektriciteti”, apo ai me numër 5, faqe 119 me titull “Magnetizmi”, ai me numër 2 i faqes 124 nga fusha e kimisë me titull “Termat kimike”, artikujt për ujin nr. 10 (faqe 101), dy artikujt për ajrin me nr. 16 (faqe 91). Ka dhe artikuj të tjerë për bujqësinë, për mësimin e gjuhëve etj. etj.
Gjatë shqyrtimit të kësaj pjese Samimi ka vërejtjet e veta si për përkthimin, për saktësinë e tij. Nuk mungon të bëjë shënime apo dhe të shkruajë mendimin e tij për saktësinë e përdorimit të termit raca njerëzore, të cilin e sheh si jo adekuat, aty këtu vë ndonjë pikëpyetje. Diku, si në faqe 91, shohim një pikëpyetje dhe shënime në osmanisht të bëra me rezervë ngjyrë vjollcë. Tek shkrimi për Hoxha Tahsinin, faqe 92-97, në fund bën shënimin se mungon një pjesë ku flet për takimin me një gjerman të ditur me emrin Pol Gronifel. Brenda artikullit nënvizon dhe fjalën sekstant, e cila nuk është shpjeguar se ç’është si vegël shkencore. Gjithashtu për emrin Tahsin Hoxha ka vërejtje se është shkruar Tahsim me “m” dhe ka vënë pikëpyetje në fund, se normalisht e tradicionalisht është përdorur Hoxha Tahsin dhe V. Samimi mendon se duhet të jetë jo siç është shpjeguar por termi Hoxha Tahsin, pra në krye, si titull që i qe dhënë në Stamboll në kuptimin profesor, mësues. I tillë përdoret edhe sot e kësaj dite në auditoret e Universitetit të Stambollit e të krejt universiteteve të Turqisë si titull.
Gjithashtu ai nuk mungon të ndreqë fjalën medrese (shkollë, turqisht, L.B.) që gabimisht shkruhet me n, “mendrese”. Në shënimin 7 në fund të faqes 97 Zyber Bakiu shkruan “Nga veprat e Hoxha Tahsinit në Bibliotekën Kombëtare gjenden këtu dy vepra në gjuhën turke: 1. - Esasi Ilmi Heyet [Bazat e kozmografisë], botuar më 1893, dhe 2. – Psikologji [Psikologjia], botuar më 1894”. Titujt e veprave të Hasanit janë vijëzuar me laps të kuq, ndërsa lehtë me laps të kuq mbi gërmën “m” tek fjala Tasimi ka rënë një vijë e kuqe, domethënë që duhet ndrequr me formën e drejtë Tahsini.
Në faqen 109 me rezervë stilolapsi, në vend të përkthimit qëniet trupore është vënë fjala qëniet e gjalla. Bile ai shënon edhe disa fjalë osmanisht, të cilat i nënvizon. Dr. Samimi ka vërejtje sidomos për shënimet e bëra nga Esat Reso për përkthimet nga “Hafta”, të cilat ai i shikon me njëfarë rezerve, e sidomos këto lidhur me ideologjizimin e politizimin që i përshkon ato. Lidhur me gjuhën osmane ai nënvizon me laps plumbi faktin që duhen mënjanuar huazimet e panevojshme nga arabishtja. Me laps të kuq dr. Samimi nënvizon fjalët e Samiut “Më mirë të stolisesh me hirken (bluzën) tënde të vjetër, se me një hirke të re të marrë hua”. Janë fjalë të marra nga një strofë vargjesh persisht të sjellë nga Sami Frashëri. Afërsisht një vërejtje të tillë e kemi dhe në faqen 121.
Në faqen 123 në pjesën “Komponimet kimike” ka një fjalë në fund “elemente”, të cilën dr. Vasfiu e vijëzon me laps të kuq dhe shkruan diçka nën të osmanisht me stilolaps. Dhe për të përfunduar me shënimet në “Hafta”, në pjesën “Dobitë e diturisë”, në fund ai bën një shënim: “Shum pakë! Me rëndësi të madhe dhe gati aktive (?)”. Ka vetëm një paragraf të përkthyer, dhe me sa duket dr. Samimit i vjen keq që s’është përkthyer më shumë. Zyber Bakiu bën shënimin se “Në këtë artikull shifen pjesë të anuluara nga cenzura”.
Problemi i tretë që ka të bëjë me punimin e dr. V. Samimit është përkthimi i dramës “Giave” të Sami Frashërit të bërë prej tij. Ai e ka përkthyer atë para se të dilte Bibliografia e Zyber Bakiut. Duke gjetur shënime për këtë dramë në këtë bibliografi, ai me laps plumbi nënvizon gjërat që i interesojnë. Në pjesën “Veprat letrare të Samiut”, faqe 129, gjejmë të futur brenda dy vijave të trasha të bëra me laps plumbi këtë pasazh të gjatë që po e sjellim të gjithë: “Drama “Gaave” që është e fundit (në rradhën e dramave të S. Frashërit) ndryshon nga të tjerat. Aty Samiu ka përshkruar mizorinë e pashoqe të një tiranie, duke bërë aluzion mbi sundimin absolut të sulltanëve turq. Ay tregon kryengritjen e popullit, që arriti të përmbyste tiraninë. Sipas komentit të A. S. Levend – Semsettin Sami, faqe 70, dramat e Samiut janë përpunuar mirë dhe nuk mbeten aspak pas me veprat teatrale të kohës së tij”.
Faqe 139-144 jepet përmbajtja e dramës “Giave” ku dr. Vasfi Samimi bën një sërë shënimesh. Së pari sillen të dhënat mbi këtë dramë nga Zyber Bakiu dhe dr. Vasfiu shënon me laps plumbi vertikalisht në krah vitet 1974/1975 dhe firmën e vet “Dr. V.S.”. Pra në këto dy vite Vasfiu ka punuar për përkthimin e dramës “Giave”.
Sipas Zyber Bakiut jepen këto të dhëna: “4. /Frashëri/ Sh. Sami. GAVE, Beș fasildan ibaret facia /Gave, dramë me pesë akte/, Istambul, Tasviri Efkar Matbassi, 1293/1876 – E.R/ 190 faqe turqisht, 10/15 cm. Në Bibliotekën Kombëtare Tiranë gjendet në nr. vendi: Al 8/3F”.
Në faqet 140, 141, 142, 143, 144 sillet përmbajtja e dramës, e cila është jashtë vëmendjes tonë në këtë rast. Në fund të faqes 141 gjejmë disa rrjeshta të vijëzuar: “Samiu me këtë dramë me Dahak-un (heroin kryesor, L.B.) ka personifikuar sulltanët e Turqisë, që kanë qenë gjakpirës të mëdhenj (f. 142) armiq të popullit. Ata e konsideronin Turqinë bashkë me posedimet e tyre, pronë të tyre dhe të gjithë banorët si skllevër”. Këtu, pasi vijëzon tre fjalët e fundit, dr. Samimi vë një pikëpyetje (Sigurisht që për të ka një teprim në thënien e kësaj fjale, aq më tepër për vendin e shqiptarëve në këtë perandori. Vetë dr. Vasfiu kish jetuar në këtë shtet, L.B.). Po në vitin e kësaj vepre të Samiut hipi në fronin e Turqisë osmane Abdyl Hamidi II, i cili luftoi kundër mësimit të gjuhës shqipe.
Në krah të pjesëve të mëposhtëme të përmbajtjes ai shënon në anë të faqes fjalën “vendi?”, e ka fjalën për vdekjen e Abdyl Frashërit që s’thuhet ku vdiq. Në fakt në Stamboll. Apo për vdekjen e Samiut nga moskurimi nga shiatiku në llixhat e Brusës, meqë s’i dha leje sulltani, vë një pikëpyetje në krah. Prapë diçka që s’është thënë e saktë nga Zyber Bakiu e ngacmon që ai të shënojë një -?. Ai shkruan “Histori-Drama”. Kuptojmë që dr. Vasfiut nuk i pëlqen të dramatizohet historia, të bëhet më keq nga ç’ka qenë. Edhe për ato ç’ka tregon në faqen 143 në planin personal Zyber Bakiu për gjendjen në kohën e Turqisë, Samimi shënon: “Histori-Personal-Drama”, dhe për një ngjarje që tregon bën shënimin “Ku mbeti?”. Pra, dhe ana personale dramatizohet. Pra dr. Samimi s’është i një mendimi për mënyrën si shprehet Z. Bakiu për të ndodhurat në Perandorinë Osmane, të cilat ai i ka përjetuar dhe vetë, ka qenë dëshmitar i tyre.
Në rubrikën “Përkthimet e Samiut nga frëngjishtja”, Zyber Bakiu të fundit shqyrton romanin “Të mjerët” të Viktor Hygoit, të përkthyer nga S. Frashëri. Me këtë përkthim të kësaj vepre, duke mos u larguar nga teksti origjinal, Samiu ka hapur një rrugë të re në Turqi për përkthimet, gjë që u kundërshtua nga shkrimtarët e vjetër, por më vonë u adoptua nga shkrimtarët e rinj turq. Nga vepra e Hygoit ai përktheu vetëm tre librat e parë. Thuhet se ajo ose u ndalua nga cenzura, ose se nuk pati blerës të mjaftë. (Vijëzimet të dr. V. S. Visokës, L.B.). Përkthimet që bëheshin më parë në osmanisht mbusheshin me fjalë bombastike arabe e persiane për të krijuar rimën e fjalëve në prozë, siç bëhej në shkrimet turke, duke u larguar nga përmbajtja e origjinalit dhe duke i bërë të pakuptueshme.
Në anë të faqes janë shkruar disa gjëra osmanisht, por ajo që të bën përshtypje është se është shkruar me laps të kuq me majë të trashë, gjë që paraqet mjaft vështirësi. Në faqen 256 të bibliografisë, në rubrikën “Vepra të pabotuara të Sami Frashërit”, ka vijëzuar si dashamirës i artit e letërsisë dy vepra:
Nr.2 “Iskati cenin-yahut-Ikisi őlmŭș ikisi çildermiș (Dështimi i fëmijës, ose të dy kanë vdekur ose të dy janë çmendur), 1873 (roman). Sipas Islam Ansiklopedisi Cüz 115, f. 411.
Nr. 3 “Rekabet” (Konkurenca), 1873 (roman). Sipas Islam Ansiklopedisi Cüz 115, f. 411. Titujt dr. Vasfiu i ka vijëzuar me laps të kuq dhe në krah ka vënë dy pikëçuditëse.
Në faqen 257 V. Samimi has si datë të vdekjes së Samiut vitin 1331 Hixhri, të cilën e korrigjon sepse nuk i përgjigjet realitetit ndaj e rrethon me laps të kuq. Pasi bën një llogari në krah të faqes, duke u nisur nga fakti i njohur që Samiu vdiq në 1904, vjen në përfundimin që ajo duhet të jetë jo 1331, por të ndërrohen shifrat 1313.
V. Samimi merret dhe me dy përmendore të gjuhës turke “Kutadgu Bilig” (Njohuri që të bëjnë të lumtur) - 1902, dhe “Orhun Abideleri” (Monumentet e Orhunit), Istanbul 1903, të cilave Samiu u kushtoi dy punime të tij që s’arritën të botohen. Me laps të kuq ka disa shënime në secilin prej tyre. Samiu u mor me veprën e parë sepse ishte një burim i rëndësishëm për fjalët që ishin të nevojshme për turqishten, pasi nga invadimi i saj nga fjalët arabe e persiane shumë fjalë turke ishin harruar. Gjithashtu në faqen 259 në vijim të shënimit ai ka futur në rreth vitin 1942 kur është botuar kopja e Vjenës e “Kutadgu Bilig” në Stamboll, sikurse dhe të dy të tjerat, njëra e gjetur në Fergane e botuar po atë vit dhe kopja e gjetur në Egjypt, botuar po në Stamboll në vitin 1943. Gjithashtu dr. Samimi ka vijëzuar fjalën transliteruar lidhur me atë që kjo vepër është kthyer me shkronjat turke (latine) dhe botuar në dy vëllime: 1. Teksti (Istanbul 1947), 2. Përkthimi në gjuhën e tanishme turke (Ankara 1959).
Në faqet 261-262 Zyber Bakiu merret me veprën e dytë të pabotuar të Samiut “Përmendoret e Orhunit”. Këtu dr. Vasfiu “i skuq” këto dy faqe, si duket zgjojnë interes tek ai “historia” e gjetjes së tyre në shtratin e sipërm të lumit Jenisei dhe në rrënojat e qyteteve Karakurum dhe Karabalgasun në Mongoli. Dijetarët Hajkel e Radlov dhe Tomson u morën me regjistrimin dhe zbërthimin e këtyre shkrimeve. Samiu është marrë me zbërthimin e këtyre përmendoreve shkruar me urdhër të Bilge Hanit, mbretër turq në shekullin VIII të erës sonë në dy vendet e sipërpërmendura. Kjo vepër e S. Frashërit, siç del nga vijëzimi që ka bërë dr. Samimi, përbëhet nga 104 faqe.
Në pjesën e tretë të punimit të tij bibliografik Z. Bakiu nga faqja 286-307 sjell të dhëna me interes nga monografia e A. S. Levend – Semsettin Sami, Ankara, Universitesi Basimevi, 1969, 212 faqe, vepër e cila ndodhet në Bibliotekën Kombëtare me numër vendi Al 2/40E dhe 49F. Në tërë këto faqe vëmendjen e tij e ka tërhequr vetëm një kapitull nga fundi me titull “Një vepër që kërkohet t’i mvishet Samiut”. 2-3 faqet më pas stolisen me viza të kuqe që përfshijnë paragrafë të caktuar, dhe në krah të tyre stolisen me tre pikëçuditëse apo me pikëpyetje. Prapa “analizës” që bën Levendi fshihet synimi për ta paraqitur Samiun si “turk”, dhe për këtë ai bën “kurban” veprën e tij kryesore shqip: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, e cila është një monument i shqiptarizmit. Për të bërë këtë ai përfiton nga fakti që ajo u botua në Bukuresht më 1899 pa emër autori për shkak të rrethanave të ngarkuara të kohës.
Pozicioni i V. Samimit, nga shtjellimi që i bën këtij problemi, as që e diskuton se e kujt është kjo vepër si “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Bile duke ndjekur arsyetimet e Zyber Bakiut shënon dy apo tre argumentet që sjell ai në favor të faktit se kjo vepër i takon Samiut. Së pari, thelbi i përmbajtjes së veprës madhore të S. Frashërit është i njëjtë me përmbajtjen e letrës së dërguar prej tij De Radës 18 vjet para botimit të traktatit të tij politik. Së dyti, Islam Ansikopedisi Cuz 115, faqe 412, botuar më 1968, ka pranuar faktin konkret ku bën fjalë mbi S. Frashërin. Së treti, pas njohjes me këtë, domethënë Islam Ansiklopedisi, nuk shihet nga A. S. Levendi asnjë shkrim që ai ta kundërshtojë këtë fakt që bie në kundërshtim me ç’ka pohon ai vetë. Megjithëkëtë nga pikëçuditëset e pikëpyetjet që vë dr. V. Samimi, arrijmë në përfundimin se në diskutime të tilla duhet gjykuar me përgjegjësi shkencore e jo nga pozita sempliste pasi pesha dhe ndihmesa e Shemsedin Sami Frashërit për gjuhën e kulturën turke është shumë e madhe, do të thoshim e jashtëzakonshme, me mëse 50 veprat e tij të shkruara turqisht.
Nga faqja 307-315 sillet bibliografia e Sami N. Özdemir e veprave dhe artikujve mbi Sami Frashërin, e botuar në fund të librit të A. S. Levendit. Mbi këtë bibliografi me laps blu V. Samimi ka vijëzuar autorët që i kanë interesuar. Po përse? Nga hulumtimet tona vijmë në përfundimin se kjo ka të bëjë me synimin e tij për të shkruar në fillim të punimit të tij për Sami Frashërin një syth, një si hyrje me titull “Vigani i punës mendore”, gjë që s’e arriti ta shkruajë, ose të paktën ne nuk e gjetëm në dosjen e tij përveç shënimeve mbi jetën e tij të nxjerra direkt si përkthim nga vepra e Levendit për Samiun. Këta autorë i ka vijëzuar me laps blu dhe në krah të faqes, në anë të saj, ka bërë një shenjë shumëzimi të rrethuar me rreth, po me laps blu. Kur kanë qenë seri shkrimesh, atëhere ka vënë shenjën në formë “v” në krye të çdo artikulli. Në ndonjë rast kur ka pasur ndonjë vërejtje, për titullin e artikullit përdor pikëçuditëset e tij, dy ose tre, njëra pas tjetrës, diku duke pasur rëndësinë e veçantë të burimit e shënon me laps të kuq.
Por me sa marrim vesh ne, në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me autorë të mirënjohur në fushën e letrave. Pa e zgjatur në burimet e plota, po përmendim emrat e autorëve ku dëshironte të mbështetej vetë dr. Vasfi Samim Visoka për të shkruar një kapitull dinjitoz në hyrje mbi punën shumë të madhe të Sami Frashërit, deri sa i vë titullin “Vigani i punës mendore”.
Autorët e nënvizuar prej tij, sipas rradhës që ndodhen në bibliografi, janë: 1. Hikmet Turhan Daglioglu, që ka bërë një nga monografitë e para për Samiun, të shkurtër por shumë koncize dhe plot materiale të dorës së parë; 2. Ali Kemal, dy artikuj të rëndësishëm për ndihmesën për gjuhën turke të Samiut; 3. Hasan Ali Ediz, me një vlerësim tërësor për S. Frashërin si dijetar i madh; 4. Hikmet Feridun Es, me një seri prej nëntë shkrimesh për jetën e Samiut nga burime të dorës së parë; 5. Hakki Suha Gezgin, me një artikull të rëndësishëm për Samiun; 6. Mithat Cemal Kuntay, me tre artikuj, prej të cilëve dr. Vasfiu vijëzon në mënyrë të veçantë të mesit. Autori ish shqiptar dhe ka shkruar një libër në 3 vëllime për rilindasin turk Namik Qemal; 7. Sedat Oksal shkruan për Shemsedin Samiun dhe veprën e tij, artikull gazete; 8. Orhon Sejfi Orhon boton një sërë artikujsh dashakeqës ndaj Sami Frashërit; 9. Omer Seyfetti shkruan në dy artikuj për ndihmesën e S. Frashërit për turqishten. Është shkrimtar i njohur turk; 10. Ismail Habib Sevuk, i njohur për studimet e tij në fushën e historisë së letërsisë turke, shkruan me respekt të jashtëzakonshëm për Samiun; 11. Sulejman Nazif, prapë shkrimtar tjetër turk, shkruan për ndihmesën e Samiut në fushën e fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-shqip në 2-3 artikuj të tij; 12. Ahmet Ihsan Tokgöz, botues e shkrimtar turk, i cili përmendet për dy intervistat që i ka bërë direkt Samiut dhe shkrimet përkujtimore pas vdekjes, ku flet me respekt të thellë për mjeshtrin e madh; 13. Vala Nurettin përmendet për një seri shkrimesh që hanë diskutim dhe që dr. Vasfiu nuk mungon në anë të faqes t’u verë nja tre pikëçuditëse të gjata; 14. Hyseyn Cahit Yalçin, një shkrimtar i shquar turk që i njihte mirë personalisht Frashërllinjtë përfshi edhe Samiun, dhe që i njihte mjaft mirë edhe rilindasit shqiptarë e fliste mirë me simpati për ta. Për këtë më ka folur vetë doktori, i cili i ka kushtuar dhe një shkrim të tërë këtij rilindasi turk në shtypin shqiptar. Këtu ai shënohet nga dr. Vasfiu për një shkrim mbi S. Frashërin të bërë në gazetën “Thesari i shkencës” (Servetifunun); 15. Jusuf Akçura, për një shkrim në revistën prestigjioze “Turk Yili” (Viti turk); 16. Omer Faruk Akun për zërin Shemsettin Sami në Islam Ansiklopedisi Istanbul 1968; 17. Bursali Mehmet Tahir; 18. Ibrahim Alaettin Govsa; 19. Hayat Ansiklopedisi; 20. Ibnulemin Mahmut Kemal Inal; 21. I. H. Kramers; 22. Behcet Nexhatigil; 23. Mustafa Nihat Ozon dhe Baha Durder; 24. Resimli Turk ve Dunya Meshurlari Ansiklopedisi Istanbul 1959; 25. Ibrahim Necmi Dilmen; 26. Paul Horn në Histori e Turqisë moderne (gjermanisht), dhe 27. Vasfi Mahir Kocaturk. Pothuajse të tërë autorët, duke filluar nga numri 17 deri 27, janë kryesisht botime enciklopedike.
Samiologu i fundit shqiptar që Vasfi Samimi ka njohur, si nga shkrimet e tij ashtu dhe personalisht, është Shaban Çollkau. Në vitin 1972 në revistën “Nëntori”, nr. 2, faqe 33-38, ai botoi shkrimin studimor “Gratë-gjysma e njerëzimit (për librin e S. Frashërit “Gratë”). Më 1973 në revistën “Studime Historike”, nr. 1, faqe 175-184, boton një recensë për librin e A.S. Levend “Shemsettin Sami”, Ankara 1960. Ndërkohë, në organe të ndryshme të shtypit qendror si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Mësuesi”, “Drita”, etj., ai do të botojë shkrime të ndryshme kushtuar figurës së Sami Frashërit në vitet ’70 të shekullit XX. Këto sigurisht nuk kishin si i shpëtonin syrit të Vasfi Samimit.
Më 1978 doli dhe monografia e Zija Xholit “Sami Frashëri - nga jeta dhe vepra”, 185 faqe, për të cilën Shabani do të bëjë një recensë në “Studime Historike”, nr. 2, 1983, faqe 96-199, por Samimi tashmë kish dy vjet që kish vdekur. Megjithatë, më shumë nga shkrimet se sa si njeri, dr. Vasfiu është njohur dhe me këtë samiolog, i cili do të shkruajë artikuj studimorë në vitet ’80, derisa më 1986 ato do t’i kurorëzojë apo do të kulmojnë me veprën e tij të rëndësishme “Mendimi iluminist i Sami Frashërit”. Nga disa shënime të tij në dosje kuptojmë se dr. Vasfiu ka dashur ta takojë qysh në mesin e viteve ’70 Shaban Çollakun dhe e ka takuar e njohur atë, ka pasur kontakte me të por jo të shpeshta. Këtë unë e di personalisht si nga dr. Vasfiu ashtu dhe nga Shabani vetë, nga goja e tyre.
Pra, dr. Vasfi Samimi i njihte personalisht dhe nga shkrimet e tyre tërë samiologët e kohës vet, ashtu siç njihte dhe samiologun kosovar Hasan Kaleshi nga veprat e tij.


3. Në mesin e orientalistëve shqiptare

Pasi bëmë një udhëtim të shkurtër me dr. Vasfi Samimin në literaturën për Sami Frashërin, pra një vështrim në laboratorin krijues të tij, tani le të shohim cili është vendi i tij midis orientalistëve shqiptarë dhe raportet e tij me ta. Në fillim le të shohim “grupet” e tyre apo brezat e tyre, duke u nisur nga mosha dhe veprimtaria e tyre.
Ata me sa njohim ne janë mjaft. Së pari është brezi më i vjetër i orientalistëve, të cilët kryesisht arsimimin e tyre në gjuhët e lindjes, arabisht, persisht e osmanisht (turqishten e vjetër) e bënë në përgjithësi para luftës së dytë boërore. Shkollimi i tyre është i ndryshëm, po një pjesë e mirë e tyre ishte produkt i Medresesë së Madhe të Tiranës, ashtu sikurse një pjesë e kryen jashtë Shqipërisë, apo në mënyrë autodidakte, apo patën rastin të shkollohen në Stamboll, Kajro apo Teheran. Ndër ta mund të përmendim Haki Sharofin, Vehxhi Buharanë, Jonuz Tafilaj, Tahir Dizdari, Ali Erebara, Zyber Bakiu, Myqerem Janina, Hamdi Bushati, dhe nga Kosova e Maqedonia orientalistët e shquar Hasan Kaleshi, Skënder Riza dhe Ali Vishko.
Ka qenë dhe një orientalist i veçantë, njohës i shkëlqyer i persishtes, Hafëz Ali Korça, por ky është më i hershëm edhe se këta sepse i takon brezit të rilindasve të vonshëm, dhe këta u persekutuan nga regjimi komunist si klerikë dhe nuk i kaluan vitet ’50 të shekullit XX. Pas luftës së dytë botërore e patën vrapin e shkurtër në jetë. Këta orientalistë sipas trajektores jetësore të secilit, me hipjet e zbritjet e kohës, me zgjatjet e tyre të ndryshme të jetës, e zhvilluan veprimtarinë e tyre në vitet ’30, 40, 50, 60, 70. Ky është brezi i orientalistëve i trashëguar nga e kaluara.
Brezi i dytë është ai që ushtroi veprimtarinë fill pas këtyre në vitet ’70, 80, 90, 2000, e prej tyre ka që vazhdojnë të ushtrojnë me sukses këtë veprimtari. Midis tyre mund të përmendim: në krye autodidakti orientalist Selami Pulaha, Petrika Thëngjilli, Kristaq Prifti, Gazmend Shpuza, Shaban Çollaku, Eleni Duka, duke vazhduar në Kosovë me Iljaz Rexhën, Mehdi Polisin, Feti Mehdiun, Ismail Ahmedin. Një pjesë prej tyre studiuan pjesërisht jashtë, në fakultetin e orientalistikës në Bosnje, në Bullgari etj. Një pjesë mësoi nga njëri-tjetri në vite. Edhe mbi shpatullat e këtij brezi ra një barrë e rëndë jo vetëm në fushën e studimeve por dhe të përkthimeve.
Brezi i tretë është ai i orientalistëve të rinj, të cilët e morën shkollimin në fillim të viteve ’80 në Shqipëri me orientalistët shqiptarë në kurse të posaçme, si Shaban Çollaku, Vasfi Samimi apo Vehxhi Buharaja. Ndërkohë një pjesë e vogël prej tyre pati fatin të shkollohet në Turqi, në Ankara e në Stamboll.
Ndonjë i rrallë u muarr vetëm me turqishten e re, ku arriti maja. I tillë është Stefan Vuçani. Midis tyre mund të përmendim Ferit Dukën, Nezir Batën, Zana Frashërin, Kujtim Nuron, dhe në Turqi, ndonëse në moshë më të madhe se këta, po i të njëjtit brez se hyri me vonesë në orientalistikë pas viteve ’90 të shekullit XX, orientalisti, përkthyesi, studiuesi, shkrimtari dhe hartuesi i fjalorëve turqisht-shqip e anasjelltas, Mitat Hoxha. Ky brez e zhvillon veprimtarinë e vet në vitet ’90 të shekullit XX dhe pas viteve 2000, dhe akoma është në aktivitet të plotë. Dikush punon në mënyrë institucionale aty ku duhet, ndërsa të tjerët valët e jetës i kanë përplasur sa andej këtej, deri edhe në emigracion. Nga shqiptarët jashtë Shqipërisë kemi një Abdullah Hamiti, që i takon si orientalist dy dekadave të fundit.
Dhe së mbrami do të përmendim disa orientalistë të rinj pas viteve 2000, të cilët i hasim edhe si arabistë, iranistë (persologë) etj. Ndër ta mund të përmendim të rinj me perspektivë, me energji të reja, shpresa e së ardhmes, të cilët po vijnë duke u shtuar si Ermal Begaj me shkollim në degën e orientalistikës në Prishtinë, Dritan Egro (osmanist) me shkollim të gjatë në Ankara (Turqi), persologë si Elton Lila, Ledio Demolli e të tjerë, që pak i njohim e janë pak të njohur, po që sigurisht koha do të bëjë të vetën në afirmimin e tyre. Këta dy të fundit kanë mbaruar shkollimin e lartë universitar në Tehreran në Iranin e largët dhe zhvillojnë një aktivitet të gjerë, sidomos në lëmin e përkthimit. Le të shpresojmë se koha do të shumëzojë numrin e tyre dhe sigurisht që s’ka se si të ndodhë ndryshe.
Siç shihet edhe nga ekspozeja e shkurtër e bërë, tek ne nuk trashëguam nga e kaluara një shkollë orientalistësh, nuk patëm një traditë të formuar siç e kanë shtetet e perëndimit, apo duke filluar nga shtetet fqinjë. Tek ne kjo gjë i ka mbetur rastësisë, spontaneitetit, sadoqë nevojat do të thosha janë të mëdha, të jashtëzakonshme. Tek ne ka munguar, edhe pas krijimit të universitetit shtetëror, një degë e orientalistikës, pa le më fakultet i orientalistikës siç e ka bota.
Ç’mund të themi për V. Samimin në mes të këtij numri orientalistësh të vjetër e të rinj. Ai është, mund të themi pa e tepruar, në majat e tyre. Ai pati “privilegjin” ta kryejë shkollimin në vetë Perandorinë Osmane në mënyrë të natyrshme, dhe osmanishten ai e kish gjuhë “të gjallë” deri në fund të jetës së vet, kur ajo edhe në Turqi tashmë konsiderohej gjuhë e vdekur. Për një çerek shekulli ai u formua në Turqi, në Stamboll, dhe e pati do të thoshim gjuhë të nënës, ndryshe nga krejt orientalistët e sipërshënuar shqiptarë. Ai e njihte atë në gjerësi e në thellësi, duke shkuar deri në përkthimet nga dijetari udhëpërshkrues Evlija Çelebi. Dr. Vasfiu më ka dhënë mua personalisht për një vit mësime të osmanishtes me abetare origjinale që i kish që nga koha e studimeve të tij në shkollat turke. Gjithashtu, si një mësimdhënës i shquar, ai u ka dhënë mësim në arkivin e shtetit osmanistëve të rinj, si Ferit Duka, Nezir Bata, Kujtim Nuro e ndonjë tjetër. Përkthimet e tij nga osmanishtja shquhen, dallohen për horizontin kulturor, historik, enciklopedik, gjuhësor e jetësor. Vetë profesioni i tij si veteriner e bënte të ishte shumë i lidhur me jetën.
Vasfi Samimi, për aq kohë sa jetoi, u shqua midis bashkëkohësve të tij orientalistë. Një pjesë prej tyre si Haki Sharofin, Vehxhi Buharanë e ndonjë tjetër, i njihte personalisht dhe i kish miq të ngushtë. Me mjaft prej tyre pati dhe lidhje korrespondence, si me të ndjerin Vehxhi Buharaja, me osmanistin shqiptar Nexhip Alpan (Pula) me banim në Ankara etj. Gjithmonë, me gjithë aftësitë që kish, u shqua për thjeshtësinë e tij.
Kristo Frashëri në separatin e artikullit të tij shkencor “Shemsedin Sami Frashëri – ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare”, botuar në revistën Studime Historike, nr. 2, 1967, në faqen e brendshme të kapakut të tij, shkruan: “Prof. V. Samimit”, dhe firmoste “Kr. Frashëri”. Ky historian i mirënjohur që në vitet ’60 të shekullit XX e dinte vlerën e Samimit dhe e çmonte, e quante me plot gojën “profesor”, sado që ai zyrtarisht nuk e kishte një titull të tillë.
Në fillim të viteve ’70 dr. Samimin, që e kish mbrojtur doktoraturën në Gjermani në vitet 1931-1932 për veterinari para një komisioni profesorësh të nderuar të Universitetit të Berlinit, u përpoqën ta detyrojnë ta rimbrojë atë përsëri, tashmë në moshën rreth të 60-ve. Dhe kur tani, pas katër dekadash bash në vitet 1971-1972, ajo nuk i njihej nga shteti monist. Për më tepër duhet të jepte provimet e filozofisë markiste etj. etj. Por u pa se në rastin e njerëzve si dr. Vasfiu që mbanin mbi shpatullat e tyre si askush tjetër rreth gjysëm shekulli punë, tashmë në pleqëri ridhënia e doktoraturës dukej e tepërt. Mbi supet e Vasfi Samimit rëndonte një mal përvoje në fushën e veterinarisë dhe zooteknisë, qoftë si punonjës i thjeshtë, qoftë si kuadër drejtues i Instituteve përkatëse në këto dy fusha, si në Xhafzotaj, në Shkodër e gjetkë. Dhe kjo i kërkohej kujt? Atij që kish hedhur themelet e këtyre dy shërbimeve në Shqipëri, bashkë me një Bilal Golemi e të tjerë. Po ç’ti bësh?! Këto ishin paradokse të kohës, por që në rastin e dr. Samimit merrnin një përmbajtje tragjikomike apo më mirë të një parodije. Ai, siç ma ka thënë vetë, ishte një “muxhahid”, fjalë arabe e përdorur në turqisht në kuptimin “luftëtar”, i kish nxjerrë gjoksin jetës dhe e kish përballuar burrërisht atë.
Të vënë në pozitë të palakmueshme e të pakëndshme, autoritetet shkencore e zyrtare të Universitetit Shtetëtor Bujqësor (atëherë Instituti i Lartë Bujqësor) u detyruan të lëshonin pe dhe të njohin diplomën që i kish dhënë Universiteti i Berlinit. Ç’paradoks! Tentonin të mos i njihnin diplomën e dhënë nga një universitet i huaj, për më tepër gjerman që numëronte moshën e vet me shekuj, “punonjësit” e një institucioni i cili në kohën kur ju “njoh” doktorata, numëronte rreth një çerek shekulli jetë. Edhe sikur të mos e kish një gradë të tillë shkencore si doktor i veterinarisë, atij ia kish dhënë vetë jeta. Gjithë ata mijëra studentë, punëtorë e punonjës apo fshatarë apo kuadro me të cilët kish punuar. Ata e thërrisnin me respekt “Doktori”. Kështu e kam thirrur edhe unë vetë që kur e kam njohur. Të huajt që vinin për vizitë në Universitetin Bujqësor, shkencëtarë pedagogë apo zyrtarë të shquar të institucvioneve të bujqësisë nga shtetet e ndryshme të Europës, të Lindjes apo Perëndimit pa dallim, pasi kishin rënë në kontakt me dr. V. Samimin, nuk mungonin bile deri edhe në radiotelevizionin shtetëror të flisnin me entusiazëm për lartësinë e tij. Dikujt mund të mos i vinte mirë, por ky ishte realiteti i Samimit, kjo ishte e vërteta e tij.
Pra doktoratën ai e kish fituar zyrtarisht në Berlin, pastaj për gjysëm shekulli përvoje, eksperience në fushën e veterinarisë e zooteknisë, dhe thellimi në dijet shkencore, dhe së treti dhe si mësimdhënës për gati dy dekada në institucionin më të lartë të dijes në Shqipëri, ku shërbeu si pedagog e shkencëtar që gëzonte respektin e të gjithëve, duke filluar nga studentët, punonjësit ndihmës si laborantët, dhe kolegët e tij të punës. Më lart nuk u ngjit se doli, apo më mirë e nxuarrën, në pension.
Megjithatë kish personalitete të tillë në fushën e letrave shqipe, si historiani i nderuar Kristo Frashëri që e njihnin, e çmonin, e nderonin dhe i thërrisnin profesor Vasfi Samimit. Dhe kjo qysh në vitet ’60. Atë e nderonin një profesor Aleks Buda, një profesor Eqerem Çabej, një prof. Mahir Domi, që në vitet ’70, me krijimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u bënë akademikë, Buda bile kryetar i saj, Çabej nënkryetar etj. etj. Aty duhet të kish qenë dhe vendi i dr. Vasfi Samimit. Por… Samimi “mbeti” zyrtarisht tek pragu i profesorllëkut, sado që studentët, kolegët e të huajt pas takimeve me të (gjermanë, rusë, turq, francezë, italianë, ballkanas etj.) e thërrisnin “herr profesor”. Bile në bisedat e tyre ata flisnin për “akademikun” Samim apo “akademisienin” Vasfi, dijetarin, savantin Vasfi Samimi. Po ç’të thuash për këto gjëra! Kur i shohim nga sot na dalin “marrina”, marrëzira të kohës e të sistemit.
Për të përfunduar me këto, po i referohem një njeriu të paanshëm, që s’e ka njohur personalisht Vasfi Samimin, por veprën e tij. Ai quhet Abdylkader Hajber dhe është nga Turqia. Punon si një profesor doktor osmanolog i dërguar nga shteti turk në Universitetin e Shkupit në Maqedoni në bazë të marrëveshjes zyrtare. Disa rrethana fatlumtura, rastësia e solli të njihet me shkrimet osmanisht të dr. Vasfiut. Samimi ka shkruar deri në ditët e fundit që jetoi mbi 2000 (dymijë) faqe osmanisht. Profesori në fjalë, duke u njohur me punën e Vasfi Samimit, me dorëshkrimet e tij në osmanisht, është mrekulluar aq sa është shprehur: “Ai shkruan me një osmanishte të veçantë, të kulturuar. Është shumë prodhimtar. Ku e ka gjetur kohën ky njeri për të shkruar kaq shumë? Kur ka ngrënë, kur ka pushuar? Kur ka fjetur?… Ç’mendje njerëzore! Ç’inteligjencë! Është për t’u admiruar”.
Duke u marrë me përkthimin e veprës së Samimit nga osmanishtja, ai thotë se “fati e solli që ky njeri i lartë të vijë në vendin tuaj të bukur, në malet tuaja krenare. Po të kish jetuar në vendin tim, ky intelektual i jashtëzakonshëm, e këtë e them me bindje, do të kish qenë të paktën një nga personalitetet e jetës akademike, intelektuale dhe shoqërore të Turqisë…”. Dhe profesori turk vazhdon duke folur me entusiazëm për V. Samimin, intelektualin që ka “zbuluar” nëpërmjet krijimtarisë së vet në osmanisht, të shkruar në Turqi e më pas në Shqipëri gjatë jetës së vet.
“Po ju përmend një perlë letrare të tij sa për ilustrim, vazhdon profesori osmanolog me detyrë në Universitetin e Shkupit. Në vitet ’20 të shekullit XX ai kish qenë për vizitë në kopshtin zoologjik të Stambollit. Aty hera e solli që të shohë për një orë, një nënë me vajzën e vet të bukur si perri. Këtij momenti ai i kushtoi një prozë poetike osmanisht “Dashuri me shikim të parë”. Aty djaloshi Samim, duke hedhur në letër ndjenjat e veta, në kontakt me vështrim me vajzën e re ka shkruar një krijim të frymëzuar. Është një perlë e vërtetë – përfundon profesori Abdylkader Hajber – e dalë nga duart e Vasfiut”.
Osmanologu i nderur Hajber u kish thënë bijve të dr. Vasfiut, Ergjinit dhe Gencit, të dy dhe ata profesorë në fusha të shkencave natyrore, se babai i tyre “gabimisht” ishte bërë veteriner, se ai ishte “i prerë” për fushën e letërsisë, kulturës dhe artit. Dramat e tij osmanisht ishin shkruar me finesë dhe ai bartte shqetësimin se mos me përkthimin në turqishten e re dhe në shqip do të cënoheshin vlerat e tyre letrare, do të “humbnin” nuancat e finesës së tij. Ergjini, djali i dr. V. Samimit, duke më folur për këto, gjëra më tha me të drejtë: Ai mbeti jetim. Se mos jeta i dha mundësinë të zgjedhë. Shyqyr që mbaroi dhe shkollën e lartë për veterinari. Në sajë të prirjeve, talentit, punës së tij të palodhur në këto fusha, ai mundi që gjatë luftës së dytë botërore të arrijë një kulminacion. Rrethanat e pafavorshme pas lufte për një kohë “e penguan, po nuk e ndalën”. Ai diti të qëndrojë më këmbë dhe të na lerë këtë vepër që sot po përpiqemi të shohë dritën e botimit.


Përmbyllje:

Qysh në vitin 1970, domethënë 11 vjet para vdekjes, dr. Vasfi Samimi do të shkruante si konceptim, e më pas do t’i vihej punës për të realizuar veprën e tij për rilindasin Sami Frashëri, me këtë përmbajtje:

Sami Frashëri
(Aspekte të reja nga krijimtaria e tij)
Lënda:
1. Vigani i punës mendore
2. Sami Frashëri për çlirimin dhe emancipimin e gruas
3. Sami Frashëri si dramaturg (Drama “Giave”)
4. Sami Frashëri si natyralist
5. Mbi ditët e fundit të jetës së tij (Rreth veprës “Shemsettin Sami” të Agah Sirri Levend).
6. Shënime sqaruese e plotësuese mbi temat e sipërme.
7. Literatura


Tiranë 1970 Prej Vasfi Samim Visokaj

No comments:

Post a Comment