Monday, October 28, 2013

Muzat greke dhe i dashuruari i pashërueshëm...

Nga Dr. Laurant BICA

Me “Iljadën” jepet origjinali greqisht i Homerit dhe përkthimi  greqisht e shqip – ashtu edhe i “Ëndërrimeve” (Tehajylat) vite më parë, në persisht e shqip,  nga studiuesi Jorgo Bulo, krijojnë hapësira të reja për studiuesit e sotëm të kulturuar e të nesërm, njohës të gjuhëve respektive, për të thënë një fjalë të re më të kualifikuar për poetin tonë të kombit. Në librin e vet Dhori Qiriazi shkuan një parathënie me mjaft interes, Sa mirë do të ishte që, sikurse „Ëndërrimet“, të kishte një studim hyrës, siç ka bëtë studiuesi i letërsisë sonë, zoti Jorgo Bulo



Nga libri “Naimi në Kostandinopojë”


  Megjithatë, duke e shfletuar atë, gjeta disa konstatime dhe ide me vlerë, që na tërhoqën vëmendjen, tek të cilat do të ndalem më poshtë. Në fillim të veprës së parë greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, botuar në Bukuresht, Naimi ka një kushtim, që flet shumë për të, aq më tepër që ai ishte në hapat e para të krijimtarisë. Ai shkruan: “Nënës sime të ëmbël, Shqipërisë, Asaj që më dha gjithë forcën që kam”. Dhe këtë ai e bën pikërisht në një botim në gjuhën greke, nëpërmjet të cilit ai i drejtohej kryesisht një auditori të huaj, duke mos mohuar edhe shqiptarët e shkolluar në shkollat greke brenda e jashtë perandorisë, sigurisht, ata të krishterë.


Pas veprës “Ëndërrimet”, që është botimi i parë i tij në gjuhë të huaj, në persisht, brenda Perandorisë Osmane, duke mos llogaritur krijimet e tij shqip në revistën “Drita – Dituria” (1884-1885), vjen botimi i tij i dytë, prapë në gjuhë të huaj, këtë radhë greqisht dhe jashtë perandorisë. Natyrshëm, vetvetiu lind pyetja: pse Naimi boton përsëri në gjuhë të huaj, ende pa nxjerrë një botim shqip?



Përmbledhja me poezi në gjuhën persiane “Ëndërrimet”, ishte “dallëndyshja e parë” e krijimtarisë poetike naimjane, siç e kemi vënë në dukje më parë. Ndryshe, do ta quanim “divani” me vjersha persisht i Naimit, sepse ai këtu eci në gjurmët e traditës shumëshekullore e mijëvjeçare të poezisë persiane dhe debuton me shumë sukses si nga pikëpamja e gjuhës ashtu dhe e vjershërimit ku ai është edhe novator, siç nuk mungojnë të vënë në dukje studiuesit e ndryshëm persianë, madje ndokush arrin ta cilësojë  “poet persian”. Veç “divani persisht” i Naimit në fund të shekullit 19, siç thotë shqipëruesi i tij Vehxhi Buharaja, ka një ndryshim nga divanet e tjera, sepse normal, ata fillojnë me një vjershë për Zotin, ndërsa Naimi këtë vjershë e vë nga fundi i përmbledhjes së tij persisht. Pra, Naimi “provon dorën” në persisht, në gjuhën e poezisë së Lindjes, ecën në gjurmët e një poezie me tradita dhe tregon që është një mjeshtër i kësaj poezie. Ai i drejtohet jo vetëm intelektualëve persianë, por një auditori të gjerë, atij të elitës intelektuale osmane, e cila e njihte gjuhën perse krahas gjuhës arabe dhe krijonte në të.


Dhori Qiriazi, në parathënien e tij shkruan se e botoi poemën “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” në greqishten katheravusa, se  ishte gjuhë jo vetëm e intelektualëve grekë, por e mbarë elitës intelektuale të krishterë të Ballkanit. Para se të ecim më poshtë, duhet të japim një sqarim. Ashtu si për turqishten e vjetër, osmanishten, duhet të themi që ishte gjuha zyrtare (e përzierë me fjalë arabisht e persisht) e Perandorisë Osmane dhe ndahej nga turqishtja e popullit, edhe katheravusa  ishte greqishtja bizantine mesjetare e cila në rrjedhë të shekujve u largua nga gjuha e popullit, që quhet “dhimotiko”. Me krijimin e shtetit grek ajo u bë gjuha zyrtare e tij, mësohej në shkolla njësoj si osmanishtja dhe, gati deri në fund të shekullit të 20 vazhdoi të ishte e tillë. 


Vetëm tani vonë u zëvendësua nga greqishtja popullore. Kurse turqit vetëm pak kohë pas vendosjes së republikës, më 1923, bënë reformën e gjuhës (1928) dhe vendin e osmanishtes e zuri turqishtja e re me germa latine, e cila iu afrua gjuhës së popullit, duke u pastruar nga fjalët e huaja. Gjuha katheravusa dhe osmanishte u bënë gjuhë e administratës, e shkollës dhe e kulturës e letërsisë, e elitës intelektuale e aristokracisë. Aristokracia e vendeve ballkanike si Rumania, Bullgaria etj. pa folur për Greqinë, e përdornin tradicionalisht si gjuhë të tyre të kulturës. Pikërisht Naimi kishte parasysh këtë elitë intelektuale që ishte në krye të shteteve përkatëse, plus që të gjithë kishin përfaqësuesit e tyre në qytetin kozmopolit të Stambollit, kryeqendra e Perandorisë Osmane. 

Naimi e thuri këtë poemë  në gjuhën greqishte elitare katharevusa duke ecur në gjurmë të një tradite shekullore e mijëravjeçare të poezisë greke. Edhe këtu, me guxim, ai tregoi, sikurse në persisht, këtë radhë jo më për Lindjen, por për Perëndimin e perandorisë e për krejt Ballkanin, se mund të debutojë me sukses në fushën e poezisë greqisht. Kjo poemë në greqisht është „dallëndyshja e dytë“ e krijimtarisë së Naimit, ku ai e tregoi përsëri lartësinë e vet në fushën e poezisë elitare prapë si mjeshtër i saj. 

Pra, Naimi, duke ecur në gjurmët e dy traditave të fuqishme, në fushën e poezisë në persisht e në greqisht, duke e treguar veten e nivelin e vet me sukses, paskëtaj, me guxim, iu kthye gjuhës shqipe. Pasi e prezantoi veten në botën intelektuale të kryeqytetit osman dhe jashtë tij, ai i hyri poezisë shqip dhe krijoi poemën „Bagëti e Bujqësia“ në shqip. Kjo është „dallëndyshja e tretë“ naimjane në fushën e krijimtarisë poetike, por tashmë në gjuhën amtare, e botuar jashtë kufijve të perandorisë, se brenda saj nuk mundi ta botojë. Shqipja ishte një gjuhë pak e lëvruar dhe jo me traditë si dy gjuhët e lartpërmendura dhe mjeshtri i afirmuar Naim, pasi forcoi pozitat e veta në botën intelektuale, në elitën osmane, iu përvesh prapë me kurajë të krijojë tashmë, traditë në gjuhën e vet shqipe, e cila, për më tepër, ishte gjuhë e ndaluar, nuk lejohej shkrimi i saj. A ishte Naimi në nivelin e krijimeve të tij në persisht e greqisht? Studiuesi i mirënjohur, i mbrujtur me idealet rilindëse, që është marrë me krijimtarinë e Naimit, Rexhep Qosja, me hollësi e ka analizuar atë dhe na ka zbuluar nëntokën e poemës „Bagëti e Bujqësia“ dhe nivelin e lartë të saj si nga ana artistike e ideore, ka zbuluar mjeshtërinë e madhe të krijuesit Naim.

Poema  me 8 këngë “O eros” (Dashuria), krijimi i fundit i Naimit, sepse shëndeti i përkeqësuar nuk e lejoi të shkruajë. Botimet e mëpasme ishin shkruar qysh më parë. „O eros“, siç e tregon titulli, u shkrua në greqisht gati 10 vjet më vonë pas botimit të divanit persisht „Ëndërrimet“. Kjo ishte dëshmi e nivelit që kishte arritur mjeshtri i poezisë Naim pas mbi 10 vjet pune botimesh në poezi e në prozë. Ka të ngjarë kjo të jetë edhe vepra me të cilën ai bashkë me krijimet e Abedin Dinos iu paraqitën Akademisë së Athinës dhe u çmuan lart prej saj e morën dekoracione, siç thuhet në një burim.

Studiuesve të ardhshëm të Naimit nuk duhet t’u dalë jashtë vëmendjes studimi i këtyre katër veprave të tij, të cilat janë shkruar në gjuhë të ndryshme dhe tregojnë lartësinë e tij si krijues dhe si mjeshtër i poezisë edhe në gjuhë të tilla elitare të poezisë si persishtja e greqishtja, si dhe debutimin e tij të suksesshëm në një gjuhë ku ai krijoi traditë, siç ishte gjuha shqipe. Si në gjuhët me traditë, si në një gjuhë si shqipja, pothuajse pa traditë, Naimi tregoi guxim. Ai hodhi themelet e traditës të poezisë shqip. Brezat e sotëm i janë mirënjohës Naimit, këtij mjeshtri të poezisë shqip. Mjeshtërinë e vet në poezi në gjuhët botërore të poezisë ai e vuri në shërbim të krijimit të traditës  së gjuhës së nënës së vet Shqipëri, nga e cila ai merrte forcën që kishte. Studiuesit e sotëm naimjanë duhet të shohin divanin persisht, dy poemat greqisht dhe poemën kryevepër „Bagëti e Bujqësia“ të tij në veçoritë e tyre, por edhe përbashkësitë e tyre, t’i shohin duke i shijuar në origjinalet e tyre, për të nxjerrë në pah lartësinë e mjeshtrit të poezisë jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhët botërore të saj, të dijetarit Naim, të akademikut Naim. 

Naimi është një figurë, një personalitet i letërsisë jo vetëm shqipe, por edhe i letërsive të tjera, por kjo gjë duhet të dalë në pah. Studimi nga specialistë të gjuhës perse, iranologë, qofshin shqiptarë apo të tjerë, apo helenistë të specializuar si të greqishtes së vjetër bizantine etj. do të na sjellë befasime të reja në lidhje me lartësinë e Naimit tonë, që e njohim dhe prapë s’e njohim siç duhet. Te Naimi deri më tani kemi parë krijimet e veçanta dhe kjo shpesh na ka penguar të shohim të tërën. Kemi parë drurët e veçantë, poema të veçanta, krijime të veçanta dhe kjo na ka penguar të shohim nga lart Naimin, të tërin, pyllin. Po të shohim të katër veprat e sipërpërmendura, në total do të vërejmë që Naimi është mjeshtër i madh i poezisë, që i ka kapërcyer me kohë kornizat kombëtare me të cilat jemi mësuar ta shohim deri më sot. Ai  nuk është vetëm një poet kombëtar i yni. 

Përmasat në kohën kur jetoi ishin perandorake, madje ai i kapërceu edhe ato. Studimet më të thella të krijimtarisë së tij, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të huaj dhe zbulimi i mjeshtërisë artistike duke e krahasuar me poetët e kombeve të tjerë, do të nxjerrë vlerat e tij si poet me kualitetet e larta të mjeshtërisë së tij në fushën e poezisë, thellësitë e mendimit naimjan si dhe universin poetik të tij. Naimi është një poet që s’na takon vetëm ne shqiptarëve, por mbarë botës. 

Vepra, apo më mirë të themi kryevepra e tij, poema „Bagëti e Bujqësia“ është dëshmia më e mirë për këtë. Kjo është edhe një nga arritjet më të mëdha të Naimit, ndofta më e madhja në lëmin e poezisë. Ai jo vetëm thuri një poemë me vlera të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet artistike, atdhetare etj. por vuri gurë themeli  në vjershërimin shqip dhe ndofta ajo qëndron me gjithë vlerat që kanë në gjuhët përkatëse të poemave e vjershave të tij, të tjera në gjuhët persisht, greqisht, shumë e shumë më sipër. U takon specialistëve të gjuhës e të letërsisë shqipe e letërsive respektive  përkatëse të thonë një fjalë gjithnjë e më preçize. Veçse roli që luajti ajo me vargjet e saj ndezën një popull të tërë, e vetëdijesuan atë.

Vepra “Bagëti e Bujqësia” ishte e para. Të tjera erdhën më pas. Vepra letrare në prozë e në poezi, si nga Naimi ashtu edhe nga kohëshokët e tij, rilindësit e tjerë. U krijua mbi bazën e saj një letërsi e tërë, një traditë e tërë; traditë që meritën e „trasimit“ të saj, punën prej pionieri e ka Naimi ynë, Naim Frashëri, rilindësi Naim, dijetari Naim, poligloti Naim, atdhetari Naim, Akademiku Naim e pse jo, Profeti i Shqiptarizmit, Naim Frashëri. „Vjershat për mësonjtoret e para“ (1886), „Lulet e verës“ (1890), „Parajsa dhe Fjala fluturake“ (1894) do të ishin në vazhdim të „Bagëti e Bujqësisë“, duke krijuar traditën naimiane të shqipes. Dhori Qiriazi në parathënien e sipërpërmendur, kur ndalet në vjershën “O eros”, përsa i përket gjuhës që përdor autori Naim, thekson se është greqishtja që i takon shkollës fanarite. Naimi i përmbahet kësaj shkolle e, me sa duket, greqishtja e preferuar e tij është pra kjo fanarite. 

Gjithashtu, në lidhje me poezizë  greqisht të Naim Frashërit, ai thekson se në të duket qartazi ndikimi i rrymës në modë të asaj kohe, që vinte nga Perëndimi në letërsi, rrymë parnasiane. Kjo rrymë më shumë sesa përmbajtjes, i vinte rëndësi formës, gjë që nuk mungon të shihet edhe te Naimi në këtë poezi të tij në greqisht. Një lexues i zakonshëm këtë mund ta kalojë lehtazi, ashtu sikurse edhe autori i parathënies, vetëm sa i vë në dukje këto dy momente  në veprën e Naimit, pa i shtjelluar më tej ato. Sigurisht, do të ishte me shumë vlerë për ne në qoftë se autori do të ishte ndalur në të, t’i kishte shtjelluar, zbërthyer apo thelluar. Për ne edhe kaq sa jep nuk është pak...


Mjeshtër  si në greqishten e vjetër tek “Iliada”, apo te varianti i saj katharevesa te “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” (“O pathos ... ton skipetarion”), Naimi del përpara opinionit intelektual perandorak me preferencat e veta për greqishten, pikërisht atë të shkollës fanariote. Sigurisht, Naimi nga shkolla dinte si greqishten e vjetër ashtu edhe atë të re (katharevusa). Ndërsa greqishten popullore, sidomos atë të Greqisë Veriore e Perëndimore, greqishten e ishujve të Jonit, greqishten e Korfuzit, të Epirit ai e dinte “ujë”, se kaloi 15-20 vjet në vilajetin e Janinës. Plus administrata osmane në këtë vilajet, veç osmanishtes njihte edhe greqishten dhe në të dilte edhe gazeta zyrtare e vilajetit jugor shqiptar. Ç’t’i bësh, paradokse të kohës! Shqipja nuk njihej. Nuk lejohej të shkruhej. Kush guxonte të ngrinte kokën, ia prisnin. Ndaj, Naimi që e kishte provuar këtë realitet nuk mund të pajtohej me të. Ai donte që shqipja të shkruhej, të njihej, të zyrtarizohej, ndaj ai i bën opinionit intelektual perandorak njërën sfidë pas tjetrës. 


"Kam shkuar shumë herë në Ishujt e Princave apo Ishujt Prinkipo në detin Marmara ose siç u thërresin thjesht turqit “Adalar” (Ishujt) që janë pranë pjesës aziatike të Stambollit, rajonit të Kadiqoit. Aty akoma banojnë rreth 10.000 banorë, të cilët me shumicën e tyre janë rumë greqishtfolës. Ato janë 9 ishuj, 2-3 prej të cilëve të pabanuar. Më të mëdhenjtë e tyre, ku banon shumica e popullsisë, janë Byjukada, Hejbeliada dhe Kënallëada. Kam parë fytyrat e banorëve vendas që rrojnë aty prej shekujsh. Kam parë artitekturën e banesave, vilat, rrugët, pajtonet që i bien kryq e tërthor ishujve ngarkuar me turistë dhe, çuditërisht, më kujtojnë diçka nga Shqipëria, nga njerëzit tanë, nga toka jonë, nga arkitektura e ndërtimeve tona. Kam dëgjuar njerëzit të flasin veç turqishtes edhe greqishten e Stambollit. 

Kam parë me vëmendje sjelljet e tyre, qëndrimet e tyre, kam përcjellë, sa herë kam shkuar në ishuj, pastërtinë e tyre, veshjen e tyre, zakonet e tyre, qytetërimin e tyre. Ai sikur më sjell, ashtu mbyturazi, jehonën e një bote tashmë të perënduar, botës bizantine. Ata sa vijnë e rrallohen dhe aty vendosen vazhdimisht banorë të rinj.... Dikur aty kanë ardhur rilindësit tane dhe ata osmanë, si dijetari Hoxha Tahsin,  Sami Frashër, poeti Naim, rilindasi Pashko Vasë, prijësi Ismail Qemal, aristokrati Munif Pashë, Ahmet Xhevdet Pashë etj. etj.

 Ishujt, si në shekuj në të kaluarën  ashtu edhe sot, kanë qenë vend verimi e vend pushimi. Vilat dy-trekatëshe apo më të mëdha qarkojnë ishujt. Aty vinin në kohën e Naimit pasanikët e Stambollit me familjet e tyre, pashallarë e bejlerë, funksionarë të lartë të shtetit, rumët e pasur, armenët, jahudinjtë (çifutët), por edhe personalitete të artit e të shkencës, të arsimit e të kulturës, madje një pjesë e tyre kishin vilat verore (jazllëk-et-turqisht – L.B.). "

 

Në Hejbeliada ka qenë shkolla e priftërisë, e priftërinjve ortodoksë. Ajo ka një bibliotekë shumë të pasur 400-vjeçare a më tepër. Aty mund të gjesh libra të vyera si për shekujt bizantinë ashtu edhe princat e Ballkanit, përfshi edhe ata shqiptarë, për Skënderbeun, për historinë e rumëve greqishtfolës, banorë autoktonë të këtyre trojeve. Aty duhet të ketë literaturë të pasur për Voskopojën, për Rilindjen e rilindësit shqiptarë, përfshi edhe Naimin tonë, për botuesit rumë me të cilët pati të bëjë ai, koleksionet greqisht të gazetave e revistave si “Neologosi” me të cilën polemizoi Shemsedin Sami Frashëri, apo ku u botuan poezitë e Abedin Dinos, periodikë si “Qiriksi”, ku u botua studimi për veprën persisht të Naimit “Ëndërrimet” etj. etj. 


Biblioteka e shkollës së Patriarkanës së Stambollit ruan thesare për historinë e Turqisë, të Greqisë, të Shqipërisë, historinë e ortodoksizmit ballkanas. Ajo pret studiuesit e sotëm e të nesërm, për t’u hapur gjirin e vet. Aty duhet të ndodhen edhe botimet greqisht të Naim Frashërit e plot gjëra me vlerë të shkruara nga rilindësit. Me sa di unë, hulumtues evropianë apo amerikanë kanë shkuar mjaft, por shqiptarë nuk besoj se ka shkuar njeri. Gërmimet edhe në këtë bibliotekë shekullore mund të na befasojnë me “zbulime të reja”... 

 

Aty ruhen libra unike në llojin e vet dhe që s’i gjen në asnjë vend tjetër Naimi,  që e kishte greqishten si gjuhën e tij amtare dhe e dinte në perfeksion, nuk ka si të mos jetë frymëzuar nga muzat greke. Fakti që ai shkroi edhe në greqisht është dëshmia më e mirë për këtë... Sot, nga lartësia e 150 vjetëve nga vdekja e Sollomosit dhe mbi 100 vjet nga largimi i Frashërit, ne jemi në gjendje të çmojmë më mirë si vlerat e tyre për kombet respektive edhe mesazhet e tyre për miqësinë e paqen e kahershme si ure kulturore midis popujve fqinjë...

No comments:

Post a Comment